Nga Sefer PASHA

“Ismail Qemali i kërkoi Isait dy djem nga njerëzit e tij që t’i rrinin në derë dhe Isai i la Halim Bajgoren dhe Ahmet Llapin. Njerëzit e tjerë bënin roje rreth e rrotull dhe mbanin qetësinë, se ende nuk kishte as polici dhe as xhandarmëri në Vlorë. Por edhe kur u krijua një farë xhandarmërie, prapë gjithë besimin Ismail Qemali e kishte mbështetur te trimat kosovarë”

Me poetin tragjik Agim Spahiu e kam ndjekur udhëtimin e Isa Boletinit me të katërqind kalorësit nga Gjakova për në Vlorë. Një pjesë të udhëtimit anës Drinit të Bardhë e kemi ndjekur milimetër për milimetër në hartë, me imagjinatë, kurse pjesën tjetër nga bregu i Drinit prej Verbnice (udhëtimi i Isa Boletinit ka qenë nën këmbët e malit të Pashtrikut). Me Agimin shkelëm patkua më patkua, udhën e karvaneve, pushimin tek Vrella e Domajve, përshëndetjet me druvarët, daljet e hasianëve përpara Isa Boletinit me vedrat me bulmet, therjet dhe pjekjet nëpër stanet të deshëve e të cjepëve, vrapimet e malësorëve për t’i dhënë dorën trimit dhe kalorësve me vikamat: “Dilini bre! Po kalon Isa Boletini!” Në Gjinaj ku Agimi ishte mësues ai më ka treguar për pritjen që ju bë Isa Boletinit dhe të 400 kalorësve, konakët, gatimet, këngët dhe vallet me çifteli, gdhirja e një nate pa gjumë, bile mbahen mënd dhe stallat e kuajve si dhe tagjia që u jepej me misër e tërshërë Drini. Në Gjinaj Isa Boletinin dhe trimat e tij i priti Rexh Zyberi. Kurse në Kukës ai qëndroi tek Sul Elezi. Në Bicaj u ndal tek Nexhip Ahmeti. Më pas në Kolesian Isa Boletini qëndroi tre netë tek miku i tij Islam Spahiu. Me tej vazhdoi në Ujmisht, në Kala të Dodës dhe pastaj në Dibër tek Elez Isufi. Prej Dibre delegacioni vazhdoi udhëtimin duke marrë me vete Myfit Efendinë. Konakun e parë e bën në Dorovë, të dytin në Rrapun dhe të tretin në Elbasan. U kalua nata e parë në Belsh, në Lushnje, kaluan lumin në Mbrostar dhe me natë kaluan Fierin. Dhe më 28 nëntor u nisën për në Vlorë. Populli i Vlorës i doli përpara në Nartë. Tek Sheshi i Flamurit i priti Ismail Qemali.

Për gjeniun Ismail Qemali, për heroin Isa Boletini e për firmëtarët e Shpalljes së Pavarësisë është folur shumë. Por janë lënë në harresë dy trimat e Ismail Qemalit, Halim Bajgore dhe Ahmet Llapi. Ishte vetë Ismail Qemali që i kërkoi Isa Boletinit dy trima nga Kosova, që t’i bënin roje tek dera e selisë. Dhe Isa Boletini zgjodhi për tek dera e kryeministrit dy nga 400 kalorësit. Halim Bajgoren dhe Ahmet Llapin. Ata do t’i shërbenin Ismail Qemalit për të siguruar hyrjet dhe daljet. Kurse kalorësit e tjerë ishin rrotull Selisë. Dy kosovarët që rrinin tek dera ishin të veshur me kostum kombëtar e me kapuç në kokë. Halimi dhe Ahmeti ishin të gjatë si lisat e Mitrovicës. Ata e nderonin Ismail Qemalin kur hynte dhe dilte, zonjën e tij Kleoniqin dhe anëtarët e qeverisë.

