6.1 C
Pristina
Tuesday, December 7, 2021
Home ART R.Rudi: Në kërkim të gjurmëve (të humbura) të jetës muzikore 1975 -...

R.Rudi: Në kërkim të gjurmëve (të humbura) të jetës muzikore 1975 – 1990

Në kërkim të gjurmëve të jetës muzikore në Prishtinë dhe në vend, për një periudhë më të rëndësishme, gjithsesi më produktive të saj, pashmangshëm na çon në drejtim të zbardhjes së aktiviteteve të dy ansambleve muzikore profesionale tek ne: 𝗢𝗿𝗸𝗲𝘀𝘁𝗿𝗲̈𝘀 𝘀𝗶𝗺𝗳𝗼𝗻𝗶𝗸𝗲 𝗱𝗵𝗲 𝗞𝗼𝗿𝗶𝘁 𝗽𝗿𝗼𝗳𝗲𝘀𝘀𝗶𝗼𝗻𝗮𝗹 𝘁𝗲̈ 𝗥𝗧𝗣-𝘀𝗲̈.
Edhepse dy ansamblet të vetmet profesionale tek ne në fushën e muzikës (klasike), Orkestra simfonike dhe Kori profesional, ishin pjesë integrale e RTP-së, veprimtaria e tyre ishte ‘disejnuar’ në atë mënyrë që, një pjesë e punës së tyre zhvillohej jashtë suazave dhe obligimeve të ngushta që kishin ndaj programit muzikor, ndaj programit të rregullt të Radios dhe Televizionit. Veprimtaria e tyre koncertale, me të cilat është pasuruar jeta jonë muzikore, është llogaritur si veprimtari suplimentare dhe ishte një aktivitet mirë i planifikuar dhe obligativ (madje Orkestra për këtë aktivitet të rëndësishëm, ka pasur një linjë të veçantë të financimit). Meqë këto dy ansamble ishin boshti kryesor i jetës muzikore në qytet, është e kuptueshme që gjurmët më të besueshme për jetën muzikore në Kosovë, së paku për jetën e muzikës profesionale, lidhen me shtëpinë e tyre domicile – me Radio-Prishtinën. Ato kanë vepruar me status profesional dhe me organizim institucional të stabilizuar vetëm në periudhën 1975-1990, në një periudhë më të konsoliduar të kulturës dhe jetës sonë muzikore, (ndonëse, siç dihet ato,në forma të ndryshme kanë ekzistuar edhe më parë). Edhepse nuk na ndanë një largësi kohore e madhe nga ajo periudhë, shenimet precise për veprimtarinë e tyre (si programe të shtypura, shkrime gazetash të sistemuara, listë për koncertet e mbajtura, listë me emra të isntrumentistëve të mbledhura në një vend dhe të arkivuara, nuk ka. Gjurmët e tyre janë zhdukur, sipas të gjitha gjasave në disa mënyra:
𝗜 – 𝗗𝗬 𝗔𝗡𝗦𝗔𝗠𝗕𝗟𝗘𝗧 𝗘 𝗥𝗧𝗣-𝗦𝗘̈ 𝗦𝗜 𝗣𝗥𝗢𝗠𝗢𝗧𝗢𝗥𝗘 𝗘 𝗭𝗛𝗩𝗜𝗟𝗟𝗜𝗠𝗜𝗧 𝗧𝗘̈ 𝗝𝗘𝗧𝗘̈𝗦 𝗠𝗨𝗭𝗜𝗞𝗢𝗥𝗘
• 𝙕𝙝𝙫𝙞𝙡𝙡𝙞𝙢𝙞 𝙞 𝙝𝙤𝙫𝙨𝙝𝙚̈𝙢 𝙞 𝙟𝙚𝙩𝙚̈𝙨 𝙢𝙪𝙯𝙞𝙠𝙤𝙧𝙚 𝙥𝙖𝙨 𝙫𝙞𝙩𝙞𝙩 1975
Orkestra simfonike e RTP-së
