6.1 C
Pristina
Wednesday, December 1, 2021
Home HISTORI/ARKEOLOGJI Dy Betejat e Kosovës (1389 dhe 1448) në perceptimin e Kronistëve të...

Dy Betejat e Kosovës (1389 dhe 1448) në perceptimin e Kronistëve të kohës

Agron Islami, Instituti i Historisë – Prishtinë

Beteja e parë e Kosovës 1389

Burimet bazë mbi Betejën e Parë të (fushë) Kosovës, padyshim  që  janë  Kronikat Osmane, Sllave, Perëndimore, Bizantine dhe  ato  Arabe, të  cilat rëndom nuk janë bashkëkohëse të ngjarjes në fjalë. 1 Andaj edhe është mese e natyrshme që në këto kronika të ketë edhe kundërthënie në mes vete (kronistëve) për numrin e ushtarëve pjesëmarrës, zhvillimin e Betejës apo edhe rreth vdekjes misterioze të Sulltan Muratit të Parë (1362-1389). Kronistët më  të  hershëm Ashëk Pasha Zade, Oruç Bej, Neshri, por edhe këta më të vonshëm sikur Hoxha Sadeddin dhe të tjerët shihet se informacionin për periudhën e hershme të shtetit Osman e kanë marrë nga shënimet e Jahshi Fakihut.

Pothuajse të gjitha burimet na çojnë tek Beteja e vitit 1387/88 në Ploçnik, e cila edhe akumuloi forcën e udhëheqësve të popujve të Ballkanit për të organizuar një aleancë kundër Osmane, e që deri më tani është besuar se protagonistët kryesor të fitores në Ploçnik ishin Krali i Bosnjës Tvrtko dhe Despoti serb Lazar.2 Por që sipas gjetjeve të fundit bëhet fjalë vetëm për ushtrinë boshnjake të udhëhequr nga Krali Tvrtko në muajin gusht 1388 në vendin e  quajtur Bleka, dhe jo edhe për një fitore të përbashkët të boshnjakëve dhe serbëve.3

Megjithatë, menjëherë pas asgjësimit të ganizonit Osman të udhëhequr nga Shahin Pasha, filluan përpjekjet për themelimin e një koalicioni të gjerë kundër Osman. Udhëheqës  të  koalicionit ishin: despoti serb Lazar, mbreti i Bosnës Tvrtko dhe princi Shqiptar me emrin Jorj (Gjorgj-Gjergj që bëhet fjalë për Gjergj Balshajn). Koalicioni u mbështet edhe nga Princërit e Vllahisë; Princi Bullgar İvanko. Ndërsa shteti detar i Venedikut në fillim kishte premtuar pjesëmarrjen në këtë koalicion antiosman, por në fund shihet se zgjedh të  qëndroj  neutral.4 Sulltan Murati i Parë ishte informuar për organizimin e koalicionit të shteteve të vogla të Ballkanit. Ai menjëherë filloi të përgatis një plan operativ për asgjësimin e koalicionit në fjalë. Qëllimi i Sulltanit ishte që të neutralizoj bashkëpjesëmarrësit e koalicionit. Dhe më 1388 nën udhëheqjen e veziriazamit (kryeministrit) Çandarlizade Ali Pasha, ushtria Osmane ndërmori një fushat kundër princërve Bullgar dhe Vlleh të cilët kishin premtuar pjesëmarrje në Betejën kundër 

osmane. Për një kohë shumë të shkurtër ushtria e Ali Pashës pushtoi PravadinShumnun dhe më në fund edhe kryqytetin Bullgar Tërnovën. Por, Krali Bulgar kishte ikur në Nikopol. Edhe pse Ali Pasha kishte në plan që ta merrte edhe Varnën e cila ishte nën sundimin e princit të Dobruxhës Ivanko, me kërkesën e Gjenovasëve të cilit ishin miq të osmanlinjëve, ushtria osmane u drejtua drejt Silistres dhe Nikopolit. Marrja e Nikopolit bëri që edhe mbreti Bullgar Shishman të mbetet jashtë koalicionit të Ballkanit.5 Derisa Ali Pasha shkonte përpara, nga pas vinte ushtria e përbërë nga fiset turke (Bijët e Germijanëve, Xhandarëve,  Saruhanëve,  Menteshëve,  Ajdënëve, Hamidëve etj)6 e udhëhequr nga Sulltan Murati.

