(Fragment nga monografia “XHEMË TËRNAFCI- Sugari i Ҫetёs sё Azem Galicёs”, e cila së shpejti pritet ta shohë dritën…)
Natën midis 24 e 25 korrikut 1924, në malet midis Gallarevës e Përçevës, ndërroi jetë Azem Galica, nga plagët e marra më 15 korrik 1924!
“Rrethimi i Kullës së Azemit është bërë verën e vitit 1924. Natën kritike, pasi ka rënë terri në tokë, e kam pa Azemin duke folë me Veli Oshlanin. Ai kishte ardhë me i kallxue Azemit se ishin diftue disa asqerë, që po thonë po shkojmë për Shqipëri, po na po e dimë se po përgatitet diçka për ju. Unë i mora leje me shkue në Lubovec, te Mehmet Fazlia, ku e kisha tezën e martuar e aty po vinin do dajë të mi. Azemi me tha: “Mos shko sonte, se ka vaktë naj ditë tjetër”. E ka qitë edhe mixhën tem Bajram Delinë që t’më ndalë, po unë s’u ndala.
Pa lind dielli i kemi dëgjuar disa pushkë të rralla në fund të Galicës. Unë e kam kap pushkën dhe, me shpejtësi, kam hyrë në malin Rrah, nën Kullë të Azemit. Atëherë ka krisë topi e i ka ra Kullës. Më ka pa Halil Vërnica e më ka thënë:”Kthehu se Azemi ka dalë”. Unë jam bashkuar me Halilin, Kamer Llaushën e Shaban Llaushën. Azemin e ka parë Halili kur është ra në Livadh, te Ura e Frashnit. Kur jam dalë në male të Gamnave, e kam pa vetë Azemin. Kam brit me zë të lartë:
”Aiuu, rrethoni ju andej se unë nuk i lëshoi këndej”.
“Cili je ti more?- më ka pyet Azemi.
“O jam Xhemë Tërnafci- ia ktheva me zë të lartë.
Aty ku thirra unë ishin Azemi, Bajram Tërnafci, Murat Bajrami, Hazir Vitaku, Sadik Luboveci e Xheladin Luboveci. Ata u ndanë në dy pjesë: Azemi me Hazir Vitakun, Bajram Tërnafcin e Halil Galicën, kanë ardhë drejt zërit tim. Aty na ka nda ushtria serbe. Kur jam ra në anën e epërme, aty ku isha më parë, jam bashkuar me Sadik Lubovecin, Zenel Suhagerllën, i cili erdhi prej Galice, me Murat Galicën. Azemi mbeti mbi udhë e ne nën udhë. Posa hymë në mal u ndeshem me ushtarë dhe filluam luftën. Për fat, një gjyle e topit ra në grupin e ushtarëve serbë…
Azemi u ndal te shtëpia e Azem Mikushnicës dhe piu ujë. Na që mbetëm nën udhë, pasi jemi hi në një malishtë, jemi zatet me një grup ushtarësh. Unë e Sadik Luboveci kemi shti me armë. Sadiku pat thanë “Kësi rrethimi nuk kemi pas as në Shkodër, kur na kanë rrethue malazezët”. Kur një gjyle i bie asaj shtëpie, ata dalin jashtë. Para shtëpisë së Isuf Rexhës, në një gropë, ku kishin marrë dhe për tulla, zuri një pozicion. Një ushtri e madhe vjen drejt gropës ku ishte Azemi. Oficeri me shpatë në dorë, posa e qet këmbën në gardh, për të dalë në fushë, Azemi e Bajrami e gjuajnë dhe e lënë të vdekur. Atëherë asqeria zmbrapsën e drejtohen prej nesh. Azemi ra në livadh të Isuf Rexhës. Unë me shokë i gjuajshim ushtrinë që iu kishin drejtue Azemit. Azemi u kap me ushtri ballë për ballë. Aty u vra Bajram Delia (Tërnafci), Halit Bajrami, Murat Bajrami, nipi i Halit Bajramit, Sadik Luboveci, u plagosen Xheladin Luboveci, Hazir Vitaku, Halit Galica. Unë me shokë i gjuanim ushtarët për t’ia liruar rrugën Azemit dhe shokëve që i kishte përreth. Në atë moment u plagova edhe vetë. E plaguan edhe Muratin nga Galica.
Nipi i Azemit, Bejta (i biri i Seferit që ndryshe e quanin Bejtush), prej lodhjes u rrëxua në tokë. Jam afrue dhe e kam ndreq në këmbë. Jam afrue edhe të mixha (Bajram Tërnafci), veç për ta kuptuar a është gjallë. Kur e pashë se ka vdekë, kam hip në gardh e kam ra mbi Sadik Lubovecin, që ishte vrarë i kishte rënë pushka në vesh. Ia kam marrë pushkën e ia kam dhënë Bejtës së vogël, tue i thanë, shpraze andej kah ishin ushtria. Sadikut ia kam marrë edhe sahatin, një tarçuk me fishekë ia ka marrë Zenel Ujkani. Bejta i vogël, 13 vjeç, nuk mundi ta çelë pushkën “zhage”, derisa i rashë shqelm. Atëherë ai ka shprazur pushkën prej ushtrisë.
