GRATË E GJENERALIT!

Nënë Leticia dhe motër Paolina, Zhozefinë dë Boharne (Josephine de Beauharnais) dhe Maria Valevska (Maria Walewska), gratë e Napolonit jo vetëm gur shahu në fushën e shahut të pushtetit, por edhe bashkëpunëtore dhe aleate. Udhëheqës ushtarak, strateg i mprehtë, cinik dhe i vendosur, këto janë vetëm disa nga aspektet me të cilat ai hyri në histori. Prej kohësh jeta e tij është studiuar nga historianë dhe shkrimtarë, breza magjepsës studiuesish. Gjithsesi, a do të kishte ndriçuar me të njëjtin shkëlqim ylli i Napolon Bonapartit pa gratë që e shoqëruan në jetën e tij?/Konica.al

Napoloni qe gjithmonë i rrethuar nga një familje grash të paqëndrueshme dhe të forta, të afta për shpërthime të fuqishme dhe strategji të denja për të vazhduar lidhjen me të. Jo vetëm figura në tabelën e shahut të pushtetit, por bashkëpunëtore dhe aleate. Nëna, motra, bashkëshortet, të dashurat janë gratë që farkëtuan fatin e Napolon Bonapartit.

Kokë burri, trup gruaje: Leticia Ramolino Bonaparti

Leticia Ramolino Bonaparti ose Zonja Nënë, siç e quajti Napoloni, ishte e para grua që gëzoi respektin dhe dashurinë e tij. E fortë, autoritare dhe arrogante, nëna e gjeneralit korsikan nuk u mënjanua asnjëherë dhe gjithmonë pohoi mendimin e saj, duke u bërë e pranishme në jetën e perandorit të ardhshëm. E ve që 35-vjeçare, ajo iu përkushtua rritjes së tetë fëmijëve për të siguruar të ardhmen e tyre të ndritur. Në fakt, familja Bonaparti vinte nga një kontekst fisnik, por ekonomikisht i pasigurt. Kjo situatë paqëndrueshmërie u tejkalua vetëm nga qëndrueshmëria e Leticias. Temperamenti, forca dhe integriteti i saj si vejushë, e bënë atë një model femre të patejkalueshme për Nabulionin e saj, siç i pëlqente ta thërriste Napolonin. Duke filluar nga viti 1815, gjatë viteve të mërgimit në ishullin e Shën Elenës, ai pati mundësinë të reflektonte mbi rëndësinë e rolit të nënës në të ardhmen e tij, duke e përcaktuar si një model të pakrahasueshëm: “Gjithçka i detyrohem nënës sime; mund të kishte sunduar mbretëritë. Nëna ime është e denjë për çdo lloj nderimi… ishte kokë burri mbi trupin e një gruaje. […] Ah, doktor çfarë gruaje! Ku ta gjesh një të tillë?”, – shkruan Napoloni.  

Ajo u kujdes jo vetëm t’u siguronte fëmijëve një arsim të shkëlqyer, por e drejtoi Napolonin e ri në kolegjin ushtarak në Francë, gjë që e bëri atë njeriun me frymën e hakmarrjes shoqërore dhe vendosmërinë që historia do ta njihte. Asnjëherë nuk reshti t’u thoshte opinionin e saj fëmijëve. Sidomos, shprehej hapur dhe ashpër për zgjedhjen e gruas për gjeneralin. Mosmiratimi për nusen e tij të ardhshme, Zhozefinë dë Boharne qe më se i qartë, duke e quajtur atë një shtrigë. Leticia kujdesej gjithmonë për fatin e të birit, një dashuri reciproke. Në vitet e fundit, Napoloni i kushtonte shpeshherë së ëmës mendime plot përzemërsi, duke kujtuar peshën e figurës së saj në jetën e tij dhe duke pyetur veten nëse në të vërtetë ajo nuk ishte e vetmja grua që e kishte dashur vërtet, me vetëmohim.