Ashtu siç u tha edhe më lartë, në mungesë të burimeve të kohës, kronikat osmane këtë ngjarje e përshkruajnë në versione të ndryshme. Nëse nisemi nga data e zhvillimit të betejes së Parë të Kosovës, shohim se janë dhënë disa data të cilat ndryshojnë nga njëra-tjetra mes 15 qershorit (21 Rexhep 791) dhe 27 gushtit të vitit 1389 (4 Ramazan 791).

İdrisi Bitlisi dhe Hoxha Sadeddin japin datën 27 gusht 1389 (4 Ramazan).7 Por Gibbonsi hedhë poshtë mundësinë e zhvillimit të Betejës në muajin gusht, që sipas tij kjo Beteje u zhvillua më 20 Qershor 1389 (16 Rexheb)8, ndërsa Hammeri9 dhe İ.H. Uzunçarshili10 janë të mendimit se ngjarja e Kosovës u zhvillua në muajin Gusht, përkatësisht më 16 Gusht 1389 (16 Shaban 791). Kurse Ashëk Pasha Zade në kronikën e tij ka regjistruar vetëm vitin 1389, pa specifikuar datën e zhvillimit të Betejës në fjalë.11

Këtë ngjarje me përmasa ndërkombëtare e gjejmë të regjistruar edhe tek burimet arabe, sikur İbn Halduni i cili në librin e tij Kitabü’l-ibr ka dhënë vetëm vitin 1389. Ndërsa ibn Haxheri në librin “enbau’l-Gumr” na jep vitin e gabuar 797 që korrospodon me vitin 1394-1395.12

Ndërsa kur jemi tek rënditja e radhëve të ushtrisë Osmane tek Neshri dhe Feridun Beu gjejme se , Sulltan Murati si udhëheqës i Betejës ishte i stacionuar mu në mes, përpara kishte ganizonet e Jeniçerëve të cilët ishin të stacionuar pas skuadrës së topave13, e cila udhëhiqej nga Topçu Hajdari (Topçu Haydar). Nga ana e e djathtë gjendej njësiti i  udhëhequr  nga  princi Bejazid (Yıldırım Beyazit) dhe Kara Timurtash Pasha dhe Evrenos Beu. Ndërsa nga ana e majtë ishte Princi Jakup Çelebi (djali i madh i Sulltan Muratit I) së bashku me Bejlerbeun e Anadollit Saruxha Pashain, sikurse edhe bijët e Çandarëve, Germijanëve, Hamidëve, Tekëve,Menteshëve dhe Ajdinëve.

Sipas Neshrit14 me urdhër të Evrenos  Beut ishin stacionuar  edhe nga një mijë shigjetarë në anën e majtë dhe të djathtë të ushtrisë, të cilët komandoheshin nga Malkoç Beu dhe Mustafa Beu. Gjë që sipas tij (Neshrit) taktika e Evrenos beut ishte vendimtare për fitimin e Betejës kundrejt koalicionit të shteteve të vogëla Ballkanike.

Këto ishin të dhënat e Neshrit dhe Feridunit. Ndërsa sipas të dhënave  të  Hoxhës  Saduddin 15 shohim se Ali Pasha dhe Timurtash Pasha ishin në anën e djathtë dhe të majtë të Sulltanit. Që sipas Neshrit16 Veziri Ali Pasha gjendej në krahun e djathtë të  Bejazitit  (jo  të Sulltan Muratit). Feridun Beu gjatë shpjegimit të tij për renditjen e ushtarëve në Betejën e Kosovës përmend edhe pjesëmarrjen e Lala Shahin Pashës.17 Gjë që, sipas Ashëk Pasha Zades Lala Shahin Pasha kishte vdekur shumë më herët (1377) se ngjarja e Betejës së Kosovës.