Kësi rrethimi nuk mbahet mend. Topi i parë ka krisë n’anë prej Prekazi, mbi Manxholltë e Mikushnicës. Aty u kanë topi më i madh që e kanë pru prej Skënderaj me kuaj, top i zgjedhun që ma ja çitë dy mureve përnjëherë.
Topi i dytë u kanë në Lubovec, përmbi kullë të Halit Bajramit, në kërsh të Lubovecit. Topi i tretë u kanë te Suka e Galicës. I katërti në fund të Dubofcit, në Kudrinë. I pesti te shtëpia e Zenun Mikushnicës. I gjashti te Mrizet e Mikushnicës, për të mbrojtë Kralicën prej nesh…
Galicën e kanë rrethue ma tepër se pesë mijë veta. Përveç divizionit të Zhupanit, në rrethimin e Azem Galicës kanë marrë pjesë edhe të gjithë xhandarët e Kosovës e komandirët e tyre, e shumë serbë e malazez civilë dhe shqiptarë të shitun. Janë dallue sidomos malazezët e Taraxhës dhe të Balincit.
Përveç atyne që i përmenda më lart, janë vra: Hasan Lahu. Bile ky u vra herët, me pushkët e para, kur Azemi ishte tue luftue te Vrella e Mikushnicës. Ma vonë u plague edhe Rrustem Fazli Hoti i Polacit. Pak përtej Livadhit te Isuf Rexhës, ku u ba gjakderdhja ma e madhe për ne, u vra Qerim Shashi.
Qerimi i Shashit (Shashivarit) njëherë u plague, ju ka thyrë këmba, u mbetë në therra e me ka britë mue: ”O Xhemë Tërnafci! O jam i fortë veç mu ka thye këmba”.
Unë ju kam përgjigj pa ditur kush asht: Vallahi ty tu ka thye kamba e mue dora e s’kam me çka të kapi me të çue. Asqeria dy herë e kanë çue një grue, të shoqen e Musli Mikushnicës, t’i thotë Qerimit me u dorëzue. Kur e pashin se Qerimi nuk po e nal luftën, menojshin se asht Azemi, dhe prapë e qojshin atë grue, po Qerimi iu përgjigj se: “Për sa t’më punon fryma, nuk dorëzohem”. Atëherë ia qesin bombat dhe Qerimi vdes trimënisht. Bile, më kanë thanë se në vendin ku ka luftue Qerimi, e kanë gjetë një zog mali të vramë dhe një gjarpën të këputun në tre vena.
Me daljen e Azemit dhe me daljen tonë prej rrethimit, ushtria u ngreh në anën e majtë. Ne e kaluam livadhin, ku gjetëm mija fishekë të mashinkave e pushkëve franceze që i kishin lënë ushtria duke ikë.
Azemin e para pushkë e ka marrë në livadh. Kur hymë në mal u kallë një luftë edhe më e rreptë e më e përgjakshme. Azemin e ka marrë pushka në rreth të fishekëve edhe një paçetë fishekë e një plumb i ka hyrë në midis. Ka mbetë në atë vend. E ka kap në shpinë Kamer Llausha, e me të, Shaban Manxholli e Halil Galica edhe kanë hyrë mbas një bregu, përtej rrethimit. Kur kam dalë unë në vendin ku u plague Azemi e kam gjetë kallapin e dyrbive të tij. Unë e Zeneli e kemi marrë atë kallap dhe jemi bashkuar me shokë.
Te një krua kemi pirë ujë dhe ka ardhë Shaban Manxholli me Xheladin Lubovecin e plaguem, të cilët më kanë britë: ”Shpejt se Azemi asht shumë i ligë”. Jemi bashkuar të gjithë. Azemi ishte mbështetur në një stom dhe në kllapi thoshte:”Bjeru, Bajram, bjeru”. Ia kam nxjerr kllapinë dhe jemi nisur, duke e bartur në shpinë deri në Beçiq. Të Lam Beçiqi e gjetëm një kërrstinë të mbramë, një penë kie e një zgjedhë të parmendës. Azemin, e mbështollem me një jorgan e një jastëk nën kokë, e qitem në gërshanëza dhe jemi ngjitë të Kroni i Ftohtë i Dubovcit. Aty kemi pi ujë e i kemi la varret. Rojet i kemi çitë në Kërsh të Krasaliqit e të Dobovcit.
Shotë Galica, qysh në pushkët e para është ndarë prej nesh. Ajo ka luftuar trimërisht në drejtim tjetër. Ka qenë më tepër afër grave e fëmijëve. Ajo, e ka shpërthyer rrethimin me sukses dhe u ka prirë atyre drejt malit ku ishin ne. Në të dalë prej rrethimit i kishte takuar dy xhandarë shqiptarë, Bajram Selacin e Kosum Gërdovcin, të cilët nuk i kishin ngucur dhe i kishin bërë të fala Azemit. Kah mbrëmja veç me një hallë ka ardhë tek ne, të tjerët i kishte lënë më larg. Halla që erdhi me Shotën, ishte halla e Zenel Ujkanit, e cila me gjeti duke i pastruar varret dhe m’i dha katër gurë sheqer. Shota më nuk na u nda. Kur u terrua, kaluam në Lugun e Madh të Krasaliqit. As ushtria, as xhanaria nuk na kanë ardhë mbrapa, ata janë shpërndarë nëpër katunde për të bërë zullume.
