6.1 C
Pristina
Sunday, January 23, 2022
Home RETROSPEKTIVË Kush qe arbëreshi që përfaqësonte Coca-Cola-n në Shqipërinë e 1931

Kush qe arbëreshi që përfaqësonte Coca-Cola-n në Shqipërinë e 1931

Coca-Cola është kompania më e madhe e pijeve joalkoolike në botë, e shtrirë në 200 vende dhe territore.

Prodhimi i saj filloi në një farmaci amerikane në vitin 1886, kur kimisti John Stith Pemberton krijoi një pije medicinale me një shije “speciale”- siç e përshkruanin shijuesit e saj të parë.

Ndër këta shijues, edhe politikani Asa Griggs Candler i cili i impresionuar, vendosi ta blejë recetën origjinale të Pemberton duke themeluar “Coca-Cola Company” në vitin 1892.

Në krye të sipërmarrjes së suksesshme, Candler ndërtoi Candler Building në Atlanta- asokohe më e larta ndërtesë në kryeqytetin e Georgia-s-; një ndërtesë në Kansas City, e cila u bë e njohur si Western Auto Building; Candler Building në New York City si edhe një në atë që tani njihet si Zona e Portit të Brendshëm të Baltimore, Maryland.

Në 1919-ën, The Coca-Cola Company nënshkroi marrëveshjen për hapjen e fabrikës së parë për mbushjen e Coca-Cola në Europë, duke e nisur në Francë për t’u ndjekur më pas nga fabrika në Belgjikë dhe në Itali.

Për të mbërritur në Shqipëri, u deshën së paku 7 dekada, e kjo edhe për shkak të zhvillimeve të forta e rrethanave politike në të cilën gjendej Shqipëria.

Por në fakt, Coca-Cola është më shqiptare nga ç’e mendonim!

Edhe pse në tregun shqiptar Coca-Cola erdhi në fund të viteve ’80 informalisht dhe zyrtarisht në fillimin e viteve ’90, gjurmët e kompanisë i gjejmë që në vitin 1931.

Në këtë dokument që publikohet për herë të parë, Coca-Cola autorizon si përfaqësues të sajin në Shqipëri një nga personalitetet më të njohura të historisë së Shqipërisë, arbereshin Terenc Toçi.

Toçi ishte një jurist, botues, publicist, shkrimtar dhe nëpunës i shtetit shqiptar. Në vitin 1911 ai drejtoi lëvizjen për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, madje duke u shpallur edhe president.

Gjatë periudhës së Ahmet Zogut, ai ushtroi profesionin e juristit duke kontribuar në hartimin e legjislacionit të parë modern shqiptar dhe duke arritur edhe të bëhej ministër i Ekonomisë.

Në vitet ’20 dhe ’30 ai ishte personi përgjegjës për regjistrimin e markave dhe patentave të huaja në Shqipëri, në cilësinë e avokatit.

Në këtë kontekst, ai bëhet përfaqësuesi zyrtar i Coca Cola në Shqipëri, përmes një shkresë noteriale që mban firmën e zëvëndëspresidentit të kompanisë me bazë në Atlanta, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pavarësisht prezencës juridike, nuk ka të dhëna që në këtë kohë në Shqipëri të jetë konsumuar pija, e famshme deri në ditët e sotme. Në atë kohë, në Shqipëri konsumoheshin pije joalkoolike që prodhoheshin në vend, por që ishin përfaqësi nga Gjermania.

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, Coca-Cola njohu zgjerim të ndjeshëm të mbarë botën me përfaqësitë e saj, me përjashtim të vendeve komuniste, përfshirë dhe Shqipërinë.

Duke qenë se Coca-Cola konsiderohej si simbol i kapitalizmit perëndimor, shumë vende komuniste duke mos i rezistuar pijes, tentuan të krijonin variantet e tyre të pijes së famshme.

Për herë të parë, pijet e Coca-Cola filluan të futeshin në Shqipëri në fundin e viteve ’80, kryesisht në formë ilegale. Janë jo të pakta rastet kur shishet e Coca-Cola silleshin nga marinarët apo punonjësit e tregtisë së jashtme për persona të veçantë apo për familjarët e tyre por nuk mund të thuhet se ka pasur një konsum në masë.

Gjithsesi, ato pak shishe që arrinin të futeshin në Shqipëri, pas konsumit, nuk hidheshin por përdoreshin edhe si pjesë e arredimit.

Rënia e regjimit komunist, solli edhe hapjen e Shqipërisë drejt vendeve të perëndimit. E në këtë kontekst, vendi importonte mallra të ndryshme konsumi, mes tyre, edhe Coca-Cola që nisi të konsumohej nga shqiptarët. Kjo e fundit vinte kryesisht nga Greqia.

