6.1 C
Pristina
Tuesday, July 27, 2021
Home RETROSPEKTIVË Arma që me një të shtënë vrau 20 milion njerëz!

Arma që me një të shtënë vrau 20 milion njerëz!

Në Darsinë e fëmijërisë time, kujtoj një rrëpirë kodre së cilës askush nuk donte që ti shkonte afër. Dikur e quanin Boka e Bardhë, por pas datës 25 Mars 1913, ditë kur serbët kishin therur në atë vënd të gjithë burrat e pafajshëm që mundën të kapën në fshatin Gjuzaj, atij vëndi i ngeli emri “Tek të thermit”. Kishin kaluar 50 vjet nga ajo kohë, por për ne fëmijët ai ishte një vënd plot frikëra, në të cilin, të mëdhejtë thonin e betoheshin se netëve të errta dëgjoheshin rënkime e klithma që vinin që nga fundi i dheut.
Dhe po aty ngjitur me atë vënd, ishte dhe një arë që kur e plugonin traktorët ne shihnim të dilnin në sipërfaqe eshtra njerëzish.
Dhe të rriturit thonin se ato ishin kockat e të vdekurve të asaj masakre…
Shteti i kohës së rinisë time nuk foli e nuk shkroi kurrë për atë masakër dhe njerëzit duke mos ditur shumë, në bisedat e tyre të përditëshme thonin se burrat i theri “nemsja”, një term sllavik ky i përdorur nga turqishtja dhe që nënkuptonte gjermanët e austro-hungarezët, gjë kjo që krijoi tek unë dhe mendimin e gabuar se masakra e Gjuzajt duhej të ishte pjesë e ngjarjeve që i përkisnin Luftës së Parë Botërore. Vonë mësova se ajo masakër kish ndodhur para fillimit të Luftës së Parë Botërore dhe se ishte një ndër krimet e zakonshme massive me motive raciste e etnike, me të cilat qenë të mbushura Luftrat Ballkanike.
Por sidoqoftë, pavarësisht ngatërresës time, ajo histori la shumë gjurmë tek unë. Më vonë një nga librat më me ndikim në jetën time, “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” i Erich Maria Remarque, i dha shpirt e jetë përfytyrimeve të mija për ato luftëra e për djemtë e trishtuar të atyre transheve që luftonin e vrisnin njëri tjetrin pa e ditur se përse.
…Larg prej viteve të fëmijërisë, një ndodhi e vogël këtu në Shtetet e Bashkuara, më bëri që unë të kthehesha edhe njëherë mbrapa tek historia e Luftës së Parë Botërore.
Midis njohjeve të mija të këtushme, ishte dhe dikush që e dinte se unë kishja qenë dikur një oficer nëndetësesh dhe duke menduar se unë i doja armët, ai më mori një ditë e më çoi në katin e nëndheshëm të shtëpisë së tij, ku pashë i habitur se gjëndej një muze me një arsenal të tërë dhe mjaft të mirëmbajtur armësh të vjetra e të reja.
Në të kundërt me çfarë mendonte ai, unë realisht nuk i dua armët dhe as që i afrohem gjëkundi epitetit të qitësit të mirë. Megjithatë, për të mos ja prishur mikut tim, bëra sikur u gëzova dhe e përgëzova për koleksionin që kishte. Pa u mërzitur dhe duke besuar vërtet se unë po kënaqesha, ai më tregonte për çdo njërën prej tyre se ku ishte prodhuar e ku ishte përdorur.
Midis gjithë atyre dyfekëve, në mëndjen time ngeli vetëm një: -Një pistoletë gjysëm automatike Browning, Model 1910 e prodhuar në Belgjikë, në fillim shekullin e kaluar.
Në pamje të parë, edhe ajo, ishte për mua, po aq pa vlerë sa edhe të tjerat.
