Në vitin 1914, profesori austriak i gjeografisë historike Eugen Oberhumer, në një punim të tij shkruan ndër të tjera: “Mendimi diletant i shfaqur herë pas here se shqiptarët janë stërnipët e pellazgëve, nuk ia vlen të diskutohet. I vetmi komb që mund të merret në konsideratë si prindër të shqiptarëve të sotëm që kanë banuar prej kohësh në këto vise janë ilirët. Sado të pakta që janë njohuritë tona mbi gjuhën ilire, të dhënat që kanë arritur në ditët tona mjaftojnë për të sqaruar lidhjet e saj me shqipen dhe me degë të tjera të qarkut të fiseve ilire. Sigurisht, ilire ka qenë gjuha e mesapëve të hershëm në Apulinë e sotme, siç duket po kështu edhe gjuha e Venetëve të moçëm në Veneti. Shkenca e re pohon se shtresa më e vjetër e popullsisë që njihet historikisht në viset e Alpeve Lindore qe ilire. Ilir është emri i Triestes – dikur Tergeste. Rrënja e tij na shfaqet rishtaz te qyteti i Venetisë Opitergium (sot Oderzo) dhe në Tergokape në Austrinë e Epërme. Kjo rrënjë (ter g-) e gjen shpjegimin e saj te fjala shqipe “Treg”, “Tregu”. Ilir është emri i qytetit Pola dhe i shumë qyteteve të tjera në bregdetin lindor të Adriatikut në Dalmati, si Alpet lindore, kështu ndoshta dhe vetë emri i Tirolit. Pas gjendjes së sotme të njoftimeve tona, ilirët qenë themeluesit e kulturës parahistorike të periudhës së Halshtatit në Alpet lindore dhe në viset e Karstit”. “Popuj të ndryshëm, – shkruan profesori E. Oberhumer, – së pari keltët, pastaj gjermanët e më tej sllavët i dëbuan ilirët nga trojet e tyre veriore ose e asimiluan etninë e tyre. Që raca e lashtë ilire e popullsisë sot sllave të vendeve të Karstit ka mbetur në thelb po ajo e pandryshuar, këtë na e dëshmon shtati i tyre i lartë e i hollë, koka brakicefale (me kafkë të shkurtër) dhe flokët shpeshherë ngjyrë të artë. Këta tipa i gjejmë në Shqipëri, në Mal të Zi, në Bosnjë dhe në Dalmaci.” Sipas profesorit E. Oberhumer, ilirët duhet të jenë shkëputur nga atdheu i tyre i hershëm rreth vitit 2000 p.e.r., kurse grekët para ilirëve, rreth vitit 2100 p.e.r. Ndërsa helenët vazhduan shtegtimin drejt Ballkanit jugor, ilirët mendon ai, qëndruan në Europën qendrore për shumë shekuj përpara se të shtegtonin drejt Ballkanit perëndimor.
Shkëputur nga libri “Etnogjeneza e Shqiptarëve (Vështrim Historik)” nga Kristo Frashëri /Trungu & InforCulture.info