Gjendja e shqiptarëve të Kosovës nën regjimin e Millosheviçit ishte shkatërruese për të. Jugosllavia po shkërmoqej e dukej sikur do të merrte me vete edhe Kosovën. Ai ishte i famshëm, jo vetëm në Prishtinë e Beograd. Uliksi i tij kishte udhëtuar gjithë botën… Por ai nuk mund të rrinte indiferent. Çka ndodhte përreth i errte sytë dhe terri po i pushtonte shpirtin. Po trokiste dekada e fundit e shekullit dhe Bekim Fehmiu ndiente se duhet të bënte diçka si revoltë kundër politikës serbe.

Në mënyrë demonstrative braktisi skenën e Beogradit, ku i ishte besuar roli i Leninit dhe i Stalinit në dramën “Madam Kolontajn”, por kjo nuk ishte mjaft. Në kujtimet e tij, përfshirë në librin voluminoz monografik të Fahri Musliut “Bekim Fehmiu”, aktori rrëfen gjendjen e rënduar shpirtërore në vitin 1989. Mes dëshpërimit mendon t’i japë fund vetes, duke djegur veten me benzinë në mes të Beogradit apo të hedhë apartamentin në erë…

Por kujtimi i të dashurve, i babait dhe nënës, e frenonin.. Më poshtë, një rrëfim tronditës nga vetë Bekim Fehmiu në kujtimet e tij “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”. 

JEHONA NË BOTË

Paris: “Vendi në buzë të fantastikës”; Nju Jork: “Uashingtoni nuk e fsheh shqetësimin”; Pekin: “Jugosllavia nuk mund të shkatërrohet”; Moska jep vetëm informatat e thata; Bon: “I befasuar me zhvillimin e ngjarjeve”; Romë: “Jugoslavia a pezmi” (Jugosllavia copë-copë).

Të gjitha gazetat italiane murmurojnë lidhur mbi nacionalizmin e madh dhe Sllobodan Millosheviqin. Theksojnë se “udhëheqësi serb, Sllobodan Millosheviq, po e shfrytëzon krizën ekonomike që Serbia të ketë rolin udhëheqës në federatë, pavarësisht faktit që në Serbi e kanë quajtur me emrin e Titos, në realitet, ai e mohon Jugosllavinë e Titos dhe Kushtetutën e saj”.

Fatkeqësisht, parandjenjat e mia të zeza, prognoza nga “dhurata e Mihizit, që Kosova të bashkohet me Shqipërinë” dhe fjalisë së famshme të Llazar Kollishevskit: “Kush e ka trilluar Serbia e dobët – Jugosllavia e fortë…” u bënë të vërteta. Rrahman Morina, Sekretar i Punëve të Brendshme të KSA të Kosovës, “polici kryesor”, paraqiti të dhënat statistikore: “Nga viti 1981 deri në shtator të vitit 1988 janë dënuar dhe kanë kaluar nëpër duar të policisë 565.673 shqiptarë”, shkruan gazeta “Politika”. Një e treta e popullit shqiptar.

Të gjithë të rinj. “Rroftë vëllazërim-bashkimi!” Nga LKJ u përjashtuan edhe Ymer Pula, Xhevdet Hamza dhe të tjerët. Me këtë u çrrënjos bërthama e antifashistëve shqiptarë dhe organizatorëve të kryengritjes e luftëtarëve të LNÇ-së gjatë Luftës së Dytë Botërore.

PLENIUMI I SHTATËMBËDHJETË (KQ I LKJ)

Erdhi dita e kobshme. Edhe një plenium shterp, steril, i turpshëm. Atmosfera – e mundimshme. Do ta mbaj mend atë plenium për nga zëri dridhës dhe gishti i drejtuar i shokut Hafner (Vinko nga Sllovenia) drejt Sllobodan Millosheviqit: “Do të bartësh përgjegjësi…”.

