Orientimi i shqiptarëve në krah të revolucionit xhonturk dobësoi krahun konservator, i cili fatin e tij e lidhi me shtetin osman dhe sulltan Abdyl Hamitit. Por, xhonturqit u sollën si “osmanë”, qëllimi i të cilëve ishte një komb perandorak osman i krijuar nga turqit dhe nga kombësi joturke. Ata në fakt ishin po aq antishqiptarë sa edhe monarkistët konservativë, prandaj nuk shkoi shumë kohë nga ardhja e tyre në pushtet dhe në viset shqiptare të Perandorisë filluan revoltat dhe kryengritjet antiosmane, si pasojë edhe e mosrealizimit të premtimeve nga xhonturqit
Midis shqiptarëve, të cilët kishin kërkuar shkolla kombëtare, rrugë, hekurudha dhe xhonturqve filloi konflikti, i cili u shpërfaq si diskurs politik dhe në shkrimet publicistike. Një shembull të tillë na e jep në Eqrem Bej Vlora, i cili duke folur për lëvizjen xhonturke në Shqipëri, mes të tjerash shkruan: “Regjimi i ri, i instaluar në Konstandinopojë kryesisht falë mbështetjes shqiptare, nuk u ka dhënë kurrë shqiptarëve shumë falënderime për ndihmën e tyre: ne ngritëm Turqit e Rinj në shalë dhe tani ata hipin mbi ne larg”, shkruan Eqrem Bej Vlora.
Përpjekjet për shkolla shqipe
Ky shembull dëshmon se lëvizja shqiptare dhe xhonturke, të cilat u shfaqën dhe u zhvilluan njëkohësisht, megjithëse kishin të njëjtin lloj diskursi, duke prezantuar bashkëjetesën e kombeve apo popujve të ndryshëm në Perandorinë Osmane, e përdornin atë në mënyra të ndryshme për të mobilizuar segmente të popullsisë për qëllime të ndryshme.
Edhe serbët ishin të pakënaqur me këtë situatë gjeopolitike rajonale, pasi një shtet osman me një pushtet të konsoliduar shihej si pengesë për formimin e Serbisë së Madhe. Bullgaria, Serbia, Mali i Zi dhe Greqia shihnin te Shqipëria një fushë të mirëpritur për propagandën e tyre kombëtare.
Në këtë drejtim veçanërisht aktiv ishin serbët, gjuha e shërbesave fetare ishte serbishtja. Edhe për t’iu kundërvënë kësaj propagande të huaj, elita kulturore shqiptare pas shpalljes së Kushtetutës së vitit 1908 u përpoq me të madhe për themelimin e shkollave me mësimdhënës në gjuhën shqipe.
“Vetëm nëpërmjet forcimit të mendimit kombëtar do të mund t’u kundërvihemi gjithë këtyre intrigave”, shkruante Eqrem Bej Vlora.
Një vit pas Kuvendit të Ferizajt
Një vit pas mbajtjes së Kuvendit të Ferizajt, kur tashmë xhonturqit e kishin përmbysur sulltan Abdyl Hamitin duke e dërguar në mërgim të brendshëm në Selanik, qarqet konservative në Kosovë, si Isa Boletini dhe Riza bej Kryeziu kishin filluar një kryengritje kundër regjimit xhonturk. Linja e kosovarëve konservativë nuk ishte e gatshme të braktiste sulltanin, të cilin, siç thotë Stavro Skendi, “e quanin Baba mbret.” Por, sipas autorit francez Léon Lamouche, midis gegëve katolikë u ruajt karakteri kombëtar shqiptar dhe kjo shpjegon simpatinë që ata gëzonin, pavarësisht nga dallimet në fe, midis të gjithë shqiptarëve besnikë të racës së tyre, domethënë midis shumicës së madhe të popullsisë shqiptare.
Në anën tjetër, Porta e Lartë dërgoi një forcë të madhe ushtarake nën komandën e Xhavit Pashës, një ushtarak i ashpër me origjinë çerkeze, i cili me masat e tij represive vetëm sa shkaktoi një reaksion dhe intensifikimin të rezistencës shqiptare. Nga ky moment revoltat dhe lëvizjet e armatosura të shqiptarëve vazhduan deri në fillim të luftërave ballkanike 1912/13, të cilat përfunduan me shthurjen e Perandorisë Osmane.
