“Shqiptarët ende s’janë përcaktuar lidhur me çështjen e Turqve të Rinj, për të cilën tashmë kanë marrë vesh”, raportonte konsullit serb në Prishtinë, më 15 korrik 1908. Në të vërtetë, qysh më 4 korrik disa çeta të mëdha shqiptarësh kishin filluar të tubohen pranë hekurudhës midis stacionit të Ferizajt dhe Kaçanikut. Dhe sipas raporteve të konsujve austro-hungarezë, mund të flitej për shifra 4 ose 5 deri në 6 mijë vetash, të ardhur që nga Jeni Pazari e Shkupi. Se për çfarë arsye u organizua një tubim i tillë në Ferizaj, mendimet janë të ndryshme. Sipas një raporti të konsullit austro-hungarez Zambur dërguar Ballhausplatzit, “tubimi i arnautëve (shqiptarëve) në Ferizaj kishte për qëllim ta pengonte një ekskursion nga Shkupi të Shkollës gjermane të Selanikut
Kuvendi i Ferizajt dhe Revolucioni i Xhonturqve
Në konstelacion të realizimit të projektit hekurudhor austro-hungarez në Ballkan në pranverë të vitit 1908 u bënë më të zëshme spekulimet dhe dyshimet se qeveria osmane ishte e gatshme që t´ia shiste tokat e nevojshme monarkisë danubiane. Në këtë kontekst dhe kur situata në Perandorinë Osmane po përkeqësohej dhe kur Lëvizja Xhonturke mori formë, 20 000 deri në 30 000 shqiptarë u mblodhën më 5 deri më 23 korrik 1908 në Ferizaj. Kjo ngjarje e madhe politike natyrisht zgjoi interesimin e të gjithë përfaqësive konsullore në Vilajetin e Kosovës. Në radhë të parë, nga fuqitë evropiane ishte Perandoria Austro-Hungareze për rrjedhën dhe qëndrimet e tubimit të madh shqiptar në Ferizaj, që shtrihej pikërisht në territorin ku ishte parashikuar vendosja e pranisë së misionit austro-hungarez. Vjena zyrtare, përmes konsujve të saj – Rapaport në Shkup, Prochaska në Prizren dhe Zambur në Mitrovicë – ishte e interesuar për rrjedhën e Kuvendit të Ferizajt, veçanërisht për shkak të propagandës të elementit serb dhe xhonturk, që bënte çdo gjë që kjo ngjarje politike në Vilajetin e Kosovës të merrte karakter anti-austriak. Konsulli austro-hungarez në Mitrovicë, Zamburi, në telegramin dërguar Ministrisë së Jashtme në Vjenë, datë 6 korrik 1908, përhapjen e informacioneve të rreme për okupimin ushtarak të viseve shqiptare nga ana e Austro-Hungarisë ia vishte qarqeve serbe, të cilat asokohe ishin shumë aktive në Kosovë, si përmes propagandës ashtu edhe përmes bandave kriminale, të cilat detyrë parësore kishin dështimin e misionit austro-hungarez në Vilajetin e Kosovës. Ndërsa, gazeta e njohur austriake “Neue Freie Presse”, e 24 korrikut 1908, shkruante se në mesin e shqiptarëve të rretheve Ferizaj, Gjilan, Gjakovë, Prizren dhe Prishtinë prej javësh mbretëron një shqetësim i madh i shkaktuar nga ndonjë shtet ballkanik.
“…duket se janë nxitur nga agjitatorët serbë”
Se për çfarë arsye u organizua një tubim i tillë në Ferizaj, mendimet janë të ndryshme. Sipas një raporti të konsullit austro-hungarez Zambur dërguar Ballhausplatzit, “tubimi i arnautëve (shqiptarëve) në Ferizaj kishte për qëllim të pengonte një ekskursion nga Shkupi të Shkollës gjermane të Selanikut. Deri më tani shqiptarët nuk janë shpërndarë plotësisht dhe duket se janë nxitur nga agjitatorët serbë, të cilët po përhapin thashetheme të marra mbi okupimin austro-hungarez”. Realisht shqiptarët e Kosovës ishin të shqetësuar, pasi xhonturqit, të cilët tashmë kishin formuar komitetet e tyre lokale në Shkup, Ferizaj, Prizren, Mitrovicë e qytete të tjera, kishin intensifikuar propagandën e rrezikut të pushtimit të territoreve shqiptare nga Austro-Hungaria. Në fakt, reformat e nisura në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane kishin ngecur si shkak i rezistencës së autoriteteve osmane ashtu edhe për shkak të humbjes së ndikimit rus në Ballkan pas humbjes së luftës ruso-japoneze (1904–05), e cila ndikoi që qeveria britanike të ndryshojë kurs dhe të forcojë marrëdhëniet me Rusinë, të cilën ajo e shihte si një aleat të mundshëm kundër Gjermanisë.
