Pozita e territorit të fisit

Rajoni i fisit të Shalës ndodhet në trevën e Dukagjinit, në veri të lumit Drin, në qarkun e tanishëm të Shkodrës, në Shqipërinë e veriut. Shala jeton në pjesën më të epërme të luginës së lumit Shalë, afer fshatit Theth, ku përfundon lugina, që rrethohet me malet e larta nga të gjitha anët. Shala kufizohet, sipas rajonit tradicional të fisit, në perëndim me Bogën, Shkrelin dhe Planin përtej maleve, në veri me Kelmendin matanë maleve, në lindje me Krasniqen dhe Nikajn përtej maleve dhe në jug me Shoshin. Ngulimet kryesore të Shalës janë: Abati, Bregluma, Gimaj, Lekaj, Lotaj, Ndërlysa, Nënmavriqi, Pecaj,Thethi dhe Vuksanaj.

Popullata

Emri Shala paraqitet në gjuhën italiane në raportin kishtar të Bonaventura di Palakolo nga Verçelli në Pied¬mont, më 1634. Ai e quante këtë rajon Sciala. Në raportin e tij kishtar, të vitit 1671, vizitori papnor në Shqipëri, Pjetro Stefano Gasparini, e përdori fjalën Sala dhe shënoi:

“Në këtë anë të malit Agri, në fund të Pulatit të Epërm, gjendet fshati i Shalës, që përbëhet nga 32 shtëpi dhe 20 frymë. Ata janë të fortë dhe të armatosur, si me kushtet fizike ashtu edhe me pozitën e tyre janë tërësisht të pavarur. Ata i sulmojnë pareshtur rajonet fqinje turke dhe pothuajse, gjithmonë kthehen si ngadhënjyes.

Në hartën e vitit 1688, të hartografit venedikas, Francesko Maria Koronelli, ky truall quhet Scialia. Ai, në hartën e vitit 1821, të diplomatit francez Ygë Pukvill, paraqitet edhe si Scialia. Thuhet se ky term ka të bëjë me fjalën shqipe shalë, shalësinë, që do të thotë “tokë jopjellore dhe e thatë“. Por ky shpjegim nuk është aq bindëse nga pikëpamja etimologjike, sepse Shala është një ndër vendet e pakta në malet e veriut që është e pëlleshme dhe nuk është e thatë.

Shala është një fis që përbëhet nga një bashkësi që është e vetëdijshme për lidhjet e përbashkëta të gjaku, të historisë dhe të stërgjyshit.

Shala ka lidhje të ngushta me fisin e Shoshit. Te dy fiset janë kryesisht katolike dhe nuk kanë lejuar që të vendoset asnjë mysliman në luginë. Mbrojtësi i shenjtë i Shalës është Shën Gjoni, Evangjelisti, festa e të cilit kremtohet më 27 dhjetor. Megjithatë, siç ishte edhe rasti me fisin Nikaj, shumë pjesëtarë të fisit u kanë dhënë fëmijëve emra myslimanë. Famullia katolike e Shalës është themeluar më 1763, ndonëse disa herë është braktisur gjatë historisë. Fisi Theth është bërë famulli e pavarur më 1892.2

Shala e kremton edhe festën e Shën Mikelit, më 29 shtator, me prerjen dhe pjekjen e një dashi në hell. Para darkës, në vigjilje të festës së Shën Mikelit, në meshë ndizet një kandil dhe pas lutjeve shtrohet darka për nder të të shenjtit. Dikush nga familja duhet të bëjë roje tërë natën deri të nesërmen, për të siguruar që kandili të mos shuhet.

Nëse shuhet kandili, atëherë fati i lig do ta njollosë tërë familjen. Në: “Informata të shkurtra për fiset e Shqipërisë së veriut, veçanërisht të Malësisë së pavarur“, të botuar më 1841, Nikollai, Princi i Vasojeviqëve, pohon se Shala ka një popullatë prej 4000 banorësh,prej të cilëve 1000janë burra të armatosur.3 Hajsint Hekardi, në gjysmën e parë të shekullit nëntëmbëdhjetë, raportonte se Shala kishte 275 shtëpi dhe 2500 banorë. Në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, thuhet se kjo trevë kishte 3000 banorë.4

Inxhinieri austriak, Karl Shtainmetc, i cili në gushtin e vitit 1903, i ka bërë vizitë rajonit të Shalës, ka lënë këtë vërejtje:

“Shala është fisi më i fortë dhe më i njohur në Malësinë katolike. Përbëhet nga 500 shtëpi dhe afro 4500 frymë.