Në atë luginë, midis Kozhicës e Krasaliqit, ku ishin dy kroje, ndejtëm shtatë ditë. Krye shtatë dite ushtria ka hyrë nëpër bjeshkë. Por atë ditë ne u shtuam. Mehmet Konjuhi e Shyt Bajçinovci me 12 shokë arritën në Qyqavicë. Rrugës kishin hasur në ushtrinë serbe, e kishin vrarë një narednik, dhe kishin dalë pa probleme.
Azemi kur e pa Mehmetin u gëzua shumë. “U bamë tridhjetë vetë, e ka një sahat me më bajtë, me qesin përtej kufini”. Prej aty kemi këputë Kozhicën, Qirezin e kemi hyrë vendin e quajtur “Kamenicë”. Zenë Hajrën e Gllarevëve të Vërbocit e kemi çue te Zenel Nika në Gllanasellë me na i sjellë dis mjete për me ia nxjerrë Azemit plumbin që i mbeti në trup. Jemi zhdjergë në Shkozë të Mulla Bajramit. Nuk mujtëm me ndreq kurrgja për mjekimin e Azemit.
Azemi e kish kalin në Polluzhë (te Shaban Polluzha), i çuam fjalë me na e çitë në livadhe të Goxhulëve të Makërmalit. Prej Vërbovci kaluam në malet e Çabiqit. Aty na u duk se Azemi bëri më mirë, e kemi qitë në kalë. Prej lëvizjeve të kalit, Azemit iu lëndua varra edhe më shumë dhe u ligështua. Prej aty shkuam në drejtim të Gjurgjevikut të Madh.
“Kallma një cigare”, – na tha Azemi.
Ia kallem e ai e çojke gacën përpjetë.
“Mos e ço gacën nalt o Azem se po na hetojnë xhanaria”,- i thamë.
“Mos kini gajle! A jini me Loken”,- na tha Azemi.
Kur kemi dalë nga Gjurgjeviku i Madh, Azemi nuk ka mujtë me ndejtë në kali dhe u lëshua. E kemi marrë në shpinë dhe kemi hy të një gjurgjevikas, katolik me fe, shtëpi e madhe me 60 anëtarë. Ata i prunë Azemit tambël e petulla, por nuk mujti me përbi kurgjë. E kemi lypë Met Imerin dhe e gjetëm. Ai, me Bali Fazlinë dhe dhjetë shokë të pushueshëm e kapën Azemin derisa dolëm në mal ndërmjet Përçevës e Gllarevës. Atje ia dha ferku, u lëshuan bagëtia. Shokët e Met Imerit ia mbolën një tas tamël prej një lope, por Azemi nuk e shikoi me sy. Mue sa me kishte kapë një kllapë gjumi, m’u afrue Zenel Ujkani e më tha:”Çou se Azemi po do me dekë”. Jam çue, iu kam afrue ngat, ia kam kapë dorën e majtë e Zeneli dorën e djathtë, e Shota i rrinte te kryet. Në atë moment, me një të ngritur të të dy duarve nalt, ka dhënë shpirt.
Ramë në dert se çfarë halli me ba me xhenazen e Azemit. Shokët e Met Imerit u ndanë. Me ne ishte vetëm një Halim Ngucati i Përçevës. Nisem me e varros, por na ra ndërmend amaneti i tij që xhenazen dorё serbi mos të ma prekë. Dikush thoshte e qesim në Dri, por e qet uji e gjendet.
Shaban Manxholli i tha Halim Përçevës: “Te ju ka shpella, na e gjej diku një!
“Po, – tha Halimi, është në mal një shpellë, është zor m’i gjetë e po tutna po bijmë na në ta”.
Halimi na ka pri deri kur tha, ndaluni ju se po e lypi vetëm. Ia lëshoi edhe një rigë shiu. U terrua shumë e ishim të lodhur. Halimi e gjet shpellën. E kanë marrë katër vetë: Shaban Manxholli, Zenel Ujkani, Halim Ngucati e Hamit Bajqinovci, e kanë mbështjellë me jorgan. Të gjithë u betuam se: “Më parë do të japim jetën se sa tregojmë Shpellën e Azemit”. Me një konop të gjatë dhe me shoka të lidhura varg e lëshojnë shpellës teposhtë. Nja dhjetë minuta e kemi dëgjuar jehonën e zbritjes së Azemit në thellësi. Po, po! Shkoi Azem Galica thellë, shumë thellë, në gjiun e Tokës Nanë, që ia kushtoi jetën…
Unë me 25 shokë të Azemit dhe me Shotën, mbas tri dite kemi kalue kufirin…”
(Kopjen origjinale të këtij rrëfimi ma dha Dr. Mehmet Rukiqi, ndjesë pastë)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here