Nga Kastriot Dervishi

Musine Kokalari u gjykua si drejtuese socialdemokrate në procesin ndaj anëtarëve të Koalicionit Demokratik, një formacion i përbërë edhe nga monarkistët e Qenan Dibrës dhe grupi i rezistencës së Sami Çeribashit. Veç tyre ajo flet edhe për një korrent të katërt, i cili mundet të jetë i përfaqësuari nga Suat Asllani apo Gjergj Kokoshin, të cilët kishin bërë pjesë në Frontin Demokratik. Ata u akuzuan vetëm pse kishin kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve deri në organizim të opozitës, të kishin të drejtën e fjalës si dhe të shpalosnin lirisht programet e veta. Këtë të drejtë, regjimi e artikuloi edhe me çështje të tjera të sajuara. Procesi gjyqësor ndaj 37 të pandehurve (4 ishin bashkëpunëtorë Sigurimi) u zhvillua më 17 – 30 qershor dhe vendimi u dha më 2 korrik 1946. Musineja u arrestua më 23.1.1946 (u lirua nga burgu më 8.10.1961) dhe u dënua me 20 vjet burgim. 

Musineja nuk i pranoi akuzat. Refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve që iu bënë nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorit. Prokurori reagoi duke thënë se ajo ishte zhytur në tradhti, qysh kur bënte pjesë në organizatën e Ballit Kombëtar të drejtuar nga Mit’hat Frashëri. Musineja nisi të lexonte mbrojtjen por nuk e lanë ta vijonte. Iu tha se teksti do të administrohej në dosje. Në ditën e lindjes së Musinesë, më poshtë paraqitet fjala e mbrojtjes së saj, e cila nuk u lejua të lexohej. Musinja u nda jeta në moshën 66 vjeçare në internim.

Fjala e mbrojtjes

“Duke parë zhvillimin e procesit e shoh të arsyeshme të them vetë se i gjithë aktiviteti i atij grupi të vogël socialdemokrat nuk është gjë tjetër veçse një notë e drejtuar aleatëve të perëndimit për shtyrjen e votave, kur qeveria u njoh me të drejtë opozite. Një hap i tillë nuk do të thotë përmbysje e pushtetit të sotëm me violencë se ne, të 37 zë pandehurit, në bankën e të akuzuarve nuk jemi pjesëtarët e një organizate, por anëtarët e 4 korrenteve të ndryshme, 3 jashtë Frontit dhe i katërti i dalë nga gjiri i tij dhe i shkëputur që andej. Katër korrente me koncepte politike-shoqërore të ndryshme dhe vetvetiu me veprimtari të përshtata që pas frymës që përmban, duke qenë secili përgjegjës për vete. Mbasi tre të parët nuk kanë patur tjetër lidhje veçse në dërgimin e një note të përbashkët për shtyrjen e zgjedhjeve. Koalicion nuk do të thotë shkrirje, as bashkim zoti kryetar, por impenjim moral rreth një programi aktual ose të përhershëm midis partive, duke ruajtur e duke qenë vetë përgjegjës për çështjet e brendshme në arritjen e qëllimit ose idealit, në respektimin ose jo të parimeve që ka zgjedhur. Duke qenë në pragun e rindërtimit të vendit, i dalë nga lufta me dëme të mëdha me plagë të shumta materiale dhe morale, në pragun e zbatimit të reformave shoqërore ku cenohen interesat e një klase të privilegjuar gjer dje, d.m.th. në përmbysjen e një bote feudale drejt ngrehjes të një koncepti shoqëror demokratik ku baza e jetës është puna, e gjen një pjesë të popullit shqiptar jashtë Frontit Nacionalçlirimtar të një të kaluare jo shumë të largët, nga koha e luftës ku organizata të ndryshëm veç Frontit ishin në këmbë koncepte shoqërore-politike si bazë luftën demonstrative ndarëse me një program demokratik, organizata me fuqi brutale në duar të nacionalistëve feudalë që bënë një kthesë në rrugën, luftë kundër okupatorit, duke u hedhur në gjirin e tij që pati konsekuenca të hidhura edhe në kurrizin e atyre që shprehnin vetëm një mendim. Elementë jashtë Frontit që në një çast kërkon të shkëputet si pjesë e vogël si ç’është nga gjithë sa e rrethon, duke gjetur një urë kalimi me anë të një korrenti demokratik, për të hyrë në gjirin e një familjeje demokratike, për të ndjekur një vijë të vazhdueshme politike, drejt një uniteti moral të një pakice me shumicën, për ekuilibrimin e ideve dhe divergjencave që në të vërtetë nuk kanë kundërshtime për sa i përket reformave shoqërore drejt të cilave po shkojmë përpara, porse më tepër ftohtësi shpirtrash, konsekuencë e së kaluarës, d.m.th. drejt harmonizimit të një bote mendore rresh një ideali të përbashkët.