Po përse Ismail Qemali zgjodhi dy kosovarët e Isa Boletinit e jo djemtë e Vlorës. Atë e dinte gjeniu. Ishin kohë të vështira. Dhe Halim Bajgore dhe Ahmet Llapi si dy shqiponja i bën sytë katër. Besnikët e Isa Boletinit kontrollonin hyrjet e daljet, dallonin “spiunët”, ata që ishin me armë të ndaluara e kush ishte mik e kush thikë. Edhe kur zonja e Ismail Qemalit, Kleoniqi u nxirte kafe ata e merrnin dhe nderonin sipas kanunit në Kosovë. Halimi i hiqte pallton Ismail Qemalit e Ahmeti i zgjidhte lidhësat e këpucëve. Letrat që ua jepte Ismail Qemali ja çonin me një frymë Isa Boletinit, i cili një pjesë të kohës e kalonte tek Teqeja e Kaninës ngaqë nuk i duronte dot mushkonjat. Tek paradhoma e Ismail Qemalit dhe në kabinetin e tij si Kryeministër të mos lëvizej asnjë shkresë e asnjë libër, qoftë dhe një centimetër. Dhe në mëngjes kur hynte në kabinet Kryetari i Qeverisë nuk i uli kurrë qepallat. Dy trimat ishin në krye të detyrës. Halimi dhe Ahmeti vepronin me kode me kalorësit e tjerë të cilët e siguronin Selinë rreth e përqark. Askush nuk e ngrinte zërin gjatë natës aty ku flinte Ismail Qemali (këpucët me gomë ua kishte zgjedhur Isa Boletni). Shqiponjat e Mitrovicës i siguronin armët kur hynin e delnin ministrat dhe diplomatët e huaj(ata të shihnin gjithçka dhe tek ata të mos dukej asnjë send). Ishin të sjellshëm me vlonjatët, por të rreptë me “cubat”, bile dhe me kushërinjtë xheloz të Ismail Qemalit.

Halim Bajgore dhe Ahmet Llapi shikonin shumë në shtëpinë që në atë kohë quhej Selamllëk(banesa e burrave ku priteshin mysafirët) e që u kthye në Selinë e Qeverise se Ismail Qemalit. Ata ishin njerëzit më me fat në ato ditë të Shpalljes së Pavarësisë. Prekën të parët flamurin e qëndisur nga Marigoja. Dëgjuan nga Ballkoni këngën labe :-/Kush je ti o Lule – Djali/ /që na vjen nga Shqipëria?// “Unë jam Ismail Qemali/ /Prapa më vjen historia/. Halim Bajgore dhe Ahmet Llapi u dhanë dorën e i nderuan ministrat Dom Nikollë Kaçorrin, Petro Pogën, Myfit Libohovën, Abdi Toptanin, Pandeli Calen, Luigj Gurakuqin, Mehmet Dërrallën dhe Lef Nosin. Thuhet gjithashtu se të dy kalorësit kanë shkëmbyer mendime me poetin Ali Asllani. Të dy rojet tek dera dëgjuan Ismail Qemalin që fliste në mbledhjen e Qeverisë(tek dera e kabinetit kontrollonin për armë dhe ministrat). Shpesh filsnin me djemtë e Ismail Qemalit, të cilët i shikonin me kureshtje edhe për shkak të kostumeve kombëtare të Kosovës. Ishin me shërbim edhe kur shtroheshin sofrat me ushqime për miqtë e Ismail Qemalit. Me dylbitë e Isa Boletinit që nga Ballkoni vëzhgonin kodrën në Kuz – Baba si dhe çukat për rreth. Në çdo takim u mahnitën me zonjat dhe bejlereshat e bukura, por kurrë nuk i vështruan me syrin e tinzarit. Shumë herë e panë Ismail Qemalin të ngrysur, por kurrë nuk e dëgjuan ta ngrinte zërin. Kur hynte e dilte Isa Boletni plakut të Vlorës i qeshej nuri. Të dy burrat e kombit rrinin bashkë me orë të tëra. Halimi dhe Ahmeti me duart e tyre ngritën valixhet kur Ismail Qemali, Isa Boletini dhe delegacioni u nis për në Londër. Që nga Ballkoni vështronin sheshin e Flamurit që ditë për ditë ishte i mbushur me lebër e me shumë të tjerë, të cilët vinin nga të katër anët e vendit për të parë Ismail Qemalin. Në vitin 1913 Ismail Qemali ka qënë në Mesaplik dhe në Vranisht të Lumit të Vlorës. Nuk e dimë saktësisht se sa qëndruan Halim Bajgorja dhe Ahmet Llapi në shërbim të Ismail Qemalit. Thuhet se ata e kanë shoqëruar Ismail Qemalin për në Vranisht të Vlorës, ku ai shpuri dhe abetaren e parë. Por asgjë nuk është shkruar. Kam banuar në një lagje me Kristo Frashërin dhe e kam pyetur për kosovarin që është në foton e vitit 1913 në Ballkon me Ismail Qeamlin dhe me figura të tjera të Shpalljes së Pavarësisë. Mos është njëri nga rojet kosovarë, Halimi ose Ahmeti, të cilët i caktoi tek dera Isa Boletni? Por Frashëri i madh nuk më jepte përgjigje. Vetëm mendohej dhe e pinte filxhanin e kafesë me ngadalë sikur ai të ishte plot një ibrik.

