Nga: Agron Islami

Njësia më e madhe administrative osmane ishte ajo e Ejaletit, e cili përbëhej nga sanxhaqet. Hapësirat e Ballkanit të sotëm ishin pjesë e Ejaletit të Rumelisë, i cili drejtohej nga Kazaskeri i kësaj njësie administrative. Ndërsa, hapësira e Kosovës shtrihej në pesë sanxhaqe të ndryshme: Vulçitrin (Vushtrri), Prizren, Dukagjin, Shkup (hapësira të Kaçanikut) dhe sanxhaku i Bosnës (hapësira të veriut të Kosovës). Ky i fundit brenda vetës përfshinte edhe nahijen e Zveçanit.

Në regjistrimin e pare osman të Sanxhakut të Bosnës, që i përket gjysmës së shek. XV, Mitrovica është regjistruar si fshat, në kuadër të Nahijës së Zveçanit dhe i cili ishte në pronësi të subashit të Zveçanit, Isuf beut. Sipas të dhënave të defterit në fjalë, Mitrovica në atë kohë kishte 17 shtëpi, prej tyre dy i takonin besimit islam, ndërsa tjerat ishin të besimit jo islam.

Administrata osmane kohë pas kohe riorganizonte administratën e vet. Për rezultat, në shekullin XV, Mitrovicën e gjejmë herë si pjesë të Vilajetit të Jeleqit e herë si pjesë të Jeni Pazarit. Në të njëjtën gjendje ishte edhe Zveçani, i cili në vitin 1489 është regjistruar si nahije në varësi të Jeni Pazarit.

Sundimtari i Shkupit, Isa Beu, i cili konsiderohet edhe themelues i Sarajevës dhe Jeni Pazarit, e që kishte prona në hapësirën e Mitrovicës, së bashku me Vojvodën Hoshkadem, në fshatin Mitrovicë ndërtuan një mesxhid. Ky i fundit ndërtoi edhe një shkollë (muallimhane) dhe një hamam. Nga këtu e tutje, Mitrovica filloi të pasurohet me lagje dhe me një rritje solide të popullatës. P.sh. në vitet ‘80 të shekullit XV, në Mitrovicë janë regjistruar dy lagje (lagjja Imam Baliu dhe Imam Xhemal Fakihu) myslimane me 63 shtëpi të cilat ishin të vendosura rreth dy mesxhideve. Prej tyre ishin edhe 11 shtëpi jomyslimane. Emrat e lagjeve kishin ndërruar, varësisht nga shërbyesit fetarë në mesxhidet e Mitrovicës. Në vitin 1489 janë regjistruar lagja e Kasim Hoxhës, dhe ajo e Mevlana Xhemal Fakihut me 58 shtëpi myslimane dhe tri jomyslimane. Në dekadën e fundit janë regjistruar edhe rreth 30 profesione që i jepnin jete ekonomisë së qytezës së Mitrovicës sikur ishin këpucëtarët, kasapët, marangozët, përpunuesit e leshit, rrobaqepësit etj.

Ndërsa, sa i përket kulturës bujqësore në këto vite, në Mitrovicë kultivoheshin prodhimet grurore (grurë, elb, thekër, tërshërë). Njëherësh, komuniteti i vogël i jomyslimanëve njiheshin për prodhimin e shirës, kultivimin e bletarisë dhe të derrave.

Nëpërmjet të dhënave të defterëve osmanë nënkuptojmë se banorët lokalë dhe ata të ardhur në qytetin e ri, rishtazi kishin pranuar islamin si fe. Kjo vërehet në emrat e baballarëve të tyre, të cilët janë regjistruar si i biri i Abdullahut (veled-i Abdullah), apo në shqip i biri i robit të Zotit.

Në dekadat e para të shekullit XVI, dy lagjet e Mitrovicës banoheshin nga rreth 80 shtëpi myslimane dhe tetë jomyslimane. Ne vitet e ‘30 të shekullit XVI janë regjistruar vetëm katër  shtëpi jomyslimane.

Me zhvillimin infrastrukturor të Mitrovicës, gjë që erdhi si rezultat i investimit të Isa Beut dhe funksionarëve tjerë që ishin bashkëpunëtorë të ngushtë të tij, në qytet ishin vendosur banorë të zonave përreth sikur, vjen fjala, me Ahmedin dhe Mustafanë të birin e Hazirit nga Vushtrria, Skenderin nga Elbasani, Xhaferin nga Kurshevaci, Isufin nga Mora etj. Përveç shpërnguljeve drejt Mitrovicës, në vitin 1530 Mehmed Çelebiu nga Edirneja kishte sponsorizuar një shkollë (muallimhane) në qytet.

Në gjysmën e shekullit XVI, Mitrovica përbëhej nga katër lagje myslimane (lagja: Mesxhidi Isa Bej, Mesxhidi i Vojvodës Hoshkadem, Mesxhidi Apardi Hysejn dhe ajo e Haxhi Nasuhit) me rreth 131 shtëpi, ku prej tyre vetëm një ishte e banuar me jomysliman.

Fakti që në hapësirën e Rumelisë ekzistonin edhe qytete tjera me emrin Mitrovicë, Evlija Çelebiu në udhëpërshkrimin e tij të shekullit XVII e ka regjistruar si Mitrovicë e Kosovës, të cilën e përshkruan si një qytet me kala (sipas gjitha gjasave bëhet fjalë për Kështjellën e Zveçanit, si pjesë integrale e Mitrovicës). /Telegrafi/

(Autori është osmanist, doktor i historisë shqiptare të periudhës osmane)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here