Por miku im pasi drejtoi gishtin drejt saj, heshti pak dhe tha se një kopje e saj, me një të shtënë, vrau njëherësh 20.000.000 njerëz!
Hapa sytë dhe e kuptova se ai ishte modeli që vrau Arqidukën Franz Ferdinand, trashëgimtar i Fronit Austro – Hungarez, gjë e cila çoi drejtpërdrejt në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore.
Dhe kjo ndodhi në Sarajevë, më 28 qershor 1914, ndërsa arma e përdorur ishte një Browning i të njëjtit model me armën e koleksionit të mikut tim….
Ndërsa atentatori, ishte një djalë i ri serb që quhej Gavrilo Princip…
Kush ishte Gavrilo Princip?
……………………..
Gavrilo Princip lindi më 25 korrik 1894 në Obljaj, një fshat ku banonin kroatë katolikë e serbë ortodoksë, sot komuna Bosansko Grahovo në Bosanska Krajina, diku pranë kufirit midis Bosnjës dhe Kroacisë. Ai ishte një nga nëntë fëmijët e lindur në një familje të Serbëve të Bosnjës, gjashtë nga të cilët vdiqën pak kohë pas lindjes, ndërsa ai vetë megjithëse më të shumtën e kohës ishte i sëmurë, ja doli që të mbijetonte.
Fillimisht Gavrilo, i cili konsiderohej përgjithësisht një nxënës i urtë dhe inteligjent, mbaroi shkollën fillore dhe më pas atë tregtare në Tuzla, dhe pas këtyre u transferua në një shkollë tjetër në Sarajevë. Atje ishte dhe momenti kur ai ra në kontakt me lëvizjen kombëtare “Mlada Bosna” (Bosnja e Re), së cilës edhe ju bashkua. Anëtarët e “Mlada Bosna” ishin serbë, kroatë dhe myslimanë të Bosnjës dhe në themel të programit të tyre kishin dhënjen fund të okupimit Austro-Hungarez të Bosnjë-Hercegovinës dhe pas kësaj, si hap të dytë ëndërronin bashkimin e provincave të Serbisë dhe të Malit të Zi me qëllim formimin e një federate të sllavëve të jugut, siç edhe u arrit më vonë pas Luftës së Dytë Botërore me të ashtuquajturën Republikë Socialiste Federative Jugosllave.
Si çdo i ri tjetër që ka idhuj e frymëzues shpirtërorë edhe Gavrilo Princip, kishte si idhuj të tij dy heronj të historisë së Serbisë. I pari ishte Milosh Obiliç, i cili në të shumë njohurën Betejë të Kosovës, më 28 Qershor 1389, mundi që të depërtonte deri në çadrën e Sulltan Muratit të Parë dhe ta vriste atë para se të vritej edhe vetë. Tjetri ishte Bogdan Zherajiç, nje tjetër serb, i cili në vitin 1910 kishte ndërmarrë një atentat të dështuar kundër Marijan Freiherr Vareshanin von Varesh, guvernatorit Austro-Hungarez të Bosnjë- Hercegovinës së asokohëshme. Kështu që nuk ishte për t’u habitur kur në vitin 1912, pasi ai u transferua për shkollim të mëtejshëm në Beograd, ai u radikalizua edhe më tej dhe u lidh me organizatën sekrete “ “Bashkim ose Vdekje”, e cila njihej gjithashtu edhe me emrin “Crna Ruka” apo “Dora e Zezë” në shqip. Me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, Gavrilo Princip, i ndezur nga ndjenjat nacionaliste, doli vullnetar dhe u afrua për tu nisur në frontet e luftës. Por për shkak të gjëndjes tij shumë të dobët fizike dhe sëmundjes së tuberkulozit të kockave e cila duket se i kish filluar që herët, ai u refuzua si fizikisht i papërshtatshëm. Ky refuzim e vrau shumë shpirtërisht dhe pothuajse që nga kjo kohë ai dhe shokët e tij të “Crna Ruka”, filluan të mendonin intensivisht për ndonjë atentat të mundëshëm politik i cili do të mund të bënte shumë zhurmë e do të ndihmonte në rindezjen e flakëve në favor të çështjes kombëtare serbe..
