I bërë baba për herë të parë në moshën 60-vjeçare, Lasgush Poradecit iu desh që në një moshë të thyer të përballej me vështirësitë e problemeve familjare, apo më saktë të ndeshej me barrierat e strukturave partiako-shtetërore të regjimit komunist në fuqi të cilit ai i ishte munduar t’i qëndronte sa më larg prej vitesh.

Por, rritja e dy vajzave dhe problemet që ato kishin me marrjen e të drejtave të studimit për shkollat e larta apo dhe me emërimet pas diplomimit e karakteristikat që duheshin nga autoritetet përkatëse për dokumentet e kuadrit, e kishin detyruar lirikun e madh të poezisë shqipe që të ngrihej dhe të dilte nga “kulla e ngujimit” ku ishte ndryrë prej vitesh, për të takuar miq e shokë që do të mund ta ndihmonin për problemet e dy vajzave. Por, kjo gjë duket se nuk ishte shumë e lehtë, pasi Lasgushi jo vetëm që nuk kishte marrëdhënie e raporte të mira me pushtetin e asaj kohe, por përkundrazi, ai shihej vëngër prej tij, aq sa ai pushtet i kishte dhënë një dënim që ishte më i rëndë edhe se vetë vdekja?! Harresa. Pra, regjimi komunist me marifetet e tij e kishte lënë në harresë lirikun e madh të poezisë shqipe, duke “e vdekur për së gjalli”, aq sa kur ai u largua vërtetë nga kjo jetë në vitin 1988, vdekja e tij shkaktoi habi, pasi ishin të paktë ata që e dinin se Lasgushi kishte qenë i gjallë…?!

Por, për të ardhur deri tek ajo periudhë kohe që shkrimtari i famshëm Ismail Kadare dhe njëkohësisht, mik i ngushtë i poetit, e kishte quajtur “Ikja e shtërgut të fundit”, Lasgushit do t’i duheshin edhe disa vjet “luftë dhe përballje” me pushtetin e kohës për problemin e shkollimit të dy vajzave, që ai i kishte pikë në zëmër. Pasi ai e dinte mirë se ato po paguanin “faturën e haraçit” që ai personalisht i kishte regjimit komunist. Madje, kjo gjë ishte bërë më e rëndë pikërisht në atë kohë (viti 1978), kur me rastin e 70-vjetorit të ditëlindjes jubilare të diktatorit komunist, Enver Hoxha, disa njerëz të njohur dhe të panjohur prej tij, i kishin shkuar në shtëpi dhe i kishin kërkuar haptazi që ai të shkruante diçka, “fundja ndonjë poezi për udhëheqësin e Partisë…”?! Por, edhe pse ata “mysafirët e paftuar” (siç do t’i quante më pas poeti plak) që kishin bujtur papritur në “kullën e tij” në shenjë presioni i kishin lënë të nënkuptonte se ai dikur në rininë e tij atë gjë e kishte bërë edhe për Monarkun shqiptar (Mbretin Zog), pra kishte shkruar një vjershë për të, Lasgushi as nuk donte t’ia dinte dhe as dëgjonte fare nga “ai vesh”?! Dhe, pas kësaj ata u detyruan që të dilnin nga ajo shtëpi “duarthatë” duke e konsideruar “të lojtur” Llazar Gushon!

Kjo ngjarje që tashmë është e njohur pasi e ka rrëfyer publikisht njëra nga vajzat e Lasgushit (të nesërmen nën jastëkun e tij u gjet një pistoletë… ku “miqtë e paftuar” për të shpëtuar veten, pasi nuk mundën t’ia mbushnin mendjen për poezinë për të cilën kishin shkuar, kishin menduar dhe vrasjen e tij, për ta paraqitur më pas si vetëvrasje), duket se ia vështirësonte më shumë Lasgushit problemin që ai kishte me vajzat.

Nisur nga kjo gjë, ai u detyrua që të thërriste ata miq të pakët që i kishin mbetur, si në Pogradec ashtu dhe në Tiranë, për të ndarë me ta hallin që e kishte zënë. Një prej tyre ishte shkrimtari i njohur Ismail Kadare, i cili së bashku me bashkëshorten e tij, Helenën, frekuentonin herë pas here atë si në shtëpinë e Tiranës, ashtu dhe në shtëpinë e vogël dhe të bukur mes pemësh buzë liqenit të Pogradecit. Kjo gjë, pra miqësia e Lasgushit me Kadarenë, tashmë është e njohur edhe prej librave të Kadaresë (‘Ftesë në studio’, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1990), ku shkrimtari i njohur ka përshkruar takimet e tij me “Shtergun e fundit”, ku ai (Lasgushi), i tregonte se si gatuheshin makaronat?! Gjë e cila ishte as më shumë dhe as më pak një sfidë që “poeti i liqerit” i bënte regjimit në fuqi dhe që shkrimtari i njohur, nuk nguronte t’i shkruante në librat e tij. Sfida qëndronte në faktin se tashmë preokupimi më i madh i Lasgushit ishte “gatimi i makaronave” dhe jo ajo “çka kërkonte Partia” nga letërsia e realizmit socialist?!

Miqësia e Kadaresë me Lasgushin, gjithashtu, njihet edhe nga një dokumentar i realizuar në vitin 1990 nga Kinostudio “Shqipëria e Re” (skenari, Petrit Ruka, regjia Edmond Topi), ku Kadare ka dhënë një intervistë të gjatë për “poetin e liqerit” dhe aty jepen edhe disa filmime e foto të ndryshme ku ata janë nën shoqërinë e njëri tjetrit dhe familjeve të tyre.

