Parashqevi Qiriazi (1880-1970) lindi në qytetin e Manastirit më 2 qershor 1880.
Pas mbarimit të studimeve për letërsi në Kolegjin Femëror Amerikan në Stamboll në vitin 1904, u kthye në atdhe dhe iu kushtua mësuesisë. Shërbeu në Shkollën Shqipe të Vashave të Korçës.
Duke kapërcyer kufijtë e mësimdhënies, Parashqevi Qiriazi ishte e vetmja grua pjesëmarrëse në Kongresin e Manastirit (1908), ku mbështeti dhe ndihmoi në përhapjen e alfabetit të njësuar.
Me botimin në vitin 1909 të “Abetare për shkollat e para” dhe me themelimin e shoqërisë “Ylli i Mëngjesit”, ajo ndikoi në zhvillimin e arsimit dhe në përparimin arsimor e shoqëror të grave shqiptare.
Themeloi të parën Shoqëri të Gruas shqiptare në Korçë në vitin 1909. Më 1912 vazhdoi disa kurse kualifikimi në Fakultetin e Pedagogjisë të Universitetit të Oberlin-it (SHBA) dhe po atë vit hartoi programin arsimor të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Ishte një nga themelueset dhe drejtueset kryesore të Instituit Femëror “Kyrias” në Tiranë e Kamzë 1922-1933.
Për kontributin e saj të çmuar në arsimin shqip dhe në veprimtarinë kombëtare, Parashqevi Qiriazi është vlerësuar me titujt “Mësuese e Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, si shenjë mirënjohjeje nga shteti shqiptar.
U nda nga jeta në vitin 1970, në Tiranë.