Nga çlirimi i Shqipërisë dhe gjer në njohjen e qeverisë, kaloi një mot kohë. Oshilacione mendimesh, konfuzion idesh dhe një propagandë e fortë nga jashtë, lëkundje mendore duke folur gjithmonë për elementin jashtë Frontit ku mbretëronte një gjendje kaotike. Një mozaik idesh, personash dhe interesash. Politikë personale feudalë, kriminelë lufte, kuislingë me një të kaluar të mirë patriotike nëpër male, tregtarë të tatuar, nëpunës të përjashtuar, idealistë të cilët të gjithë pa përjashtim trumbetojnë ideale nacionalizme të maskuar. Element 80% i interesuar për interesa private që bëhen heronj, nacionalistë dhe që mbajnë shtrënguar 20% të elementit idealist, i cili lëkundet mbase s’ka një vijë të qartë politike dhe që vihet në lëvizje nga rrethanat e kohës duke u bërë mburojë e atyre që kërkojnë të lozin prapa skenës nga brenda dhe nga jashtë. Propaganda e shëndoshë, e trumbetuar për rezistencë që i vë të rinjtë në lëvizje të cilat duke mos patur një kriter të shëndoshë ideologjie, të ushqyer vetëm me fjalën nacionalizmë të thatë, të cilat duke mos kuptuar se lufta kundra një vije që i bëhet Ballit ose Legalitetit është luftë kundër një vije politike kompromisi ose koncepti shoqëror feudal, në vend që t’i afrojë, i largon pa ditur as ata vetë duke menduar se po luftohet ose nuk i duan. Të hyjmë si numër në gjirin e Frontit, s’e kemi bërë dot dhe mbetëm jashtë. Ahere një tentativë bëhet dhe ka efekt, duke shkëputur andej nga janë vetëm atëherë kur i gjithë elementi jashtë Frontit të jetë vënë në lëvizje dhe kur e gjithë prapaskena të jetë vënë në pamundësi të bëjë gjë dhe në qoftë se ka ndërmend dhe me ojë nuk e ofroi, me një qëndrim zyrtar të prerë duke mos ushqyer shpresa, në çastin e demokratizmit për t’u dëftyer për mirë a për keq, ashtu siç është me të vërtetë. Atëkohë kur e vërteta e murmuritjeve do të dalë në dritë, ku interesat zhvishen me petkun e idealizmit, vetëm atëherë ata do të shkëputen prej tyre duke i luftuar ata me anën e një korrenti si bazë patriotizmin demokratik për zbërthimin e problemeve  shoqërore të zeje vend në gjirin e Frontit, si tendencë e së majtës siç e përmeton emri antifashist.

Me njohjen e qeverisë, me të drejtë opozite, me stabilitetin e gjendjes 95%, në çastin kur elementi ishte vënë në lëvizje dhe kërkonte të dilte në skenë, një grup i vogël, e gjeti të përshtatshme momentin e shkëputjes dhe meqenëse nga hija do dilej në dritë, e gjeti të arsyeshëm që notën ta bënte të përbashkët, duke e ndarë elementin jashtë Frontit në tendenca të ndryshme demokratike, duke u përpjekur të gjithë rreth një programi aktual të përbashkët që përputhesh me atë të Frontit, duke mbajtur gjithsekush programet shoqërore, strukturën e brendshme dhe mënyrën e aktivitetit, kur të shtyheshin votat.

Në çastin e parë të fillonte lufta në mosrespektimin e atij programi, duke u shkëputur dhe në një kohë e sipër duke luftuar edhe çdo tendencë që mund të vinte nga brenda Frontit për t’u lidhur me nacionalistët e jashtëm ose çdo formë bllokimi në ndarjen e kampeve më dysh, po në shpërndarjen e elementëve po 80%, duke shpëtuar 20%, duke ruajtur tendencat e majta nga një anë, kundër atyre të së djathtës.

Për këtë u hartua nota e përbashkët duke iu drejtuar aleatëve, që qëndrimi i tyre zyrtar të kthjellonte qëllimet duke mos luajtur mbasi s’kanë ose heshtja negative të priste hovin e atij zjarri të ndezur që kërkojnë të mbahet, duke mos u bërë viktimë asnjë element që pa dashur edhe moralisht të presi andej. Për të shpëtuar kështu një herë e mirë influencës së propagandës së jashtme.

I drejtohem trupit gjykues me respekt që ta shikojë edhe njëherë për sa i përket aktivitetit tim dhe në rast se rezulton e kundërta për sa i përket qëllimeve të sipërtreguara, pranoj me kënaqësi edhe dënimin më të rëndë”.Modifikuar më E mërkurë, 10 February 2021 18:04

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here