Në anën tjetër edhe stacionimi i Evronus Pashës tek kronistët Osman dhe të tjerët është diskutabile. Përderisa Hoxha Sadeddin thotë se Evronusi ishte në krahun e djathtë, Münecimbashi18 thotë se Evronusi ishte në krahun e majtë të Princit Jakup Çelebi. Poashtu edhe Subashi Ajna (Ayna) Bej sipas Hoxha Sadeddinit 19 ishte në krahun e majtë, e sipas Munexhimbashit20 në krahun e djathtë. Edhe Hammeri duke iu referuar Hoxha  Sadeddinit  thotë se Evronusi ishte në anën e djathtë, ndërsa Subashi Ajna Bej në anën e majtë.

Në kronika gjejmë edhe renditjen e radhëve të ushtrisë së koalicionit Ballkanik: Sipas Hoxha Sadeddinit në qendër gjendej Despoti serb Lazar, në anën e  djathtë të tij dhëndërri i tij  Vuk Brankoviç, në të majtë të tij ushtria e Kralit të Bosnës, Tvërtko. Ndërsa Neshri veç këtyre informatave shton se në krahun e majtë dhe të djathtë gjendeshin  Shqiptarët,  Vllehët,  Hungarezët, Polakët dhe Bullgarët.21

Edhe çështja e numrit të ushtarëve pjesëmarrës në Betej është shumë e debatueshme në mes hulumtuesve të kësaj ngjarjeje. Megjithatë Kronistët Osmanë ushtrinë e koalicionit e përshkruajnë si shumë më të madhe në numër se ushtria Osmane. Sipas Hoxha Sadeddinit Boshnjakët, Hungarezët, Vllehtë, Shqiptarët, Bogdanët, fiset Sllave (islav kavimleri) kishin bërë marrëveshje me Serbët dhe kishin formuar një ushtri të përbashkët prej 200 000 vetash.22 Neshri jep një shifër prej 300 000 vetash23. Ndërsa Munexhimbashi nuk jep ndonjë shifër, por në mënyrë alegorike përshkruan numrin e madh të ushtrive të koalicionit:

” Ushtria e madhe e të pa feve (kyffarëve) kishte ardhur në vendin e Betejës (fushë Kosovë). Muslimanët (ushtria) karshi ushtrisë së madhe të të pa feve dukeshin sikur një mizë në shpinën e një kafsheje”.24

Edhe Hammeri thotë se Sulltani kishte filluar të shqetësohej për shkak të numrit të madh  të ushtarëve të koalicionit. Ky pohim ka mbështetjen tek Neshri dhe Munexhimbashe.25

Oruç beu 26për ushtrinë Osmane na jep një shfër prej 60  000  ushtarëve.  Solak-zâde27 thotë se ushtria e koalicionit ishte pesë (5) herë më e madhe në numër se ushtria Osmane. Gjë që   i forcon të dhënat e Hoxha Saduddinit, i cili na jep shifrën prej 200 000 vetash.

Një pikë tjetër, ndoshta ndër më të debatueshmet në raport me Betejën e Parë të Kosovës është ramja e Sulltanit dhe mënyra e vrasjes së tij nga ana e Millosh Kopili(çi)t,  që  sipas Enveriut; Pas përfundimit të Betejës Miloshi zbret nga kali duke thënë se “ dua të hy në fenë tënde”, i ofrohet Sulltanit me qëllim të puthjes së dorës dhe në këtë rast ai me një thikë që kishte  të fshehur në rrobën e tij, sulmon Sulltanin i cili bjen i shtrirë në tokë.28 Oruç Beu pa u futur në detaje cekë vetëm ramjen dëshmor të Sulltanit dhe ngritjen në fron të Jëlldërëm Bejazidit.29 Edhe Shukrullahu sikurse Oruç Beu pa u futur detajeve thotë; … se përderisa Sulltani qëndronte në një kodër, u sulmua për vdekje nga një ushtar serb.30

