Zhuj Selmani u lind në 1844 në fshatin e Koshutanit pranë Pejës, i biri i Selman Muçë Zymerajt, fis i Kelmendit. Në vitet kur Zhuji e kreu shërbimin ushtarak të rregullt dhe shërbimin ushtarak rezervë, në Shqipëri vazhdonin përpjekjet për liri, kurse Rusia, Serbia e Greqia bënin plane për copëtimin e saj. Në anën tjetër, pushteti osman vazhdonte me mbledhjen e taksave të shumta në Shqipëri. Zhuji qëndroi në Kullën e Sheremetit rreth 10 vjet për shkak të shërbimit ushtarak rezervë. Gjatë kësaj kohe bëhet e ditur se Zhuji i binte lahutës duke kënduar këngë epike të paraardhësve të tij. Në vitin 1875 Zhuji 30 vjeçar ishte caktuar oficer kufiri në Jashikovc, kur Mali i Zi përpiqej për të pushtuar sa më shumë toka shqiptare para Kongresit të Berlinit. Zhuj Selmani ishte betuar se për sa kohë ai të ishte gjallë askush sdo ta kalonte kufirin. Knjaz Nikolla dërgon trupat e tij për të sulmuar Zhuj Selmanin në kullën e tij. Zhuji ndodhej në kullë me miqtë e tij që sapo panë malazezët filluan betejën. “Hip në kullë, pisket si zana,
Merni vesh ju kapetana,
Merni vesh, kallxoni zekut,
S’i lshoj Kullat e Sheremetit!”. Gjatë betejës Zhuji plagoset rëndë dhe aty kupton që malazezët ishin urdhëruar ta kapnin të gjallë Zhujin dhe miqtë e tij për t’i çuar në Cetinje. Atëherë Zhuji qëllon fuçitë e barutit që ndodheshin në kullë duke sakrifikuar veten, miqtë e tij dhe shumë forca malazeze. Vetësakrifikimi i Zhuj Selmanit ngjason me atë të Oso Kukës në vitin 1862 dhe të Mic Sokolit në vitin 1881, të treja këto ngjarje janë simbol i rezistencës shqiptare dhe sollën më shumë guxim në zemrat e shqiptarëve nëpër beteja.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here