Edith Durahm tek libri i saj ‘’Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve’’ tek faqja 334, thotë:

Doktori austriak më tregoi se atë e kishin thirrur një herë te një njeri që po vdiste. Kasollja ishte plot me njerëz; ishte mezi i verës dhe vapa dhe era e keqe nuk përshkruheshin. Para dhjetë ditësh kishin therur një mace të zezë dhe ia kishin vënë të sëmurit në bark ku e mbanin akoma.

Ethet e tifos së zorrëve. Kjo është si epidemi në tërë Ballkanin. Në Shqipëri besonin për të në një ilaç të tmerrshëm.

Jashtëqitja e qenit, e përhapur mbi një gur dhe e tharë në diell, shtypej dhe i jepej të sëmurit me ujë. Më kot u përpoqa t’i ndaloja që t’ia jepnin njërit këtë në një rast, por doza, tashmë ishte përgatitur nga prifti vendës që kishte besim të madh në të. Ky ilaç i neveritshëm përfshihej në Pharmacopeia zyrtare të Vjenës deri më 1795 që të përdorej për dizanterinë dhe dhimbjet gripale.

Sidoqofte, në Shqipëri jetonin akoma njerëzit që e kishin provuar këtë mjekim. Mos përbënte plehu i qenit ndonjë bacil zorrësh që luftonte atë të tifos së zorrëve?

Të vjellët. Për këtë përdoreshin jashtëqitje të njeriut, të përziera me ujë. E përzier me raki kjo u jepej pijanecëve të zakonshëm me mendimin për t’i shëruat. Por kjo gjë s’jepte rezultat.

Mishi i zier i gjarprit me syze (Pseudopus pallasi), një krijesë mjaft e përhapur afër Shkodrës, vlerësohej si shumë i mirë për të sëmurët nga tuberkulozi.

Mishi i breshkës së zakonshme të vendit mendohej me vlerë shumë të madhe për të gjithë ata që ishin duke e marrë veten pas sëmundjes. Kur dola nga spitali, Marku e kishte përgatitur një çorbë të shijshme për darkë. E hëngra me oreks. ‘’Lavdi Zotit!’’ thirri plaku i mirë. ‘’Ti hëngre breshkë, kështu që shpejt do të forcohesh e do të jesh mirë.’’ Ai mori guackën e breshkës së madhe me mishin e të cilës më kishte gostitur.

Kaq të përhapur janë breshkat, sa që një fjalë e urtë shqiptare thotë: ‘’S’ka mal pa ujk, s’ka fushë pa breshkë.’’

Sëmundjet.

Shqetësimet e zorrëve të çdo lloji janë të përhapura gjërësisht në Ballkan për shkak të ushqimit të keq dhe, në disa krahina, për oreksin e madh për gjëra të tharta. Krimbat e zorrëve shiriti etj. Janë shumë të përhapur. Për këtë, si ilaç, përgatitet murrizi. /Trungu & InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here