Rebelimi i shqiptarëve
Qëllimi i këtij punimi nuk ishte analizimi i hollësishëm i marrëdhënies midis Xhonturqve dhe elitës shqiptare, por pasqyrimi i kërkesave të këtij Kuvendi të elitës shqiptare në Ferizaj, para të cilit qëndronin sa turqit po aq edhe vende të tjera, të cilat tentonin të përfitonin nga situata e vështirë në të cilën ndodhej shteti perandorak osman. Më e rëndësishmja, rebelimi i shqiptarëve u karakterizua si një luftë midis rritjes së pushtetit shtetëror në qendër dhe rezistencës gjithnjë e më të fuqishme në periferi të shtetit osman ndaj një shkeljeje të perceptuar të të drejtave lokale.
Është evidente se pozicionimi i shqiptarëve përballë revolucionit xhonturk ishte jo si shqiptar, por më shumë si myslimanë, të krishterë, anëtarë të grupeve social- profesionale, banorë të një rajoni osman. Për të dyja palët, çështja shqiptare dhe fati i Perandorisë Osmane evropiane në përgjithësi ishin të rëndësishme. Ata gjithashtu kishin të njëjtin lloj diskursi, duke prezantuar bashkëjetesën e kombeve ose popujve të ndryshëm në Perandorinë Osmane, të cilën e përdorën në mënyra të ndryshme për të mobilizuar segmente të popullsisë për qëllime të ndryshme. Po ashtu, në Kuvendin e Ferizajt kishte edhe aktor pasiv brenda elitës shqiptare. Shembulli më tipik ishte ai i Isa Boletini, i cili doli qartë kundër revolucionit, pasi ai deri në fund njihej si një mbështetës besnik i Sulltan Abdylhamitit.
Përveç tjerash, Kuvendi i Ferizajt, për dallim nga interpretimet lineare dhe etno-kombëtare të historiografisë shqiptare, nuk mund të thuhet se ishte një tubim me kërkesa të larta kombëtare, pasi ndikimi i Portës së Lartë ishte i madh, po aq edhe i vendeve të tjera, të cilat ishin të interesuara të ngrinin barriera rreth përpjekjeve shqiptare për formimin e një Shqipërie autonome. Madje, në dokumentin zyrtar, Itifakname, një kopje e të cilit ndodhet edhe në Arkivin Perandorak të Vjenës, duket qartë se çështja e kërkesave kombëtare ka qenë gati tërësisht e përjashtuar, për arsye se drejtuesit e këtij kuvendi nuk kishin imperativ të lartë kombëtar, por ruajtjen e interesave individuale apo rajonale. Për më tepër, në këtë mbizotëron fryma pro-osmane dhe mungesa e linjës së theksuar kombëtare, e cila do të mund ta fuqizonte edhe karakterin kombëtar të kërkesave të Kuvendit të Ferizaj. Bie në sy edhe një fakt, si shumë organizime shqiptare, edhe ky në Ferizaj vuan nga fryma e spontanitetit dhe mungesa e një bashkëpunimi në nivel gjithëkombëtar, gjë që këtë ngjarje e lokalizon vetëm në kuadrin e Vilajetit të Kosovës.
Entuziazmi për regjimin e ri
Ishin xhonturqit si Galib Bej, Nexhib Draga dhe oficerë të shquar të tjerë nga Üsküb/Shkupi që luajtën një rol aktiv në këtë lëvizje. Ndihma e shqiptarëve ishte vendimtare për rivendosjen e regjimit kushtetues në Perandorinë Osmane në vitin 1908. Të sigurt në premtimet e xhonturqve, shqiptarët e pritën me entuziazëm regjimin e ri nga i cili prisnin njohjen e këtyre të drejtave kombëtare. Në këtë linjë, Kuvendi i Ferizajt u përfshi në vorbullën e këtij revolucioni falë pozicionimit të elitës përparimtare shqiptare e cila kishte pritje të mëdha për çlirimin nga pushteti absolutist i Sulltan Abdyl Hamidit.