-Atentati.
Si shënjestër e atentatit, pas shumë debateve, planeve e mendimeve u zgjodh që të ishte Arqiduka Franz Ferdinand, trashëgimtari austriak i fronit. Dragutin Dimitrijeviç i njohur me pseudonimin Apis, ish shef i sektorit të inteligjencës ushtarake të shtabit të përgjithshëm serb, njoftoi njerëzit e “Crna Ruka” se kishte të dhëna se Arqiduka Franz Ferdinand, me rastin e 14 vjetorit të martesës së tij, më 28 qershor, në të njëjtën ditë me festën e rëndësishme fetare dhe etnike serbe të Vidovdanit, do të vizitonte Sarajevën.
28 Qershori është dita kur serbët përkujtojnë Betejën e Kosovës, një betejë epike e vitit 1389, ditë kur ushtria serbe e udhëhequr nga Princi Llazar u ndesh me turqit e udhëhequr nga Sulltan Murati i Parë. Lidhur me mitet rreth kësaj beteje ka edhe një përmbledhje nga Robert Elsie të titulluar “Songs of the Battle of Kosovo” (Këngët e Betejës së Kosovës).
Në atë betejë me humbje shumë të mëdha në të dy krahët u vranë edhe Princi Llazar bashkë me Sulltanin turk. Milosh Obiliç, idhulli frymëzues i Gavrilo Princip, një hero i njohur serb, siç thashë edhe më lart, mundi të depërtonte në çadrën e Sulltan Muratit të Parë dhe ta vriste atë para se të vritej edhe vetë. Humbja e asaj beteje, shënoi edhe rënjen e perandorisë serbe nën pushtimin disa shekullor Osman.
Duke menduar efektin e madh që do të krijonte atentati kundër një emri me kaq vlerë në perandorinë austro-hungareze dhe në një datë kaq të rëndësishme për etninë serbe, organizata “Dora e zezë” në bashkëpunim me Shërbimin Sekret Serb miratuan planin e atentatit….
..Dhe pak para orës 10 të mëngjesit të datës 28 Qershor, në Sarajevën e përforcuar me roje të shumta, mbërritën me tren trashëgimtari i fronit austro-hungarez, Arqiduka Franz Ferdinand dhe gruaja e tij, dukesha Sophie Chotek.
Pa u vonuar, menjëherë pas zbritjes nga treni, ata hipën në një makinë të hapur e cila për arsye mbrojtjeje u fut brënda një autokolone prej disa makinash të tjera dhe të rrethuar nga një numur i madh rojesh të armatosura u nisën drejt rezidencës së Guvernatorit.
Ndërkohë shtatë të rinj, anëtarë të organizatës “Dora e Zezë” ishin pozicionuar në disa prita përgjatë gjithë rrugës kryesore që shkonte paralel me lumin Miljacka dhe ku sipas njoftimeve do të kalonte autokollona që shoqëronte princin. Të gjithë atentatorët kishin me vehte përveç armatimit edhe pilula cianuri me qëllim që pas atentatit të kryenin vetëvrasje për të mos ju dhënë mundësi zyrtarëve që gjatë hetimeve të mund të zbulonin organizatën dhe përfshirjen në atentat të Shërbimit të Fshehtë Serb të asaj kohe.
