Dashnor Kaloçi/ Publikon disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret” të nxjerra së fundmi nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Arkivi Qendror i Shtetit, të cilat i përkasin një periudhe kohe nga (1969-1991), ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, flet-palosje, fotografi, etj., ku bëhet fjalë për Nënë Terezën e Kalkutës, Shenjtoren e famshme me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare, si: “Padmashir”, dhe “Nehru”, nga qeveria indiane në vitin 1963 dhe 1972, “Magnasia” nga qeveria filipinase e cila e shpalli gjithashtu si “Gruaja e merituar e Azisë”, disa çmime paqeje nga SHBA, “Ambrogino i artë” nga Milano, “Nëna universale” në 1974 nga qendra e orientimit të emigrantëve, dhe çmimi ‘Nobel’ për Paqen, në 1979-ën. Kalvari i Nënë Terezës që nga viti 1969, e cila nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze dhe italiane, i kërkoi Tiranës zyrtare, që të vinte në Shqipëri, në atdheun e saj, për të vizituar nënën, Roza Bojaxhi, që në atë kohë ishte në moshën 86 vjeçare dhe e sëmurë, si dhe motrën e saj, Age, të cilat banonin në Tiranë. I gjithë dokumentacioni i plotë, (tashmë i deklasifikuar), i nxjerrë nga arkivat e shtetit shqiptar, bëhet publike për herë të parë nga Memorie.al, ku hidhet dritë mbi të gjithë aktivitetin bamirës së Shenjtores së famshme, në ndihmë të të varfërve në të gjithë botën dhe dëshirën e saj të jashtëzakonshme për të ndihmuar bashkatdhetarët e saj në Shqipërinë komuniste, si dhe heshtjen totale të Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë komuniste të asaj kohe, me në krye Ramiz Alinë e Nexhmije Hoxhën, të cilët me pretekse të ndryshme, penguan ardhjen e saj në Shqipëri dhe e lejuan vetëm në vitin 1989, në sajë të presionit të madh ndërkombëtar!

Edhe pse në të gjithë botën ajo njihej si Nënë Tereza e Kalkutës, Shenjtorja e famshme Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare dhe e çmimit ‘Nobel’ për Paqen në vitin 1979, nuk e fshehu kurrë origjinën e saj shqiptare, madje duke kërkuar që nga viti 1969, nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze, italiane etj.,(ku u angazhuan krerët më të lartë të diplomacisë së këtyre dy shteteve), që të vizitonte nënën dhe motrën e saj që jetonin në Tiranë.

Por edhe pse lidhur me kërkesën e vazhdueshme për të vizituar atdheun e saj, asokohe dhe më pas u angazhuan disa prej diplomatëve kryesore të këtyre dy shteteve Perëndimore me të cilat Tirana zyrtare kishte marrëdhënie diplomatike, regjimi komunist i Enver Hoxhës, nuk e lejoi atë kurrsesi të vinte dhe të shikonte nënën e saj që ishte në momentet e fundit të jetës dhe Age Bojaxhi, u nda nga jeta me pengun e madh që s’mundi ta shihte edhe njëherë të bijën e saj, Gonxhen, të cilën s’e kishte pare, që kur ajo ishte fëmijë, kohë kur ajo ishte larguar nga shtëpia për t’u bërë murgeshë.

Por edhe pas kësaj, Nënë Tereza e Kalkutës, siç njihej ajo në të gjithë botën për shkak të misioneve të saj të bamirësisë në ndihmë të të varfërve dhe të vobektëve kudo që ata ndodheshin, në të gjitha skajet e globit, jo vetëm që nuk u zemërua me ata që nuk e lejuan të shihte nënën e saj, para se të ndërronte jetë, por përkundrazi, u lut për ta dhe vijoj të kërkonte pa u lodhur, për vite me radhë, që ajo të vinte një ditë në vendlindjen e të parëve të saj, qoftë dhe për të vënë një tufë me lule mbi varrin e nënës dhe motrës së saj, që tashmë ishin larguar nga jeta.