Ky orientim i shqiptarëve në krah të revolucionit xhonturk dobësoi krahun konservator, i cili fatin e tij e lidhi me shtetin osman dhe sulltan Abdyl Hamitit. Por, xhonturqit u sollën si “osmanë”, qëllimi i të cilëve ishte një komb perandorak osman i krijuar nga turqit dhe nga kombësi joturke. Ata në fakt ishin po aq antishqiptarë sa edhe monarkistët konservativë, prandaj nuk shkoi shumë kohë nga ardhja e tyre në pushtet dhe në viset shqiptare të Perandorisë filluan revoltat dhe kryengritjet antiosmane, si pasojë edhe e mosrealizimit të premtimeve nga xhonturqit.
Thyerja me regjimin dhe mobilizimi
Ky ishte momenti i thyerjes së shqiptarëve edhe me regjimin xhonturk dhe i forcimit të idesë se interesat e tyre duhet kërkuar brenda një shteti autonom shqiptar. Pra, këto ngjarje ngjallën një mobilizim të përgjithshëm dhe një ndërgjegjësim kombëtar, i cili u reflektua me rritjen e kërkesave për emancipim kombëtar, hapje të shkollave, klubeve e shoqatave dhe gazetave në gjuhën shqipe, të cilat qysh nga fundi i shekullit 19 ishin ndaluar nga sulltan Abdyl Hamidi nga frika e krijimit të një bashkësie kombëtare shqiptare. Krahas varfërisë në pjesën më të madhe të territoreve shqiptare, mbretëronte injoranca dhe ajo ishte një nga shkaqet që pengoi çdo përparim në Shqipëri. Prandaj, që nga revolucioni i korrikut 1908, i cili dukej se do të sillte liri dhe barazi për të gjitha kombësitë osmane, shqiptarët rritën kërkesat e tyre për t’u arsimuar, për të studiuar gjuhën e tyre amtare, për të lexuar dhe shkruar atë, një e drejtë që deri atëherë, u ishin mohuar me rigorozitet nga qeveria e Abdul-Hamidit, e cila në përgjithësi, për arnautët, ndaloi gjithçka që mund të zhvillonte ndër ta ndjenjën kombëtare dhe veçanërisht kulturën e gjuhës shqipe.
Në këtë kontekst, edhe tubimi i Ferizajt, me gjithë mangësitë dhe dallimet që kishte brenda rrymave të ndryshme politike të shqiptarëve, shënoi një kthesë dhe ushtroi presion shtesë mbi Sulltanin për rivendosjen e Kushtetutës dhe të thirrjes së Parlamentit, si dhe ndikoi në mobilizimin e lëvizjes kombëtare shqiptare. Nga momenti i ngadhënjimit të revolucionit xhonturk, shqiptarët nuk i ndalën përpjekjet për fituar të drejtat e tyre kombëtare dhe politike. Elita shqiptare u përpoq të shfrytëzonte situatën e krijuar në Perandorinë Osmane pas revolucionit, përkatësisht pas pushtimit të Bosnjës e Hercegovinës nga Austro-Hungaria, për zhvillimin e ndërgjegjes kombëtare dhe për ngritjen e lëvizjes kombëtare në një shkallë më të lartë. Si rrjedhojë e këtij mobilizimi, ndodhi edhe Kongresi i Manastirit, i cili me kërkesën për vendosjen e një alfabeti shqip me shkronja latine. Në këtë linjë, më 1909 dhe 1910, u mbajtën edhe disa kongrese kushtuar ekskluzivisht çështjeve të gjuhës dhe mësimdhënies, u ku mblodhën së bashku përfaqësues e shqiptarëve të tri feve. Aty, siç thotë Lamouche, u takuan murgjit katolikë me hoxhallarët. Këto ngjarje, jo vetëm shpërfaqnin dëshirën shqiptare për identitet kombëtar dhe evropian, por u bë lajtmotiv për realizimin e synimeve për pavarësi kombëtare.