Naim Zoto
…Nga mesi i nëntorit të vitit 1943 forca të mëdha gjermane me të cilat u bashkuan paria tradhtare e Dibrës me në krye Halil Alinë, hynë në Peshkopi. Çeta territoriale e forcave nacionalçlirimtare që luftonte në Dibër ku bënte pjesë baba i jonë, Ismail Strazimiri, vëllai i jonë Siri Strazimiri dhe unë, u largua nga Peshkopia dhe shkuam në Sllovë. Së bashku me ne ishin edhe dy ushtarë anglezë, njëri oficer dhe tjetri radist. Këto vinin nga shtabi i Mesdheut dhe do të shkonin në Jugosllavi. Nga Peshkopia çeta u drejtue në Sllovë me qëllim që të mundoheshim të kalonim nga ana e jonë edhe Cen Elezin, i cili deri në atë kohë mbante qëndrim të lëkundshëm. Për këtë qëllim, meqenëse baba kishte influencë mbi Cen Elezin dhe mund të ndihmonte që ai të bashkohesh me ne, një pjesë e çetës ku bënte pjesë edhe baba, Siriu dhe unë ndejtëm në Sllovë tek Cen Elezi, kurse pjesa tjetër shkoj në Lisivallë. Që ditën e parë baba filloi të bisedoj me Cen Elezin që ai të bindesh dhe të kthehesh përfundimisht me ne. Në fakt, Cen Elezi lëkundesh duke nxjerrë lloj-lloj pretekstesh.
Cen Elezin edhe unë e njifsha. Kisha ndigjue shpesh nga baba për miqësinë e madhe që kishte pasur me babën e Cen Elezit, Elez Isufin. Baba ne shpesh herë kur na tregonte për ngjarjet në Dibër, na fliste me respekt dhe me konsideratë për Elez Isufin, i cili jo vetëm që shquhesh për trimëri dhe bujari, por në radhë të parë si patriot i cili kishte dhënë kontribut të madh në luftën për pavarësi. Baba në Dibër shquhesh si patriot dhe njeri i ndershëm. Ai gjatë gjithë jetës ka punue dhe luftues ë bashku me patriotët e tjerë për pavarësinë e vendit. Vitet nuk e mposhtën. Ai, në moshën 75-vjeçare, kur mbi vendin tonë kishin vërshue nazistët dhe fashistët, mori pushkën në dorë dhe vendosi të luftonte në radhët e lëvizjes nacionalçlirimtare. Baba, për parinë tradhtare të Dibrës, ka qenë gjithmonë një pengesë në realizimin e qëllimeve të tyre grabitqare, ai në shumë raste i kishte demaskue ato duke i nxjerrë në shesh qëllimet e vërteta të tyre. Ishte ky qëndrim burrëror i babës që miqtë e ndijonin dhe e respektonin kurse të tjerëve u imponohesh.
I shkruaj këto pak rreshta për babën, për miqësinë e tij me Elez Isufin, mbasi kjo ka të bëjë edhe me qëndrimin që u mbajt në bisedën që u zhvillue në shtëpinë e Cen Elezit, në mbramjen e 22 Nëndorit 1943, pikërisht një natë para se të zhvilloheshin luftimet në Sllovë, ku baba u vra. Në një dhomë të vogël në katin e dytë në mbrëmjen e 22.XI.1943, ishim: Cen Elezi, dy ushtarakët anglezë, një djalë i Cenit që dinte anglisht, baba, Siriu dhe unë. Unë në atë kohë kisha moshë të vogël, 16 vjeç, në atë bisedë u ndodha rastësisht…
Në këtë dhomë u zhvillua një bisedë, e cila mua më është fiksuar në kujtesën time aq shumë, saqë gjithmonë kur e kujtoj më duket se ka ndodhur mbrëmë, e mbaj mend me të gjitha detajet dhe vogëlsirat. Kjo bisedë më shtoj akoma më shumë dëshirën për të dhënë dhe unë kontributin tim sado të vogël në luftën për liri, më shtoj akoma më shumë dashurinë dhe respektin për babën tonë. Biseda u zhvillua në këtë mënyrë: Cen Elezi bisedonte me oficerin anglez mbi formën dhe mënyrën e ndihmës që duhej t’i jepnin atij anglezët për aksione të ndryshme luftarake kundër gjermanëve që do të ktheheshin në Dibër. Bisedat përktheheshin nga djali i Cenit që dinte anglisht. Cen Elezi bënte pazarllëqe dhe kërkonte qe ndihma nga anglezët t’i jepesh në formë të hollash (me sterlina). Simbas Cen Elezit, kjo ishte forma më e mirë, mbasi me anë të këtyre sterlinave mund të komprometoheshin forcat vullnetare me mjetet e nevojshme. Biseda në këtë formë vazhdoi mjaft dhe oficeri anglez mbante një qëndrim tamam prej anglezi. Unë dhe Siriu ndigjonim me vërejtje, kurse baba i jonë shumë i ngrysur ja kishte mbërthyer sytë Cenit dhe nuk po fliste asnjë fjalë. Kur më së fundi, me sa duket Cen Elezi ra në ujdi me anglezin dhe biseda ishte nga fundi, baba i jonë, Ismail Strazimiri, i vrejtur, ju kthye Cenit dhe i tha:
– A mbarove ma në fund or Cen?
