Në Arkivin e Departamentit të Shtetit ka shumë dokumente për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, që daton në 28 korrik të këtij viti, me siguri që do të zhvillohen aktivitete përkujtimore me rezonancë historike dhe aktuale.


Arkivat amerikane për Shqipërinë, kanë lëndë të pasur dokumentare që unë dhe disa kolegë kemi pasur rastin dhe fatin ta prekim me duart tona dhe jo ta përftojmë atë online.

Mes shumë dokumenteve të lidhura me këtë jubile të marrëdhënieve shqiptaro–amerikane, unë përzgjodha t’i bëj të ditur opinionit një dokument jo domosdoshmërisht të rëndësishëm, por domethënës për kohën kur u krijua dhe për përmbajtjen e tij. Është fjala për një telegram që ministri fuqiplotë amerikan në Shqipëri, Hugh G. Grant, gati tre muaj më vonë pasi vendi ishte pushtuar nga Italia, në 30 qershor i dërgonte Departamentit të Shtetit.

Përmbajtja e këtij telegrami është si më poshtë:

Zotëri:

Kam nderin të dërgoj për informim të Departamentit, por edhe për arkivat një kopje të faksimiles së dokumentit të Deklaratës së pavarësisë kombëtare të Shqipërisë, e cila u shpall në Vlorë, Shqipëri, në 28 nëntor 1912. Ajo tani ka një rëndësi të veçantë për shkak të pushtimit të Shqipërisë nga italianët dhe të rënies së qeverisë shqiptare, më 7 prill 1939. Ky dokument m’u prezantua mua përmes përkthyesit të Legatës z. Frederik Nosi, nga xhaxhai i tij, Lef Nosi, një shqiptar i shquar dhe patriot, i cili ka marrë pjesë aktive në lëvizje të ndryshme për pavarësinë e Shqipërisë gjatë katër dekadave të fundit. Z. Nosi ishte një anëtar i Kongresit të Vlorës, i cili deklaroi pavarësinë e Shqipërisë. Unë po dërgoj gjithashtu një skicë biografike të z. Nosi.

Me respekt, i juaji, Hugh G. Grant

Dokumenti ka vlerë të dyfishtë: njohëse, faktike, por më tepër politike. Vlera e dytë në këtë rast ishte më e rëndësishme. Departamenti i Shtetit kishte vendosur që të mbyllte legatën amerikane në Tiranë pas pushtimit italian të Shqipërisë dhe veçanërisht pas suprimimit të ministrisë shqiptare të punëve të jashtme mbi bazën e marrëveshjes Çiano–Dino të 4 qershorit 1939. Ministri amerikan ishte në javët e fundit të qëndrimit në Tiranë për të ndjekur procedurat diplomatike të mbylljes së Legatës. Por ai vijoi e veproi si përfaqësues i qeverisë amerikane, që edhe në fund të misionit të tij në Tiranë e vlerësoi dhe e interpretoi politikisht edhe një fakt “të vogël”, dhurimin e një faksimileje, kopje të Deklaratës së pavarësisë së Shqipërisë.

E cilësoi si një dokument që “tani ka një rëndësi të veçantë për shkak të pushtimit të Shqipërisë nga italianët…”. Ishte konfirmim i qëndrimit zyrtar amerikan që dënoi pushtimin e Shqipërisë që në 8 prill përmes deklaratës së Sekretarit të Shtetit Hull dhe që dalloi nga qëndrimet pajtuese ose të heshtura të qeverive britanike, franceze e sovjetike. Dokumenti amerikan ka edhe vlerën e tij historike për një çështje të rëndësishme të historisë shqiptare.

Fjala është për fatin e dokumentit origjinal të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ajo çfarë ka përcjellë ministri amerikan Grant nga Tirana është faksimile kopje e tij. Në përmbajtje dokumenti nuk përfaqësonte ndonjë zbulim sepse ishin shpërndarë edhe kopje të tjera të tij që në vitin 1937 nga vetë Lef Nosi, me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Që në atë kohë u shtrua një pyetje, e cila nuk ka marrë përgjigje as edhe sot e kësaj dite: Çfarë u bë me dokumentin origjinal të aktit të Pavarësisë? Kush e zotëronte dhe cili ishte fati i tij? Janë bërë shumë supozime e janë treguar shumë histori, por askush nuk ka qenë në gjendje deri sot ta zbulojë “pronarin” ose fatin e tij të supozuar. Shqetësimi për mungesën e origjinalit të aktit themelor të Pavarësisë doli në vitin 1937. Madje, u diskutua edhe në Parlamentin e asaj kohe.

Mbreti Zog dhe qeveria e tij, me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së saj, bënë thirrje dhe organizuan një fushatë për grumbullimin e dokumenteve e të objekteve që kishin të bënin me aktin e 28 nëntorit 1912 dhe me veprimtarinë e Qeverisë së Ismail Qemalit. U dorëzuan dokumente dhe objekte të caktuara të përdorura nga Ismail Qemali ose të ndodhura në zyrën e tij. Ato u ekspozuan posaçërisht.