“Zonja e stolirave”: Paolina Bonaparti

Kryq dhe kënaqësi, Paolina Borghese qe motra më e dashur. Dashuria që Napoloni ndjente për të nuk ishte vetëm për shkak të rolit të saj themelor në krijimin e aleancave të rëndësishme; së bashku me nënën, ajo ishte nga të paktat që i qëndruan pranë dhe besnike pas rënies. Paolina ishte një grua plot kontradikta dhe është vërtet e vështirë ta etiketosh qartë. E famshme jo vetëm për hedonizmin dhe dashurinë për bizhuteritë dhe veshjet, por edhe për origjinalitetin e saj, ajo nuk kishte frikë të shkaktonte skandale me sjelljet e veta. Sipas thashethemeve të kohës, e pyetur se çfarë kishte provuar të pozonte e zhveshur për skulptorin Antonio Canova, ajo do të ishte përgjigjur “pak ftohtësi”. Bukuria, kapriçot shpirtërore dhe kryelartësia i dhanë titullin “Venusi i Perandorisë”, ndërsa i vëllai e quajti “Zonja jonë e stolive”. E lidhur thellësisht, me gjithë diferencën e moshës, Pauline ishte një e besuar dhe aleate e Napolonit për të përmbushur dëshirat e tij për lavdi . E pabesë ndaj gjithë burrave të saj, ajo i qëndroi besnik vetëm perandorit, të vëllait. Përkushtimi iu shpërblye mirë: e martuan me Princin Camillo Borghese në Romë, ku mund të gëzonte gjithmonë lirinë, falë detyrave zyrtare që Napoloni i besoi të shoqit për ta mbajtur larg saj. Paolina ishte sigurisht një grua mendjemadhe dhe egoiste, por ishte gjithashtu e aftë për shpërthime të forta bujarie dhe pjesëmarrje emocionale ndaj dashurive më të përzemërta./Konica.a

Më e dashura: Zhozefinë dë Boharne

Gratë e Napolonit duket se kanë shumë karakteristika të përbashkëta që i bashkon mes tyre. Të guximshme dhe të vendosura, nganjëherë të paqëndrueshme dhe flirtuese, të shkujdesura dhe manipuluese: ato ngjajnë sikur lidhen nga i vetmi fill i kuq i përbashkët që ka formësuar marrëdhënien me perandorin. Edhe pse Zhozefinë dë Boharne nuk gëzonte vlerësimin e familjes Bonaparte, aq sa u mbiquajt “e moshuara” për shkak të diferencës së moshës prej gjashtë vjetësh me Napolonin, ai sërish vendosi të martohej me të. Në kulmin e ceremonisë, të kremtuar në 1796, ai ishte ende vetëm një ushtar ambicioz i “pelerinë e shpat”, ajo një e ve në kërkim të mbrojtjes, e cila i shpëtoi mrekullisht ekzekutimeve gjatë periudhës së Terrorit francez. Jo kushedi çfarë e bukur, por simpatike dhe ekzotike, Zhozefina e pranoi martesën për nevoja ekonomike, pothuajse e mërzitur. Përkundrazi, Napoloni u dashurua marrëzisht me të. Ndjenja e zjarrtë e ushtrisë shoqërohej shpesh me shpërthime xhelozie ndaj qëndrimeve të shthurura të Zhozefinës, e cila e donte vëmendjen e burrave dhe kishte më shumë se një të dashur gjatë martesës me Napolonin. Netët e pasionit u pasuan nga letrat e zjarrta të dëshirës për atë që ai e quajti “shpirti i jetës së tij”. “Çdo çast më largon prej teje. Je objekti i përjetshëm i dëshirave të mia, mendja ime shkatërrohet kur imagjinon se çfarë po bën. Nëse ndihesh e trishtuar, zemra më lotohet dhe dhimbja ime shtohet. Nëse je e gëzuar dhe e lumtur […] të qortoj që e ke harruar menjëherë ndarjen e dhimbshme tashmë prej tre ditësh”, – i shkruan Napoloni.

Martesa e tyre kishte vazhdimisht afrime pasionante dhe largime të ftohta. Megjithatë, do të ishte nënvlerësuese ta reduktonim atë vetëm në një luhatje ndjenjash midis amo et odi. Zhozefina ishte pa dyshim, një grua e mirë, për Napolonin: e integruar në mjedisin parizian, ajo i hapi rrugën Napolonit në qarqet e rëndësishme politike. Në fakt, ushtria ishte një ishull dhe Korsika ishte bërë franceze kohët e fundit, vetëm vlera ushtarake nuk do ta lejonte atë të legjitimonte pozicionin e tij në krye. Zhozefina kishte qenë e dashura e Paul Barras, shefi i Drejtorisë. Ishte ai që i këshilloi të martoheshin, me njëfarë largpamësie. Ai i dha Zhozefinës atë që donte: burrë, stabilitet ekonomik dhe social, por edhe njëfarë lirie për shkak të fushatave ushtarake që angazhuan të shoqin. Napolonit i garantoi një aleate dhe një këshilltare të shkëlqyer politike, me të cilën mund të ndante ëndrrat e lavdisë. Bashkëshorte dhe më pas perandoreshë në krah të tij, gjithçka do të kishte qenë perfekte, nëse ajo do t’i kishte dhënë trashëgimtarin mashkull aq të shpresuar./Konica.a/ Napoloni duhej të kalonte zemrën në plan të dytë dhe të zbatonte detyrën e shtetit. Martesa u anulua në 1810 dhe ai u rimartua me Maria Luisan e Austrisë, me të cilën pati një djalë. Sipas kronikave, kur Napoloni ndërroi jetë më 5 maj 1821, mendim i fundit qe për Zhozefinën. Ata patën marrëdhënie të mira edhe pas përfundimit të martesës dhe gjithmonë e konsideroi si gruan që donte më shumë në jetë.