Cen Elezi i tha: – Po, Ismail efendi, mbarova.
Baba atëherë iu kthye djalit të Cenit dhe i tha: – Do t’i thuesh këtij mikut (oficerit anglez) këto fjalë që po i them unë pa asnjë shtesë.
Djali i Cenit pohoj me kokë se ishte gati.
– I thuaj se Cen Elezi është gomar.
Cen Elezi dhe të gjithë shtangën në vend. Djali nuk po përkthente.
Baba ju kthye djalit e më me ashpërsi i tha: – Ktheja, të thashë!
Djali ja përktheu anglezit, i cili deri në atë moment kishte mbetur si i hutuem dhe ku i ndigjoi fjalët e përkthyesit faqet ju skuqën dhe në buzë ju duk një buzëqeshje e hollë.
Baba iu kthye djalit dhe i tha: – I thuaj se luftën ne nuk e bëjmë për sterlinat e juaja. Ne luftojmë për vatanin tonë, duam të shporrim armiqtë që na kanë zaptuar vendet tona, që na kanë hyrë në shtëpitë tona. Nëqoftëse ju doni të na ndihmoni në këtë luftë, meqenëse kemi interesa të përbashkëta, na ndihmoni në radhë të parë me armë dhe municione dhe po patët mundësi vesh-mbathje, kurse për sterlinat që don Cen Elezi nuk kemi nevojë.
Djali ja përktheu, kurse anglezi duke parë babën me vëmendje dhe admirim tundte kokën ngadalë. Baba ju kthye përsëri djalit dhe e pyeti nëse ia përktheu të gjitha. Kur djali u përgjigj po, gjë të cilën e vërtetoj me kokë dhe Siriu që kuptonte pak anglisht, baba u çue në këmbë dhe i tha Cen Elezit:
– Çou Cen, zbresim poshtë! Ti sonte turpërove veten, babën tand dhe ne. Ta dinja se do të bënje këtë pazare me këtë anglezin, unë nuk do të vinja këtu tek ty.
Të gjithë zbritëm poshtë në dhomën e madhe me oxhak ku ishte sofra e bukës gati. Mbas buke, baba që zakonisht rrinte në krye të vendit pranë oxhakut, atë natë erdhi pranë nesh, në fund të dhomës, ku unë me Siriun rrinim pranë një mangalli me prush ulur në karrige. Baba u ul pranë meje dhe për çudi atë natë më foli me përkëdheli. Mue m’u duk çudi, se baba ne, edhe kur ishim të vegjël, shumë pak na përkëdhelte. Baba, duke më vue dorën në qafë më pyeti nëse mërzitesha ose isha i lodhur, ai kishte preokupacion për mue si isha i dobët me shëndet. – Ja erdhi dita, – me tha – të mbajsh edhe ti armë që i kishte aq qejf kur qe i vogël. Por t’i mbajsh dhe t’i përdorësh mirë, po qe nevoja. Kjo qe nata e fundit që unë ndejta e ndigjova dhe fjalosa me babën…
Forcat e çetës që kishin mbetur në shtëpi të Cen Elezit ishin të pakta. Nuk e pritshim që gjermanët të arrinin aq shpejt deri në Sllovë. Cen Elezi gjithmonë i thonte babës: – Nuk vjen gjermani deri këtu, kemi kohë të bisedojmë dhe të merremi vesht. Në fakt ndodhi ndryshe. Forca shumë të mëdha gjermane së bashku me Halil Alinë arritën në Sllovë dhe luftimet filluan që në orën 6.00 të mëngjesit të datës 23.XI.1943. Ne na gjetën të papërgatitur. Sinjalin që po vinin gjermanët e dha krisma e një pushke dhe britma e një gruaje. Më kujtohet si sot, zbritëm menjëherë poshtë. Pozitive qe që ne flinim me rroba veshur.