Periudha më serioze e organizimit të Orkestrës, fillon në mesin e viteve ’70-ta. Në bazë të disa shenimeve gazetareske, gjejmë informacionin, se në gjysmën e parë të vitit 1974, pas punës së rëndësishme pregaditëse dy-tre vjeçare që bëri Bahri Çela, e me ndihmën dhe përkrahjen plebiscscitare të muziktarëve të asaj kohe, u mor iniciativa për formimin orkestrës. Ky vit shenohet si fillim i punës së orkestrës, fillimisht si orkestër kamertal e më pas si formacion simfonik. Fillimin e veprimtarisë së orkestrës duhet parë në kontekst të zhvillimeve politike dhe shoqërore të asaj kohë, që shprehej me një shkallë relativisht më të lartë të vetëadministrimit që Kosova kishte arritur në rrafshin politik. Pra, në një valë të ringjalljes së përgjithshme nacionale, ku me vetëbesim formoheshin institucionet të ndryshme kulturore të rëndësisë së madhe kombëtare, (ri)lindet edhe orkestra. Konstituimi i Radio-televizionit të Prishtinës, në vitin 1975, si dhe rritja e rolit të kësaj shtëpie në fushën e jetës publike shoqërore dhe kulturore, ishte një moment i rëndësishëm në zhvillimin e kësaj trupe. Kjo u arrit edhe, në formimin dhe drejtimin e orkestrës. Orkestra, që tashmë kishte emër të ri dhe të plot, Orkestra Simfonike e RTP-së, u fut plotësisht nën ombrellën e këtij institucioni /shtetëror/. Ky ishte një moment mjaft premtues në zhvillimin e Orkestrës por njëkohësisht edhe cytje për zhvillimin e jetës muzikore në Prishtinë.
Pas institucionalizimit formal të orkestrës, besimi për udhëqjen e saj iu besua dirigjentit Bajar Berisha, i cili në atë kohë, sapo kishte mbaruar studimet e dirigjimit në Akademinë e Beogradit. Për 16 vite me rradhë të punës në gjirin e kësaj shtëpie, fal investimeve të mëdha që kishte Radio-televizioni si tërësi, orkestra siguroi financim stabil dhe funksionim të rehatshëm.
Si një prej institucioneve kyqe të kulturës në Kosovë, institucione të cilat kishin primesa të dukshme shtetërore edhe Radio-televizioni i Prishtinës kishte ndikim shumë të madh në orientimin e rrjedhave të përgjithshme në kulturë. Ai vazhdimisht ndryshonte dhe e përparonte strukturën e saj organizative. Në vazhdën e kësaj filloi me punë edhe Produkcioni muzikor i RTP-së, që menaxhonte aktivitetin e Orkestrës simfonike, Korin professional por edhe ansamblet tjera që punonin në gjirin e tij – orkestrën popullore shqipe, serbe e turke dhe orkestrën zbavitëse. Pikërisht në saje të kësaj veprimtarie, jeta muzikore në Prishtinë, por edhe në Kosovë, përgjithësisht, filloi të gjallërohej. Kompletimi i orkestrës (të cilës i mungonin instrumentistët vendor), bëhej përmes huazimit të instrumentistëve nga Orkestra Filharmonike e Maqedonisë dhe njëkohësisht, në një numër më të vogël të instrumentistë që vinin nga Polonia, Bullgaria e Rumunia (të instaluar disa vite me rradhë këtu në Prishtinë.