Një miku im, novelisti Namik Jahaj, po shkruan një novelë për Halim Bajgoren dhe Ahmet Llapin. Shpresoj që të dal një gjë për hajër. Dy rojet fisnik të Isa Boletinit panë shumë dhe e ruajtën sekretin. Edhe kur Çerçiz Topulli dhe Sali Vranishti u vunë nën komandën e Ismail Qemalit të dy kalorësit besnik vazhduan detyrën sipas urdhërave të Isa Boletinit. Në mbrëmje tek Teqeja e Kaninës, ku pushonte Isa Boletni këndonin këngë me çifteli. Këndohej dhe kënga për Isa Boletinin:-/Isa Begi asht dalë me ikë/ /Tu mirë mbeç, moj Mitrovicë!/ Asnjëri nga kalorësit nuk vinte alkol në gojë. Ishin aq të përkushtuar për detyrën sa akush nuk ngacmoj ndonjë femër. S’u dëgjua një gjysëm fjale. Ata preferonin kafet buzë detit(kanë bërë dhe fotografi, por nuk dihet se ku kanë përfunduar ato). Me pëlqimin e Isa Boletinit janë ngjitur dhe në krojet e Llogorasë(por jo më tutje se andej ishin grekërit). Pas Ismail Qemalit kanë shkuar për gjueti gjer matanë Shashicës e në Kotë. Halim Bajgore e Ahmet Llapi “e ndalonin frymën” gjersa pas mesnate Kryeministri flinte gjumë. Natën askush nuk lejohej t’i afrohej bulevardit, ku ngrihej Selia e Kryeministrisë. Rreth e përqark godinës ishte gardhi i kalorësve të tjerë. Kot thonë se Garda është krijuar në vitin 1928. Jo. Atë e krijoj Ismail Qemali dhe Isa Boletini qysh në vitin 1912. Këtë e thotë dhe kënga labe për Ismail Qemalin kur ai shkoi në Londër: – /Dua nja dy djem me vete/ /“gjoja si për tregëti”/. Ka shumë të pashkruara e të pazbuluara nga ajo periudhë e artë e Ismail Qemalit. Halim Bajgore dhe Ahmet Llapi ishin dy kalorës të pabujshëm.

Kanë kaluar 104 vjet që nga dita kur dy trimat e Isa Boletinit u caktuan si roje tek dera e Ismail Qemalit. Realisht ata janë gardistët e parë e pse jo dhe yjet e parë të shërbimit inteligjent. Populli i Vlorës nuk i harron të 400 kalorësit e Isa Boletinit, që u vunë në shërbim të Ismail Qemalit. Pas kaq brezash kalorësit janë kthyer në legjendë. Për ta tregohen rrëfenja. Kujtimet që nuk u shkruan kurrë për Halim Bajgoren dhe Ahmet Llapi ata i morën me vete. Po ç’u bë më vonë me ta? A dihen ku i kanë varret? Ndonjë tufë me lule a vendoset aty ku ata prehen? Mos meritojnë një libër me vete? Kalorësit nuk janë përmendur dhe në përkujtimet që bëhen në Vlorë pasardhësit e tyre nuk ftohen. Po kush janë pasardhësit? Pse nuk ka një pllakë përkujtimore për Halim Bajgoren dhe Ahmet Llapin? Nuk është dhënë ndonjë medalje e të shkruhet për ta një dokumentar. Harresa nuk është e mirë. Për Shpalljen e Pavarësisë janë bërë filma, janë shkruar libra, është shkruar nëpër gazeta, janë ngritur me dhjetra këngë dhe është folur nëpër mitingje. Por Halim Bajgoren dhe Ahmet Llapin askush nuk i zë në gojë. Nuk ka për ta një përmendore. Nga cili vis i Kosovës ishin? Pse të mos ketë në Vlorë një rrugë me emrin e tyre. Po kështu edhe në Prishtinë. Ata ishin kosovarë të thjeshtë, por lanë emër të mirë pas. Mbahen mënd si dy engjëj në Vlorën heroike ku u shpal Pavarësia. Duam apo nuk duam ne ata kanë marrë përmasa mitike. Për ta duhet qëmtuar më shumë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here