Autorit boshnjak nga Sanxhaku, Mr. Esad Rahiq, Leskovcin e përshkruan qytet të banuar me myslimanë dhe krishterë, pa e përmend asnjëherë strukturën nacionale?
Para disa dite, revista STAV nga Sarajeva botoi një shkrim të gjatë të autorit boshnjak nga Sanxhaku, Mr. Esad Rahiq, ku Leskovcin e përshkruan ai qytet të banuar me myslimanë dhe krishterë, pa e përmend asnjëherë strukturën nacionale. Shtrohet pyetja pse? Ua lëmë juve lexues të nderuar të gjykoni vet.
Ky qytet në kohën e Perandorisë Osmane përmendet dhe shënohet me emrin Leskoa, përkatësisht Leskova. Në kohën e Krizës së Madhe Lindore ( 1875-1878), sipas Vidosava Nikoliq- Stojanoviq, kishte 2500 shtëpi të krishtera dhe 1000 shtëpi shqiptare e turke.[1] Numri mesatar i meshkujve ishte rreth 4 në çdo shtëpi.[2] Në viset të Leskovcit kanë jetuar dardanët. Në shekullin e katërt aty vijnë e vendosen keltët dhe pas tyre aty vijnë si zaptues romakët e popujt tjerë.
Pak para shpërnguljes së shqiptarëve nga ky qytet, sipas disa të dhënave, Leskovci ndahej në disa lagje, jo aq larg njëra nga tjetra, por kishin ndryshim të madh në pikëpamje të zhvillimit ekonomik e kulturor. Sipas shënimeve që u bënë pas shpërnguljes, popullata serbe ishte diç më e madhe se sa ajo shqiptare e turke. Në pjesën qendrore të qytetit jetonin pasanikët e kombësive të ndryshme – tregtarët, mjeshtrit, feudalo-borgjezët dhe njerëzit e tjerë të pasur. Në pjesën tjetër ishin pasanikët e mesëm ku, përveç familjeve shqiptare e turke, kishte edhe familje të pasura serbe, greke, cincare e, aty-këtu hebrenje. Ndërkaq, në pjesën e tretë, ku përfshiheshin “ Taban Mahallesi”, “ Gelquk mahallesi” ose “Belquk mahalla”, “ Ajtin Mahalla”, “QorkovMahalla”, “Abaxhi Mahalla”, “Sat Mahalla” etj.,[3]gjendej një shtresë me përbërje sociale heterogjene, përkatësisht kishte familje ekonomikisht më të pasura, të mesme, por edhe mjaft familje të vobekta.[4]
Në qytetin e Leskovcit kryqëzoheshin disa rrugë. Më kryesoret ishin “ Sokaku i Sahatit”, “Sokaku i Kullashevit”, etj. Si duket, disa prej pjesëve të qytetit nuk ishin mjaft të përshtatshme për jetë, pasi aty mbretëronte një papastërti, një baltë, pjesërisht vende moçalike ku njeriu nuk guxonte të hynte lehtë.[5] Qyteti nuk ishte i ndriçuar , kështu që njerëzit, si në qytetet tjera, në mbrëmje mbylleshin nëpër shtëpi dhe njeriu detyrohej patjetër të mbante një fenjer e dritë tjetër në dorë kur kalonte në mbrëmje dhe natën nëpër të.
Edhe në Leskovc sikurse në Prokople, zhvilloheshin mjeshtri të ndryshme, dhe ishin disa qendra dhe sheshe ku bëheshin shitblerje të ndryshëm. Prania e madhe shqiptare në sheshe ku bëheshin shitblerje të ndryshme. Prania e madhe shqiptare dokumentohet edhe me faktin se një prej pazareve (tregjeve) quhej “ Arnaut pazaresi”. Si në çdo qytet, ashtu edhe në Leskovc kishte shumë faltore ( Xhami).
Përveç shumë kishave, në Leskovc ishin edhe disa xhami dhe teqe ( 6 xhami dhe 4 teqe) [6] ( 10 teqe dhe 8 xhami S. U).
Siç dihet , aty pari kalon lumi Veternica, prandaj ishin të ndërtuara disa ura me konstruksione të ndryshme të dobëta dhe disa diçka më të forta. Edhe pse disa pjesë të qytetit nuk furnizoheshin mjaft me ujë, prapëseprapë, shumica e pjesëve të qytetit kishte kopshte me lule shumë ngjyrshëm dhe me ndenje, përkatësisht me shatërvanë të ndryshëm, që zbukuronin qytetin dhe që e furnizonin atë me ujë të pijshëm. Ka të dhëna që familjet e pasura dilnin në vende të posaçme për freskim, të cilat, si në çdo vend tjetër, quheshin “ teferixhe”. [7]
Dr. Sabit Uka, Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe vendosja e tyre në kosovë,1878-1912, Prishtinë 1994. Faqe 279-280.
[1] Vidosava N. Stojanceviq, Leskovac i oslobodjeni predeli….f.12.
[2] Po aty. F 12.
[3] Po aty fq. 85
[4] Po aty faqe 50
[5] Po aty faqe 87.
[6] Poaty fq. 51. (Nga kjo kuptohet se këtu kishte shumë dervish).
[7] Po aty f. 51.