HistoriKulturaTrashegimi Kulturore

Trashëgimia e harruar arkeologjike në qendër të Prishtinës

 Kurt Farka on November 23, 2021

Trashëgimia e harruar arkeologjike në qendër të Prishtinës

Nga: Elvi Sidheri

18 NËNTOR 2021

“ … Qazim Namani dhe Emin Sallahu janë dy historianë e arkeologëme  kontribut të çmuar bëjnë per ruajtjen e trashëgimisë arkeologjike dhe historike në trojet e Kosovës bashkëkohore…”

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës ndodhet në pjesën e vjetër të Prishtinës, jo rastësisht i strukur në një shtëpi të moçme disashekullore, ku shpërfaqet si rrallëkund qytetaria që pati lulëzuar dikur në kryeqytetin kosovar.

E pikërisht në këtë shtëpi fisnike qytetare prishtinase, mes shkallëve të drunjta, verandës orientale përmbi kopshtin e harlisur, ku ndërthuren gjethnajat, pema shekullore e manit që ngrihet krenare në oborr, dhe një mori gjetjesh arkeologjike që vijnë nga të gjitha viset e Kosovës, fragmente kolonash e sarkofagë të lashtë, ndodhet sakaq edhe një thesar i mirëfilltë arkeologjik që është zbuluar dhe vijon të ruhet me përkushtim të rrallë në këto mjedise.

Falë punës së palodhur dhe hulumtimeve të vazhdueshme në terren, duke përfshirë shumicën e viseve kosovare, dy punonjës të përkushtuar të këtij Instituti me rëndësi thelbësore për trashëgiminë kulturore, historike dhe arkeologjike të Kosovës, prej vitesh orvaten të nxjerrin pak nga pak (dhe pandërprerë) në dritë gjurmët e pashlyeshme të së shkuarës dardane e arbërore, gjer në shekujt e fundit përpara kohëve të sotme.

Qazim Namani dhe Emin Sallahu janë dy historianë e arkeologë, të cilët kur i takon, vështirë të jesh mirëfilli në gjendje ta kuptosh qysh në shikim të parë, çfarë pune e kontributi të çmuar bëjnë e japin për ndriçimin dhe ruajtjen për hir të brezave të ardhshëm, të trashëgimisë arkeologjike dhe historike në trojet e Kosovës bashkëkohore.

E ndërkohë, edhe si konfirmim i mëtejshëm i pamohueshëm i thënies së njohur popullore shqiptare, që ngulmon që gjithkujt nevojitet t’ia shikojmë punën, aspak gunën (pa gjykuar thjesht së jashtmi, larg përmbajtjes, siç rëndom bën shumëkush), në zyrën e njërit prej këtyre historianëve me pasionin e arkeologjisë kosovare, në një skutë të vockël të godinës së moçme hijerëndë ku gjendet ky Institut, na shpërfaqet befas përpara syve një thesar i papërfytyrueshëm, sa edhe njëherësh mrekullisht mahnitës.

Për shkak të vështirësive logjistike dhe mbase mungesës së hapësirave të duhura në muzeun përkatës, këta arkeologë që i bëjnë pareshtur një shërbim të vyer zbardhjes së gjurmëve më të ndritshme të lashtësisë në trevat dardane, ruajnë në mjediset e këtij Instituti, një sërë artefaktesh tejet unike, që përveçse dëshmojnë katërcipërisht vjetërsinë autoktone të shqiptarëve në trojet e Kosovës, sakaq përbëjnë gjithashtu gjetje arkeologjike që tjetërkund do të ngjallnin kureshtjen dhe mahnitjen e muzeve, specialistëve dhe arkeologëve anembanë Europës.

Kështu nisim të admirojmë thuajse pa frymë nga nemitja e shkaktuar prej artefakteve të lashta që na shfaqen me radhë para syve, pllaka prej qeramike ku shumë e shumë shekuj më parë janë gdhendur për t’iu dorëzuar përjetësisë nga paraardhësit tanë, simbolet e lashta të natyrës dhe jetës së përditshme, dielli ( simbol i përhershëm dhe i kudondodhur në artefaktet e moçme të trevave iliro- dardane, në Maqedoninë antike, e më tutje gjer në Epir, deri në ditët e sotme), lumenjtë, hyjnitë me tipare burimore vendase (përfshirë diç të ngjashme me plisin në krye), gjarpërinjtë, muret e fortesave, dhe gjithashtu

përleshjet epike me dragonjtë, të skalitura në kohë të papërfytyrueshme të shkuara, mbi sipërfaqen e një guri vigan.

Shtangia shndërrohet në ngazëllim të shfrenuar (si njeri i dashuruar kokë e këmbë me historinë e lashtë të popullit tim dhe studiues i apasionuar, kjo për mua është parajsa në tokë) kur del në pah një gur tejet i lashtë me trajtat e qarta, ndonëse të rrëgjuara nga shekujt e mijëvjeçarët, me formën e një gruaje që mbase mishëron periudhën e fundit të Matriarkatit, kur femrës tashmë i kërkohet detyrimisht vetëm të rrisë fëmijët (diçka që tregohet dukshëm nga fetusi në gjirin e saj dhe duart e lidhura simbolikisht mbrapa kurrizit), dhe të nënshtrohet ndaj rendit të ri patriarkal.

Nëse kaq magjepsje lashtësie nuk mjafton, atëherë gjithçka plotësohet vetvetiu nga mini-skulptura prej guri kaq e mrekullueshme me portretin e ndonjë prijësi të mijëra viteve më parë, të cilit akoma mund t’i shquhen qartësisht tiparet e fytyrës, mjekra, sytë, buzët e flokët, bashkë me shprehjen e ngrysur të çehres, një vepër arti pallogaritshëm antike.

Ndërkaq në sipërfaqen e lëmuar të një guri të moçëm tregohet metaforikisht jeta tokësore dhe pasvdekja qiellore, përmes alegorisë së gdhendësit të lashtë të këtij artefakti, që ka skalitur një shtëpi, dy njerëz që adhurojnë qiellin e perëndishëm, hënën, shpendët dhe njeriun e pajetë që lartësohet drejt qiejve.

Mbresat më të pashlyeshme të mbeten të ngulitura në kujtesë nga skulptura imcake e një skllavi të lashtë me tipare të largëta ekzotike, me një shtambë mbi kokë dhe pamje thelbësisht të përulur dhe shije të hollë artistike.

Nuk mungojnë sakaq edhe monedhat antike, përfshirë edhe një syresh me emrin e Konstandinit të Madh (Constantinus Max) me origjinë pikërisht nga Naissus i Dardanisë, perandori që pati themeluar Konstandinopojën dhe që do të ligjëronte krishtërimin, por edhe të kohës së perandorëve Teodosi I, Valentiniani I, etj.

Ky thesar i çmuar kulturor e arkelogjik, do theksuar se shpesh është ruajtur dhe dorëzuar pranë specialistëve të këtij institucioni nga banorët e thjeshtë të viseve të ndryshme të Kosovës, të cilët ngaherë kanë ditur të tregohen tepër të përgjegjshëm për lashtësinë e trojeve të tyre amtare, me një vetëdije kombëtare dhe historike vërtet të lavdërueshme.

Kosova është një thesar në qiell të hapur, mjafton të ndërgjegjësohemi për këtë trashëgimi arkeologjike të vyer.

Nga KULTPLUS COM

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here