Prita e parë në rrugë ishte Muhamed Mehmedbashiç, një mysliman boshnjak i cili dikur kishte qenë pjesë e një plani të pa realizuar për të vrarë gjeneralin Oskar Potiorek, Guvernator i Bosnies. Duke qëndruar pranë Bankës Austro-Hungareze, Mehmedbashiç e humbi kontrollin dhe kur makina kaloi para tij, ai qe i pazoti për të bërë ndonjë gjë. Në orën 10:15 autokolona mbërriti pranë stacionit qëndror të policisë, ku ishte pozicionuar studenti nëntëmbëdhjetë vjeçar Nedeljko Çabrinoviç i cili papritur hodhi një granatë dore drejt makinës së Franz Ferdinandit. Shoferi që e pa granatën të fluturonte drejt tij, nxitoi makinën dhe bomba, e cila kishte një vonesë kohëplasje prej 10 sekondash, pasi u përplas në makinën e Arqidukës kërceu dhe ra jashtë për të shpërthyer nën makinën tjetër që gjëndej prapa asaj të Franz Ferdinandit duke plagosur kështu rëndë dy shoqëruesit e princit që ndodheshin në të.
Në sekondë rojet u hodhën mbi Çabrinoviçin, i cili tentoi pa sukses vetëvrasjen duke pirë pilulën e cianurit, gjë e cila nuk dha efekt dhe që më vonë u sqarua se kishte qenë e skaduar. Brënda pak sekondave atentatori u kap dhe u lidh pa pasur dot asnjë mundësi të dytë për vetëvrasje. Pas përpjekjes së dështuar të Çabrinoviçit, autokolona u largua me shpejtësi dhe Princip bashkë me komplotistët e tjerë të mbetur nuk arritën të vepronin për shkak të shpejtësisë së madhe të autokolonës.
Por fati nuk mund të ndryshohej…
Pasi mbërriti në rezidencën e Guvernatorit, Franz Ferdinandi i verdhë e duke u dridhur, ju turr mikpritësit duke i thënë:

  • Kështu i mirëpritni ju mysafirët tuaj ?- Me bomba?!
    Pas një pushimi të shkurtër, Arqiduka, i bindur se atentatori ishte një njeri i vetmuar, dhe se ajo histori tani i takonte së kaluarës, vendosi që të shkonte në Spitalin e Sarajevës dhe të vizitonte të plagosurit e granatës së Çabrinoviçit. Në mënyrë që të shmangte qendrën e qytetit, gjenerali Oskar Potiorek i cili ishte dhe përgjegjës për vizitën dhe shoqërimin e princit, vendosi që makina mbretërore të ecte në një rrugë tjetër. Sidoqoftë, Potiorek harroi të informonte dhe ta bisedonte këtë me Leopold Lojkën, shoferin e makinës së princit. Gjatë rrugës për në spital, Lojka u kthye gabimisht në një rrugë dytësore, pikërisht atje ku në atë moment gjëndej rastësisht Gavrilo Princip, i cili po vërdallosej i dëshpëruar duke menduar për dështimin e atentatit…
    Pasi e kuptoi gabimin e tij, Lojka frenoi dhe tentoi të kthehej mbrapsht. Por makinat e asaj kohe nuk ishin si të sotmet dhe ingranazhet u bllokuan. Princip përfitoi nga rasti, u turr drejt makinës dhe fare nga një distancë e afërt shënoi dhe gjuajti dy herë duke goditur Arqidukën në qafë dhe dukeshën në bark…
    .. Siç edhe Nedeljko Çabrinoviç, Princip u përpoq për vetëvrasje. Por njëlloj edhe për të, pilulat e tij të cianiurit kishin qenë të skaduara, ndërsa rojet që ju hodhën përsipër i morën pistoletën dhe ai nuk pati më asnjë mundësi të dytë për të tentuar vetëvrasjen.
    Të dyja viktimat dhanë shpirt ndërsa po nxitonin ti çonin mbrapsh për në rezidencën e Guvernatorit për ndihmë mjekësore. Për të treguar momentet e fundit të jetës së Franz Ferdinandit unë po vë këtu të pandryshuara kujtimet e Kontit Franz von Harrach, i cili duke qenë në të njëjtën makinë me viktimat e atentatit ishte dhe një dëshmitar real i asaj ngjarje…
    …“- Ndërsa makina u kthye shpejt, një curril i hollë gjaku doli nga goja e Lartmadhërisë së Tij. Siç ishja nxorra shpejt shaminë për ti fshirë gjakun, ndërsa Dukesha i thirri: “-Për hir të Zotit! Çfarë të ka ndodhur?”