Ndërsa Hoxha Saduddin duke na dëftuar për traditën Islame ku Sulltanët me qëllim të inspektimit të të rënëve në fushbetejë shëtisnin nëpër vendin e fushëbetejes thotë :

“Përderisa Sulltan Murati ishte duke shëtitur në arenën e Betejës, një komandant i lartë nga radhët e serbëve me emrin Milosh, i cili ishte i plagosur, me të shpejt u zgjua dhe pretendoi  se ka pranuar fenë Islame, dhe dëshiron që Sulltanit t’i jap një informacion të rëndësishëm. Edhe pse Çavushet nuk deshën ta lejonin qe t’i afrohet Sulltanit, Sulltani kishte urdhëruar që ta lejojnë të afrohet. Miloshi ishte përulur dhe kishte bërë sikur ia puth jetekun (veshjen) e Sulltanit, me çrast kishte nxjerrë thikën e fshehur në rrobën e tij, me të cilën sulmon Sulltanin.31

Edhe Neshri32 në kronikën e tij e ka përshkruar pothuajse njëjtë me të tjerët. Por sipas tij (Neshrit), taktika e Miloshit nuk ishte e rastësishme. Ngase menjëherë pas disfatës Miloshi kishte

shkuar tek Kral Lazar dhe i kishte thënë se:” unë po shkoj ta mbys të parin (Sulltanin) e Osmanlinjëve”.33

Në mesin e shumë të panjohurave të Betejës së Parë të Kosovës është edhe emri i sulmuesit të Sulltanit i cili është shkruar në forma të ndryshme nga ana e kronistëve. Ashëkpashazade dhe Neshri japin emrin Milosh KopileHameri jep emrin Milosh KabiloviçTacü’t-tevarihMilosh Nikolla; Në kronikën anonime Osmane (Grekçe Osmanlı Tarihi) kalon emri Mihalis. Edhe Gibbonsi ka përdorur emrin Milosh Obravitch. Ndërsa në Dusturnamen e Enveriut është përmendur vetëm emri Milesh (ﺶ––ﻣﻠ).

Beteja e Dytë e Kosovës 1448

Është e njohur se pas marrjes sё Sfetigradit dhe Krujës nga ana e Skënderbeut sundimi Osman nё Shqipëri ishte rrezikuar shumë. Për rezultat Sulltan Murati II, më 1448 organizoi njё ekspeditё pёr rikthimin e Svetigradit dhe Krujës. 34 Jan Huniadi i cili ishte i interesuar t’i hakmerrej Sulltanit për disfatën e thellë qё e kishte pësuar nё  Betejën në Varnёs  (1444) dhe  duke dashur qё njёherё e përgjithmonë ta çliroj Ballkanin nga sundimi Osman, pikёrisht nё momentet kur Sulltani gjendej nё ekspeditën e Sfetigradit organizoi një koalicion kundrejt Sulltanit.35 Koalicion i cili do tё ballafaqohet me ushtrinë e Sulltan Muratit II nё Kosovë. Kjo Betejë që historiografi njihet si Beteja e Dytë e Kosovës e cila u zhvillua nё tetor tё vitit 1448, si njё ngjarje me rёndёsi ndёrkombёtare ka gjetur pasqyrim tё gjёrё edhe tek kronistët e kohës.36

Nё kroniken Anonime tё historisë Osmane37 e cila përfshinë ngjarjet e vitit 1288-1514 thuhet: “ Sulltan Murati doli nё ekspeditё nё tokat e Juvanit dhe Vilajetin Shqiptar, (ku) u

pushtua kalaja Koxhaxhik (Sfetigrad A.I.) dhe u shkatёrrua Vilajeti i Juvanit. Derisa Skёnderbeu kishte ikur, Sulltan Muratit i erdhi lajmi pёr bashkimin e Hungarezёve, Sasёve, Çekёve,  Almanёve (Gjermanёve), Latinёve, Lehёve (Lituanezёve) dhe Eflakёve (Vllehёve), të cilёt kishin pёr qёllim tё vinin nё Kosovё nёpёrmjet Beogradit dhe Kofusё. Sulltan Murati me tё marr kёtё lajmmarshoi nga Shqipëria drejtë Sofisё,.me ç’rast u dërgoi haber-ftesë ushtareve tё Anadollit dhe Rumelisë për t’u bashkuar. (Aty u bashkuan mese A.I) 1 000 ushtar  tё  thjesht, 10 000  Jeniçer dhe Xherahor38 dhe shumё vullnetarё të tjerё nga populli. (39b)39

