Autoritetet franceze kanë paralajmëruar se ilaçet që përdoren shumë kundër inflamacionit mund ta përkeqësojnë gjendjen e personave të infektuar me koronavirus.

Ministri francez i shëndetësisë, Olivier Veran, i cili është edhe neurolog, të shtunën shkroi në Tëitter: “Përdorimi i ilaçeve anti-inflamatore mund të jetë një faktor për përkeqësimin e infeksionit. Në rast të temperaturës së lartë, përdorni paracetamol. Nëse tashmë jeni duke marrë ilaçe anti-inflamatore, kërkoni këshilla nga mjeku.”

Zyrtarët shëndetësorë kanë theksuar se ilaçet anti-inflamatore njihen si të rrezikshme për personat që kanë sëmundje ngjitëse, sepse ato kanë prirje për ta dobësuar përgjigjen e sistemit imunitar të trupit ndaj infeksionit.

Ministria e Shëndetësisë shtoi se pacientët duhet ta zgjedhin paracetamolin për shkak se do ta zvogëlojë temperaturën pa e kundërsulmuar inflamacionin.

Pacientët francezë janë detyruar të këshillohen nga farmacistët që nga mesi i janarit, nëse duan të blejnë ilaçe të popullarizuara kundër dhimbjeve, përfshirë paracetamolin, brufenin dhe aspirinën, në mënyrë që të paralajmërohen për rrezikun.

Jean-Louis Montastruc, kryetar i sektorit të farmakologjisë në spitalin e Tuluzit, tha: “Ilaçet anti-inflamatore e rrisin rrezikun e ndërlikimeve, kur pacienti përballet me temperaturë të lartë apo infeksion.”

Franca tashmë ka marrë vendim për mbylljen e shkollave, ndërsa ministri i arsimit ka premtuar se do të fillojë mësimi përmes internetit, shkruan “The Guardian”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here