Por kërkesat e saj, për dy dekada (nga viti 1969, deri në 1989-ën), hidheshin poshtë me pretekste nga më absurdet nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më pas, pasuesit të tij, Ramiz Alisë e Nexhmije Hoxhës, të cilët shikonin pas saj dhe njerëzve që e shoqëronin: një “agjente të Vatikanit”, etj.!

Lidhur me këto si dhe të gjithë kalvarin e saj prej më shumë se dy dekadash për të ardhur në Shqipëri, ku mendonte që të hapte Shtëpitë e Bamirësisë, siç kishte bërë në vende të ndryshme të botës, si dhe arsyen e vërtetë sepse Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, vendosën që ta pranonin atë në vitin 1989, kur dhe erdhi për herë të parë në atdheun e saj, bëhet fjalë në shumë dokumente arkivore, ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, revista, flet-palosje, fotografi, etj., etj., të cilat publikohen për herë të parë nga Memorie.al., në rubrikën historike dossier, duke filluar nga ky numër.

Vijon nga numri i kaluar

Proces-verbali i takimit të ministrit të Punëve të Jashtme, Reis Malile, zhvilluar me Nënë Terezën në Tiranë, më 16. 8. 1989

Proces – verbal

Mbi takimin e shokut Reis Malile me Nënë Terezën, më 16. 8. 1989

Shoku Reis Malile: – Ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri. Ju përfaqësoni popullin tonë. Vepra juaj është e njohur jo vetëm në Shqipëri, porsi vepër kolosale është e njohur në të gjithë botën. Ne krenohemi për ju dhe populli shqiptar ka vetëm kënaqësi e gëzim që ju sheh në Tiranë.

Nënë Tereza: – Kam 60 vjet në Indi, por veprimtaria jonë është e njohur kudo në botë. Shpresoj të sjell edhe motrat e mia dhe atëherë do të vijë më shpesh në Shqipëri, do të bisedojmë. Gjëja më e mirë në punën tonë të mrekullueshme është që të afrojmë të varfrit me të pasurit, që ata të bashkëpunojnë, që të pasurit të ndihmojnë të varfrit. Me popullin shqiptar jemi shumë të afërt. Këtu më kanë ndenjur afër.

Shoku Reis Malile: – Ju transmetoj përshëndetjet e Presidentit Ramiz Alia, por me keqardhje ju them, se tani ai nuk ndodhet në Tiranë.

Nënë Tereza: – Kam shkruar një letër për Presidentin, në anglisht, dëshiroj dhe të lutem t’ia jepni. E di që është kohë pushimesh dhe ai mund të mos ndodhet këtu. Më vjen keq që nuk flas shqip, por herën tjetër do të flas.

Shoku Reis Malile: – Këtë letër do t’ia dorëzoj me kënaqësi Presidentit. Ne gëzohemi që ju shohim me plotë vitalitet, me vullnet të hekurt, tërë pasion dhe e provuar në vështirësi të mëdha. Duhet marrë shembull nga vullneti juaj.

Nënë Tereza:- Është vullnet i Zotit, ai më përdor mua dhe motrat. Këtu vizitova edhe Varrezat e Dëshmorëve, ato mbahen mirë.

Shoku Reis Malile: – Populli shqiptar ka vu ajtur shumë, ai ka bërë shumë luftëra për liri e pavarësinë kombëtare. Ne kemi respekt për të rënët e të vdekurit, si dhe respektojmë të vjetrit e sidomos familjen. Bëjmë mjaft përpjekje për përmirësimin e jetës tonë. Progres të shoqërisë ka vetëm në liri.

Nënë Tereza: – Ju nuk keni patur ndihma nga jashtë? Pse s’keni marrë?

Shoku Reis Malile: – Të marrësh kredi e ndihma nga jashtë do të thotë që të krijosh një mirëqenie artificiale. P.sh. Jugosllavia që është zhytur me borxhe te të huajt, po jeton sot në një krizë të madhe. Në marrëdhëniet ndërkombëtare jemi për paqe e miqësi ndërmjet popujve.