    Por në atë moment ajo vetë rrëshqiti nga sedilja dhe me fytyrën midis gjunjëve, ra në dyshemenë e makinës. Nuk e dija se edhe ajo ishte goditur dhe mendova se thjesht i kishte rënë të fikët nga frika. Pastaj dëgjova Lartësinë e Tij Perandorake duke thënë, “Sofi, Sofi.. mos vdis! Qëndro e gjallë për fëmijët!..Sofi..”
    Në atë kohë, unë kapa Arqidukën nga jaka e uniformës dhe duke u munduar që ti mbaja kokën që po i varej, e pyeta nëse kishte dhimbje. Ai m’u përgjigj mjaft qartë duke thënë se “Nuk është asgjë!”
    Fytyra e tij filloi të përdridhej disi, por ai vazhdoi të përsëriste “Nuk është asgjë! Nuk është asgjë….” edhe gjashtë ose shtatë herë të tjera, gjithnjë e më zbehtë derisa gradualisht humbi ndjenjat.
    Pastaj erdhi një pauzë e shkurtër e ndjekur nga një zhurmë konvulsive në fyt, ndoshta e shkaktuar nga humbjet apo rrjedhjet e brëndëshme të gjakut. Kjo pushoi me të mbërritur në rezidencën e guvernatorit”……..
    Nuk u desh shumë të konfirmohej se Franz Ferdinandi dhe e shoqja kishin vdekur. Dhe besohet se askush prej njerëzve që ishin aty në atë moment nuk e dinin se çfarë do të vinte pas kësaj..
    -Fillimi i Luftës së Parë Botërore.
    Buja e atentatit ishte e madhe dhe tensioni shpërtheu në gjithë Europën. Ngjarja u ndje fort veçanërisht në rajonin e trazuar të Ballkanit, ku luftrat ballkanike, pasojat e të cilave i kishin vuajtur dhe para ardhësit e mij në Gjuzaj të Darsisë, e kishin ndezur rajonin që para se sa të fillonte Lufta e Parë Botërore.
    Paqëndrueshmëria politike në Ballkan, veçanërisht në Bosnje, Serbi dhe Hercegovinë, kërcënonin të shkatërronin një numër aleancash që përfshinin fuqitë evropiane, Perandorinë Osmane, Rusinë dhe vëndet e tjera e që kishin ekzistuar për vite me radhë .
    Edhe atentati i Sarajevës ishte një përpjekje për ti dhënë fund sundimit Austro-Hungarez mbi Bosnje dhe Hercegovinë.
    Ky atentat nisi një zinxhir ngjarjesh që filluan të përshkallëzohen me shpejtësi. Austro-Hungaria, si dhe shumë vende të tjera në botë, fajësoi qeverinë serbe për sulmin dhe shpresonte që ta përdorte incidentin si justifikim për zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të çështjes së nacionalizmit të padurueshëm serb.
    Për shkak se Rusia mbështeste Serbinë, Austro-Hungaria priti deri sa të merrte siguri nga Kaizeri gjerman Wilhelm i Dytë për mbështetjen e Gjermanisë. Udhëheqësit austro-hungarezë kishin frikë se një ndërhyrje ruse pro Serbisë, do të përfshinte kundër tyre edhe aleaten tradicionale të Rusisë, Francën dhe ndoshta për më keq edhe Britaninë e Madhe.
    Më 5 korrik, Kaiseri gjerman i premtoi Austro-Hungarisë mbështetjen e Gjermanisë. Menjëherë pas kësaj Austro-Hungaria i dërgoi Serbisë, një ultimatum me kushte aq të ashpra sa që pranimi i tij do të ishte totalisht i pamundur.