Përkundër mungesës së instrumentistëve, aktivitetet nuk munguan. Gjithsesi prezentim dhe ngritje të shenueshme, Orkestra pati me prezentimin në “Lojrat verore të Dubrovnikut” më 1981 dhe në Festivalin e Muzikës Bashkëkohore Jugosllave, në Opati, në nëntorin e po atij viti. Duhet përmendur pjesëmarrjen në Festivalin “Ditët e Muzikës” (Festival me karakter jugosllav që mbahej në Mal të Zi), pastaj koncertet shumë të suksesshme këtu në Prishtinë, Mbrëmja me veprat e Bramsit, ekzekutimi i Rekuiemit të Moxartit, realizimi koncertal i Operës “Aida” me primadonën e operës së Zagrebit Ljiljana Mollnar-Talajiç etj. Dirigjentët që punojnë, të thuash në mënyrë alternative me Orkestrën, për një kohë të gjatë, ishin Bahri Çela dhe Bajar Berisha. Përveq tyre, në periudha më të gjata kohore (disavjeçare), në krye të orkestrës kanë qëndruar: Silviu Pantiru, Leslav Salacki dhe Pero Petrovski. Me orkestrën kanë punuar edhe Mark Kaçinari, Aleksandër Lekaj (Lekovski), Jehona Zajmi etj. Në saje të dinamizimit më të madh të jetës muzikore në Prishtinë, filloj ardhja, si mysafirë, i një numri të madh të dirigjentëve nga bota si Hikmet Shimshek, Stefan Marczyk, Zhivojin Zdravkoviq, Stanko Shepiq etj. Në fund të viteve ’80-ta filloi edhe bashkëpunim i orkestrës me artistët nga Shqipëria. Në këtë periudhë me arkestrën punuan dirigjentët Ermir Krantja dhe Ferdinand Deda, kurse në repertor, kohë pas kohe dhe deri në viti 1981.
Repertori i orkestrës nuk ishte tepër i gjërë. Orkestra ende nuk ishte në nivel të till profesional që në repertor të këtë vepra të ndërlikuara të Berliozit, Listit, Debysisë, e as vepra të traditës moderne të shekullit XX si Mahler, Prokofjev, Stravinski, Shostakoviq. Përkundër kësaj Orkestra, e cila repertorin e vet e bazonte në literaturën kryesisht klasike (Mozart, Haydn Betoven) dhe pjesërisht romantike, arriti të korrte një mori suksesesh, sidomos gjatë viteve të ’80-ta. Përveq kësaj, shumë pozitive ishte përpjekja e Orkestrës që të realizojë edhe veprat e autorëve tanë”.
𝗢𝗿𝗸𝗲𝘀𝘁𝗿𝗮 𝗲 𝗥𝗮𝗱𝗶𝗼𝘀 𝗱𝗮𝘁𝗼𝗻 𝗾𝗲̈ 𝗻𝗴𝗮 𝘃𝗶𝘁𝗲𝘁 𝗲 ’𝟱𝟬-𝘁𝗮
Në një punim më të gjatë, lidhur me Historinë e dy ansambleve tona, Korit dhe Orkestrës (studim i pabotuar deri më tash), unë kam shkruar, në mes tjerash edhe këtë:

  • Fillet e largëta të muzicimit simfonik tek ne mund t’i gjejmë më thellë në histori – qysh në fillim të viteve ’50-ta.
    (teksti i plote lidhur me Orkestren e viteve 50-ta – me poshte!!!)
    𝗞𝗼𝗿𝗶 𝗣𝗿𝗼𝗳𝗲𝘀𝗶𝗼𝗻𝗮𝗹 𝗶 𝗥𝗧𝗣-𝘀𝗲̈
    Kori profesional i RTP-së u formua në vitin 1980. Ishte organizim i parë i një ansambli koral profesional tek ne (ndonëse në Radio-Prishtinë, kohë pas kohe ka vepruar, në formë amatore, një formacion koral). Në krye të tij u vendos Rafet Rudi, dirigjent i diplomuar, i cili veproi për shtatë sezona (1980-1987). Më tutje, nga viti 1987 deri në vitin 1990, Korin e udhëheqë Baki Jashari, kompozitor i diplomuar. Ai vjen në krye të ansamblit, pas një përvoje që kishte me aktivitete korale për shumë vitë me rradhë në Slloveni.

Siç lexojmë në publikimin e një Katalogu të botuar nga Produksioni muzikor i RTP-së për pesë vjetorin e Korit, shkruan: “Kori profesional i Produksionit Muzikor të RTP-së ka filluar punën me 1 shtator të viti 1980. Në fillim Kori kishte 30 antarë, prej tyre 16 ishin në marrëdhënje të rregullt pune. Për një kohë të shkurtër numri i antarëve të rregullt u shtua, kështuqë qysh në vitin 1983, kori kishte 36 antarë në marrëdhënje të rregullt pune. Është i përbërë kryesisht prej muziktarëve të rinj të diplomuar apo studentëve të Akademisë së Arteve (Muzikës) në Prishtinë. Meqë Kori ka statusin e ansamblit profesionist, kjo i mundëson një hapësirë më të madhe kohore për një punë intensive dhe serioze. Kori, pas disa paraqitjeve me programe të shkurtëra, Koncertin e parë premial e mbajti më 15 tetor 1981, nën drejtimin e dirigjentit R.Rudi, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. “
Lindja e këtij ansambli ishte rrjedhojë e modelit të njejtë të organizmit që Shtëpia jonë Radio-televizive, aplikonte, sikundër edhe simotrat e saj në qendrat të tjera të ish Jugosllavisë.