Nënë Tereza: – Po, është vështirë për vendet që marrin borxhe t’i shlyejnë ato. Ne besojmë te perëndia për çdo gjë. Nuk pranojmë para nga askush, as nga qeveri, dhe nga askush. Ne merremi me mijra e mijra njerëz, por nuk kërkojmë dhe ndihma vjen si për mrekulli edhe për ata që vu ajnë.

Shoku Reis Malile: – Ne luftojmë që të zhvillojmë bashkëpunimin ndërkombëtar mbi baza të drejta, jo me shtypje e diktat. Përpiqemi që me vendet fqinje të kemi marrëdhënie të mira dhe të tilla i kemi ato me Greqinë, me Italinë gjithashtu përpiqemi dhe dëshirojmë që marrëdhëniet të ecin përpara.

Nënë Tereza: – Po me Bullgarinë keni marrëdhënie të mira?

Shoku Reis Malile: – Edhe me Bullgarinë e Rumaninë i kemi marrëdhëniet të mira, po kështu edhe me Turqinë. Shumë të mira i kemi marrëdhëniet me vendet nordike. Ndërsa me Jugosllavinë, nuk i kemi të mira marrëdhëniet.

Nënë Tereza: – Ne sapo hapëm një mision bamirësie në Hungari. Zoti duhet të ndihmojë edhe për marrëdhëniet me Jugosllavinë.

Shoku Reis Malile: – Ju duhet të luteni për kosovarët, që po kalojnë kohë të vështira, sepse serbët atje po veprojnë shumë keq. Duan që t’i mbajnë ata si qytetarë të dorës së dytë.

Nënë Tereza: – Në Kosovë ka problem sot. Shqiptarët a janë shumica tani? Edhe në New York ka shumë kosovarë e shqiptarë. Ne kemi 86 misione bamirësie në SHBA. Ne do të lutemi për kosovarët. Shqiptarët në Kosovë nuk kanë të drejta të barabarta me popujt e tjerë të Jugosllavisë?

Shoku Reis Malile: -Jo. Në Indi ju e keni jetuar periudhën e kolonizimit anglez. Po ato metoda përdor edhe shovinizmi serb aktualisht në Kosovë. Qeveria shqiptare përpiqet që edhe shqiptarët të kenë të njëjtat të drejta si dhe qytetarët e tjerë jugosllavë. Ne dëshirojmë fqinjësi të mirë edhe me Jugosllavinë dhe për këtë bëjmë përpjekje, se ashtu si njerëzit tuaj që jenë të mirë edhe në Jugosllavi ka njerëz të mirë.

Nënë Tereza: – Nuk e kam njohur shumë mirë kolonizimin anglez në Indi, vetëm fillimin. Edhe gjendjen e shqiptarëve në Kosovë nuk e di, sepse nuk merrem me politikë. Po do të lutemi që të keni marrëdhënie të mira edhe me Jugosllavinë.

Shoku Reis Malile: – Ç’përshtypje keni nga Shqipëria?

Nënë Tereza: – Kudo më kanë pritur me dashuri të madhe. Pashë varrin e nënës e të motrës, të cilat kisha 60 vjet pa i parë. Atyre u shkruajta letra, por nuk i kisha parë kurrë. Marie Kraja është kujdesur shumë për njerëzit e mi dhe vetëm atë emër kisha për këtu në Shqipëri. Po tani kam shumë njerëz këtu.

Shoku Reis Malile: – Shpirtërisht ju keni qenë shumë afër. Të jeni të bindur se keni shumë njerëz pranë jush. Mbrëmë pamë në television një emission për ju, ai u ndoq me një interesim shumë të madh. Do të organizojmë edhe shfaqjen e filmit tuaj. Kështu tani njerëzit tanë kanë një respekt e një interesim më të madh për ju.

Ne gëzohemi për këtë fakt. Ju urojmë suksese në misionin tuaj. Ky është hap i parë që bëhet në Shqipëri, po të qëndroni më gjatë do të shihni e takoni më shumë njerëz, do të takoni pa dyshim edhe miq të familjes suaj.