U bënë të gjitha solemnitetet zyrtare në Tiranë e në Vlorë, por origjinali i dokumentit të aktit të Pavarësisë nuk u gjend dhe as u dorëzua nga ndokush që supozohej se mund ta zotëronte. Është përfolur se këtë dokument kapital të pavarësisë mund ta ketë pasur Lef Nosi, një nga firmëtarët e tij, ministri i Postës dhe i Telegrafës në qeverinë e Ismail Qemalit, njeri i apasionuar në grumbullimin e antikuarëve e të dokumenteve, themelues i filatelisë shqiptare, gjuhëtar, etnolog e antropolog.


Kjo histori jo rastësisht u lidh me emrin e tij edhe për një arsye më shumë. Në vitin 1937, pikërisht në 25-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë ai shpërndau fotokopje të aktit themelues të shtetit të pavarur shqiptar dhe njëra prej tyre u paraqit në ekspozitën që u bë me këtë rast. Fotokopjet nën kujdesin e Lef Nosit u bënë në studion Marubi.

Xhami në të cilin u hodh dokumenti nga ku pastaj u fotografua ndodhet aktualisht në Muzeun Marubi në Shkodër. Ky fakt i lidhur dhe me pasionin e njohur të tij, krijoi bindjen se Lef Nosi ishte njeriu që ruante në kasafortën e tij këtë dokument origjinal.

Për më tepër u fol se ai në kohën e Luftës kishte dorëzuar objekte të vyera për ruajtje, përfshirë edhe këtë dokument në Bankën Kombëtare, por që ishin zhdukur me çlirimin e vendit nga regjimi komunist. Shumë nga çfarë është përfolur e shkruar rreth antikuarit të Lef Nosit e aktit themeltar të Pavarësisë depozituar prej tij në Bankën Kombëtare janë hamendësime.

Antikuari mund të ketë qenë në ruajtje për shkak të vlerave të mëdha që përmbante, por jo dokumenti i Pavarësisë. Lef Nosi ishte njeri me kulturë dhe e dinte shumë mirë që dokumenti nuk kishte arsye që të fshihej apo të mbahej i mbyllur në një kuti metalike ose prej druri apo në një portofol lëkure në Bankën Kombëtare. Logjika, por edhe ndërgjegjja atdhetare e Lef Nosit, do ta shtynte atë po qe se do ta posedonte dokumentin që ta dorëzonte në vitin 1937 pas thirrjes së Mbretit Zog e të qeverisë shqiptare të kohës.

Ai ka pasur vetëm kopje, por jo origjinalin. Sipas një informacioni që ka qarkulluar në ato vite, por që përsëri mbetet i pakonfirmuar, dokumentin origjinal të Pavarësisë dhe penën me të cilën e nënshkroi atë, Ismail Qemali ia kishte besuar në ruajtje një nënshkruesi tjetër të aktit, Qemal Karaosmani po nga Elbasani.

Mundet që Lef Nosi të ketë bërë një fotokopje të dokumentit origjinal të ruajtur nga bashkëqytetari i tij. Ky është thjesht një supozim. Dihet se Karaosmani dorëzoi në vitin 1937 vetëm penën. Trupi origjinal i kësaj pene, me të cilën delegatët nënshkruan aktin e Pavarësisë, sot ndodhet në Muzeun Kombëtar.

Një version tjetër që ka qarkulluar është ai, sipas të cilit dokumentin e kanë administruar djemtë e Ismail Qemalit, Et’hemi dhe Qazim Vlora. I pari ka jetuar në qytetin e Vlorës dhe në fillim ai e ka pasur në zotërim origjinalin. Thuhet se Lef Nosi ka shkuar në Vlorë dhe ka bërë fotokopje të tij.

Më vonë dokumenti ka kaluar në duart e Qazim Vlorës që jetonte në Tiranë dhe që për njëfarë kohe ka punuar edhe si diplomat. Por ka qenë njeri jo bashkëpunues dhe nuk pati mbarëvajtje në punët e tij. Pas çlirimit nuk u përfill, madje për njëfarë kohe edhe u dënua. U largua nga Shqipëria pasi kreu dënimin, ndërkohë që dy vëllezërit e tjerë, Et’hemi e Qamili, qëndruan e jetuan në Tiranë. U vendos në Strugë ku edhe vdiq në gjysmën e parë të viteve 1950 i vetmuar.

Nga informacionet që kanë qarkulluar nga ata që e kanë njohur në vitet e fundit të jetës në Strugë është pohuar se, kur u konstatua vdekja e tij, autoritetet vendore maqedonase sekuestruan në shtëpinë e tij dokumentet, të cilat i dërguan në Shkup. Që aty ato duhet të kenë përfunduar në Beograd, sepse kërkimet e mëvonshme që janë bërë në arkivat maqedonase nuk kanë gjetur asgjë nga dokumentacioni i Qazim Vlorës.

Ka shumë mundësi që arkivi i djalit të Ismail Qemalit dhe dokumenti origjinal i Pavarësisë së Shqipërisë, të jetë diku në arkivat serbe, ku ruhen edhe mjaft dokumente të tjera sekrete për historinë shqiptare, por që për fat të keq kanë qenë dhe mbeten tabu për kërkuesit shkencorë shqiptarë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here