Përgjithësisht, strukturimi i mbrendshëm i tërë RTP-së është bërë sipas një koncepcioni oraganizativ të njejtë që ekzistonte në qendrat tjera të zhvilluara të Jugosllavisë. Meqë, në të gjitha këto qendra (Ljubljanë, Zagreb, Beograd etj.) ekzistonin koret profesionale të Radios, ishte e logjikshme që edhe Prishtina ta kishte një të till.
Veprimtaria e Korit ishte e përqëndruar në audio-inçizime për nevojat e programit të Radios dhe të Televizionit. Përveç kësaj, Kori gjatë një sezoni koncertal kishte një mori paraqitjesh publike koncertale (rreth 20-25 ne vit). Kori për disa vite të punës, arriti të zhvillohet në një ansambël të mirëfillt koral i cili, me paraqitjet e suksesshme jashtë Kosovës tërhoqi vemendjen e profesionistëve. Kori në atë kohë të hapjes së kulturës kosovare në rrafshin jugosllav, mori pjesë në të gjitha festivalet e rëndësishme ndërkombëtare që organizoheshin atëbotë: “Tribuna e Krijimtarisë Muzikore Jugosllave” në Opati (dy herë), në “Lojrat verore të Dubrovnikut”, në “Verën e Ohrit”, në Beograd dhe në shumë vende të tjera. Kori i RTP-së, për kohën që veproi, ka luajtur rol të rëndësishëm në popullarizimin e literaturës së muzikës moderne.
𝗜𝗜 𝗔 𝗘̈𝗦𝗛𝗧𝗘̈ 𝗜 𝗠𝗨𝗡𝗗𝗦𝗛𝗘̈𝗠 𝗥𝗜𝗞𝗢𝗡𝗦𝗧𝗥𝗨𝗜𝗠𝗜𝗡 𝗘 𝗝𝗘𝗧𝗘̈𝗦 𝗠𝗨𝗭𝗜𝗞𝗢𝗥𝗘?
Gjurmët e një dokumentacioni të pjesërishëm të koncerteve publike janë zhdukur, sipas të gjitha gjasave, në disa mënyra:
• me zhdukjen sistematike të dokumentacion të punës, në nivel të RTP-së, në periudhën që puntorët shqiptarë kanë qenë të dëbuar nga puna (1990-1999);
• me shkatërrimin i të gjithë dokumentacionit dhe inventarit tjetër në Produksionin muzikor
• me shkatërrimin e plotë të Nototekës
Por, duhet të kihet parasysh edhe fakti se, në Produksionin muzikor nuk ekzistonte praktika e arkivimit sistematik vjetor të 𝗽𝗿𝗼𝗴𝗿𝗮𝗺𝗲𝘃𝗲 𝗸𝗼𝗻𝗰𝗲𝗿𝘁𝗮𝗹𝗲, si dhe ruajtja e tyre obligative në një vend të dyë (alternative), ta zëmë, në Arkivin e Kosovës (apo në Bibliotekën kombëtare të Kosovës).
Sa i përket Korit, megjithatë ekziston një libërth (broshurë) i botuar nga Produkcioni muzikor, që tregon aktivitetin e Korit, në mënyrë të përmbledhur – “𝗣𝗲𝘀𝗲̈ 𝘃𝗷𝗲𝘁 𝘁𝗲̈ 𝗞𝗼𝗿𝗶𝘁 𝗽𝗿𝗼𝗳𝗲𝘀𝗶𝗼𝗻𝗮𝗹 𝘁𝗲̈ 𝗥𝗧𝗣-𝘀𝗲̈”. Në të janë të përmbledhura këto shenime:
• Lista e Koncerteve (a capella) të rëndësishme të Korit profesional
• Datat e sakta të Koncerteve të mbajtura për pesë vite me rradhë, me shenimin e sakt të sallave dhe të qyteteve (Festivaleve) ku janë mbajtur Koncertet
• Lista komplete e të gjithë antarëve të Korit.