Në oborr pashë babën, i cili, shumë i shqetësuem, na bëri me shenjë mue dhe Siriun të dalim jashtë nga një derë e vogël duke na thanë se do të vinte pas nesh. Së bashku me ne dolën dhe dy anglezët dhe disa të tjerë. Lufta filloi menjëherë. Në fillim e kishim shumë të vështirë, mbasi që një fushë e hapur që duhej kalue ku të grinte mitralozi. Në shtëpi mbeti Cen Elezi, baba dhe një djalë i vogël i Cenit. Në luftim e sipër për një kohë krijuan mundësitë që të dalin ato nga shtëpia, por ato nuk pranuen; kishin hallin e fëmijëve. Luftimet pas disa orëve brenda në shtëpi pushuen, kurse ne jashtë, dalëngadalë, nën presionin e forcave të mëdha gjermane dhe mercenarëve u tërhoqëm nga vendi i luftimeve. Në këto luftime pat të vrarë dhe të plagosur. Në mbrëmje gjermanet ngarkuen kufomat e ushtarëve të vrarë dhe u larguan. Në u kthyem në Sllovë dhe atje gjetëm babën të vrarë nga gjermanët.
Biseduem me Cenin, djalin e vogël dhe gratë që mbetën në shtëpi dhe ato na e përshkruan vrasjen, e cila, shkurtimisht, ndodhi kështu: Kur mbetëm të rrethuem, baba në luftim e sipër vret tre gjermanë, kurse vetë plagoset randë në stomak nga copat e predhës të një murtaje. Megjithëse plagët që mori në stomak qenë të mëdha dhe i rridhte shumë gjak, ai nuk pushoi luftën me pushkë dhe nagantë derisa humbi ndjenjat fare. Gratë e morën në krah dhe ashtu pa ndjenja e futën në një nga dhomat e katit të parë. Baba i shtrirë kishte një pozicion që përballë kishte derën, kurse mbi kokë penxheren.
Luftimet vazhduen dhe pak kohë dhe kur nuk kishte më asnjë rrugë dalje, Cen Elezi shkon te baba i flet atij (deri sa ai vjen pak në vehte) dhe i thotë: “Eja të dalim të vritemi jashtë se do na zënë të gjallë këtu”. Baba duke folur me vështirësi i thotë: “Mue më jep nagantin të mbushur me fishek dhe ti shko, ndërsa unë do qëndroj se nuk bëj dot asnjë lëvizje”. Cen Elezi doli i plagosur, kaloi rrethimin, kurse baba mbeti i shtrirë me nagantin në dorë. Gjermanët të tërbuar hynë brenda në oborr. Mercenarët e Halil Alisë, kur e panë babën nga penxheret, iu thanë gjermanëve: “Ja, baba i komunistëve!”. Gjermanët u turrën të hyjnë në dhomë, por aty baba përsëri i priti me plumbin ballit. I pari nga ata që kaloj derën mbeti i vrarë nga plumbat e nagantit. Atëherë, ata, të inatosur, hynë nga penxheret dhe ja zbrazën gjithë karikatorin e mitralozit në kokë babës. Gjermanët u larguan, kurse disa mercenarë, tani që ai ishte i vdekur, e plaçkitën, i morën dhe nagantin që mbante akoma në dorë. Kështu u vra baba i jonë…
(Nga kujtimet e djalit të I. Strazimirit, Rushit Strazimiri, shkruar më 4 shkurt 1974 dhe botuar në librin “Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë”, botimet “Naimi”, Tiranë 2012).