“Shqiptarët nuk kishin besim te serbët, ata heshtnin dhe nuk shprehnin vullnet për ta respektuar disiplinën e paraparë. Ata rrinin në grupe, duke u tubuar në baza krahinore. Mes vete flisnin shqip, ndërsa me oficerët serbë flisnin me përkthyes. Ata nuk pranuan t’i hiqnin kësulat e tyre kombëtare. U desh kohë që ata të bindeshin t’i bartnin shajkaçat serbe dhe kjo shkaktoi kokëçarje me komandën ushtarake. Në disa raste ata i prenë shajkaçat serbe dhe i rregulluan ato në ato pamje që iu përngjanin plisave shqiptarë”. Ky ishte vlerësimi i komandës së trupave rezervë në Nish, në pranverën e vitit 1915, kur rekrutët shqiptarë për herë të parë pas tërheqjes së Perandorisë Osmane nga Ballkani u përfshinë në radhët e ushtrisë serbe, shkruan Koha Ditore.
Plisi shqiptar në Muzeun e Beogradit
Por, megjithatë, edhe pse plisi i bardhë ishte bartur edhe në principatën e dikurshme të Serbisë, një trajtim të veçantë në kulturën serbe ai e kishte fituar në fillim të shekullit XX, për të degjeneruar më vonë kur plisi ishte parë në ngjyrime dhe simbolikë të veçantë, në varësi të kohës dhe të pushteteve politike në Serbi, në Mbretërinë e Jugosllavisë dhe më vonë edhe në Jugosllavinë e Titos.
“Bartet në Serbinë e Vjetër (Kosovë). Në pjesën e poshtme diametri i tij është 17 centimetra, ndërsa thellësia është 9 centimetra“. Këto janë të dhënat për një plis shqiptar të vendosur në Muzeun e Beogradit në vitin 1902, që kohë më parë aty e kishte sjellë një qytetar dhe origjina e tij ishte nga rrethinat e Prizrenit. Ky plis njëherësh në atë kohë llogaritej si kapela më e vjetër në viset e atëhershme, duke nisur nga Sllovenia e deri në Maqedoninë e Veriut sot. Ndërkaq ballafaqimi i parë shqiptaro-serb rreth plisit erdhi pas okupimit të Kosovës nga Serbia pas vitit 1912. Kur Lufta e Parë Botërore ishte e pashmangshme, shteti i atëhershëm i quajtur SerboKroato-Slloven, e nisi mobilizimin e shqiptarëve të territoreve shqiptare që zyrtarisht pas vitit 1912 emërtoheshin si “viset e reja”! Më 31 dhjetor 1914, arriti urdhri që të gjithë shqiptarët që ishin të lindur në vitet 1892, 1893 dhe 1894, të rekrutoheshin dhe të dërgoheshin në Nish. Ata që nuk mundën ta shmangnin rekrutimin i filluan ushtrimet aty, ndërsa një pjesë bukur e madhe e shqiptarëve i refuzuan ftesat duke u arratisur në mal.
Në komandën e trupave rezervë në Nish, gjatë janarit të vitit 1915, arritën rreth 8 000 rekrutë të rinj shqiptarë. Pas kontrollimeve mjekësore u formuan dy batalione. Mosnjohja e gjuhës nga rekrutët shqiptarë bëri që ushtrimet të zgjasnin deri në mesin e muajit prill. ”Shqiptarët nuk kishin besim te serbët, ata heshtnin dhe nuk shprehnin vullnet për ta respektuar disiplinën e paraparë. Ata rrinin në grupe, duke u tubuar në baza krahinore. Mes vete flisnin shqip, ndërsa me oficerët serbë flisnin me përkthyes. Ata nuk pranuan t’i hiqnin kësulat kombëtare. U desh kohë që ata të bindeshin t’i bartnin shajkaçat serbe dhe kjo shkaktoi kokëçarje me komandën ushtarake. Në disa raste ata prenë shajkaçat serbe dhe i rregulluan ato në pamje që iu përngjanin kësulave shqiptare”, ky ishte vlerësimi i komandës së trupave rezervë në Nish. Gjendja mbizotëruese midis rekrutëve të rinj shqiptarë ishte vetëm një reflektim i disponimit të përgjithshëm, që dominonte ndër shqiptarët në raport me pushtetin okupues.