Menjëherë pas Mbledhjes së Shtatëmbëdhjetë, në Fushë Kosovë, u organizua mitingu. Kërkohen dorëheqjet për “5 ditë” të Azem Vllasit dhe Kaqusha Jasharit. Branko Greganoviq, kryetar i Konferencës Federative të Rinisë së Jugosllavisë, në ditarin e vet, në revistën “Danas” (Zagreb), të datës 15 nëntor, thotë: “Me debatet mbi Kosovën, në realitet nuk po bëhet asgjë. Për Kosovën, posaçërisht gjatë këtyre shtatë-tetë vitesh është thënë shumëçka, e pakuptueshëm pak është bërë.

Duket se është bërë normale që problemet nuk duhet zgjidhur… “Gandi thotë: “Dhuna më e madhe mbi njeriun është varfëria”. Udhëtoj. Autobusi afarist është plot me delegatë të kuvendit. Shoferi Donko, serb, vendas i vjetër nga Prishtina, më përqafon me gëzim. Të veçuar nga turma, rrimë dhe pimë cigare duhani. “Bekim, apo i sheh ata atje?”, m’i tregon delegatët shqiptarë e serbë. “Shiko çka po të them. Ata do t’i shpëtojnë bythët e veta, e neve do të na gjejë belaja, nanën ua q…!”… Beograd.

Branka ma hap derën. Fëmijët janë në shkollë.

– Shiko çfarë nderi ke përjetuar nga LSPP (Lidhja Socialiste e Popullit Punues) të Serbisë! Ta kanë dërguar ftesën për mitingun e madh në Ushqe! – më thotë Branka.

E hap ftesën. Ulësja nën tribunë! Organizatori është “spirituoz”… Mëngjes i bukur dhe i butë me diell. Udhëtoj për Romë. Branka më vozit deri në aeroport. Rrugët e Beogradit shkëlqejnë nga pastërtia, si rrallë ndonjëherë. I gjithë qyteti, shtyllat në urën “Gazela”, në autostradë, janë zbukuruar me flamuj. Qindra autobusë, me udhëtarë,veç po arrijnë nga brendia e vendit. Nisem drejt Ushqës…

SIMBOL – I KUJT? Qielli i plumbtë i shkurtit po e ngulfat qytetin. Në galerinë “Sebastian”, në Knez Mihajlova, ekspozita e akademikut Miqa Popoviq. Vëmendjen ma tërhoqi një pikturë nga tavani në dysheme, me titullin “1 maj 1989”, me dimensione 300 x 330 cm. Ma rikujtoi pikturën e Hoze de Riberes, piktorit me prejardhje spanjolle në Itali i quajtur “Lo Spagnoletto” (1591–1652).

Martirizimi i Shën Bartolomeut nga shekulli XVII. Pikturat për qëllim të fushatës antishqiptare janë shumë të suksesshme. Pasojat do t’i përjetojnë fëmijët tanë. Simonida në faqen e parë të dyjavores “Dugas”, me “…Arbanasi me thikë t’i ka nxjerrë sytë”… Nuk mund ta paramendoj atë artistin e urtë, të arsimuar, kureshtar, të gjithanshëm, Miqa Popoviqin, derisa e pikturon tablon “1 maj 1989” e që të mos i kalojë nëpër kokë çfarë mesazhe trishtuese dërgon me atë pikturë!?

A është e mundur? Zotërinjtë akademikë nuk e folën asnjë fjalë në tetor të vitit 1987, kur djaloshit të vogël shqiptar, serbët, në Pozharevac, me gozhdë ia gërmuan syrin. Në shtëpi po kthehem me qiell edhe më të rëndë prej plumbi. Çdo gjë është e çmendur rreth meje. Kulmet e çmendura, rrugët, drurët lakuriq, ndërtesat, dritaret, terasat e ballkonet.

Janë të çmendur autobusët dhe tramvajet me udhëtarë të çmendur. Të çmendur… Kush do t’ua sjellë fëmijëve tanë, nipërve, atë që e kishim ne? Kur? Sa dhjetëra, qindra, mijëra njerëz do ta këndojnë vjershën e Dushan Vasilevit: “Njeriu këndon pas luftës”.

