Duke sunduar me grusht të hekurt që në fillimin e atij që u quajt Rajhu i Tretë, Adolf Hitleri njihej për brutalitetin e tij, së bashku me botëkuptimin e tij antisemit dhe racist, se ekzistonte një “racë mjeshtërore”, Arianët, që duhej ta dominonin planetin. Kjo nxiti atë që më vonë u bë i njohur si Holokausti, një gjenocid sistematik që shkaktoi vdekjen e 6 milionë hebrenjve në Evropë dhe 5 milionë jo-hebrenjve të tjerë.

Ndërsa janë tashmë të njohura tmerret e papërshkrueshme, ideologjitë e urrejtjes dhe reputacioni i Hitlerit si një diktator fashist i çmendur, shumëkush mund të mos e dijë se ai ishte edhe një njeri shumë supersticioz. Siç e shpjegoi profesori i Universitetit Stetson Erik Kërlander në një artikull shkencor të vitit 2020 të botuar nga “The Quarterly Journal of Military History”, fiksimi i dukshëm i Hitlerit pas okultizmit – që e kishin edhe shumë nazistë të tjerë të rangut të lartë – i nxiti ata të kërkonin disa objekte misterioze.

Në përgjithësi, për këto artefakte të supozuara, flitej në mitet e lashta apo në tregimet e çuditshme. Por një mision në veçanti – kërkimi për eshtrat dhe thesarin e mbretin visigot Alariku I, i njohur më gjerësisht si Mbreti Alarik – do të ishte i pafrytshëm.

Por pse nazistët ishin aq supersticiozë? Dhe çfarë lidhje kishte bindja e tyre me thesarin e supozuar të Mbretit Alarik? Dhe nëse ekziston, pse nazistët dështuan ta zbulonin? Krerët e regjimit nazist si Adolf Hitler dhe udhëheqësi i SS, Hajnrih Himler, ishin të fiksuar pas astrologjisë dhe misticizmit.

Ata mbanin shpesh me vete parashikimet e personalizuara të astrologjisë por edhe një koleksion objektesh mistike, të cilat do t’i nxisnin të nisnin gjuetinë e thesarit nëpër Gjermani për artefakte të lashta. Kështu, Himler nisi një ekspeditë në vitin 1940 në Spanjë për të gjetur Gralin e Shenjtë.

Po ashtu, Himler urdhëroi arkeologët gjermanë që të kërkonin çekiçin që i atribuohej Thor, hyjnia kryesore e mitologjisë norvegjeze. Mund të thuhet se ky i fundit ishte më i përfshirë në konceptet e misticizmit dhe ezoterizmit sesa Hitleri. Këto koncepte mbështetnin besimin e tij mbi ekzistencën e një race gjermane supreme.

Himler lexonte shpesh historinë e lashtë dhe mitet gjermane dhe synonte ndërtimin e botës së re, të themeluar mbi një përzierje që përmbante pjesë të mësimeve të krishtera dhe gnostike, si dhe elemente të kulturës gjermanike para–kristiane.

Madje ai e cilësonte trupën e SS si përfaqësues të Kalorësve Teutonikë, një urdhër i formuar në Evropë në kohën e kryqëzatave, dhe që kishte shumë ngjashmëri me Kalorësit Tempullarë. Kërkimi që kreu regjimi nazist për këto thesare të lashta, i çoi ata edhe në misionin e dështuar për zbulimin e thesarit të Mbretit Alarik.

Në fundin e shekullit IV Pas Krishtit, po vlonin tensionet midis Perandorisë Romake Perëndimore dhe udhëheqësve të fiseve gote. Në atë kohë, Roma Perëndimore ishte një vend i pasigurt në krahasim me epokën e Jul Cezarit dhe të perandorit August.

Për të shmangur një pushtim të mundshëm pas asaj që historianët e quajnë si Lufta Gotike, gotët ranë dakord të vendoseshin në Ballkan, por si aleatë, jo si qytetarë zyrtarë të perandorisë. Mjerisht, kjo i dha mundësi Perandorisë Romake t`i shfrytëzonte gotët, sidomos kur bëhej fjalë për rekrutimin e detyrueshëm në Ushtrinë Romake. 

Në vitin 395 kur forcat e udhëhequra nga mbret visigot Alariku I, nisën një luftë kundër sundimtarëve të tyre romakë, ata nuk u ndalën deri në vitin 410 pas Krishtit, pas disa negociatave të dështuara dhe armëpushimeve gjithnjë të shkelura. Alariku e sulmoi 2 herë me sukses Romën.

Por, ajo që i tërhoqi nazistët tek Mbreti Alarik kishte shumë pak të bënte me faktet historike. Fiksimi i tyre pas mbretit Alarik kishte të bënte me thesarin e humbur të udhëheqësit visigot, që supozohet se u zhduk pas vdekjes së mbretit në fillimin e shekullit V gjatë një fushate ushtarake.

Përpara se Hitleri të bëhej udhëheqës i Gjermanisë, ekonomia gjermane ishte në kaos për shkak të humbjes së saj në Luftën e Parë Botërore. Me ardhjen në pushtet në vitin 1933, Hitleri ndihmoi në rigjallërimin e sistemit financiar të Gjermanisë nëpërmjet kompleksit të saj ushtarako-industrial, dhe bashkimin e Gjermanisë kundër popullsisë së saj hebreje, që ishte e privuar nga të drejtat.

Ndërsa nazistët rrëmbyen sasi të mëdha ari nga hebrenjtë, donin akoma më shumë nga metali i rrallë, dhe kjo çoi në kërkimin e thesarit të humbur të mbretit Alarik. Hitleri caktoi Himlerin dhe grupin e tij SS për të kërkuar dhe gjetur varrin e mbretit Alarik, ku ata besonin se ndodhej edhe pasuria e tij e madhe.

Ata supozuan se vendi i prehjes së Alarikut ishte diku afër qytetit kalabrez të Kozencës në Italinë e Jugut, ku tregime të ndryshme historike kishin aluduar se ai ishte vendvarrimi i tij. Por, pavarësisht se punoi me një ekip arkeologësh, Himler nuk arriti të gjente as varrin dhe as thesarin e Alarikut përpara rënies së Rajhut të Tretë në vtin 1945. 

Por kjo nuk do të thotë se ai nuk po kërkohet nga eksplorues të tjerë. Në vitin 2015, arkeologët italianë të Universitetin e Kalabrisë, nisën kërkimet e tyre për të gjetur thesarin e Mbretit Alari. Por deri më sot nuk kanë zbuluar as varrin dhe as thesarin e udhëheqësit të madh visigot. / Grunge – Bota.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here