Anëtarët e këtij fisi u përmbahen me një saktësi të madhe gjakderdhjes dhe tokave të yjetra. Dëshmia më e mirë për këtë janë ndërtesat e shembura të cilat i pashë derisa po kaloja rrugën nëpër këtë territor. Ky fis i ka lidhjet e ngushta me fisin e Shoshit, i cili jeton në pjesën jugore të luginës. Në tërë këtë luginë ka tre misionarë: njëri është në Abat, tjetri në Shosh dhe i fundit, që nga viti i kaluar, në Theth. Bajraktari i Shalës jeton në Pecaj, në truallin e Abatit.“5

Tani në Kosovë, pjesëtarët e fisit të Shalës janë të përqendruar kryesisht në rrethinat e Mitrovicës dhe të Trepçës, në rajonin kodrinor që i thonë Shala e Bajgorës. Bajgora është ngulimi më i madh i tyre, meqë ka 37 vendbanime. Ata ndahen në 4 klane ose vllazni: Gima, Peci, Maleti (ka farefisni me fisin Lotaj në Shqipëri) dhe Lopçi. Po kështu ka një numër të konsiderueshëm të anëtarëve të fisit të Shalës në Isniq, te Lluka e Epërme dhe në Strellcin e Ulët afër Deçanit, në Ujëmirë në lindje të Klinës, në Kopiliqin e Epërm në Drenicë, në Rakosh dhe Çitak në Podgor dhe në disa fshatra të tjerë të luginës së epërme të Lepencit. Ç eshtë e vërteta, në numra më të vegjël, ata janë të pranishëm në mbarë Kosovën. Shumica e tyre e kanë ruajtur ndjenjën e përkatësisë fisnore.

Legjendat për fisin, stërgjyshërit dhe historia

Stërgjyshi legjendar i fisit të Shalës quhej Zog Diti, i biri i Dit Murrit dhe nipi i Murr Detit, i njohur po ashtu si Murr Dedi. Vëllai i Zog Ditit, Mark Diti, ishte stërgjyshi i fisit të afërm të Shoshit, ndërsa vëllai i tij, Mir Diti, konsiderohej si i pari i fisit të Mirditës.

Sipas një tradite tjetër orale, të ngjashme me këtë, stërgjyshi i parë i Shalës quhej Nik Gjeku, i biri i Gjek Murrësit dhe nipi i Murr Dedid. Nik Gjeku pati katër djem: Pec Nika, Lot Nika, Lek Nika, dhe Ded Nika. Tre të parët themeluan ngulimet në Pecaj, Lotaj dhe Lekaj. Pasardhësit e Pec Nikës, më vonë, themeluan disa vendbanime me emrin pak të ndryshuar, Nicaj.

Mirëpo, ndonëse kjo traditë nuk është aq e njohur, tradita orale e përshkruan Shalën me prejardhje nga një individ i quajtur Bal Shiroka.

Shala përbëhet prej katër bajraqeve: Thethi, Pecaj, Lothaj dhe Lekaj; tre bajraqet ishin ndarë rreth vitit 1530. Të tjerët e ndajnë Shalën në tre bajraqe: vet Shala në lindje të bregut të lumit Leshnica, Gimaj dhe Thethi; këto dy fise të fundit nganjëherë konsiderohen si fise të pavarura.12 Edith Durhami, bie fjala, shkruan se bajraku i Thethit përbëhet prej 180 shtëpive.13 Edhe bajraku i Gimajt, zakonisht, konsiderohej si pjesë e Shalës, por herë pas here e konsideronte vetën të pavarur.

Shaljanët njihen në mesin e fiseve malësore për dinakëri dhe dredhi, ashtu si thotë fjala popullore “Menja e Gashit, syni i Krasniqes, inati i Berishës, trimnia e Kelmenit, dredhia e Shaljanit, gjarpnia e Thaçit”./Kultplus

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here