Fatlumësisht disa kopje të këtij libërthi (broshure) unë i kam të ruajtura në Bibliotekën time personale (bibliotekë e pa dëmtuar gjatë luftës së fundit).
*Për përpilimin e kësaj biografie të shkurtër të jetës së dy ansambleve kryesore tek ne (një pjesë e së cilës është e cekur më lart), po e publikoj per here te pare, unë kam shfrytëzuar disa të dhëna që I kam marrë nga Fonoteka e Radios dhe pjesa e madhe është pjesë e Arkivit të Bibliotekës time personale, meqë në të (sidomos për periudhën 1980 – 1987) 𝗲̈𝘀𝗵𝘁𝗲̈ 𝗿𝘂𝗮𝗷𝘁𝘂𝗿 𝗰̧𝗱𝗼 𝗽𝗿𝗼𝗴𝗿𝗮𝗺 𝗶 𝘀𝗵𝘁𝘆𝗽𝘂𝗿, 𝗰̧𝗱𝗼 𝗸𝗿𝗶𝘁𝗶𝗸𝗲̈ 𝗮𝗽𝗼 𝗶𝗻𝗳𝗼𝗿𝗺𝗮𝗰𝗶𝗼𝗻 𝗶 𝘀𝗵𝗸𝗿𝘂𝗮𝗿 𝗻𝗲̈ 𝗴𝗮𝘇𝗲𝘁𝗮𝘁 𝗱𝗵𝗲 𝗿𝗲𝘃𝗶𝘀𝘁𝗮𝘁 𝗲 𝗸𝗼𝗵𝗲̈𝘀, 𝘀𝗮 𝗶 𝗽𝗲̈𝗿𝗸𝗲𝘁 𝗞𝗼𝗿𝗶𝘁 𝗽𝗿𝗼𝗳𝗲𝘀𝘀𝗶𝗼𝗻𝗮𝗹 𝘁𝗲̈ 𝗥𝗧𝗣-𝘀𝗲̈.
• Pos kësaj, në bibliotekën time, i kam të ruajtura të gjitha programet e ngjarjeve muzikore (koncerteve, festivaleve etj.) të zhvilluara këtu te ne (para se gjithash, në ato që kam qenë prezent, që nga viti 1974)
• Të gjitha këto materiale, besoj, mund t’i shërbejnë ndonjë studiuesi të ri (nëse do të ketë të interesuar të till!), që të bëj rekonstruimin komplet të aktiviteteve të Korit (por pjesërisht edhe të orketrës) të periudhës 1974-1999.
𝗜𝗜𝗜 Burimet e mundshme: 𝗔𝗿𝗸𝗶𝘃𝗮𝘁 𝗽𝗿𝗶𝘃𝗮𝘁𝗲 dhe 𝗙𝗼𝗻𝗼𝘁𝗲𝗸𝗮
𝗔𝗿𝗸𝗶𝘃𝗮𝘁 𝗽𝗿𝗶𝘃𝗮𝘁𝗲
Natyrisht, është e pritur që materiale të ndryshme të koncerteve të veçanta mund të gjenden nëpër arkiva private (programe, kritika, fotografi etj.). Jam I bidur që në Prishtinë ka melomanë të pasionuar, por edhe muzikantë pedant që ka ruajtur material të ndryshmë, por ato janë të material parciale dhe të shpërndara, andaj nuk është lehtë që nga tërë ai material të tubohet në një vend. Ato duhet të mblidhen, të klasifikohen, të sistemohen, të kategorizohen për ta fituar një 𝗽𝗮𝘀𝗾𝘆𝗿𝗲̈ 𝘁𝗲̈ 𝗾𝗮𝗿𝘁𝗲̈ 𝘁𝗲̈ 𝗰̧𝗱𝗼 𝘃𝗶𝘁𝗶 𝗸𝗼𝗻𝗰𝗲𝗿𝘁𝗮𝗹, me një metodologji sintetizuese (përmbledhëse). Është një punë shumë serioze dhe e mundimshme që e pret muzikologjinë tonë në vitet e ardhshme.