Dashuria vetëmohuese: Maria Valevska

Në jetën e Napolonit, figura e Maria Valevskas duket si përjashtim në radhët e grave ambicioze që e rrethonin. Pafajësia dhe hiri i dashnores polake të Bonapartit kanë tërhequr vëmendjen dhe imagjinatën artistike gjatë shekujve, pikërisht për shkak të mungesës së interesit të saj për një avantazh personal në marrëdhënien me një burrë të fuqishëm. Jo vetëm një model i bukurisë së padiskutueshme, por edhe i durimit dhe vetëpërmbajtjes. Në një qytet ku mbretëronin thashethemet, ajo qe në gjendje të ruante shumë sekret detajet e lidhjes së saj jashtëmartesore me Napolonin. Tashmë në rrethin më të ngushtë, dashuria e saj e thellë dhe e sinqertë për dashnorin e fuqishëm tërhoqi vëmendjen, aq sa u lavdërua për sjelljen e saj: “Ajo është një grua bote e rafinuar. Ajo zotëron një takt të rrallë dhe ka një ndjenjë ekstreme durimi. Fitoi më shumë vetëbesim, por qëndroi e matur, një përzierje jo e lehtë për t’u arritur në pozicionin e saj delikat. E vetëdijshme për xhelozinë e perandoreshës Maria Luisa, ajo arriti të bëjë një jetë shoqërore në një mënyrë që […] pakkush e imagjinon se ajo ishte ende në kontakt të ngushtë me perandorin. Nuk më habit aspak që ajo është e vetmja nga dashuritë e tij, që i ka rezistuar kohës dhe martesës së fundit të perandorit”.

U takuan në një ballo më 1807, kur Napoloni u mirëprit nga fisnikëria si çlirimtari i Polonisë. Ai u mahnit nga bukuria e saj dhe u përpoq të mësonte më shumë. Maria fillimisht refuzoi vëmendjen e Bonapartit, duke i konsideruar ato të papërshtatshme si një grua e martuar, por në fund iu dorëzua presionit të të shoqit, i cili e konsideroi të rëndësishme vendosjen e marrëdhënieve të mira me gjeneralin. Nëse në fillim ishte ndjenja patriotike ajo që e shtyu në krahët e Napolonit, me kalimin e kohës ajo ra në dashuri me të, një dashuri reciproke. Duke kaluar edhe qëndrime të gjata së bashku gjatë pushimeve nga fushatat ushtarake. Më i famshmi ishte ai në ishullin Elba në 1814, ku ajo vizitoi Napolonin me djalin që kishin nga lidhja e tyre, të voglin Alessandro Giuseppe Colonna. Qe me të dashurën edhe gjatë ditëve para nisjes për në mërgimin e fundit, në Shën Helenë. Marrëdhënia me “gruan polake” ishte gjithmonë një parantezë në jetën e Napolonit, e tërhequr nga angazhimet ushtarake dhe politike, por e gjallëruar nga gëzimi dhe qetësia. Lidhja e tyre bazohej në dashuri të sinqertë dhe të painteresuar, në vlerësim dhe jo të detyruar nga detyrat e shtetit. Me të dhe djalin e saj Alessandro, Napoloni jetoi momente lumturie që i kujtonte gjithmonë me nostalgji dhe i mbante në zemër.

Gratë e Napolonit: gur shahu apo bashkëpunëtore?

Marrëdhënia që lidhi Napolonin me gratë, gjatë jetës së tij ka qenë objekt studimi, për një kohë të gjatë. Historianët ndahen mes atyre që e quajnë atë një kalkulator të ftohtë dhe një mizogjen, që ka përdorur gratë në jetën e tij, pa u kujdesur për dëshirat e tyre. Kohët e fundit janë rishkikuar disa pozicione: duket nënvlerësuese të shohësh gratë që rrethuan perandorin, si gur shahu në tabelën politike të shahut të kohës. Do të thotë të nënvleftësosh rëndësinë që ato luajtën në jetën e tij dhe t’i reduktosh në një rol vërtet margjinal. S’do mend që ai ishte një llogaritës i zoti, por edhe një njohës i thellë i natyrës së grave që e rrethonin. Ai ishte në gjendje të merrte më të mirën që secila prej tyre mund t’i ofronte dhe t’i bënte ato, jo vetëm një mjet për të arritur qëllimet e tij, por për të ndarë me to ëndrrat e tij të lavdisë./Konica.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here