6.1 C
Pristina
Monday, May 16, 2022
Home HISTORI/ARKEOLOGJI Jorgji (Babë Dudë) Karbunara, mësues shqiptar, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së...

Jorgji (Babë Dudë) Karbunara, mësues shqiptar, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë

Jorgji (Babë Dudë) Karbunara ishte mësues shqiptar, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Lindi në lagjen Kala në Berat më 22 prill 1842 me emrin Jorgji Karbunara. Shqipen e shkruar e mësoi fshehur me abetaren “Evëtari” të Naum Veqilharxhit, mbërritur në Berat më 1845, një kopje e së cilës ruhej në shtëpi. Jorgji mësoi në shkollën greke “Dhimotikon” në Kala, hapur në 1780, ku mësues i parë kishte qenë Kostandin Berati, autor i shqipes së shkruar me alfabet grek (1768). Në këtë shkollë ku mësohej shkrim, këndim, matematikë, fe, histori, gjeografi, fillime të gjuhëve frëngjisht, latinisht, italisht etj., Jorgji Karbunara mbaroi filloren. Ra në sy të miqve të familjes për zgjuarsi, që e çuan për studime jashtë, së pari në Korfuz në një shkollë 2-vjeçare. Një tjetër mik i familjes, tregtari i madh beratas Kristo Xhymyrteka, që zhvillonte tregti deri në Vjenë, e shkolloi me shpenzimet e veta më 1859 në gjimnazin klasik të Triestes së Italisë për 4 vjet. Me mbarimin e studimeve u rikthye në Berat në 1863. Ato vite në Berat jetoi 2 vjet Naim Frashëri e më pas, më 1885, erdhën Kostandin Kristoforidhi dhe Hasan Tahsini me mision, ngritjen e shkollave në gjuhën shqip. Kristoforidhi ka lënë në shënimet e veta pagesat e beratasve patriotë si ndihmë për punën e gjuhës shqipe.
Ishin vitet kur gjuha shqipe nuk lejohej të mësohej nga xhamitë e kishat, ndërsa revoltat zienin në bisedat, në çdo dyqan e familje. Babë Duda nisi të mësonte në kishë shqip, por kjo iu ndalua, ndërsa shqiptarizmi i theksuar i tij ra në sy të turqve. Kur beratasit çelën degën për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e zgjodhën anëtar të komitetit. Kështu bashkë me mësimin e shqipes, nisi rruga politike e tij për çështjen kombëtare.
Me mbërritjen në 1897 në Berat të “Alfabetarja e gjuhës shqip” e Jani Vretos, vetë Jorgji Karbunara u mësonte fshehur gjuhën shqip djemve, burrave e më pas edhe vajzave. Me mësimin e gjuhës shqip nisi dhe kalvari i ndjekjeve nga turqit, që rritën presionet pas hapjes së shkollës së parë shqipe në Korçë. Në një nga numrat e gazetës së përditshme “Terxhuman-I Shark” që drejtonte në Stamboll Sami Frashëri, shkruhet :”…në Berat, Jorgji Karbunara me të tjerë bënë përpjekje për të çelur shkollën shqip, por nuk u bë e mundur për shkak të terrorit të egër të qeverisë turke dhe inkuizicionit të Fanarit…”. Përpjekjet për mësimin e shqipes nga Babë Duda u bënë të njohur në qarqet patriotike shqiptare jashtë vendit. Në 3 dhjetor 1902, Babë Duda me një letër drejtuar Nikolla Naços (drejtor i një shkolle të mesme arumune në Bukuresht), i kërkonte të ndërhynte për t’u arsimuar atje djem beratas, që në kthim të organizonin shkolla në Berat (AQ, Fondi Nikolla Naco, Dosja nr. 4, nr. 11). Ndërsa Jani Vreto i shkruan beratasit Sotir Kolea në Ohër, më 12 dhjetor 1892 se “… edhe Jorgji Karbunarës në Berat, i cili përpiqet të vërë gjuhën e vendit, shqipen ndë skolitë edhe këtij do ti shkruanj një