Nga Pëllumb Xhufi: Botuar në DITA

Emri dhe fama e Gjergj Kastriot Skënderbeut, e kthyen heroin në një referencë historike dhe element identifikimi kombëtar e kulturor për shqiptarët e të gjitha kohërave, të të gjitha viseve e të të gjitha besimeve.

E provon këtë arvaniti Gjon Erakli, nga Mani i Peloponezit, i cili në vitin 1557 mburrej përpara Papës se ishte kushëri i Gjergj Kastriotit (il nostro parente Giorgio Castrioto detto Schindorvechi); e dëshmojnë ata krerë të Arbrit të Jugut, që në 1577 i prezantoheshin papës Gregor XIII si bashkëkombas “të mbretit tonë Skënderbe” (Scanderbech, noster Rex); e dëshmojnë po ashtu pjesëmarrësit e Kuvendit të Dukagjinit të vitit 1602, të cilët betoheshin “të rifitonin lirinë e dikurshme që gëzonin në kohën e Princit të tyre Skënderbe”; e dëshmon organizatori i paepur i kryengritjeve antiosmane, Mark Gjini, që nuk linte rast pa kujtuar që gjyshi i tij kishte luf.tuar nën urdhrat e Skënderbeut; e, në fund, e dëshmon edhe Mahmud Pashë Bushatlliu i Shkodrës, i cili në prag të Rilindjes Kombëtare e shpallte veten pasardhës të Skënderbeut dhe imitues të veprave të tij: të gjithë këta e njihnin Skënderbeun si demiurg të tyre, si model e, në fund të fundit, edhe si faktor që lehtësonte kontaktet me kanceleritë e Perëndimit.

Shumë më të vështirë e patën pasardhësit Kastriotë, të cilëve, përveç privilegjit si trashëgimtarë të emrit e të lavdisë së Heroit, u binte edhe barra e rëndë e matjes me bëmat e tij. Në fakt, asnjë prej tyre nuk e pati gjeninë e Skënderbeut e nuk u ngrit dot në lartësinë e kryeparit.

I biri, Gjon Kastrioti, në vitin 1481 u dërgua në Shqipëri nga mbreti Ferrante i Napolit për të ndezur aty zjarrin e kryengritjes antiosmane. Por dëshmitë e kohës heshtin për të, ndërsa ngrenë në qiell trimëritë e fitoret ushtarake të kapitenëve shqiptarë që e shoqëruan në atë aventurë, të Kostandin Muzakës, kushëri i Gjonit, e të Krokodil Kladës nga Mani i Peloponezit.

I biri i Gjonit, Gjergj Kastrioti, tentoi të shkëlqejë aty ku kishte shkëlqyer gjyshi i tij legjendar, e ku në 1481 kishte dështuar i jati. Por, ky Gjergj qëndronte shumë larg Gjergjit të parë. Bashkëkohësit rrëfejnë se ishte i dhënë pas jetës mondane, i pëlqente të shpenzonte e të vishej bukur (bel vestito).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here