Foto : Paria e Elbasanit dhe ftesa qe ka marre Lef Nosi nga Shkolla Normale me rastin e ceremonise se provimeve..

Një reportazh impresionues nga Elbasani, 1910…

(Gazeta “Tomorri”)

Reportazhi bën fjalë për provimin e nxënësve të parë të Normales, pas përfundimit të vitit shkollor. Është impresionuese ceremonina e organizuar me atë rast, marrin pjesë figurat më të shquara të Elbasanit, por ajo që veçanërisht tërheq vëmendjen, pjesmarrja masive e qytetarve të tij. Një provim i hapur, me publik, një festë për qytetin.

Amosferën na e jep Lef Nosi në reportazhin e Gazetës “Tomorri” 30 Qershor 1910 :

“Ora ishte njëmbëdhjetë para dreke dhe njerezia… zun të derdhen pa pushim në Mësimore, me gjithë që binte një shi i holle. Për pakë kohë, salla u mbush tunde me njerës, sa që s’kishnje se ku të huthnje gjelpanën. Shkallët e Mësimores edhe oborri ma së fundi, me gjithë që shiu nuk pushonte, ishin plot për plot me atdhetarë, të cilët, me zjarr në zemër, kishin rendun të ndegjojnë provimet e djelmoshavet shqiptarë dhe të shohin e të çmojnë me syt e tyne punen e përparimin që ishte bamun për shtatë muaj në këte Mesimore Shqipëtare të-lartë, që vlerëson ndihmën e përkrajen landore (materiale) të gjithë atdhetarevet të vërtetë. Në kjoftë se nuk kishte me ranë shi, në kopësht të math të Mësimores, do të kishte rrjedhun gjithë qyteti. Në sallën e madhe shohim gjithë parësin e vendit: Aqif Pashën, Dervish Beun(Biçkaçiu): Shefqet Beun(Vërlaci), Hasan Beun(biçakçiu), Kryetarin e Beledies(Bashkisë) Alush Saraçin, gjith parësiet ushtërore dhe politike, përfaqesonjesit e Klubit “Bashkimi i Ri”, shoqënivet “Aferdita” “Drita dhe”Dielli”. Kryetari i Parësise, se Mësimores i-palodhuni atdhetar Dervish Be Elbasani (Biçakçiu) qëndronte në krye të shkallevet edhe, me atë fisnikëni të hollë që karakterizon gjithë mënyrat e të siellunat e tij, priste gjindjen… Për gjithesecilin kishte edhe një fjalë të-amblë e një nderim të-veçantë”

Fjalën e merr Luigj Gurakuqi, drejtor i “Normales”:

“Shtatë muaj ma parë n’atë ditë fatbardhë e të paharrushme… u hapën dyert e kësaj shkolle Normale… E dinim se do të punonim për gjuhë e për atdhe siç e ka detyrë ç’do Shqypëtar i vërtetë, e ky mendim na ngrohte zembërën e na jipte guxim e durim… Po sot gëzohem që ju dëftenj, o Zotërinj të ndershëm, se puna me ndihmën e Zotit e t’aftesiës së Shqyptarëvet i kapërceu shpresat t’ona. Sot qe kemi nderin të ju shohim përsëri të mbledhun në ktë vend të bekuar në ktë çerdhe të dituniës të shqypëtarëve, shpresojmë se nuk do të ju mbajmë ma vetëm me fjalë të gjata e të thata po do të mundohemi t’ ju vërtetojmë, me vepra e me tregime, mendimet e fjalët t’ona e t’ju japim një provë të vogël po të këthjelltë të dobís e të frytit, që sjell ky lloj mësimi tue ju shtrumun përpara pemët e reja të kësaj vjete shkollare… Djemt t’onë rrodhën nga të gjitha viset e Shqypëniës e u derdhën këtu n’Elbasan, e jo vetëm nga Toskëria… po mâ fort Gegënia e Sypërme, nga Kosova fisnike e trimoshe me të përpjekunit e të nderëshmit Hasan Be Prishtina… Këtu do të rriten me urti e do t’ushqehen me mësime e me dituni ata apostuj Shqypëtarë, që për së shpejti do të përndajnë dritën në të gjitha viset e vêndit tonë.

E shoh për detyrë t’i falem nderit si Komisjonit të shkollës si edhe parësisë e të gjithë njerëziës s’Elbasanit, që aqë fort janë munduarë të na ndihnin në të kryemit e barrës s’onë. Elbasani, përveç se truni e zembëra e Shqypëniës do të jetë paskëtaj për të gjithë ne edhe si një vênt lindjeje i dytë. Nxânësit e kësaj shkolle, nashti që do të këthehen në vëndet e në shtëpiat e veta, besonj se do të sjellin me vehte një kujtim të mallëngjyeshëm e do të përhapin e do të përndajnë nâmin e tij në të katrë anët e atdheut t’onë. Rroftë pra Elbasani, djepi i mësimt e i dituniës kombëtare!”

Pas kësaj fjale të zjartë të fillon provimi. Në reportazh shkruhet: “Përgjithësisht të gjitha mësimet, të trajtuara më një gjuhë të-rriedhëshme dhe të-për-bashkme kupëtoheshin lehtësisht prej të gjithve dhe ma tepër po thua se dy orë rreshtë tërhoqën pa ndo-një farë mërzie verejtjen e gjith asaj gjindjeje të-madhe, e-cila nuk pushonte tue trokitun duart nga pëlqimi”.

Dhe pas provimit janë çmimet për më të mirët që sot përbëjnë një surprizë e vëtë. Por “Ç’ishin çmimet? – shkruhet në reportazh-Me kohë atdhetari i dëgjuar dhe i adhuruarshmi deputati t’onë Hasan bej Prishtina kishte derguar dy-mbë-dhetë orë (sahate): katrë me mbulesë t’artë dhe tetë me rreth të këtillë. Përveç këtij zotnie të-lartë orë dhuruan edhe këta zotnië të nderëshm: Aqif pasha dy, Shefqet beu dy, Dervish beu një, Qamil beu një, i vëllai Dervish beut dy, Hasan Çiftja një, Klubi “Bashkim i Ri” dy, shoqënia “Drita” një, Esnafi një….”

Foto : Paria e Elbasanit dhe ftesa qe ka marre Lef Nosi nga Shkolla Normale me rastin e ceremonise se provimeve..

Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Aleksander Xhuvani

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here