Tashmë ideja e reformave të Mürzsteg ishte e vjetruar. Bashkëpunimit të Rusisë dhe Austro-Hungarisë, të cilat në fakt kishin qenë në një rivalitet pak a shumë të mbuluar, i erdhi fundi. Në Petërsburg lindën dyshimet se Austro-Hungaria, nëpërmjet ministrit të ri të Punëve të Jashtme të Rusisë, A. Aerenthal, po përqendrohej më shumë në përgatitjet për të aneksuar Bosnjën dhe Hercegovinën sesa për reformat. Ngjarja përfundimtare në shembjen e marrëdhënieve, ishte miratimi nga sulltani i ndërtimit të Hekurudha e Novi Pazarit (Mitrovicë) që çon në Selanik në fund të janarit 1908, e cila favorizonte Austro-Hungarinë, por që ishte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Marrëveshjen e Mürzstegut. Ndërtimi i hekurudhës nga Uvaci në Mitrovicë, e cila do t’i siguronte hyrjen austro-hungareze në Selanik, erdhi si befasi për Rusinë dhe tensionoi marrëdhëniet. Kur në horizonte po shfaqej revolucioni xhonturk, Vjena zyrtare vendosi ta aneksojë Bosnjën dhe Hercegovinën përpara regjimit të ri turk. Mund të rimerrte kontrollin mbi këtë provincë osmane, të cilën sipas vendimeve të Kongresit të Berlinit (1878), Austro-Hungaria e fitoi të drejtën për të pushtuar dhe administruar përkohësisht. Krahas këtyre tensioneve të rënda ndërkombëtare, ngjarjet e mëtejshme në pjesën evropiane të shtetit osman u përqendruan në veprimet guerile të bandave të armatosura greke, serbe dhe bullgare, të cilat mbështeteshin nga Sofja, Beogradi dhe Athina.
Shqiptarët dhe mosbesimi ndaj ndërhyrjeve të Evropës
Në këtë ambient të komplikuar ndërkombëtar dhe të paqartësive për rajonin, shqiptarët, sidomos ata në Vilajetin e Kosovës, duke pasur përvojën e hidhur e shqiptarëve të dëbuar nga rajoni i Nishit në vitet 1877-78, ishin të shqetësuar nga mundësia e agresionit serb dhe në të njëjtën kohë e shihnin me mosbesim çdo ndërhyrje në rajon të shteteve evropiane, të cila ishin të predispozuara të favorizonin vetëm popullatën e krishterë, para së gjithash atë ortodokse, përjashtuar këtu Austro-Hungarinë, e cila mbështeti pavarësinë e Shqipërisë si një mburojë kundër Serbisë së mbrojtur nga Rusia. Në kuadër të këtyre ndërhyrjeve evropiane, qeveria serbe e Pashiqit angazhohej për përfshirjen edhe të Vilajetit të Kosovës në aksionin evropian të reformave në Perandorinë Osmane. Po kështu, përfaqësuesi i Serbisë në Stamboll, Ballukxhiqi, kërkoi prej vezirit të madh përfshirjen në reforma të Vilajetit të Kosovës, e njëkohësisht për këtë e kishte angazhuar edhe ambasadorin rus, Inovjenin. Të gjitha këto zhvillime tregonin se pjesa evropiane e Perandorisë Osmane ishte bërë një territor i ndërhyrjeve të shteteve evropiane dhe rajonale. Kjo shkaktoi shqetësim te xhonturqit të cilët po synonin ta merrnin pushtetin dhe ta shpëtonin Perandorinë Osmane nga shpërbërja e plotë. Shqetësim të madh kishte edhe në radhët e shqiptarëve, gjë të cilën u përpoqën ta shfrytëzonin për qëllimet e tyre turqit e rinj, megjithëse mosbesimi i shqiptarëve ishte prezent. Në ditët e para të korrikut, afër 30 mijë shqiptarët e armatosur nga Prizreni, Gjakova, Prishtina, Gjilani dhe Vuçitërna u grumbulluan në Ferizaj, për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë osmane. Vlen të nënvizohet, se në këtë tubim edhe Sulltani i kishte njerëzit e vet, të cilët punonin në favor të tij.
“Shqiptarët ende nuk janë përcaktuar lidhur me çështjen e Turqve të Rinj, për të cilën tashmë kanë marrë vesh”, raportonte konsulli serb në Prishtinë, më 15 korrik 1908.