Edhe Ashёk Pasha Zade nё historinë e tij, Betejën e Dytë tё Kosovës e trajton detajisht. Sipas tij i biri i Vukut (Gjuragj Brankovic A.I) ishte ai qё përcjelli informatën tek Sulltan Murati pёr organizimin e koalicionit të krishterë të udhëhequr nga Janko Huniadi. Mirёpo sipas Ashek Pasha Zades, edhe pse Sulltani kishte marrë informatën për përgatitjet nё fjalë nga Gjuraqi, tek i cili nuk kishte shumë besim, dërgoi Martalaz Doganin pёr tё hetuar nga afёr ushtrinë  e koalicionit. Martalaz Dogani, me t’u kthyer e vёrtetoi lajmin e Gjuragj Brankoviçit, madje solli edhe informata më tё detajuara në raport me koalicionin në fjalë. Ai e njoftoi  Sulltanin  se nё  krye tё batalioneve qëndronin Banë tё shquar tё Lehёve, Çekёve etj.. Martalazi fajësoi Janko Huniadin pёr organizimin e këtij koalicioni kundёr Osman. 40

Edhe Ashёk Pashazade vërteton faktin sё nё kёtё kohë (1448) Sulltan Murati gjendej nё ekspeditën e kalasё sё Sfetigradit dhe Krujёs nё Shqipёri, dhe me tё marrё lajmin pёr fushatёn ushtarake tё Janit, kaloi nё Sofje ku tuboi ushtrinё nga Anadolli dhe Rumelia dhe u nis për nё Kosov]ё. Ai shton; …pasi arriti Sulltan Murati II nё Kosovё, morri abdes, fali dy rekatnamaz dhe bёri njё lutje tё gjatё qё Zoti ti mundёson fitoren ndaj tё pafeve…,mё pas hipi nё kalё dhe filloi Beteja. Tё premtën qё ishte edhe dita e parё e Betejes, u zhvilluan luftime tё ashpёra. Ku u morrёn shumё Saxhaçe nga tё pafetё dhe lufta vazhdoi deri nё mёngjes. Megjithatë e shtunja  ishte dita kur u zhvillua lufta mё e madhe, shumё bejlerë ranë dёshmorё, dhe vdiqën edhe shumё Banё tё pafe, disa prej tyre (Banёve) u zunë rob. Ndёrsa Jankoja (Jani) iku nga fronti…41

 Ndryshe nga kronistёt tjerё Osman tё cilёt me fjalё tё  mёdha pёrshkruajnё  fuqinë  e lutjes sё Muratit tё Dytё dhe organizimin e mirё tё Betejes nga ana e ushtrisё  Osmane, pёr  Ashёk Pasha Zaden shkaktari kryesor i disfatёs sё koalicionit ishte kalimi i Vllehёve nё anёn e Osmanёve.42 Sikur qё edhe kronisti Bizantin Dukas, shkakun e humbjes sё Betejes sё koalicionit kundrejtë Osmanёve e gjejmё tek ngutia e sulmit tё Janit ndaj osmanlinjёve para arritjes sё forcave tё Skёnderbeut.43

Nё vend tё përfundimit: mund tё  thuhet se kronikat Osmane, sikurse edhe kronikat tjera  të kohës janë të një rëndësie të veçantë për hulumtimin e periudhës së Mesjetës së vonëshme dhe asaj osmane të hershme. Informacioni të cilën na ofrojnë kronikat në fjalë na bënë të kuptojmë se qёllimi i dy Betejave tё Kosovёs, duke mos pёrjashtuar as Varnen ishte pengimi i shtrirjes dhe ç’rrёnjosja e sundimit osman nga kёto anё tё Evropёs Juglindore. Gjё qё fitoret e njepasnjёshme tё osmanёve shkuan ne favor tё shtrirjes dhe forcimit te sundimit osman. Madje me plotё  tё  drejtё mund tё  konstatohet se ekzistenca Osmane nё  Ballkan, u vulos me fitoren e Dy Betejave  të Kosovës.