Vëllai juaj ka studiuar në Liceun e Korçës dhe ka patur professor udhëheqësin tonë, Enver Hoxhën. Pa dyshim që vëllai juaj kishte shumë shok e miq, njerëz të njohur, të cilët do të kërkojnë dhe do të takohen me ju. Jam i bindur që në Shqipëri me kohë do të dalin shumë miq të tjerë dhe ju do të takoheni me ta në vizitat e tjera.

Mbajtës të proces – verbalit

Natasha Hita

Vangjel Mita

Letra e Nënë Terezës për Presidentin Ramiz Alia

MISSIONARIES OF CHARITY

54A ACHARYA J. CHANDRA BOSE

CALCUTA 700016 INDIA

Tiranë 16 gusht 1989

I dashur Zoti President i vendit tonë të dashur, Shqipëri

Pas shumë vite lutjesh dhe dëshire për të vizituar vendin tim, pas kaq vizitash kudo në botë, më në fund i miri Zot më dha këtë dhuratë të bukur, të vij e të shoh popullin tim. Njerëzit e familjes sime, kanë jetuar për shumë vjet këtu dhe këtu vdiqën. Unë pata mundësi të vizitoj varret e tyre.

Meqenëse motrat e mia që janë misionaret e bamirësisë ndodhen në shumë vende, kam pasur dëshirën që ti sjell dhe ato këtu. Të paktën katër prej tyre, për t’ju dhënë ngrohtësi, dashuri, dhe përkujdes, pleqve dhe të sëmurëve, të gjithë atyre që kanë nevojë për dashuri dhe kujdes, sepse janë njerëzit tanë. Prandaj kini mirësinë të më lejoni që të sjell motrat e mia këtu. Kjo e jona nuk është çështje biznesi dhe as politike.

Unë nuk kam as ar e as argjend, por juve do t’ju jap motrat dhe shpresoj që të bëjmë një gjë të bukur për Zotin dhe popullin tonë.

Mirënjohja ime për ju është lutja ime për ju dhe popullin tuaj që i shërbeni.

Zoti ju bekoftë

Nënë Tereza

Letra origjinale ju dorëzua shokut Ramiz. Ne mbajtëm kopjen.

Reis Malile

13. 09. 1989

Lista me emrat e personave dhe adresa e tyre, që Nënë Tereza kërkoi të takohej me ta gjatë vizitës së saj në Shqipëri dhe u lejua nga qeveria shqiptare t’i takonte

Këto janë personat që shoqëruesja e Nënë Terezës do të takohet

19. 08. 1989

Katrin Gjoka

Mali i Gjymtit

Dajç, Bregu i Bunës, Shkodër

Gjon Deda

Drane Miraj

Qendër Milot

Age Kallmi

Lagjia “Vullnetari”

Pallati 629

Hyrja A. Nr. 11

Elbasan

Veronika Ndoci

Pjetroshan Bajze

Shkodër

Gjyste Hanxhari

Lagjia 3 Heronjtë

Rr. “Kongresi i Lushnjes”

Nr. 102

Shkodër

Marie Boga

Babai: Mirash Boga

Nëna: Mrika Boga

Fshati Amulli

Jugosllavi

Shënim – Marie Boga është banuese në Jugosllavi, ndërsa personi që ka dhënë adresat e ish – murgeshave, në Shqipëri.

Këta janë personat që shoqërojnë dhe kërkojnë të takojnë Nënë Terezën e Kalkutës, të afërm të Terezës

Relacioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme me biografinë e Nënë Terezës, (sipas librit “Madre Teresa di Calcuta”) dhe të afërmit e saj në Tiranë

BIOGRAFIA E NËNË TEREZËS

Sipas librit “Madre Teresa di Calcuta”

Nënë Tereza e Kalkutës e njohur ndryshe dhe si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu me origjinë shqiptare, ka lindur në 27 gusht të 1910 në Shkup. Takimi me një misionar jezuit në moshën 18 vjeçare i cili, i zbuloi prirjen e saj fetare dhe i ndezi dashurinë për popullsinë e mjerë të Indisë, ishte vendimtar. Në vitin 1928 ajo, hyri në kongregacionin e Motrave Misionare të Loretos.