Por, kjo ishte vetëm një anë e medaljes, ajo e dukshmja, pasi, atë se çka ishte në të vërtetë Lasgushi, raportet e tij me regjimin komunist në fuqi dhe adhurimin e madh ndaj tij si njeri dhe poet i papërsëritshëm i letërsisë shqipe, shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare i kishte shkruar më herët (fillimisht diku aty nga viti 1986), në një tregim dhe pas në një novelë të titulluar “Ikja e shtërgut”. Që së bashku me novelat “Hija”, “Vajza e Agamemnonit”, “Vdekja e gruas ruse”, e disa krijime të tjerë të tij që nuk mund t’i botonte dot asokohe pasi paraqisnin rrezik të madh për të, Kadare i kishte depozituar në një Bankë të Parisit duke ia lënë çelësin e kasafortës dhe autorizimin përkatës botuesit të tij francez, presidentit të “Fayard”-it, Claude Durand, për t’i hapur në një kohë të përshtatshme dhe për t’i përkthyer e botuar ato.

Por, siç dihet tashmë, nisur nga rrjedhja e ngjarjeve, ato krijime të Kadaresë bashkë me “Ikja e shtërgut”, u botuan pas viteve ’90-të. Por, sa më sipër cituam, ajo që nuk ka qenë e njohur deri më sot, është ajo se çka mendonte Lasgush Poradeci për Kadarenë dhe konsideratat e vlerësimet e tij për shkrimtarin e njohur shqiptar dhe njëkohësisht një nga miqtë më të ngushtë të tij. Por, si ndihmën e Kadaresë ashtu dhe të atyre pak miqve të tjerë që iu gjetën Lasgushit në atë kohë kur ai përballej me pushtetin e kohës për problemin e dy vajzave (siç ishin Llazar Siliqi e Vehbi Bala, apo Isuf Kambo, me shumë pushtet asokohe në Pogradec), ai nuk ka harruar që t’i hidhte diku në një letër, madje duke i dhënë ato me detaje për gjithsecilin prej syresh. Madje, si mos t’i mbetej peng, Lasgushi e ka bërë atë gjë shpejt e shpejt që në atë kohë (janar 1979) në një letër që ai ja dërgonte vajzës së tij, Kostandinës, apo siç e quan ai në letër “çupka e babajt”, duke ia shpjeguar asaj me emra të gjithë miqtë e mirë që iu gjetën edhe në atë kohë të vështirë. Gjë e cila ishte pak a shumë një amanet që vajzat nuk duhet t’i harronin kurrë miqtë e babajt dhe të tjerët që e ndihmuan atë në ato kohëra të vështira…!

Nga ajo letër që tashmë ndodhet në arkivin familjar të Lasgush Poradecit të trashëguar nga dy vajzat e tij (Maria dhe Kostandina), ekskluzivisht për Gazeta Shqiptare, po publikojmë një pjesë prej saj atë ku Lasgushi i shkruan Kostandinës për miqtë e tij që iu gjetën në atë kohë të vështirë për ta….?!

Letra e Lasgushit për vajzën e tij, Kostandinën

Tiranë, 6 janar 1979

…Çollakun, Isufit iu mbushën sytë me lot. Nga shkaku i hallës së Reshitit, Isufi më ka bërë mik. Ai u interesua shumë (fortë shumë) për ty Kostandinë, kur nuk të emëruan ata të Komitetit Ekzekutiv. Vajti disa herë (jo njëherë, jo dy herë, po disa herë), në Komitetin Ekzekutiv, në kuadër, ne kryetari, edhe disa herë në Komitetin e Partisë (edhe këtu disa herë) edhe më në fund kur i bëra dy telegramet (1 në Elbasan, 1 në Tiranë), Isufi vajti në Tiranë në Ministrinë e Arsimit që më dërgoi pastaj telegramin në Pogradec se “U dha urdhëri i emërimit, mos u tubulloni”. Po të shënoj se Isuf Kambo është Perandor i tërë rrethit të Pogradecit, ay gjatë Luftës ka qenë Komisar i përgjithshëm i gjithë rrethit të Pogradecit.

E shëkon Kostandinë se sa e rëndë është jeta, sa falsë janë njerzit (jo të gjithë). Të lajnë dhe të lyejnë, pastaj, në nevojë, të lënë në batak (d.m.th. të përplasin në batak).

Po miku i mirë njihet mik në të keq dhe në rrezik. A i pe miqtë e mirë? Kadarenë? Kamba-n, Bashkimin? Ata bëjnë punë, të mbarojnë punë, s’dinë fjalë.

Edhe në Tiranë, kur ishnë, kur qave në… (nuk kuptohet shkrimi, shënimi ynë. D.K.), që na mundonin për karakteristikën për ty, që s’na e ipnin, as Këshilli i Lagjes, as Universiteti, kur të thashë, më i mbushur me vrer: “Pse qan, bij e babajt, mos qaj, ke baba ti”. Kush? Cili, cilët na e ndreqnë punën e karakteristikës, na e ndreqnë Vehbi Bala me Llazar Siliqin.

Sa herë vanë ata njerëz njëri ne tjetri për ty, edhe në Lagje sa herë, edhe në Universitet sa herë? Prandaj Kostandinë e shtrenjtë e babkës, mos u dëshpëro… / Telegrafi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here