    Duke mos pasur rrugë tjetër dhe e bindur se Austro-Hungaria po përgatitej për luftë, qeveria serbe urdhëroi mobilizimin e përgjithëshëm të ushtrisë dhe i bëri thirrje Rusisë për ndihmë. Më 28 korrik 1914, Austro-Hungaria i shpalli luftë Serbisë dhe raportet e brishta midis fuqive të mëdha të Evropës u shembën pothuajse menjëherë.
    Brenda një jave, Rusia, Belgjika, Franca, Britania e Madhe dhe Serbia ishin radhitur kundër Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë.
    Kishte filluar kështu Lufta e Parë Botërore….
    -Fati i atentatorëve.
    Në hetuesi, Princip u përpoq së pari ta portretizonte veten si një autor të vetmuar të atentatit dhe vazhdoi kështu deri sa bashkë-komplotuesi tjetër Çabrinoviç, i kapur po atë ditë menjëherë pas hedhjes së bombës, e detyroi atë që përmes një rrëfimi të pjesëshëm të ndryshonte deklaratat e tij. Sidoqoftë, të dy arritën të mbulonin përkohësisht pjesëmarrësit e tjerë në konspiracion, derisa austro – hungarezët në një fushatë të gjërë arrestimesh e hetimesh, arrestuan edhe Danilo Iliç, udhëheqësin e “Dorës së zezë” në Bosnje, gjë që çoi edhe në arrestime të tjera, emrat e të cilëve u zbuluan përmes rrëfimeve të këtij të fundit.
    Për kuriozitet, unë kujtoj se herët kam lexuar që midis të arrestuarëve të tjerëtë asaj kohe, anëtarë të organizatave të ndryshme rinore serbe të Bosnjes, të dyshuar për bashkëpunim me atentatorët ishte arrestuar edhe nobelisti i ardhëshëm serb, Ivo Andriç.
    Përsa i përket anëtarëve të grupit real të bashkëpunëtorëve të atentatit, mund të thuhet se Muhamed Mehmedbashiç mundi të arratisej në Serbi ndërsa dy vëllezërit Velkjo dhe Vaso Çubriloviç, e bashkë me to dhe Trifko Grabezh, Cvjetko Popoviç e Mishko Jovanoviç u arrestuan dhe u akuzuan për tradhëti dhe vrasje. Gjyqi i shpalli të gjithë arrestuarit fajtorë. Sipas ligjit austro-hungarez, dënimi me vdekje nuk mund të jepej për dikë që kishte kryer krim nën moshën njëzet vjeç. Nga kjo përfituan Nedeljko Çabrinoviç, Gavrilo Princip i cili ditën e atentatit ishte njëzet e shtatë ditë më pak se 20 vjeç dhe Trifko Grabezh të cilët morën të gjithë dënimin maksimal prej 20 vjetësh burg. Vaso Çubriloviç u dënua me 16 vjet dhe Cvjetko Popoviç me 13 vjet. Velkjo Çubriloviç, Mishko Jovanoviç dhe Danilo Iliç, të tre mbi 20 vjeç, u dënuan me varje dhe u ekzekutuan në Sarajevë më 3 shkurt 1915. Vaso Çubriloviç, i cili jetoi gjatë dhe do të vdiste vonë më11 Qershor 1990, pas Luftës së Dytë Botërore u shëndërrua në komunist dhe u pranua anëtar i Partisë Komuniste Jugosllave.
    Të dënuarit me burg u dërguan në burgun Theresienstadt të Çekisë, një burg ky me kushte shumë të vështira, qeli të ngushta, të lagura e të errta, dhe ku të dënuarit qëndronin pothuajse vazhdimisht të lidhur me zinxhirë. Gavrilo Princip shëndeti i të cilit tashmë ishte shkatërruar nga tuberkulozi, vdiq në atë burg më 28 Prill 1918. Para tij, po në të njëjtin burg dhe po nga e njëjta sëmundje kishte vdekur edhe Nedeljko Çabrinoviç.