kartë veçan…”. Shqiptarizmi i theksuar i tij ra në sy të turqve, të cilët më 1895 i dogjën shtëpinë në Berat. Më 1898, Babë Duda u bë nismëtar në krijimin e degës së shoqërisë “Bashkimi” në Berat. Punoi për shpërndarjen e librave në gjuhën shqipe. Me ndërhyrjen e shoqërisë së shqiptarëve të Bukureshtit, më 1898, u çel gjimnazi arumun me drejtor mësuesin e diplomuar në Bukuresht, Llambi Goxhomani. Trupi mësimor kishte drejtor Llambi Goxhomani dhe mësues Babë Dudë Karbunara, Llazar Kilica, Llazar Puli dhe Aleksandër Xhuvani, ku studionin djem dhe vajza e mësohej shqipja fshehurazi.
Më 1906, Berati u përfshi nga lëvizjet popullore në përgjigje të Kongresit të fshehtë shqiptar të Bajo Topullit, çetat e Baba Medin Gllavës dhe Kamber Velabishtit lehtësuan shpërndarjen e librave dhe gazetave shqip, dërguar nga shoqatat e shqiptarëve në Bukuresht, dhe Misirit (Kajros). Si ndërlidhës kujtohet dhe Babë Duda. Që ditën kur u shpall Kushtetuta Turke më 1908, patriotët beratas hapën shkollën shqipe në katin e fundit të një dyqani, të drejtuar nga Babë Duda e ku mësonin fillimisht 55 nxënës. Gjatë viteve 1911-1912, Babë Duda luftoi me atdhetarë për rritjen e lëvizjes së armatosur. Më 23 korrik 1912 u mblodh Kuvendi i Sinjës me përfaqësues të çetave kryengritëse të Jugut, mes tyre dhe Babë Duda. Memorandumi i Sinjës synoi pavarësinë e Shqipërisë. Në këtë frymë patriotike erdhi Kuvendi i Vlorës. Beratasit në vlerësim të veprës së mësuesit të shqipes e zgjodhën 72-vjeçarin Jorgji Karbunara delegat në Kuvendin e Vlorës të 28 nëntor 1912 ku edhe nënshkroi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Kuvendi e zgjodhi dhe anëtar të “Pleqësisë”. Periudha pas Pavarësisë që kaloi ishte shumë e vështirë për Babë Dudën. Mësuesi atdhetar, përfaqësues i Beratit në Kuvendin e Vlorës në moshë të thyer u torturua mizorisht nga mercenarët e Esat Toptanit. Nga dhuna e tyre, Babë Duda ishte në gjendje të rëndë shëndetësore deri në fund të jetës. U nda nga jeta më 17 dhjetor 1917, në moshën 75-vjeçare.
Në shenjë mirënjohjeje populli i Beratit, më 27 nëntor 1937, i ngriti Babë Dudës bustin e mermertë, vepër e skulptorit Dhimitër Çani, në sheshin e vogël që sot mban emrin “Babë Duda”. Babë Dudë Karbunara është nderuar me titullin e lartë “Mësues i Popullit”. Një nga shkollat e mesme të qytetit të Beratit mban emrin “Babë Dudë Karbunara”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Turma që iu fut valles deri në vdekje: Murtaja e kërcimit që tronditi Strasburgun

Në vitin 1518, një “'murtajë kërcimi" bëri që banorët e qytetit francez Strasburg, që thuhet se kërcenin në mënyrë të pakontrolluar për...

Nga e hëna në të diele, mësoni oraret më të mira për të postuar në Instagram

Mediat sociale vërshojnë jetën tonë! Patjetër që për të hyrë në procesin e leximit të këtij artikulli, ju keni llogarinë tuaj personale...

Ilaçi që zhduk zbokthin

I keni provuar të gjitha medikamente kundër zbokthit dhe nuk keni gjetur shërim? Nëse jeni mërzitur nga ky problem...

Nëse bojleri juaj bën këtë zhurmë, hiqeni menjëherë nga priza

Në rast shpërthimi, bojleri mund të shkaktojë dëme të mëdha materiale apo edhe të marrë jetë. Sipas ekspertëve, bojleri mund të shpërthejë...

Recent Comments