Ka blerës që mendojnë për vlerën që do të ketë makina pas disa vitesh në rast shitjeje. Ja çfarë duhet të dini
Kur blejnë një makinë, shumica e blerësve marrin parasysh detaje të rëndësishme si besueshmëria, siguria, dizajni ose fuqia e motorit.
Megjithatë, ka edhe blerës që mendojnë për vlerën që do të ketë makina pas disa vitesh në rast shitjeje dhe sa para do të marrin për një të përdorur, për të rikuperuar një pjesë të investimit të tyre.
Nuk është sekret që makinat e reja humbasin vlerën në momentin që dalin nga sallon dhe sipas studimit të iSeeCars, rezulton të jetë një shumë e konsiderueshme.
Në krye të listës famëkeqe në Amerikë është Mercedes EQS premium elektrike, i cili pas vetëm një viti humbet 48.7 për qind të çmimit mesatar të tij!
Bëhet fjalë për shumën, pra humbjen, prej 65 143 dollarësh.
Nuk është i vetmi mjet elektrik në listën e makinave që zhvlerësohen më shpejt.
Pesë nga dhjetë automjete në studim janë automjete elektrike, duke përfshirë Nissan Leaf në vendin e dytë.
“Elektricisti” japonez humbet mesatarisht 15,786 dollarë, por me një çmim fillestar shumë më të ulët, pra po flasim për një rënie prej 45 për qind.
Jaguar F-Pace mundësohet nga një motor me djegie të brendshme, por kjo makinë është makina e tretë më e amortizuar (-35.4%) pas një viti përdorimi në Amerikë.
Alfa Romeo Giulia regjistroi një rënie prej 33.4 për qind, e ndjekur nga një tjetër EV, Kia EV6 me një rënie në vlerë prej 33.3 për qind.
Nga ana tjetër, makina që humbet më pak vlerë është Kia Rio, e cila mesatarisht humbet vetëm 21 dollarë pas një viti përdorimi. Kjo është një rënie prej vetëm 0.1 për qind, që do të thotë se një Rio i përdorur lehtë po arrin ende pothuajse çmimin e një të riu.
Është interesante se Mercedes G-class në listën e modeleve me rënien më të vogël në vlerë prej 2.3 për qind, është menjëherë pas modelit Rio.
Sipas tregtarëve, çdo makinë humbet çdo vit 20 për qind të vlerës së saj. Kështu nëse në 2023 një makinë vlen 30 mijë euro, në 2024 ajo ulet në 24 mijë euro dhe në 2025 arrin në 19.800 euro.
Shihni listën e humbësve më të mëdhenj të vlerës pas një viti shfrytëzimi:
Mercedes EQS -47.8%
Nissan Leaf -45.7%
Jaguar F-Pace -35.4%
Alfa Romeo Giulia -33.4%
Kia EV6 -33.3%
Hyundai Ioniq 5 – 32.9%
Volkswagen ID.4 -32.9%
Alfa Romeo Stelvio -32.3%
Nissan Murano -32.0%
Mercedes S-class -31.5%