𝗙𝗼𝗻𝗼𝘁𝗲𝗸𝗮 𝗲 𝗥𝗧𝗣-𝘀𝗲̈
Kur, disa vite më parë, një grup i punës i Filharmonisë (në mesin e të cilëve isha edhe unë), u përpoq që të mbledh informacione për të bërë një historik të jetës së Orkestrës simfonike (të vetme në Kosovë), si dhe të Korit të Radio-Prishtinës, që nga vitet ’50-ta. Kemi konstatuar, me këtë rast, se një prej pikave kredibile (ndonëse kursesi e mjaftueshme!) të ndriçimit të kësaj rruge të pandriçuar të jetës sonë muzikore, mund të jetë edhe Fonoteka e RTP-së, e cila është e ruajtur e tëra, përkundër shkatërrimit vandal (apo vjedhjes?) i të gjithë dokumentacionit të vlefshëm në RTP.
Në fonotekë janë të tubuar informacionet e sakta për inçizimet e bëra nga Orkestra simfonike, që nga vitet e largëta të ’50-tave dhe përmes saj mund të bëhet një rekonstruimi i (pjesëshëm dhe indirekt) i jetës së muzikore tek ne, ose, së paku, këto informacion mund të jenë orientuese se në ç’drejtim duhet lëvizur për gjetjen dhe plotësimin e historisë së dy ansambleve tonë kryesore. Ato pasqyrojnë (në mënyrë indirekte), pamjen e jetës muzikore të periudhes së parë të punës së orkestrës 1953-1975, por edhe periudhës së dytë 1975-1990. Nga ky regjistër i audio-regjistrimeve, mund të nxjerren një mori të dhënash valide, që do të ndihmonin në rekonstruimin e (pjesëshëm) të jetës muzikore në Prishtinë, për faktin se gjithmonë në RTP ka qenë praktika që programi i cili është inçizuar, është përgaditur edhe për prezentim publik (për koncert) kjo na orienton drejt periudhës kohore në të cilën duhet synuar për hulumtim të informacioneve. Pjesërisht, edhe në këtë mënyrë, mund t’i afrohemi të informacioneve të rëndësishme, në ndriçimin e jetës koncertale në qytet.
Në këtë regjistër të inçizimeve, janë të shenuara disa detaje të vlefshme si data e inçizimit, emri i dirigjentit (dhe solistit nëse ka të till në vepër), emri i kompozitorit etj. Në këtë mënyrë do të sqarohet informacionet:

  1. për precizimin e veprimtarisë të krijuesve (vendor),
  2. për llojin e repertorit të orkestrës dhe
  3. për periudhën, në të cilën orkestra ka qenë aktive (meqë, dihet mirëfilli se orkestra ka pasur ndërprerje të shumta, ndonjëherë disavjeçare).
    Rikonstruim komplet të jetës muzikore nuk mund të ketë, por me angazhimin studiusve tanë aktual, Fakultetit të muzikës, studiuesve tanë të rinj të ardhshëm, të cilët do ta kuptojnë se avansimi i kulturës kombëtare bëhet me ndriçimin e vlerave të kohës së shkuar andaj, rikonstruimi (i pjesëshëm) është i mundshëm dhe ai duhet të bëhet!
    𝗣𝗼𝘀𝘁 𝗦𝗰𝗿𝗶𝗽𝘁𝘂𝗺
    (𝙈𝙪𝙣𝙜𝙚𝙨𝙖 𝙚 𝙫𝙞𝙜𝙟𝙞𝙡𝙚𝙣𝙘𝙚̈𝙨 𝙣𝙚̈ 𝙧𝙪𝙖𝙟𝙩𝙟𝙚𝙣 𝙢𝙖𝙩𝙚𝙧𝙞𝙖𝙡𝙚𝙫𝙚 𝙙𝙤𝙠𝙪𝙢𝙚𝙣𝙩𝙪𝙚𝙨𝙚)
    Përkundër që ne tash, nga një distancë kohore e gjatë, flasim me nostalgji për një kohë të shkuar, evokojmë dromcat jetësore idilike, evokojme edhe ndonjë të metë që ka qenë, gjithmonë me fjalë të buta dhe mirëkuptueshme, megjithatë në këtë mënyrë, ndonjëherë, i harojmë faktet e vërteta. Duhet thënë zëshëm se jo vigjilenca e njerëzve tanë, moskujdesi elementar i njerëzve tanë, ka qenë një prej arsyve që sot nuk kemi shenime për koncertet e këtyre dy ansambleve profesionale.
