Greva e minatorëve të Trepçës e vitit 1989 mori vëmendjen e gjithë Jugosllavisë. Përtej nëntë kërkesave të grevës, në ditën e fundit të grevës minatorët bënë thirrje të pajtoheshin gjaqet.
Një vit më vonë, nisur nga kjo thirrje, më 2 shkurt, 1990, filloi Fushata e Pajtimit të Gjaqeve e cila pajtoi me mijëra familje në gjak në Kosovë, vise të banuara me shqiptarë në ish-Jugosllavi dhe diasporë.
Në intervistën e historisë gojore, Xhafer Peci përshkruan:
“Ardhshin delegacione, folshin. Edhe mos me harru aksioni i pajtimit të gjaqeve ka fillu prej horizontit të tetë. Aty jonë pajtu dy familje e u qitë lajmi me vazhdu. Kanë vazhdue, ka pasë jehonë ai aksion i tyre aty…”
Fotografia është marrë nga gazeta “Rilindja”, 22 shkurt 1989.
Tregime për grevën e minatorëve të Trepçës dhe për Fushatën e Pajtimit të Gjaqeve mund t’i hulumtoni në arkivën tonë dixhitale. /Oral History Kosovo