Pas një qëndrimi të shkurtër në Shtëpinë Mëmë të Urdhrit, në Irlandë ajo u dërgua në Darjeling të Indisë për stazh. Aty ajo, u bë Motër Tereza. Deri në vitin 1948, shërbeu si mësuese e historisë dhe gjeografisë, në shkollën e lartë “Santa Maria” në Kalkuta. Nga e cila u largua përfundimisht me pëlqimin e Papa Piut të XII më 8 qershor të atij viti për të ndërmarrë misionin e saj në rrugët e Kalkutës.

Në vitin 1950 themeloi Kongregacionin Femëror “Misionarët e Bamirësisë” së cilës në vitin 1963 iu bashkua dhe dega mashkullore “Fratelli”.

Asaj i janë atribuar mirënjohje dhe ndere të shumta të cilat ajo i ka pranuar me përulësi, e bindur se ka qenë një “instrument” në duart e Zotit. Por mirënjohja më e rëndësishme ishte në 1979 kur mori “Çmimin Nobel për Paqen” që Nënë Tereza, donte ta refuzonte, por që në emër të sëmurëve, dhe të vu ajturve, e pranoi.

Të afërm të Nënë Terezës

Age Bojaxhiu – e motra – e pamartuar – vdekur në 21.8.1973

Pas çlirimit ka qenë spikere në Radio Tirana për lajmet në serbisht, dhe më pas rrobaqepëse në shtëpi.

Roza (Drande) – e ëma – vdekur në 12.7.1972

Njeri të afërt nga familja e tyre në Shqipëri nuk ka. I vëllai – Lazri, ka vdekur në Palermo në 1981, ku punonte si farmacist. Ka ndjekur Liceun francez të Korçës.

I ati ka qenë në Shkup kryetar i grupit shqiptar që luftonte për shkollat shqipe. E helmuan në Beograd, duke i’a lënë jetim fëmijët e vegjël. Në Prishtinë është djali i hallës, Lorenco Antoni, me vajzën e tij që punon si koriste.

Në Shqipëri, nuk kanë pasur kurrë shtëpi të tyren. Fillimisht kanë banuar në një shtëpi private në një rrugicë përbri Ministrisë së Tregtisë së Brendshme, karshi shtëpisë së Riza Hajros, me nënën e të cilit, Agia ka pasur shumë miqësi. Më vonë banuan në shtëpinë e Avni Zajmit, përballë Stabilimentit “Mihal Duri”.

Së fundi kanë banuar në një apartament shtetëror në afërsi të Komitetit Ekzekutiv të lagjes nr.8. Në këtë banesë ka jetuar edhe Myzejen Mero, Vangjel Gjeçi, Nezi, motra e Reshat Konçit që punon në Librin Shkollor, të cilët janë kujdesur për Agen dhe Dranden.

Varrin e nënës dhe të motrës e di me saktësi Marije Kraja dhe të tjerë. Ato kanë nevojë për mirëmbajtje. Marija, ofrohet të saktësojë ato dhe vendbanimet në rast se do të çohet në territoret përkatëse.

Agia me Dranden, kanë pasur miqësi veçanërisht me familjen Guraliu (një pjestar i kësaj familjeje është violinist).

Gonxhia (Nënë Tereza) kur ka qenë maturante, u sëmur nga TBC-ja prandaj ajo vendosi që po të shërohej, do t’ia përkushtonte jetën e saj të sëmurëve. Ajo shkoi në Kuvendin e San Loretos në Irland, ku qëndroi 2 vjet, e ku mandej shkoi në Kalkuta të Indisë, ku krijoi Urdhrin e saj “Madre dei moribondi” që i kushtohej kryesisht mjekimit të lebrozëve. /Memorie.al / Dashnor Kaloçi

Tiranë, me 3 gusht 1989

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here