Ky mbishkrim i Foinikes është një akt lirimi i datuar në shek. III para Krishtit, që i takon periudhës pas rënies së dinastisë së ajakidëve në vitin 232, kur kaonët, pra dhe Foinikia, i përkasin shtetit monarkik ose koinonit të epirotëve. Skllavi është liruar dhe i është kushtuar Poseidonit
….
Akti i lirimit të Foinikes përbën një dëshmi të re për rolin e veçantë të femrës në jetën politike të shtetit të Epirit, që u shtohet atyre që kemi nga tradita antike. Kjo dëshmi do të ishte e veçantë dhe do të pasuronte shumë imazhin tashmë të përvijuar lidhur me rolin e rëndësishëm që luante femra në shoqërinë epirote. Një përfundim i tillë nuk do të ishte as befasues dhe as i papranueshëm, po të mbahet parasysh fakti se tradita antike dëshmon qartë për praninë e femrës epirote në jetën politike deri në nivelet më të larta të hierarkisë shtetërore. Vlejnë për t’u përmendur rastet e Olimpisë, e shoqja e Filipit II dhe e ëma e Aleksandrit të Madh, të bijës së saj Kleopatrës, e shoqja e Aleksandrit II të Epirit, si dhe të princeshave Nereis dhe Deidamé. Një situatë e njëjtë ndeshet gjithashtu në Ilirinë e jugut në rastin e Teutës, që u ngjit në fronin mbretëror ilir si regjente pas vdekjes së të shoqit, Agronit, në vitin 230 para Krishtit.
© Faik Drini


