Jahja Drancolli
Universita degli studi di Padova (Universiteti i Padovës), u themelua në vitin 1222 për të arritur kulmin e famës veçanërisht gjatë shekujve XV-XVI, një periudhë kur do të shpallet për një nga dy ose tre universitetet kryesore në Europë. Ndër profesorët e tij ishin filozofë të famshëm të Humanizmit dhe Rilindjes Europiane, përfshirë Galileon, si dhe profesorin e matematikës dhe astronomisë Gjin Gazulli, një arbër me origjinë nga Zadrima e Arbërisë.
Në Padova, Gazulli kishte shkuar në 1422 për të studiuar fakultetin e arteve dhe filozofisë, në kuadrin e të cilit, pas traditës mesjetare, mësoheshin të gjitha shkencat shoqërore dhe ekzakte, si dhe artet. Dihet se deri në fund të shek. XVIII, shumica e universiteteve perëndimore ofruan një kurrikulë bazë, të bazuar në shtatë artet liberale (Septem Artes Liberales): gramatikë, logjikë, retorikë, gjeometri, aritmetikë, astronomi dhe muzikë. Në këtë kohë departamenti universitar i matematikës drejtohej nga profesorët më të shquar të kohës, të cilët përveç matematikës kishin bërë emër edhe në mjekësi dhe astronomi. Prandaj, Gazulli përmes tyre arriti të thellojë njohuritë për sekretet qiellore, njohuri të cilat ishin pjesa qendrore e tezës së tij të doktoratës të mbrojtur me sukses të madh më 31 janar 1430.
Pas një sërë aktivitetesh në në vitet 1430-ta në Itali, Francë, Raguzë, Gazullin do ta ndeshim përsëri në Padova (1439-1449), por tani si profesor i matematikës dhe astronomisë!
Burimi: Jahja Drançolli: Gjin Gazulli, astronom dhe diplomat i shekullit XV, Prishtinë: Rilindja, 1984, faqe 172 (Jahja Drançolli: Gjin Gazulli, astronomer and diplomat of the XV century, Prishtinë: Rilindja, 1984, pp. 172)!
https://www.facebook.com/story.php?story_fbid=3519302465035900&id=100008685422907&mibextid=oFDknk&rdid=DSjnmj2se6f18klJ