Ishte revista që më 1954 do të bëhej shenjë e atij që asokohe ishte Enti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës. Do të botohej jo rregullisht, duke përfshirë disa numra në një. Por tash Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ia ka vënë vetes qëllim që revistën si organ të vetin ta bëjë të rregullt. Pos kësaj t’ia kthejë edhe emrin me të cilin ishte pagëzuar qysh në fillim, “Monumentet e Kosovës”. Pas luftës qe emëruar “Dardania”. Nuk botohej rregullisht dhe degradimi kishte marrë hov
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ia ka mësyrë që të kthejë revistën e themeluar prej kohës kur daton dhe vetë institucioni. “Monumentet e Kosovës”, qe revista e cila më 1954 do të bëhej shenjë e atij që asokohe ishte Enti i Kosovës për Mbrojtjen të Monumenteve të Kulturës. Do të botohej kohë pas kohe, duke përfshirë disa numra në një botim.
Por tash Instituti ia ka vënë vetes qëllim që revistën si organ të vetin ta bëjë të rregullt. Pos kësaj t’ia kthejë edhe emrin me të cilin ishte pagëzuar qysh në fillim – “Monumentet e Kosovës”. Pas luftës qe emëruar “Dardania”. Nuk botohej rregullisht dhe degradimi kishte shkuar deri në nivelin sa në numrin e fundit, para pak vjetësh krejt në fillim përfshihej një tekst i një mësimdhënëseje që s’kishte lidhje me trashëgiminë kulturore, por ishte bashkëshortja e një politikani. Instituti i Kosovës për Mbrojtën e Monumenteve njeh turli përçudnimi.
Tash Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve mban të hapur thirrjen për punime shkencore për botim në revistën “Monumentet e Kosovës”.
Sipas thirrjes që është hapur prej 30 qershorit deri më 5 shtator, në emër të redaksisë ftohen të aplikojnë studiuesit me punime në sferën e trashëgimisë arkitektonike, kërkime shkencore origjinale nga fusha e trashëgimisë kulturore. Sipas thirrjes, përgjegjësia për përmbajtjen e punimit u jepet autorëve, jo redaktorëve apo botuesve.
“Autorët e materialeve të paraqitura duhet të jenë të njohur me transferimin e të drejtës së autorit në revistën ‘Monumentet e Kosovës’. Revista botohet një herë në vit, në shqip, anglisht dhe serbisht. Redaksia pranon vetëm punime shkencore që përmbajnë këto elemente: paraqitjen e problemit, shqyrtimin e hulumtimeve dhe publikimeve për problemin e dhënë, formulimin e detyrave kërkimore, prezantimin e materialeve kryesore kërkimore me bazë të plotë të rezultateve të fituara shkencore, konkluzione nga studimi, referenca…”, shkruhet në konkurs. Punimet paguhen nga 200 euro, përderisa për botim ose jo vendos kolegji që në këtë rast njihet si bordi redaktues.
Kryeredaktori i revistës, historiani Emin Sallahu, njëherësh punonjës në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, ka sqaruar se pas luftës së fundit kanë dalë dy numra të “Monumentet e Kosovës” dhe pastaj i është ndërruar emri duke e titulluar “Dardania”.
“Me sa kujtoj kanë dalë nja tre numra dhe tash kemi vendosur t’i kthehet emri burimor që me automatizëm të duket se kemi të bëjmë me monumente”, ka thënë ai. Sallahu, ish i burgosur politik në vitet ’90, ka sqaruar se prej vitit 1954 kur edhe u themelua, revista nuk ka qenë e përvitshme.
“Disa herë përfshiheshin disa numra në të pasi volumi i punës nuk ka qenë i madh, pasi ishin 425 monumente në krejt Kosovën”, ka thënë ai. Sipas Sallahut, qëllimi është që revista të rikthehet si organ i Institutit nëpërmjet së cilës studiuesit do të paraqisnin kërkimet e tyre, e në anën tjetër lexuesit do të informoheshin më shumë për vlerat, sfidat e atraksionet që ofrojnë monumentet e Kosovës.
“Revista pasqyron fushëveprimtarinë e trashëgimisë kulture dhe është shumë e rëndësishme në promovimin e saj si aset i Republikës”, ka thënë ai. Por qëllimet nuk ndalen me kaq.
“Synimi ynë për punimet shkencore për revistën ‘Monumentet e Kosovës’ është që ta paraqesim përmes këtyre punimeve pasqyrën e gjendjes së monumenteve dhe duke mbledhur burimet rreth tyre, në mënyrë që të jenë të plotësuara me sa më shumë të dhëna të argumentuara nga burime të ndryshme”, ka thënë ai. Derisa ka elaboruar nevojën për këtë botim, ka thënë se revista është e domosdoshme pasi përveç të tjerash veprimtaria e Institutit dhe e Qendrave Rajonale të Trashëgimisë Kulturore pasqyrohet dhe përcillet edhe për gjeneratat e ardhshme si dëshmi e kësaj veprimtarie rreth monumenteve.
“Revista e cila besojmë se do ta përgatisim, synon t’u shërbejë hulumtuesve të lëmit të trashëgimisë kulturore, por edhe mbarë opinionit dhe admiruesve të kësaj fushe. Në bazë të dinamikës së paraparë ne besojmë se botimi i kësaj reviste do të dalë gjatë këtij viti, por nuk mund të themi me saktësi për muajin dhe datën e saktë”, ka thënë Sallahu.
Institucionet e trashëgimisë kulturore në Kosovë i kanë përcjellë telashet e vazhdueshme në raport me botimet. Hartat arkeologjike të Institutit Arkeologjik të Kosovës me krejt telashet, mbesin prej botimeve më gjithëpërfshirëse dhe informuese sa i përket arkeologjisë, përderisa buletini i Muzeut të Kosovës e ka humbur fillin. Instituti Arkeologjik ka kohë që posedon disa materiale për botim, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, përderisa IKMM-ja me revistë tash pretendon të kthehet me seriozitet më të lartë.