—————————————————————————————————

1 Iljaz Rexha, Beteja e Kosoves ne Kronika-Burime Osmane te shekujve XV-XVI, Gjurmime Albanologjike 19, Prishtine 1989, f. 19-33.

2 S.W. Reinert, “Niş’ten Kosova’ya, I. Murad’ın Son yıllarına ait düşünceler”, Osmanlı Beyliği (1300-1389), İstanbul 1997, f. 183-230.

3 Feridun M. Emecen, Osmanlı Klasik Çağında Savaş, İstanbul 2010. f. 108.

4 Y. Yücel, A. Sevim, Türkiye Tarihi vellimi II, Ankara 1990, f. 38.

5Y. Yücel, A. Sevim. po aty. f. 38-39.

6 Sa’deddin, Tacü’t-Tevarih, İstanbul 1270, I. f. 115.

7 İdrisi Bitlisi, Heşt Be hişt; Sadeddin, Tacü’t-tevârih. Po aty

8 Gibbons, Osmanlı İmparatorluğunun Kuruluşu, İstanbul 1928, f.151

9 Hammer, Devlet-i Aliye-i Osmaniyye Tarihi, İstanbul 1337. Vellimi I. f.221.

10 I.H. Uzunçarşılı, Osmanlı Tarihi, Ankara 1972. f. 254.

11 Ashıkpaşazade, po aty. f. 64.

12 Müneccimbaşı, Camiü’d-Düvel Osmanlı Tarihi (1299-1481), nşr. Ahmet Ağırakça, İstanbul 1995. f. 113.

13 Edhe pse në këtë periudhë nuk mund të mendohet se ekzistonin topat,  por sigurisht që bëhet fjalë për mjete më  të vogëla që funksionin me anë të dhezjes së barutit.

14 Po aty. f. 278-279.

15 Sa’deddin, Po aty, f. 120.

16 Neshri, po aty, f. 300-301.

17 Feridun Bey, münşe’at vell. I. f. 114.

18 Münnexhimbashi, po aty, f. 112.

19 Po aty, f.114.

20 Po aty. F. 120.

21 Sa’deddin, po aty f.292-293; Neşri, po aty, f. 300-301.

22 Sa’deddin, po aty. f. 144.

23 Neşri, po aty. 302.

24 Münexhimbashe, po aty.

25 Hammer, po aty f. 220.

26 Oruç Bey, Tevarih-i Ali Osman, f. 25-26.

27 Solakzade, Mehmed Hemdemi, Tevarih-i Ali Osman, İstanbul 1298, f. 46.

28 Enveri, Dusturname, po aty. f. 87.

29 Oruç Bey,po aty. f. 26

30 Şükrullah, Behcetü’t-tevârih, po aty. f.174.

