6.1 C
Pristina
Monday, August 2, 2021
Home KULTURË ''Pushka qëllon edhe në lojë'' - Në Shqipëri pushka nuk është përdorur...

”Pushka qëllon edhe në lojë” – Në Shqipëri pushka nuk është përdorur vetëm për luftë, por edhe si një mënyrë për t’u argëtuar

Në çdo krahinë të Shqipërisë dhe atje ku banojnë shqiptarë, pushka nuk është përdorur vetëm për luftë, por edhe si një mënyrë për t’u argëtuar
Shqipëria dhe shqiptarët, si një ndër popujt më të vjetër të Europës, kanë pasur ndër shekuj lojërat e tyre. Ato janë ndryshe nga ato më të globalizuarat, si: futbolli, basketbolli, volejbolli, tenisi etj. Nga veriu në jug, pa harruar edhe shqiptarët përtej kufijve dhe arbëreshët me arvanitasit, lojërat popullore shqiptare janë një tregues i kulturës sportive që, historikisht, ka qenë pjesë e këtij populli. Instituti i Historisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në vitin 1975 ka publikuar “Etnografia Shqiptare VI”, ku flitet për lojërat popullore shqiptare. Ato mbështeten në gjetjet e Mjeshtrit të Sportit në Alpinizëm, Luigji Shala. Janë rreth 1250 lojëra të ndryshme që luhen nga shqiptarët, në bazë të grupmoshave, apo dhe ngjarjeve të ndryshme. Por cilat janë lojërat më interesante, që kanë të bëjnë me përdorimin e pushkës dhe krahinat në të cilat janë luajtur?

Në Orosh të Mirditës, tradicionalisht pushka ka qenë pjesë e pandashme nga burrat. Loja e mirditorëve konsistonte në gjuajtjen në shenjë të unazës. Një unazë vendosej në trungun e një lisi dhe qitësit qëndronin përballë saj, në distancë, në mënyrë që ta shihnin me sy të lirë brendësinë e unazës. Kuptohet që qëllimi ishte që qitësi të godiste brenda rrethit të unazës. Qitësit, zakonisht, ishin ata më me emër dhe më të sprovuarit e zonës. Ata qëllonin me radhë dhe kishin në dispozicion tri plumba. Fitues shpallej ai që arrinte objektivin dhe, për të kontrolluar se ku shkonte plumbi pas qitjes së parë, unaza vendosej mbi një gjethe që i mbulonte pjesën e brendshme. Në Shkodër ekzistonte një lojë tjetër. Ashtu si në Mirditë, kishte pjesë të saj qitjen.
Në ndryshim, shkodranët nuk kishin objektiv unazën, por… vezën. Një vezë vendosej në një distancë të konsiderueshme nga qitësit, aq sa dukej vetëm një pikë e bardhë. Qitësit kishin të drejtë të godisnin nga tri herë dhe, kuptohet, fitues shpallej ai që e kapte objektivin. Por, kishte edhe një nivel loje për “ekspertët”, ku kësaj here veza lidhej me një pe dhe varej në degë peme. Objektivi kësaj here ndryshonte, pasi nuk ishte veza, por këputja e perit me plumb. Kush e arrinte, fitonte jo vetëm garën, por mbi të gjitha respektin dhe namin si qitës i pashoq.

Në Filat të Çamërisë, shqiptarët luanin një lojë interesante: kush hipën më shpejt në kalë. Loja kishte si qëllim të vinte në provë kalorësit më të shkathtë e më të shpejtë, duke treguar kështu gatishmërinë e menjëhershme në rast nevoje. Ajo zhvillohej zakonisht në dasma, ose në mbledhje kalorësish. Organizimi i lojës ishte që, pas rënies së sinjalit, pjesëmarrësit në garë, viheshin menjëherë në lëvizje, duke i vënë kalit shalën, i lidhnin barkoren, i vendosnin frerin në gojë dhe kur çdo gjë ishte në rregull, i hipnin kalit dhe qëllonin në ajër. I pari që e arrinte, shpallej kalorësi më i mirë. Në disa raste loja zhvillohej, duke përdorur një gotë uji në vend të pushkës. Në momentin e fundit, kalorësi duhej të ngjitej në kalë me gotën me ujë në dorë dhe fitues shpallej ai që i hipte kalit, pa e derdhur ujin.

Në Mitrovicë kishte një tjetër lojë me kalorës dhe me qitje në shenjë. Loja zakonisht praktikohej nëpër dasma, festa ose në raste ngjarjesh. Ajo konsistonte në goditjen në shenjë të një guri të bardhë, nga ana e kalorësit të hipur mbi kalë. Zakonisht, një gur i bardhë vendosej në anën e majtë të rrugës, ku do të bëhej kalimi i kalorësve, ndërkohë që në anën e djathtë qëndronin shikuesit. Kjo lojë kishte si qëllim të testonte edhe shpejtësinë, edhe shënjestrën e kalorësit. Përcaktohej qartë vendi i nisjes dhe i mbarimit të rrugës, ku do të zhvillohej. Fitimtari ishte ai që e kapte në shenjë, pa ndaluar vrapimin e kalit. Këto janë vetëm një pjesë e vogël e lojërave popullore shqiptare, por dukshëm janë në çdo krahinë të Shqipërisë dhe atje ku banojnë shqiptarë, pushka nuk është përdorur vetëm për luftë, por edhe si një mënyrë për t’u argëtuar. (albanian post)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Ja si mund ta largoni erën e cigareve nga rrobat dhe shtëpia

Si ta largoni erën e cigareve nga rrobat dhe shtëpia. Disa rekomandime për të eliminuar erën e cigareve dhe...

Ku i gjeni 99 shkallë, si 99 emrat e Zotit? – “XHAMIA E ÇUDITSHME”

Çdo ditë e hapur, për besimtarë dhe vizitorë, ndërsa hyrja është e lirë./Konica.al Xhamia e Pazarit të vjetër në...

Veshja dhe kostumet tradicionale të Beratit, nga më të veçantat në Shqipëri

Tradita e veshjes së banorëve të qytetit të Beratit është një nga më të veçantat në Shqipëri. Kjo për shkak edhe se...

Dashunija ndaj prindëve – Ndre Mjeda

Poezi nga Ndre Mjeda Me sy çilun afër djepit,Me kujdes e me dashtni,Për vaj tem tue hjekun zi,Tue shëndue...

Recent Comments