Në fillimet e viteve ’90, kur vendi ndodhej në një situatë të trazuar politike e paqartësi ekonomike, familja Buzi e cila që prej viteve ’60 zotëronte një prej kompanive prodhuese të Coca-Cola në Itali, vendos të marrë përsipër misionin e investimit në një terren të panjohur, në atë që më parë kishte ngjallur kureshtje si një nga vendet më të izoluara në botë.

Cristina Buzi vjen në Shqipëri e pas negociatave të shumta me qeverinë shqiptare, finalizon atë që do të konsiderohet investimi i parë i huaj me emër global në Shqipëri. Autoritetet do ta emërtonin atë si “Dallëndyshja e Investimeve të Huaja”; një lajmëtare të mirë të pranverës së investimeve perëndimore në Shqipërinë post-komuniste.

“Coca-Cola i kërkoi ambalazhuesve italianë nëse ndonjëri prej tyre ishte i interesuar për t’u përballur me këtë këtë sfidë, me këtë start-up. Sepse ishte lindja e një kompanie të re, me një plan biznesi. Sepse duhej ndërtuar nga themeli si impianti i prodhimit, ashtu edhe e gjithë organizata. Ne menjëherë u vetëofruam dhe nisëm të punonim sëbashku me “Coca-Cola Company”. Nisëm të njihemi me vendin.

Mamaja ime, Cristina, u dashurua menjëherë. Brenda familjes sonë, ajo ishte personi që menjëherë u tregua e vendosur dhe e sigurtë dhe shihte këtë mundësi. Shihte Shqipërinë e sotme. Unë isha i vogël, diku te 19-20 vjeç e isha në fillimet e mia por arrija të shprehja ndjesitë e mia, mendimin tim.

U bë një takim e kur kishim rrugëtimin e qartë të investimit dhe kohët e realizmit të ‘start-up’, u ulëm në familje dhe vendosëm në fund dhe qartësisht ndezëm motorët e operacionit. E kështu nisëm të ndërtojmë fillimisht ‘joint-venture-n’ dhe më pas impiantin e kështu nisi më pas rrugëtimi duke i dhënë jetë shoqërisë.

I dhamë jetë aktivitetit në 1994. Ishte një garë e mirë…” shprehet Luca Busi, president i Coca-Cola Bottling Shqipëria.

Pas kryerjes së procedurave, fabrika u ndërtua në një kohë rekord, prej 83 ditësh në vitin 1994.

Ngritja e fabrikës së Coca-Cola në 1994-ën, ishte një prej investimeve të para të përmasave të mëdha dhe njëherësh, një manifestim i rëndësishëm i sistemit të hapur ekonomik në Shqipërinë e pas ’90-ës.

Atëherë u investuan 12 milionë dollarë, për ndërtimin e fabrikës dhe për makineritë e para për prodhimin, mbushjen dhe tregtimin e produkteve. Kompania e filloi aktivitetin me 20 punonjës.

“Vitet e vështira ishin ato të fillimit. Me të vërtetë , e vetmja që e shihte të ardhmen pozitivisht ishte Cristina. Ne shihnim realitetin e përditshëm dhe nuk kishte asnjë sinjal nga ana e tregut dhe të Shqipërisë për një ecuri pozitive.

Sepse kushtet e tregut shqiptar që sapo kishte dalë nga një periudhë e keqe e Enver Hoxhës e ishte qartësisht një vend në vështirësi të mëdha ku shqiptarët preferonin që t’a braktisnin vendin. Ishin kushte sigurisht të vështira. Ndaj vitet e para ishin përtej sfidës kurajoze për këtë investim të rëndësishëm që ishte edhe një sinjal në çdo rast për Shqipërinë.

Sepse ishte një brand ndërkombëtar si “Coca-Cola Company”, e mbi të gjitha, një familje sipërmarrësish italianë që vinin të investonin këtu. Ishte një kombinim magjik” shprehet më tej Luca Busi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

OBSH paralajmëron se Omicron nuk do të jetë varianti i fundit

Një zyrtare e lartë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëroi shtetet që mendojnë se kishin kaluar më të keqen e Covid-19 pasi...

Vitamina D mund të mbrojë trupin nga disa lloje të kancerit

Të pasurit e një niveli të ulët vitamine D mund të lidhet me një risk më të lartë për zhvillimin e disa...

Simbolet që përdori principata e Kastriotëve

NGA: GJON KEKA Në kuadër të simboleve të kombit tonë arbëror europian më i rëndësishëm është konsideruar simbili i Principatës...

Takimi me diktatorin Enver Hoxha e çoi në ekzekutim/Historia e trishtë e Sebiha Kasamatit

Marrëdhënia e grave me shkencën është karakterizuar gjithmonë nga një rrugë e përpjetë qoftë në sferën kulturore, qoftë në atë profesionale. Për...

Recent Comments