    Pas vdekjes, autoritetet urdhëruan që trupi i Princip të varrosej në një varr të fshehtë në varrezat e Theresiensadt. Por një nga ushtarët që bëri varrimin, duke e ditur rëndësinë e Gavrilo Princip për historinë, la një shenjë në atë vënd, gjë kjo ndihmoi që në vitin 1920 eshtrat Gavrilo Princip të gjëndeshin dhe të çoheshin bashkë me ato të komplotistëve të tjerë të vdekur në varrezat e Koçevos në Sarajevë.
  • Heronj apo terroristë?
    Pyetjes nëse Gavrilo Princip ishte një hero apo një terrorist nuk është edhe aq e lehtë që ti përgjigjesh.
    Personalisht unë e mendoj si një përzjerje e të dyjave.
    Trashëgimia e Princip ka qenë dhe mbetet një burim polemikash në Ballkan, një rajon i cili sapo doli së fundi nga një luftë e përgjakur etnike e cila pasoi shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe që vazhdon ende të jetë i ndarë ashpër përgjatë vijave etnike dhe fetare.
    Serbët e konsiderojnë Gavrilo Princip si një hero, ndërsa kroatët dhe myslimanët e ish Jugosllavisë e shohin si vrasës dhe nacionalist ekstremist që kërkonte vënien e Bosnjes nën Serbinë.
    Kështu që nuk është për t’u habitur që dhe ngritjet e memorialeve të shumta apo emërtimi i rrugëve me emrat e tij dhe të anëtarëve të tjerë të “Mlada Bosna” nëpër Serbi, ka shkaktuar dhe shkakton vazhdimisht debate të ashpra.
    Nëse e shikon atentatin në mënyrë të izoluar, Princip është njeriu që shkaktoi Luftën e Parë Botërore dhe shkaktoi vdekjen e rreth 20 milon njerëzve, por nëse beson në pashmangshmërinë e Luftës së Parë Botërore, atëhere nuk është më tamam kështu.
    -Pas lufta…
    Dikush nga njerëzit që shoqërohen me mua më tha njëherë që ti hidhja një sy të vëmëndëshëm targës së makinës në të cilën u vranë Franz Ferdinandi me të shoqen dhe që ruhet edhe sot në Muzeun e Historisë Ushtarake të Vjenës. E pashë me kujdes, dhe përveç dëmit të kohës, nuk vura re ndonjë gjë tjetër të veçantë. Mbajta mënd dhe që targa ishte A III118.
    Gati i shqeva sytë, kur miku im, më tha se fati në atë makinë kish caktuar jo vetëm shpërthimin e luftës por dhe fundin e saj, ditën e “Armistice Day”, datë 11/11/18 kur u nënshkrua Marrëveshja e Paqes, pra aq sa ç’ishte edhe në targën e makinës së Franz Ferdinandit. – A 111118 ?!.
    Sigurisht që unë nuk jam nga ata që besoj në koinçidenca të tilla dhe mëndja ime shkon tek miliona e miliona të vdekurit, dhe shkatërrimet e epidemitë e pallogaritëshme të asaj lufte dhe e dija se Franca dhe Gjermania kishin humbur në atë luftë pothuaj 80 përqind të meshkujve të moshave 15 deri 49 vjeç dhe se po ajo luftë ishte përgjegjëse për përhapjen e një prej pandemive globale më vdekjeprurëse në botë, atë të gripit spanjoll të vitit 1918, pandemi e cila besohet se vrau diku midis 20 dhe 50 milion njerëz.
    Di dhe se përveç të tjerave ajo luftë rrëzoi edhe katër dinastitë perandorake europiane të asaj kohe, siç ishin Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Turqia.
