”SHQIPONJËZA”

Asgjë nuk ishte në shkallën e duhur të bukurisë, për djalin dhe trashëgimtarin e tij: Perandori shpenzoi pa hesap, në përpjekje për të rrënjosur dinastinë e tij. Mirëpo, më kot.

Në vitin 1811, perandoria franceze kishte arritur në apogje: 42-vjeçar, Napoleoni I mbretëronte Evropën, nuk ishte futur ende në stepat ruse dhe ta shihte ëndrrën e bërë realitet me lindjen e trashëgimtarit të tij, djalin që i dha gruaja e re, Mari-Luizë e Austrisë. Ky djalë, të cilin pasardhësit do ta quajnë “Shqiponja” – në krahasim me të atin, shqiponjën pushtuese, shndërrohet në garancinë e një dinastie: Napoleoni I është i fiksuar pas perandorisë së re, ngritur mbi hirin e Revolucionit, që ai synon ta ruajë me çdo kusht përballë familjeve të mëdha mbretërore dhe perandorake fqinje. “Me bashkimin e tij me Mari-Luizën, Napoloni hyri në vëllazërinë e sovranëve autentikë”, – vëren Lætitia de Witt, autorja e biografisë së plotë për Shqiponjën. “Për të përfunduar qëllimin, ai thjesht duhej të krijonte dinastinë e katërt, atë që do të vinte pas Merovingiens, Carolingiens dhe Capetiens. Që prej, vijon historiania, ai fillon të ëndërrojë për madhështi, sikur të kishte bërë një pakt me fatin… ”./Konica.al

Një dalldi madhështie, që nuk do të njihte cak. Lindja e djalit, 20 mars 1811, përshëndetet si ajo e ish-princërve të kurorës: festohet jo vetëm në mbarë Francën, por edhe në qytetet kryesore të perandorisë, me Te Deum, koncerte banketesh, fishekzjarre dhe llamburitje gjatë katër ditëve pas lajmit të ardhjes në jetë. Në Paris, turma numëron të shtënat e topit që shpallin lindjen – 21 për një vajzë, 101 për një djalë. Në goditjen e 22-të, në rrugë shpërthejnë duartrokitjet, turma sulet drejt Tyilërive dhe brohoret me ovacione Perandorin, i cili, thuhet se derdhi ca pika loti… Napoloni i dha mamisë një shpërblim prej 100000 franga, 20000 franga mjekut Corvisart dhe me anë të një dekreti favorizonte vajzat e varfra të martoheshin me ish-ushtarë…

Pagëzimi do bëhej në Notre-Dame, atje ku vetë Perandori u shenjtërua më shumë se gjashtë vjet më parë. Napoloni mbikëqyri të gjitha detajet, fiksoi datën 9 qershor, thirri 7 000 mysafirë, peshkopë, oborrtarë, anëtarë të trupit diplomatik, zyrtarë të lartë, bashkiakë, deputetë… Mari-Luiza mbulohej nga diamantët, Perandori mbante një kapelë me pendë, kortezhit iu deshën dy orë për të përshkuar Parisin deri te katedralja e zbukuruar e gjitha me llambadarë, pëlhura dhe qilima të shtrenjtë. Në fund të ceremonisë, turma ishte kaq e ngjeshur, sa hajdutët arrijnë të përvidhen mes të ftuarve në përpjekje për të zhvatur bizhuteri… Në çastin kur Franca kalon një krizë të rëndë ekonomike, festimet do të kushtojnë gjithsej 2 milionë franga, nga të cilat një gjerdan diamanti për Mari-Luizën vlerësohej 375000 franga – një gjeneral brigade fitonte 25 000 franga në vit.

Versajë mbi Senë

Mirëpo, asgjë nuk ishte shumë e mirë për shpresën e perandorisë, i quajtur Mbreti i Romës që nga lindja. Napoloni rregulloi nga e para disa apartamente në pallate të shumta, si në Tyilëri, Fontenblo dhe Kompienj. Gjithashtu, udhëzoi Znj. de Montesquiou, nga aristokracia e vjetër, të menaxhonte Shtëpinë e Trashëgimtarit të Ri, modeluar mbi atë të Regjimit të Vjetër, e cila përshinte bashkë 31 vetë, me guvernante, shërbëtorë, mjekë, zonjat e ninullës, dado, për një total 270 000 franga në vit. Prej vitit 1811, Perandori nisi edhe ndërtimin e pallatit të Mbretit të Romës, një Versajë e re prej 400 metrash fasadë me pamje nga Seina nga kodra e Chaillot, një park i madh, që do të shtrihej nga Harku i Triumfit deri në në Bua dë Bulonj, një fermë blegtorale, një stallë për 400 kuaj, 80 karroca, një kështjellë kolosale të projektuar nga Percier dhe Fontaine për të ankoruar Perandorinë në Paris, të ëndërruar si kryeqyteti i botës. U zhbllokua një kredi prej 30 milionësh, e reduktuar në 16 nga fushata ruse në 1812: pallati nuk do ta shohë dritën e diellit, Napoloni kishte shqetësime të tjera, perandoria filloi të lëkundet…

Dështimi i grushtit të shtetit i gjeneralit Malet, në tetor 1812, qe si një goditje elektrike për Napolonin: thuajse të gjithë pandehën se kishte vdekur, askujt nuk i shkoi ndërmend të zotohej për besnikëri ndaj djalit të tij, foshnje një vit e gjysmë! Me t’u kthyer në Paris, ai nuk reshti së sistemuari trashëgiminë e tij me riorganizimin e rregullave të regjencës, në favor të Mari-Luizës, si dhe rrënjosjen e imazhit të Mbretit të Romës në gjirin e njerëzve të tij. Mendoi për një ceremoni në nder të njerëzve me aftësi të kufizuara, për të kujtuar se, ashtu si nën Regjimin e Vjetër, “mbreti nuk vdes kurrë në Francë…”. Para se të vendoste për një kurorëzim solemn dhe të kushtueshëm të të birit në Notre-Dame, në prani të papës, ishte e nevojshme të pajtohej me Papa Piun VII, mbyllur me urdhrin e tij në Fontenblo, pas mosmarrëveshjeve midis tyre dhe çështjes së shkishërimit. Napoloni gjeti një papë të dobësuar, i cili i premtoi se do ta kurorëzonte fëmijën në pranverën e vitit 1813, si dhe perandoreshën. Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi, për hidhërimin e Perandorit, i detyruar të kthehej në luftë kundër një Evrope të bashkuar. Vazhdimi dihet tashmë: rënia e Napolonit në 1814, kthimi i Burbonëve në Francë, Shiponja u rrit si një princ austriak në Vjenë, i përndjekur nga kujtimi i babait pushtues, deri sa vdiq nga tuberkulozi në moshën 21-vjeçare, pa pasardhës. Ëndërrimet madhështore të Napolonit humbën në kaosin e historisë… Së fundmi, do ishte nipi i tij që do ta rimerrte stafetën, rreth tridhjetë vjet më vonë./Konica.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here