Zhvillimi industrial, sidomos në shekullin e 20 bënë që nafta të kthehej në burimin parësor të energjisë. Në këtë mënyrë, në shumë vende të botës nisin kërkimet për naftë, e si rrjedhojë edhe në Shqipëri bëhen studimet e para.

Për herë të parë, sinjalet për prezencë nafte në Shqipëri u dhanë nga një francez në vitin 1868. Gjeologu Henri Coquard bëri një studim ku sinjalizonte se në zonën përreth minierës së bitumit në Selenicë të Vlorës ku prej shekujsh nxirrej bitum natyror, konstatohej prezencë gazi dhe nafte.

Më pas, në vitin 1905, gjeologu italian Alessandro Martelli bën një studim të detajuar për minierën e Selenicës  ndërsa në vitet 1910-1912 publikon studime të ndryshme për pasuritë në rrethinat e Vlorës.

Miniera e Selenicës, viti 1905, foto e Alessandro Martelli

Në vitin 1913 një ekip prej 7 profesorësh italianë viziton Shqipërinë për t’a studiuar potencialin e saj natyror. Dy prej tyre, bëjnë një studim të tokës shqiptare në zonën mes Durrësit, Elbasanit e Vlorës dhe sinjalizojnë për herë të parë prezencën e naftës në zonën e Beratit.

Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore solli në Shqipëri ushtritë italiane, austro-hungareze e franceze. Pjesë e trupave ushtarake ishin edhe gjeologë të njohur të shteteve respektive, misioni i të cilëve ishte i qartë.

Në këtë mënyrë, ushtria italiane që kishte në administrim Vlorën sapo erdhi në territorin shqiptar konstatoi një fenomen interesant në zonën e Sherishtës në Vlorë; ‘burimet e ujit merrnin me vete në rrjedhën e tyre edhe naftë të rëndë!’.

Në këtë mënyrë, Marina Italiane sjell në Shqipëri një komision teknikësh nafte dhe gjeologë që realizojnë një studim gjeologjik dhe tektonik mes Vjosës dhe gjirit të Vlorës, duke dalë në konkluzionin e zgjedhjes së një pike se ku do të realizohej gërmimi i parë apo sondimi për nxjerrjen e ‘arit të zi’.

Si dhe kush e bëri gërmimin e parë të naftës në Shqipëri? Misteri që krijoi studimi që u mbajt i fshehur deri në vitin 1924

Në fillim të vitit 1918, ekipi i kryesuar nga gjeologu Leo Maddalena dhe inxhinieri i shpimeve të naftës Odoardo Amoretti instaloi një kantier në fushën e Drashovicës në Vlorë, që u përzgjodh si pika më e përshtatshme.

Rezultatet e sondimit për naftë ishin shumë interesante pasi nuk u nevojit gërmim më i thellë se 200 metra për të arritur në burimin e naftës.

Prodhimi ditor ishte 3 mijë litra në ditë. Kjo konsiderohej si një rezultat me rëndësi shumë të madhe sepse ishte konfirmuar studimi se Shqipëria kishte burime nafte që mund të plotësonin kërkesën e lartë që vetë hekurudhat dhe industria italiane kishte për këtë lëndë.

Zbulimi u tentua të mbahej i fshehtë dhe nuk u publikua deri në vitin 1924, por ndërkohë fjalët kishin qarkulluar ndërkombëtarisht duke ndezur ato që mund të konsideroheshin si ‘ethe per arin e zi shqiptar’

Por Lufta e Vlorës në vitin 1920 do të sillte largimin e italianëve e si rrjedhojë edhe një ndërprerje të procesit të nxjerrjes së naftës e të kërkimeve të mëtejshme.

Vetë italianët, në artikujt e publikuar në vitin 1942 do të hidhnin dyshime se në këtë largim të dhunshëm të tyre kishte ndikuar dhe Britania, por që nuk kishin një fakt për ta provuar këtë pretendim.

Në këtë mënyrë, zbulimi i naftës e kishte kthyer Shqipërinë në qendër të interesave të shteteve me industrinë më të zhvilluar, që nuk hezituan menjëherë të nisin diskutimet me qeverinë e parë shqiptare të ardhur nga paslufta.

Në këtë mënyrë, Shqipëria u kthye në një vend ‘pelegrinazhi’ për shumë përfaqësues të kompanive më të njohura ndërkombëtare të naftës dhe të shumë gjeologëve. Fakti që gjeologu Leo Maddalena, që kishte bërë studimin e plotë të ecurisë së nxjerrës së parë të naftës, nuk ishte publikuar ende, ngrinte edhe më shumë mister rreth potencialit të vërtetë prodhues të naftës që paraqiste Shqipëria. E veç misterit, thashethemet prodhuan diskutime e hipoteza të shumta.

Shqipëria cilësohet si “Mesopotamia e Re”. Rumunët të frikësuar nga ‘tharja’ e burimeve!

Asokohe, sikurse shkruan studiuesi Veniamin Toçi te “ Ndërhyrja e kapitalit të huaj”, pas këtij zbulimi  Shqipëria u emërtua si “Mesopotamia e re”, duke e krahasuar me Irakun që konsiderohej deri me atëhere si një ndër burimet më të mëdha të naftës, pasi ende nuk ishte zbuluar prezenca e saj në Arabinë Saudite që tashmë përbën prodhuesin kryesor në botë.

Në listën e studimeve, ishte edhe një lidhje që studiuesit bënin mes naftës së zbuluar në Shqipëri dhe asaj në Rumani. Kjo solli disa hipoteza se nafta në Rumani lidhej me shtresat nëntokësore të Shqipërisë në Adriatik.

