Ai është një nga figurat më të shquara të botës shqiptare për kohën kur jetoi. Ai u përket atyre klerikëve, që u dalluan për një veprimtari të dendur atdhetare. Ishte organizator dhe udhëheqës i masave popullore në luftën për çlirim nga zgjedha osmane, përkthyes dhe krijues origjinal në fushën e letrave shqiptare për të mbrojtur identitetin etnik e kulturor të popullit tonë.

Bëhet fjalë për humanistin e shquar Dom Pjetër Budi.

Për jetën veprimtarinë dhe formimin e tij intelektual nuk kemi shumë të dhëna të drejtpërdrejta. Edhe ato që dimë, i nxjerrim kryesisht nga thëniet e veta në librat që botoi, veçanërisht nga letra latinisht që i dërgoi më 1621 një kardinali të quajtur Gocadin.

Kjo letër është një dokument me rëndësi të veçantë jo vetëm për jetën dhe personalitetin e autorit, por edhe për gjendjen e vendit në atë kohë, dhe mbi të gjitha ajo është një program i plotë për organizimin dhe zhvillimin e luftës së armatosur kundër pushtuesit. Në këtë letër Budi pas hyrjes bën edhe një autobiografi të shkurtër, nëpërmjet së cilës mësojmë dicka të sigurt për jetën e tij.

Pjetër Budi lindi në Guri i Bardhë në Mat. Mësimet e para dhe formimin e tij intelektual e mori në vend, pranë disa ipeshkevet të ndryshëm, deri në moshën 21-vjeçare. Më 1587 u caktua meshtar dhe shërbeu si famulltar i thjeshtë për 12 vjet në Kosovë dhe me vonë 17 vjet të tjerë si zëvendës i përgjithshëm i dioqezave të Serbisë.

Sipas librit “Letërsi e hershme shqiptare” në një letër të shkruar në shqip ai ankohet për varfërinë dhe mungesën e dijeve të popullit dhe shpreh keqardhjen e tij që këtu nuk ekzistojnë shkolla shqipe.

Gjatë viteve 1616-1622 bëri disa udhëtime në Itali, kryesisht për qëllime atdhetare si dhe për të botuar veprat e tij. Kthehet përsëri në Shqipëri ku emërohet ipeshkëv i Sapës dhe i Sardës. Ai këmbëngulte që ceremonitë fetare të zhvilloheshin në gjuhën shqipe. Pengesë për zhvillimin dhe përparimin e vendit dhe të kulturës kombëtare, përveç pushtuesit osman, Budi, shikonte edhe klerikët e huaj, që shërbenin në famullitë shqiptare.

Në këto rrethana, Budit iu desh të luftonte në disa fronte: edhe kundër pushtimit të huaj, edhe kundër Vatikanit e të dërguarve të tij në Shqipëri. Prandaj më 1622 organizoi një mbledhje të të gjithë klerikëve shqiptarë të zonës së Shkodrës, Zadrimës, e Lezhës dhe i bëri të betoheshin e të nënshkruanin një vendim se nuk do të pranonin kurrë klerikë të huaj.

Në dhjetor të po atij viti, mbytet duke kaluar lumin Drin. Mendohet se vdekja e tij nuk ishte aksidentale; atë e shkaktuan qarqet anti shqiptare, që shikonin tek Budi një atdhetar të flaktë dhe një nga organizatorët e luftës së popullit për çlirim nga zgjedha e huaj.

Ai gjithë jetën dhe energjitë e tij ia kushtoi çlirimit të vendit. Hartoi plane për dëbimin e pushtuesit dhe u përpoq të siguronte edhe ndihma nga Vatikani e nga vende të tjera. Ai bënte pjesë në atë shtresë të klerikëve, që u lidhën me krerët e fiseve shqiptare dhe iu kundërvunë jo vetëm sundimit të egër osman, por edhe Vatikanit, kur ishte fjala për çlirimin e vendit nga zgjedha e huaj dhe ruajtjen e vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar. Çlirimin dhe shpëtimin e vendit Budi, e shikonte te fshatarësia e lirë, sidomos te malësorët, të cilët nuk u pajtuan asnjëherë me pushtimin dhe e vazhduan me ngulm qëndresën e tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here