Kujtime nga ish-i burgosuri politik, Enver Dugolli
Ishte nata e 21 janarit 1998. Si zakonisht ra zilja dhe u fikën dritat, shenja që na lajmëronin se duhej të shkonim në shtrat. Nuk ka rëndësi ke a nuk ke gjumë. Në kohën e hetimeve, zilja dhe fikja e dritave ishte sinjali më i keq i mundur, tek atëherë fillonte tmerri. Pa kaluar ndoshta 10 minuta, kur të paraburgosurit e tjerë fillonin të flinin, për të burgosurit politikë niste trajtimi i veçantë, ndërsa për xhelatët e UDB-së fillonte nata e gjatë e “punës”.
![](https://ads.epokaere.com/www/delivery/lg.php?bannerid=218&campaignid=72&zoneid=24&loc=https%3A%2F%2Fwww.epokaere.com%2Fnet-dimri-ne-burgun-e-prishtines%2F&referer=https%3A%2F%2Fwww.epokaere.com%2Ffejtone%2F&cb=655b38c375)
Ky 21 janar ishte një natë e zakonshme, sepse tanimë isha i dënuar dhe netët e gjata pas ziles dhe fikjes se dritave ishin vetëm hija e hetimit. Por këtë natë, ideja se gjithçka mund të përsëritej nuk zuri vend për shkak të zhurmave që vinin nga stacionit kryesor i policisë. Përkundrazi, ishte qetësia ajo shqetësonte. Qetësia që mbretëronte nuk i ngjante normalitetit. Ishte e sigurtë se diçka serioze po ndodhte. Zhurma e automjeteve dhe mobilizimi i hekurt i policisë hetohej dhe ndihej edhe brenda dhomave të burgut. Ndonëse lëvizjet u ndërprenë, ndjehej se po përgatiteshin për një aksion. Atë natë për çudi nuk u hapën dyert e qelive të burgut. Ndezja e furishme, si e orkestruar, e shumë automjeteve dhe blindave u ndie shumë herët, para agimit të 22 janarit. Alarmet dhe sirenat e autoblindave dëftonin se po lëviznin për diku. Se bëhej fjalë për një sulm të organizuar ndaj Kullës së Jasharajve në Prekaz, këtë e mësova vetëm më vonë.”
“Shkëputur nga libri “Qark i (Pa)mbyllur Burgjesh”