    Duke qenë se për shtatë sezona koncertale, kam qenë i ngazhuar si dirigjent i Korit professional të RTP-së (si bashkëpuntor i jashtëm, meqë punoja si i rregullt në Akademinë e Arteve), kam vërejtur se:
    Redaktorët e ansambleve, që kishin përgjegjësi direkte për administrimin e ansambleve, shenimet e mbledhura lidhur me inçizimet e përfunduara i dërgonin në mënyrë të rregullt në Fonotekën e Radios. Ky ishte një obligim rutinor në kuadër të punës së tyre javore apo mujore, dhe kjo është për çdo lavdatë. Por, çështja ndryshonte kur bëhej fjalë për koncertet publike. Programet e koncerteve, kritikat e gazetave, fotot nga koncertet nuk i ruanin dhe as që i sistemonin në ndonjë arkiv. Thjeshtë, prej tyre (redaktoteve) tyre nuk kërkohej një gjë e till. Megjithatë, mua më befasonte fakti se njerëzit përgjegjës të orkestrës dhe të Korit, nuk mbanin shenime (së paku personale) për koncertet publike të ansamblit të cilin ata e administronin. Nuk tregonin një entuziazëm personal që, së paku, programet e shtypura të koncerteve t’i sistemonin (të përmbledhura si tërësi). Nuk dij se a u mungonte vigjilenca profesionale, apo u mungonte dashuria elementare për punën që ata bënin!
    Çështja e dokumentacionit është një problem i madh për të gjitha institucionet kulturore. Pak a shumë tek të gjithë paraqiten dhe shfaqen mëngësitë e njejta. Mungesa e një kulture në ruajtjen e dokumentave, shfaqet, si duket, si një karakteristikë e përhershme e jona. Kjo është, pamëdyshje një e metë, që ka (sic shohim tash), reperkusione në sajimin e një historie kredibile të jetës sonë muzikore (së paku) të shtatëdhjetë vjetëve të fundit.
    Rafet Rudi / Prishtinë, 15 tetor 2021
  • _____________________________
    Orkestra ne fillimet e saja (vitet ’50-ta)
    Ndonëse mungojnë shenime precize per ketë priudhë, në bazë të indikacioneve të ndryshme (por, edhe në bazë të mbamendjes të disa protogonistëve direkt të atyre aktiviteteve) kuptojmë se, pikërisht viti 1953 është vit nismëtar i këtij ansambli. Së këndejmi, për studuesit e ardhshëm, hartimi i biografisë të së vetme Orkestre profesioniste që ka pasur Kosova, sidomos vitet fillestare të saj, gjashtëdhjetë e tetë më parë, edhe më tutje do të jetë një prej detyrave më të vështira në përpjekjet për të ndriçuar traditën tonë të muzikës artistike, dhe jetën muzikore, në përgjithësi. Shiquar me sinqeritet, e kaluara e Orkestrës vetvetiu është kontestuese, para së gjithash, për shkak të ndryshimit të pandërprerë që ajo ka pasur në statusit e saj të vet: një herë punon si orkestër pranë Radio-Prishtinës, një herë si orkestër e qytetit, ndonjëherë ka organizim vullnetar, krejtësisht amatore e ndonjëherë në mënyrë të institucionalizuar. Edhe sa i përket formacionit, ndryshimet janë bërë vazhdimisht: njëherë punon si orkestër harkor, herën tjetër si orkestër simfonik, e herëherë, si orkestër revyal (për nevojat e zhanreve të tjera të muzikës e jo gjithmonë asaj klasike).