S’më vjen keq që kam shkelur në gjak deri në gjunjë dhe i mbijetova vitet e kuqe të kasaphanës, për hir të kësaj njohurie të shenjtë që më solli shkatërrim. Dhe unë s’po kërkoj prenë: oh më jepni mua edhe një grusht ajër dhe pak vesë të bardhë mëngjesi, tjerat juve në nderë! Edhe sa dekada do të kalojnë në shekullin XXI për t’i kuptuar fjalët e Hemonit që ia thotë babës së tij, Kreontit, e të cilat Sofokliu i ka thënë qysh para dy mijë e pesëqind vjetësh: Perënditë, babë, u japin mend njerëzve, Nga të gjitha pasuritë, që është pasuri më e madhe?

Jam kah fundi i forcës. Nuk e di nëse do të mund të qëndroj. Po shqyhem. Shpirti po më copëtohet. Tëmthat po ushtojnë. Gishtat i kam në ngërç të shtrënguar në grusht. Nuk po eci. Po vrapoj… Në shtëpi po sjell terr. Jam i helmuar. Askush nga anëtarët e familjes nuk guxon të më afrohet. Jam i rrethuar me rrathët e ferrit, përshëndetjet e tyre të hareshme, puthjet, mirësjellja nuk po më prekin më.

Aura e territ është e padepërtueshme. Për këtë jam i vetëdijshëm. Kjo edhe më shumë më ngacmon. Po e helmoj dritën e Brankës dhe shpirtrat e dëlirë të fëmijëve. Veç disa herë kam menduar t’ia shkurtoja jetën vetes. Si? Me një plumb në tëmth?

Po planifikoj që në mes të Terazisë të lagem me benzinë dhe të kallem si Jan Palah më 1969 në Çekosllovaki. M’u kujtua shqiptari nga Gjakova, kur mu në Terazie, vrapoi duke bërtitur “Rroftë shoku Stalin!”. E ka qëlluar veten për vdekje më 1948. Do të blej eksploziv plastik, do ta vë gjithkah nëpër banesë. Derisa të gjithë të flenë, tërë familjen dhe veten do ta çoj në ajër. “Mina, dhe në qiell!”. Në çmendje, më ndriçon rrufeja.

Me ç’të drejtë guxon që më të dashurve t’ua marrësh jetën? Sa dhembje do t’u sillje motrave dhe vëllezërve, dhe të gjithëve që të duan dhe të çmojnë? Kush ta jep të drejtën të vrasësh fqinjët e pafajshëm e të dashur nën ty? Tek e fundit, ç’do të arrish me këtë? Vetëm sa do t’i gëzosh mu ata kundër të cilëve qenia jote, me gjithë fuqinë e vet, rebelohet.

Vështirë, por e mundi çmendjen e errët. Vetveten… Si adoleshent, qysh më 1950 e kam bërë përpjekje të vetëvrasjes në Kalanë e Prizrenit. A jam një person suicid, apo jam bërë një qyqar i tillë saqë me “briskun e pastër” po dua të arrij lirinë? A jam bërë i dobët, sa nuk mund t’i duroj më: “Thuprat, shtrigat,/padrejtësitë e të fuqishmëve… Dhunën dhe dalldinë e pushtetit, poshtërimet?”.

Je bërë i dobët, qyqar, Bekim! Ke lejuar shpirtin ta helmojnë njerëzit e territ. Kujtoje Ludvig Van Betovenin: “Nuk pranoj asnjë fuqi më të fortë se dashuria”. Kujtoje babën dhe të gjitha torturat psiko-fizike që ka përjetuar për shkak të luftës për njeriun e lirë, pra edhe të njeriut shqiptar. Kujtoje nënën tënde, Dijen. Vallë, e ke harruar se e ferrit ka qenë jeta e saj dhe çfarë nuk kishte duruar që ju të tetëve t’u nxirrte në rrugën e drejtë të jetës? Dhe?

Ia ka dalë. Nëse asgjë tjetër, le të jetë ajo shembull. Mblidhi mendimet në një pikë. Shporre terrin. Ktheje guximin e të jetuarit. “Pushteti më i madh është pushteti mbi vetveten”. (Seneka)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here