“Provokimi” për myslimanët fanatikë
Në të vërtetë, qysh më 4 korrik disa çeta të mëdha shqiptarësh kishin filluar të tubohen pranë hekurudhës midis stacionit të Ferizajt dhe Kaçanikut. Dhe sipas raporteve të konsujve austro-hungarezë, mund të flitej për shifra 4 ose 5 deri në 6.000 vetash, të ardhur që nga Jeni Pazari e Shkupi. Por, Sylejman Kylçe, një dëshmitar që kishte parë nga afër ngjarjen në Ferizaj, flet për një tubim ku morën pjesë rreth 30 mijë njerëz të armatosur. Sipas Kylçe, të cilin e citon historiani gjerman Peter Bartl, tubimi i Ferizajt ka ndodhur sa vijon: “Në ditët e para të korrikut 1908 u mblodhën disa mijëra shqiptarë të armatosur nga Prizreni, Gjakova, Prishtina dhe Vuçiterni në Ferizaj. Një ngjarje mjaft e parëndësishme i kishte nxitur ata, austriakët dy kilometra larg nga vendi kishin ngritur një skenë veriore për festën e mbylljes së vitit të shkollës austriake në Shkup. Kjo nga myslimanët fanatikë shqiptarë qe parë si një fyerje për ndjenjat e tyre kombëtare dhe fetare. Ndërtimeve të austriakëve i qe vënë zjarri. Por mbas kësaj njerëzit nuk u shpërndanë sepse ishte përhapur lajmi për gjoja lëvizje të trupave austriake në drejtim të Kosovës. Si shkruan S. Kylçe, befas nga gjiri i popullit dolën disa oficerë të rinj, anëtarët të Komitetit lokal për “Bashkim dhe Përparim” dhe u përpoqën të vinin lëvizjen nën udhëheqjen e tyre. Në fakt, takimi i Ferizajt (osmanisht Ferizovik) ishte një rast tjetër i volitshëm për kauzën e xhonturqve. Nathalie Clayer konkludon se ky takim edhe pse nuk luajti një rol aq qendror në revolucionin xhonturk, të paktën jo saktësisht në mënyrën se si shpjegohet zakonisht, por rëndësia e tij qëndron sepse sulltani nuk ishte më në gjendje t’i mobilizonte këta njerëz të armatosur kundër kryengritësve të rinj turq po të dëshironte.
Më 7 korrik për hetimin e ngjarjeve erdhi kryetari i xhandarmërisë së vilajetit, Galip Beu, një anëtar i Komitetit xhonturk të Shkupit. Ai kishte marrë porosinë nga Komiteti Qendror i xhonturqve në Selanik që të bënte për vete shqiptarët e Ferizajt duke i kthyer që të përqafonin programin xhonturk. Ai dërgoi anëtarët e komitetit xhonturk nga Shkupi në Kaçanik – dhe për këtë ai telegrafoi në Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, dhe Prizren, anëtarët e shoqatave kombëtare shqiptare se duhet të vinin të armatosur në Ferizaj. Pra, ishin xhonturqit Galib Bej, si dhe Nexhib Draga dhe oficerë dhe të shquar të tjerë nga Üsküb(Shkupi) që luajtën një rol aktiv në takimin e Ferizajt, duke sjellë me sukses më shumë njerëz në bord dhe duke bindur asamblenë se mënyra e vetme për të shmangur depërtimin e huaj ishte të kërkohej kushtetuta e cila nuk ishte në kundërshtim me Kuranin. Kësisoj, del qartë se krerët e lëvizjes xhonturke ishin ata që ushtronin influencë mbi udhëheqësit shqiptarë të Kosovës në Ferizaj, dhe jo anasjelltas.
Sipas të tjerëve takimi i shqiptarëve të Ferizajt u bë me nismën e marshallit Shemsi Pashës, komandant i trupave osmane në Mitrovicë, një njeri i besuar i sulltanit. Por delegatët e Komitetit xhonturk ishin marrë vesh që mitingun për shprehje të besnikërisë, siç ishte planifikuar, ta shndërronin, në kundërshtim me qëllimin e nismëtarit, në një demonstratë për kushtetutën. Shemsi Pasha, që ishte bërë i papëlqyeshëm për xhonturqit, ca ditë më vonë ishte vrarë në Manastir, aty ku ishte dërguar për të shtypur veprimet e bandave rebele. Sipas Lamouche, vetëm pas vdekjes së tij mbledhja në Ferizaj iu kthye programit të xhonturqve për kushtetutën. Oficerët xhonturq arritën të bënin për vete, bile edhe shqiptarët myslimanë konservatorë të Kosovës.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë. Fusnotat janë hequr nga Redaksia. Një version më i shkurtër i këtij studimi ishte botuar në Shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore” edhe në gusht-shtator të vitit 2018