    Iniciativa për fillimin e punës së këtij formacioni ishte fryt i vendimeve administrative e politike të kohës së pasluftës, që merreshin me formimin e institucioneve të ndryshme “të pushtetit popullor”. Ishte koha kur muziktarët e paktë vendas dhe disa të huaj që vepronin pranë radiostacionit të vetëm të asaj kohe (Radio- Prishtina) u ngarkuan me detyrë që ta realizojnë një iniciativë të till.
    Meqë pikërisht në atë kohë punonte në Prishtinë Orkestra frymore (e tunxhit) pranë Shtëpisë së Armatës, ishte e logjikshme që muziktarët e këtij formacioni u inkuadruan në këtë përpjekje. Përfundimisht në vitin 1953 filloi nga puna Orkestra e Radio-Prishtinës. Fillimisht ansamblin e udhëheqnin disa dirigjentë që vepronin në Prishtinë dhe në Shkup. Me ndërprerje të herë pas hershme orkestra, gjatë viteve ’50-ta, udhëhiqej nga “kapelniku” (dirigjenti i bandës muzikore-vër. R.R.) i atëhershëm pranë Shtëpisë së Armatës, Bogoljub Vojnoviq, nga Oliver Ristiç, ngaTodor Petronja (1954-57) pastaj nga Vanço Çavdarski dhe Todor Skalovski (i cili ishte në ato vite edhe dirigjent i Filharmonisë së Maqedonisë). Repertori, nënkuptohej, ishte shumë modest, shpeshëherë veprat ishin të përshtatura enkas këtij formacioni. Përqëndrimi ishte, megjithatë, në veprat e lehta vokalo-instrumentale, ariet e thjeshta e të popullarizuara nga operat e huaja, që këndoheshin në gjuhën shqipe dhe në përpunime të ndryshme të muzikës popullore shqipe.
    Në këtë kohë në jetën muzikore ishin të kyqur edhe Rexho Mulliqi dhe Lorenc Antoni, që pamëdyshje luanin rol në aktivitetet e orkestrës. Meqë mungonte plotësisht literatura e mirëfillt simfonike e autorëve tanë, këta pionerë të muzikës artistike tek ne, R.Mulliqi dhe L. Antoni, shkruanin muzikë të ashtuquajtur “muzikë të stilizuar”. Ishin këto këngë popullore, të adaptuara dhe të orkestruara për formacion /a due/ të orkestrës simfonike. Kështu, pra duhet të kenë qenë të lidhur me të.
    Për shkak të lëvizjes së përhershme të instrumentistëve që nuk ishin të vendit, pastaj për shkak të lëvizjeve politike që nuk ishin të favorshme për mesin tonë, orkestra në pikëpamje të formacionit, si dhe statusit të saj, gjithnjë është më e destabilizuar, dhe në vazhdimin e kohës, e në bazë të inçizimeve gjithnjë më të pakta që bëheshin në Radio-Prishtinë, vërejmë se orkestra fillon të pushoj së punuari. }/InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Pse flemë? Shkencëtarët nuk e dinë ende, por e kanë një hipotezë

Të gjitha kafshët flenë, madje edhe krimbi i rrumbullakët dhe i vogël Caenorhabditis elegans. Shkencëtarët janë përpjekur prej kohësh që ta kuptojnë pse ndodh gjumi. Ata kanë bërëshumë prova me minjtë në laborator, por të...

“Ja pse shqiptarët kanë sukses kur largohen nga Atdheu?”

Eksperti i Turizmit, Auron Tare, përmes një postimi në facebook ka sjellë në vëmendjen e ndjekësve të tij rastin e George Tames,...

Ky ushqim në mëngjes mbron imunitetin dhe mban larg gripin

Me ardhjen e vjeshtës vijnë edhe infeksionet virale të cilat tashmë në periudhë pandemie bëhen akoma më të rënda.

“Pallati Stratigò”, dëshmi e kulturës arbëreshe që prej vitit 1533

Foto Ilustrim: Pallati Stratigò Pallati Stratigò, është një ndër ndërtesat më të njohura në Lungro, një nga “qytezat e...

Recent Comments