Salla ‘Tina di Lorenzo’ e Pallatit Dreher, marsi i vitit 1913 – Kongresi, ku spikatën figura madhore prej të gjitha viseve shqipfolëse dhe prej diasporës, artikuloi shkoqur ç’do të thoshte të ishe shqiptar në realitetin e ri ndërkombëtar.

E famshme do të mbetet në çelje të këtij kongresi, shpallja e patriotit Dervish Hima: “Na nuk njohim tjetër qeveri pose asaj të çpallme prej Ismail Qemalit!”

Në Trieste u mblodhën më 1 mars 1913, përfaqësues të kolonive shqiptare nga SHBA, Rumania, Bullgaria, Egjipti, Italia etj., në atë që më vonë, do të quhej Kongresi shqiptar i Triestes.

Organizuar nga Faik Konica dhe Sotir Kolea, me mbështetjen e fortë të autoriteteve austriake, kongresi zgjati deri më 4 mars të atij viti, në hotelin “De la Ville”, vetëm më pak se gjashtë muaj nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, në nëntor 1912.

Si emisar të saj, qeveria e përkohshme e Vlorës dërgoi Kristo Meksin dhe një interes të veçantë historik patën shënimet e botuara për kongresin nga baroni Franz Nopcsa.

Ishin plot 154 atdhetarë, tregtarë dhe intelektuale shqiptarë, në Kongresin ku Hilë Mosi u zgjodh kryetar dhe Faik Konica e Dervish HIma nënkryetarë, Fazli Toptani dhe Pandeli Evangjeli si sekretarë.

Kongresi njohu qeverinë e përkohshme të ngritur nga Ismail Qemal bej Vlora dhe diskutoi kandidatët e ndryshëm për fronin e lirë.

Midis kandidatëve që diskutoheshin në atë kohë, ishin: Ferdinand François Bourbon Orléans-Montpensier i Francës, Albert Ghika i Rumanisë, Wilhelm Karl, Duka i Urach nga Württemberg, princi egjiptian Ahmed Fuad dhe fisniku spanjoll Juan Pedro Aladro Kastriota me origjinë nga Kastrioti familja përmes gjyshes nga ati, ai ishte djali i Marchese Castriota (D’Auletta) nga Napoli. Baroni Nopzsa, gjithashtu propozoi veten për fronin. Austro-Hungaria promovoi kongresin, veçanërisht për të siguruar zgjedhjen e një princi të zgjedhur prej saj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here