Si rrjedhojë, kjo solli një valë reagimesh në shtypin rumun nga politikanë dhe biznesmenë që shfaqnin shqetësimin se nxjerrja e naftës nga Shqipëria do të sillte tharjen e puseve në Rumani. Por ky debat do të rezultonte i pabazuar në fakte dhe nuk bëri sens, e si rrjedhojë nuk avancoi më tej.

Përfundimi i Luftës së Parë Botërore, krijimi i një qeverie shqiptare dhe dalja e informacionit se Shqipëria po prodhonte naftë, e sidomos etiketimi si “Mesopotamia e re” ngjalli interesin e kompanive më të mëdha ndërkombëtare që erdhën në Shqipëri. Për herë të parë, në vitin 1920 në Shqipëri u krijua Zyra shtetërore për pasuritë natyrore, që përfshinte edhe kërkimet e naftës, e drejtuar nga inxhinieri Giovanni Ineichen për 4 vitet e para.

Si u ndanë koncesionet e para të naftës në Shqipëri? Totali i sipërfaqes ku do të kërkohej naftë arriti në 379 mijë hektarë

Pa përmendur debatet e shumta politike, ecurinë e shpejtë të Shqipërisë për anëtarësim në Lidhjen e Kombeve, rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet apo konkurrencën e fortë mes kompanive e shteteve, deri në vitin 1925 ne territorin shqiptar u dhanë këto koncesione për kërkim dhe nxjerrje nafte:

Koncesioni i ‘Anglo-Persian Oil’ (sot British Petroleum): 200 mijë hektarë për kërkim dhe 50 mijë hektarë për shfrytëzim.

Koncesioni përfshinte zonën në të djathtë të rrjedhës së poshtme të Semanit, zonën e Buzmadhit dhe atë të Patosit.

Koncesioni për Hekurudhat e Italisë. Për këtë qëllim u krijua shoqërinë AIPA (Azienda Italiana Petroli Albania) që përfshinte 50 mijë hektarë për kërkim dhe 30 mijë hektarë për shfrytëzim. Koncesioni përfshinte zonën nga e majta e rrjedhjes së poshtme të Semanit deri në Gjirin e Vlorës, duke përfshirë dhe Selenicën, zonën e Lushnjes dhe Kuçovën

Koncesioni i SIMSA apo ‘Societa Italiana Miniere di Selenizza’. Kontrata parashikonte 2 mijë e 140 hektarë për kërkim dhe 800 hektarë për shfrytëzim që përfshinte zonën e Penkovës dhe atë të Selenicës, të dyja në Vlorë.

Koncesioni për ‘Standard Oil Kompani” . Kjo kompani amerikane ishte ndër kompaninë më të mëdha në botë për naftë. Koncesioni përfshinte 80 mijë hektarë për kërkim dhe 50 mijë hektarë për shfrytëzim, në dy zona të shkëputura.

Zona e parë ishte në ultësirë nga Karavastaja deri në plazhin e Vlorës ndërsa zona e dytë ishte në lindje të qytetit të Durrësit.

Koncesioni për “Herbert dhe Rushton: (britanik) parashikonte 20 mijë hektarë për kërkim dhe 10 mijë hektarë për shfrytëzim, që përfshinte zonën ndërmjet Patosit dhe Fierit.

Koncesioni për Sindikatën Franko-Shqiptare parashikonte  12 mijë hektarë për kërkim dhe 30 mijë hektarë për shfrytëzim. Ky koncesion u dha për hapësirat që nuk ishin zëna nga koncesione e tjera, e parashikonte toka përgjatë luginës së Shushicës  si dhe në dy zona të veçanta, njëra në Shkodër dhe tjetra në Korçë.

Nëse analizojmë totalin e sipërfaqes së tokës që ishte dhënë me koncesion për eksplorim dhe nxjerrje nafte, bëhej fjalë për rreth 379 mijë hektarë, e llogaritur në atë kohë në rreth 13 përqind të të gjithë territorit të Shqipërisë. Nga këto, shteti shqiptar arkëtonte një tarifë fikse prej 1.50 franga ari për hektar dhe  13.5 % të vlerës së prodhimit të nxjerrë. Këto konsideroheshin si tarifa të larta por që vinin si rrjedhojë e konkurrencës.

Mospërmbushja e parë e kushteve kontraktuale erdhi nga amerikanët e Standard Oil dhe britanikët e Herbert&Rushton që ende pa bërë asnjë kërkim ose gërmim në zonat që kishin marrë në koncesion, njoftuan tërheqjen nga këto të drejta të siguruara pas shumë përpjekjesh.

Britanikët e Anglo Persian, që e kishin nisur punën nga 14 tetori i vitit 1925, në pranverën e vitit 1930 ndaluan punën e tyre. Deri në këtë periudhë, ata kishin arritur të bënin 14 gërmine, duke arritur thellësi deri në rreth 11 mijë metra dhe u përqendruan vetëm në zonën e Patosit ku kishin evidentuar burimin primar, duke mos i eksploruar zonat e tjera që përfshinte koncesioni i tyre. Pasi përfundoi periudha 5 vjeçare, ata braktisën përfundimisht programin e tyre në Shqipëri duke u  tërhequr.

Sindikata Franko-Shqiptare, që ishte krijuar nga “Credit General des Petroles”,  pavarësisht shtrirjes së gjerë gjeografike që parashikonte koncesioni, u përqendruan vetëm në 3 sondime. Në vitin 1932, Sindikata ndërpreu punimet për t’i rimarrë në vitin 1935, si rrjedhojë e ndërhyrjes financiare të AIPA-s italiane.

Në këtë mënyrë, kërkimet e para dhe nxjerrja e parë e naftës në Shqipëri u përqendruan vetëm te italianët. dita

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here