Ekipi hulumtues italian mund ta ketë gjetur vendin e saktë ku pushon trupi i filozofit antik grek, Platoni. Vendi i prehjes së tij ka dhënë shenja së fundi përmes deshifrimit të një dokumenti të lashtë, duke asocuar me një kopsht në Akademinë e Athinës, tregojnë hulumtimet e fundit që përdorin teknologji të avancuara të imazhit

Vendi i prehjes së filozofit të njohur grek, Platoni, dyshohet se u zbulua pasi studiuesit deshifruan një dokument të lashtë që i mbijetoi shpërthimit të malit Vezuv, i cili shkatërroi Pompein. Një ekip nga Universiteti i Pizës në Itali, i udhëhequr nga filozofi Graziano Ranocchia, përdori programe të Inteligjencës Artificiale (IA) për të ndihmuar në deshifrimin e mbetjeve të djegura të ruajtura të dokumentit të papirusit të një filozofi epikurian që studionte në Athinë, të quajtur “Philodemus of Gadara” (rreth viteve 110 deri 30 para Krishtit.)

Deshifrimi i tekstit të Philodemusit

Teksti i Philodemusit shtjellonte në detaje akademinë që filozofi i njohur grek, Platoni, njëherësh dhe studenti i filozofit legjendar, Sokrati, themeloi në shekullin e katërt para Krishtit. Shkrimi i tij, i titulluar “Historia e Akademisë”, dukej se përfshinte detaje edhe në lidhje me jetën dhe vendvarrimin e Platonit.

Historianët e kanë ditur prej kohësh se Platoni ishte varrosur në Akademinë e Athinës, e cila u shkatërrua nga gjenerali romak, Sulla, në vitin 86 para Krishtit. Megjithatë, vendndodhja e saktë e varrit të Platonit brenda mjediseve të Akademisë kishte mbetur e panjohur deri në këto përpjekje të fundit kërkimore.

Duke përdorur forma të avancuara të teknologjive të imazhit – të tilla si imazhet optike me rreze infra të kuqe, ultravjollcë dhe tomografi – ekipi kërkimor italian ishte në gjendje të deshifronte papirusin e lashtë dhe identifikoi afërsisht 30 për qind të tekstit.

“Ndër lajmet më të rëndësishme, lexojmë se Platoni u varros në kopshtin e rezervuar për të, një zonë private e destinuar për shkollën platonike të Akademisë në Athinë, pranë të ashtuquajturit Museion ose sacellum i shenjtë për muzat”, ka cituar LiveScience deklaratën e studiuesve të këtij hulumtimi.

Athina, Greqi (Foto: MSC Cruises)

Platoni dhe formësimi i Filozofisë

I lindur në vitin 428 para erës sonë në Athinë, Platoni, mësuesi dhe studenti i tij sipas “Britanicas”, u bënë të njohur si treshja që hodhën themelet filozofike të kulturës perëndimore.

Familja e Platonit ishte e vendosur mirë në shoqërinë greke, pasi babai i tij e gjurmoi prejardhjen e tij te mbreti i fundit i Athinës, ndërsa nëna e tij ishte e lidhur me Kritiasin dhe Charmides. Si një qytetar athinas me ndikim, shkrimet e Platonit u përfshinë thellësisht me politikën e kohës dhe prirjet intelektuale.

Një nga gjetjet që ekipi italian zbuloi në lidhje me jetën e Platonit ishte se pavarësisht besimit të zakonshëm se ai ishte shitur në skllavëri në vitin 387 para Krishtit, sipas tekstit të Philodemusit, ai u shit më herët diku midis viteve 404 dhe 399 para erës sonë.

Pas ekzekutimit të Sokratit në vitin 399, studenti i tij, Platoni, iku në Megara, ku kaloi 12 vjet duke udhëtuar. Pas kthimit nga udhëtimet e tij, Platoni themeloi Akademinë e Athinës, duke krijuar një qendër kushtuar studimit shkencor dhe filozofik, me Aristotelin ndër studentët e tij të shquar.
Brezat në vijim u ndikuan nga qasjet e tij provokuese dhe filozofët u frymëzuan të identifikoheshin me aspekte të plutonizmit.

Për më tepër, Platoni u zhyt në natyrën e filozofisë dhe duke u zgjeruar në mësimet e Sokratit, ai formësoi kufijtë, ambiciet dhe metodologjitë. Ndikimi i tij monumental e transformoi filozofinë në një studim sistematik të etikës, politikës, metafizikës dhe epistemologjisë, duke krijuar një qasje të veçantë që njihet edhe sot.

Platoni vdiq në Athinë rreth vitit 348 ose 347 para Krishtit, duke lënë pas një trashëgimi që ende ka ndikim në filozofinë perëndimore dhe formësoi mënyrën se si letërsia dhe filozofia shikohen dhe studiohen.

Marrë nga “Jerusalem Post”. Përktheu: Enis Bytyqi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here