Historia nacionaliste

Para disa ditësh e postova një shkrim të shkurtë ku shihej ndihma e ushtrisë serbe që ia ofroi Perandorisë Otomane në Betejen e Nikopolit. Disa ditë më vonë, Koha Ditore e botoi një përshkrim të një punimi që e kishte botuar Oliver Schmitt, i cili e kishte thënë të njejtën gjë, por në mënyrë më të gjërë. Por, kjo që e kishte thënë Schmitt e mori dhenë ndër shqiptarët se ai është historian i huaj. Kjo gjë nënkupton se shqiptarët më shumë iu besojnë historianëve të huaj dhe ndoshta këtu ekziston një arsye. Por, Schmitt nuk thoshte asgjë që nuk e kanë thënë historianët tjerë (të mirëfilltë) para tij.

Ky punim i Schmitt-it u përhap me qëllim që të demantohet se serbët nuk e kanë mbrojtur ‘Evropën e Krishterë’ nga ‘sulmet barbare turke’, siç kanë trumpetuar gjithmonë. Kjo është një teori jo vetëm e serbëve, por e tërë popujve ballkanikë. Historia e tërë këtyre popujve (shqiptar, rumun, grek, bullgar …) e thotë po këtë gjë, e cila nuk është e vërtetë. Këto vende kanë aplikuar narracion, gati fantastik, për ta ndërtuar historinë nacionaliste me të cilën sot mendojnë se duhet t’i vardisen Evropës.

Por, realiteti ka qenë ndryshe. Nuk janë vetëm serbët që e ndihmuan zgjerimin e Perandorisë Otomane. E kanë ndihmuar të gjithë popujt e Ballkanit. Natyrisht, fillimisht kanë rezistuar, por kur kanë rënë nën sundim, më nuk kanë lëvizur aq shpesh kundër pushtetit, siç e paraqesin sot historitë e tyre kombëtare. Në realitet, vendet ballkanike, jo që janë bërë vetëm pjesë e perandorisë, por e kanë prodhuar edhe klasën sunduese otomane.

Ja disa Vezirë (kryeministra) të Perandorisë Otomane që kanë shërbyer nga viti 1453 deri më 1474:

1. Çandarli Halil Pasha ishte nga familja e njohur ‘turke’ në Azi të Vogël, të cilin e ekzekutoi Sulltan Mehmeti II në vitin 1453. Çandarli Halil Pasha e mbronte idenë se ‘nuk duhet ta okupojmë Konstantinopolin se prishemi me Evropën’, frazë të cilën nuk dëshironte ta dëgjonte Sulltan Mehmeti ambicioz. Me këtë akt Sulltan Mehmeti i dha fund ndikimit turk në perandori dhe e forcoi atë otoman.

2. Pastaj Sulltan Mehmeti në pushtet e solli mësuesin e tij të aftësive ushtarake dhe të edukatës, Zaganos Pashën, i cili quhej edhe Zognush Pasha dhe dihet që ishte shqiptar, siç tregon edhe emri.

3. Pastaj vjen Mahmud Pasha Angelović, serb i lindur në Novo Bërdë (Kosovë), i cili zëvendësohet nga (4.) Rum Mehmed Pasha, që ishte grek.

5. Pas Rumit vjen Ishak Pasha, që ishte shqiptar ose grek.

6. Gjedik Ahmed Pasha për të cilin thuhet se ka qenë shqiptar, por më shumë ka gjasa të ketë qenë serb ose grek. Studimet më të reja të disa historianëve serbë thonë se ishte nga një fshat afër Vranjës.

7.Karamanli Mehmet Pasha, vinte nga familja e Rumit (poetit dhe filozofit të njohur), pra ishte persian.

8.Pastaj erdhi Daut Pasha që ishte shqiptar.

9. Hersekli Ahmed Pasha që emri i tij i mëparshëm ishte Stjepan Hercegović. Pra, ishte nga Bosnja dhe nga kjo, serb ose kroat.

Dhe, kështu vazhdon lista e kryeministrave otomanë me origjinë greke, serbe, shqiptare, bullgare, boshnjake, armene, gjorgjiane, etj. Në të shumtën e rasteve, po këtë përbërje e kishte edhe ushtria otomane.

Tashti të kthehemi te Sulltan Mehmeti II. Nuk është i vogël numri i historianëve që pohojnë se nëna e tij ishte shqiptare. Por, ajo që është tejet e sigurt është se gruaja e tij ishte shqiptare. Mehmetin e trashëgoi i biri, Sulltan Bajaziti II, i cili, nëse flasim me terma etnologjik, ishte shqiptar 100% pasi që edhe nanën edhe babën i kishte të tillë. Por, këta dy ishin ata që përfundimisht i nënshtruan territoret shqiptare.

Kur në vitin 1459 Serbisë iu hoq statusi i vazalitetit, dhe kur ky vend ra plotësisht nën sundimin otoman, kryeministër i perandorisë ishte Mahmut Pashë Angelovići, i cili, si shtesë, ishte i martuar me vajzën e Zognush Pashës. Pra, e kishte gruan shqiptare. Gruaja e tij, njëkohësisht, ka qenë edhe dashnore e një shqiptari tjetër, Mustafës, djalit të sulltan Mehmetit. Sidoqoftë, luftës për nënshtrim të Serbisë dhe Bosnjës i priu personalisht Mahmut Pashë Angelovići.

Pra, ‘erdhi turku dhe …’. JO, nuk erdhi turku hiq. Erdhën shqiptarët, grekët, serbët, boshnjakët, bullgarët, rumunët, hungarezët, ukrainasit … Këta ishin Perandoria Otomane, klasa sunduese e të cilës u ndërtua përmes sistemit të Devshirmes. Këta popuj kanë dhënë kastën e Jeniçerëve, shtresën sunduese dhe njësinë elitare ushtarake otomane.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here