31 Sa’deddin I, po aty, f.  122.

32 Neshri, po aty, f. 304-305.

33 Edhe Kronisti Bizantin Dukas33 në përshkrimin e Betejës së Kosovës, po thuajse është i të njëjtës vi me kronikanët Osmanë. Ai thotë: “Një ditë para zhvillimit të betejës së Kosovës, në një gosti të Kral Lazarit përmendet tradhtia e Miloshit ndaj serbëve. Miloshi kishte refuzuar si të qenë një pretendim të tillë dhe kishte ngritur dolli për trimërin që do  ta tregonte të nesërmen kundrejt osmanëve. Të  nesërmen me të lindur dielli, Miloshi i hip  kalit të tij  të fuqishëm dhe shkon drejt Istikametit të Osmanëve. Me ç’rast pretendon se e ka pranuar Islamin dhe se  dëshiron t’ia puth dorën Sulltanit. Me tu dhënë leja për të hyrë tek Sulltani, Miloshi kishte kapur për këmbe Sulltanin dhe e kishte sulmuar me thikë në gjoks, dhe kishte tentuar të ikte, por ishte ekzekutuar nga Jeniçerët. Turqit (osmanët)  kishin kaluar në sulme ndaj armiqëve, me ç’rast edhe Kral Lazari ishte marrë rob” Ndërsa sipas  Chalcondyle;  Përderisa Sulltan Murati ishte duke e ndjekur Kralin Lazar, njëri nga ushtarët Serb e kishte sulmuar për vdekje”.33 Hameri si duket gjenë një mes ndërmjet dy kronistëve Bizantinë, ku thotë se; Miloshi e kishte planifikuar këtë sulm, por ai kur e sulmoi Sulltanin ishte i plagosur dhe gjendej në mesin e të plagosurve të luftës.33 Edhe Gibbonsi ka përsëritur konstatimin e Hammerit.33

 34 Halil Inalcik, Fatih Devri uzerinde Tetkikler ve Vesikalar I. Ankara 1987, f.109.

35 Necati Salim, II. Kosova, 1448, Istanbul 1932, s.45.

36 Lulzim Lajçi, Mbi disa aspekte te marrëdhenieve të Skënderbeut me Gjuragj Brankoviçin, “Skënderbeu dhe Evropa” Tiranë 2006, f.152-167.

37 F. Giese, Anonim Tevârih-i Âl-i Osman ( Nihat Azamat), Istanbul 1992.

38 Ushtar te krishter.

39  Defʻa Sultân Murâd Yuvan illerin ve Arnavud vilâyetine sefer idüp, [39b] Kocacuk-hisârı‟nı feth idüp, Yuvan vilâyetin yagma ve talan idüp, Arnavud begi Iskender‟i kaçurup ol vilâyetleri alup, bu esnâda Sultân Murâd‟a haber gelüp, girü Ungurus ve Sas ve Çiyh ve Alaman ve Latin ve Liyh tâyifesi ve Ġflâk çerisi bu mecmûʻ ittifâk idüp, bî–nihâyet leĢkerler cemʻ idüp, Biligrad‟dan ve Kofun‟dan geçüp, Kosova‟ya gelmek niyyeti vardur didiler. Sultân Murâd bu haberi isidüp Arnavud‟dan çıkup, gelüp Sofya‟da karâr idüp, etrâf-ı âleme nâmeler perâkende kılup, Anatolı‟dan ve Rûm-eli‟nden çeriler cemʻ idüp, on biñ azeb ve on biñ yeñiçeri ve cerehor çıkarup ve sâyir halkdan dahı cihâd-ı ekberdür ve nefîr-i âmmdur diyü bunca leskerler cemʻ olup, Sultân Murâd katına gelüp, toplar ve tüfekler ve arabalar ile zenberekler

40 Aşık Paşazade Osmanlı Oğullarının Tarihiö ıstanbulö 2003, f. 209-212

41 Po aty.

42 Po aty.

43 Dukas, po aty. F. 219.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Vdekja e njeriut dhe pasvdekja në artin e fotografisë botërore dhe asaj shqiptare

Qerim VRIONI Studiues i artit fotografik Shkencërisht, vdekjaështë ndërprerja e plotë e jetës së një organizmi të...

Mënyra më e mirë për të hequr gërvishjet e vogla nga syzet

Nëse nuk keni një shtresë të shtrenjtë kundër gërvishtjeve ose nuk kujdeseni vërtet për syzet tuaja, me kalimin e kohës do të...

Konica: Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime, janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri!

Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, me veprën e tij Faik Konica pasuroi dhe ngriti në lartësi të...

Iphone me çmimin marramendës, veçantia e tij

Një Iphone 12 është vlerësuar me çmim marramendës. Ai është i dizajnuar nga marka luksoze ruse Caviar dhe ka...

Recent Comments