Krye-Myftiu i qarkut të Kukësit Adem Salihi gjatë kohës së Luftës II Botërore i paralajmëroi njerëzit për rrezikun sllavo-komunist, që i kanosej të gjithë shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë. Ai i kishte kryer studimet në Medresenë e Naltë të Tiranës një shkollim 12 vjecar, ku u edukuan jo vetëm me dashurinë për fenë e Allahut, por edhe me një dashuri të madhe për Shqipërinë. Një Shqipëri së bashku me Kosovën dhe të gjitha viset e tjera shqiptare jashtë kufijve të mbetura padrejtësisht. Madje pse tha të vërtetën, atë të vërtetë historike dhe pse e deshte Shqipërinë etnikë ta shihte në një shtet të vetëm ai vuajti burgjeve të komunizmit. Ai ju tregonte njerëzve se cfarë pasojash do të ketë vendi me vendosjen e regjimit komunist. Ai i tregoi popullit se komunistët nuk do të njohin fenë, se janë vetë të pafe; komunistët nuk e njohin pronën, se vetë nuk kanë pronë dhe duan t’ja marrin pasurinë popullit, për ta kthyer në robëri; ata nuk njohin traditat, vendin e tyre dhe historinë e popullit, ata njohin Rusinë, se janë këlyshë të saj dhe e quajnë veten internacionalistë…

Ai shkon në Prizren fill pas largimit të Gjermanëve dhe flet haptas në një miting pa iu frikësuar pasojave. Pasi vendoset regjimi komunist ai dënohet dhe kryen 5 vite burg, ku detyrohet të punojë nëpër tharjen e kënetave me punë të rënda. Pasi del nga burgu nuk lejohet të kthehet në vendlindje dhe ndahet për së gjalli nga njerëzit e afërt dhe familja. Me një talent të lindur për të thurur vargje ai i këndon kështu ndarjes për së gjalli nga baba i vet dhe shkatërrimin e familjes:

BABË
Ah medet, o baba i shkretë,
Mbylle sytë e le këtë jetë.
Djemtë e tu me sy pa i pa
Si zogj qyqesh të shpërnda.

Vec se t’deshëm ty Shqipëri.
T’deshëm fort ty Dragobi.
Deshëm nder e deshëm fe.
Deshëm vendin ku kem le.

T’isha i herë në Dragobi.
Me mbështjellë bjeshkët ne t’ëmblin gji.
N’ujë t’Valbonës me la sytë
N’freski t’saj me u flladit

Por si uji koha kalon
Plagët tona po i shumon
Po krijon njeriun e ri
Pa sy në ballë, pa fe, pa shpi.

Zot i Madh, të qofsha falë
Jepna jetë e mbana gjallë
T’shoh, t’rilind edhe një herë
N’kët dhe` t’ëmbël diell, pranverë.

Por nuk ishte caktimi i Zotit që hoxha i nderuar Adem Salihi ta shihte Shqipërinë të lirë, të afërmit e vet dhe vendlindjen që e donte aq shumë. Pak kohë pasi doli nga burgu ai vdes në Mamurras. Aty qëndroi e internuar edhe familja e vet deri sa Shqipëria kaloi nga regjimi komunist në demokraci. Shërbeu si imam në xhaminë e kosovarëve në Mamurras i shoqëruar nga respekti i madh i xhematit.

Adem Salih Elezi (1910-) Lindi në Dragobi në vitin 1910. Shkollën fillore e kryen në Gjakovë më 1923, dhe për 12 vjet studion në Medresenë e Lartë të Tiranës dhe i mbaron shkëlqyeshëm në vitin 1935. Menjëherë pas mbarimit të studimeve emërohet nënmyfti i Përmetit, ku shërben për dy vite rresht dhe lë pas kujtime të mira. Vendoset në Kukës si Kryemyfti i qarkut të Kukësit dhe kishte në varësi Hasin dhe Tropojën, ku shërben me përkushtim për dhjetë vjet deri më 1948, kohë kur do të fillonin persekutimet ndaj tij si fetar dhe nacionalist, që kishte kundërshtuar komunistët. Ai iu tregonte popullit mbi dëmet që do të sillte komunizmi dhe i konsideronte ata si të pafe, nuk njohin pronën dhe duan t’ia marrin pasurinë popullit, dhe se ata janë vënë në shërbim të Rusisë. Ai nëpër tubime është shprehur: “Ne duhet të qëndrojmë, nuk duhet të lejojmë që të vendoset bollshevizmi në Shqipni e as në Kosovë.” Arrestohet në të njëjtën ditë me kushuririn e vet Azem Jahën, myftiun e Tropojës 19 maj 1948. Gjykohet dhe dënohet me dy vjet heqje lirie, si organizator i një grupi antikomunist së bashku me disa figura të nderuara të qytetit të Kukësit. Me kërkesë të ministrit të brendshëm Mehmet Shehu rikthehet për tu gjykuar dhe më 3 janar 1950 Gjykata e Tiranës e dënon me 5 vite burg dhe punë të detyruar. Ai internohet së bashku me familjen në Mamurras dhe nuk i lejohet të kthehet më në Dragobi. Pasi del i dërrmuar nga burgu shërben në xhaminë e kosovarëve në Mamurras, deri sa u ndalua feja me ligj. Ka një talent të lindur për të thurur vargje, ku dallojnë dy elegji kushtuar ndarjes me Kosovën dhe për babain e vet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here