    Por sidoqoftë këto gjëma të pallogaritëshme mund edhe të quheshin të kaluara pas mbarimit të asaj lufte.
    Por koha provoi se jo gjithëçka mund të quhej e kaluar..
    Në Konferencën e Paqes, në Paris, në vitin 1919, udhëheqësit aleatë thanë se donin të ndërtonin një botë të pasluftës e cila do të ishte e aftë që të mbronte vehten nga konfliktet e mundëshme tqë mund të shpërthenin…
    Por fakti ishte se Gjermania, e cila kishte besuar se për të gjithë do të ishte vërtet një “paqe pa fitore”, ashtu siç edhe qe paraqitur nga Presidenti Wilson në fjalimin e tij të Katërmbëdhjetë Pikave të Janarit 1918, u ndje papritur e mashtruar. Traktati i Versajës, me apo pa të drejtë, e mbuloi atë me faje lufte të pa imagjinueshme dhe e detyroi të paguante dëmshpërblime të pallogaritëshme. Nga ana tjetër Gjermania u ndje tmerrësisht e poshtëruar edhe nga refuzimi i të drejtës për të hyrë në Lidhjen e Kombeve.
    …Ndërsa vitet kalonin, urrejtja gjermane ndaj traktatit të Versajës dhe autorëve të tij, nuk mundi dot të qetësohej dhe kjo do të bënte që dy dekada më vonë, ky fakt të ishte një ndër shkaqet kryesore të Luftës së Dytë Botërore…
    ……………………
    A.Gj. Michigan USA
    Tetor, 2019.
May be an image of 1 person and standing
Arqiduka Franz Ferdinand dhe xhaketa që kish veshur në momentin e atentatit. Sot kjo xhaketë ruhet në Muzeun e Historisë Ushtarake të Vjenës, Austri.
May be an image of 2 people and text that says "nat's AYS THE WEATHER todayi Tuesday, HOURS. FEDERALS DESERT ed AGUASCALIENTES concluded The New Hork Times. ONE CENT NEW YORK, MONDAY, JUNE 29, 1914.-EIGHTEEN PAGES. HEIR TO AUSTRIA'S THRONE IS SLAIN WITH HIS WIFE BY A BOSNIAN YOUTH ΤΟ AVENGE SEIZURE OF HIS COUNTRY South of tecas Evacuated by Huerta's Forces. SUNDAY'S TIMES. Francis Ferdinand Shot During State Visit Sarajevo. DEAL? OUR. GUNS FIRE ON SANTO DOMINGO Mexican, Capital.) from Knocking Aside Bomb Auto. Archduke Francis Ferdinand and Consort the Duchess Hohenberg Slain Assassin's Bullets."

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Shumica e informacionit të rremë mbi vaksinat vjen nga vetëm 12 njerëz në rrjete sociale, zbulon studimi

Shumica dërrmuese e teorive të dezinformimit dhe konspiracionit anti-vaksinë Covid-19 e kanë origjinën nga vetëm 12 persona, gjeti një raport nga Qendra...

Çfarë ishte tregu reciprok në Shqipërinë e viteve ’40-’50?

Në vitin 1948, pas ndërprerjes së furnizimit me triska të fshatarësisë, filloi zbatimi i një sistemi të ri grumbullimi dhe furnizimi për...

Shqipëria dhe ‘eksperimenti’ me bananet e Somalisë në 1940! Historia e një koncesioni të pazakontë

Nga Kreshnik KUÇAJ/SCAN Kompania e monopolit të bananeve (Regia azienda monopolio banane (RAMB), ishet një kompani shtetërore italiane aktive...

Studimi më i ri / Ja sa zgjasin antitrupat kundër Covid19 në trupin tonë

Antitrupat e zhvilluar kundër Covid rezistojnë për një kohë të gjatë në të shëruar: konfirmimi vjen edhe një herë nga Vo ‘Euganeo,...

Recent Comments