Nga Albert Vataj

Aktori me famë botërore rrjedh nga një familje e njohur dhe me tradita të hershme patriotike kombëtare shqiptare nga Gjakova. Babai i tij, Ibrahim Fehmiu, ishte patriot i shquar, një ndër mësuesit e gjeneratës së parë në Kosovë dhe propagandues i madh i arsimit në gjuhën shqipe.
Bekim Fehmiu është ai që emrin e shqiptarit e ka shkruar me shkronja në arta në librin e historisë së kinematografinë botërore. Ai edhe pse nuk pati fatin të luante asnjë vepër shqiptare gjithmonë dhe me krenari të pagjunjëzur e ka shprehur përkatësinë e tij kombëtare, “Atje ku shkel këmba ime atje është Shqipëri”- thoshte ai. Kjo shprehje emblematike është një sintezë e gjënezës dhe shpirtit të thekur nëpër dallgë e suferina të shqiptarizmës së gurruar në venat e tij.
Filmat që i skaliti me daltën e pasionit dhe përkushtimit, talentit dhe sakrificës dëshmojnë te ai Orfeun e skenës, dëshmojnë cakun që e ngjiti atë në panteonin e famës. Në gjithçka që përbën veprën e tij skenike dhe kinematografike, Bekim Fehmiu, mbetet e pashembullt, kurse heshtja që e veshi atë si një breror ishte një mosbzamje prej mllefi, pakënaqësie dhe pezmi.
Bekim Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë. Ai konsiderohet gjithashtu si aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore.
U martua Branka Petric dhe kishte dy djem. Shqipërinë e ka vizituar në vitin 1972 dhe nuk e ka fshehur kurrë mallin që kishte për të. Në të gjithë hapësirėn ballkanike është gati në përmasat e një miti. “Njeriu nuk duhet të fajësojë për diçka që i ndodhë as babanë as vëllezërit, as fqinjën, as perënditë, por vetëm veten. Njëra nga tragjeditë tona lidhet me atë, që duke jetuar për shekuj së bashku nuk kemi mësuar nga njëri- tjetri, por dhe kur e kemi bërë këtë kemi mësuar vetëm të keqen”,-shprehet ai.
Galeria e krijimtarisë së tij interpretuese është e larmishme dhe e vlerësuar. Starton në këtë kolanë me “Prova speciale”, për të vazhduar me “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, përmenden si kryevepra. Nga filmat e para ka qenë “Ko puca otvorice mu se”, “Vitet e nxehta”, “Protesta”, “Eskadrionet e partizanëve” dhe “Të kuq dhe të zinjë”. Ai ka bashkëpunuar me John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Show, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, Claudia Cardinale etj. Ka interpretuar në shqip, sërbisht, maqedonisht, turqisht, në gjuhën rome, në spanjisht, anglisht, frëngjisht dhe italisht.
Bekim Fehmiu ishte një nga artistët më të mëdhenj shqiptarë. Nga viti 1987, kur në mënyrë demonstrative braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, në teatrin jugosllav të dramës, ai i dha lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi.
Bekim Fehmiu shqiptari i roleve të mëdha, “Odisea” që gjeti Itakën por që vdiq zemërplasur për Kosovën. “Në shenjë proteste ndaj propagandës antishqiptare dhe të përhapjes së urrejtjes ndaj popullit shqiptar, babai im, në vitin 1987, e la demonstratvisht shfaqjen “Madame Collontein” (Agnette Pleyal), në të cilën luante Leninin dhe Stalinin, dhe ndahet përfundimisht e publikisht nga aktiviteti artistik në ish-Jugosllavi”, shkruan i biri i tij Uliksi, sot aktor në Amerikë, në hyrjen e librit me kujtime të Bekimit, Blistavo i strašno (E shkëlqyer dhe e tmerrshme), publikuar nga shtëpia botuese “Samizd” në Beograd, në vitin 2002. Atë libër tronditës, Bekimi e fillon me vargjet e Carl Goldonj-it për Dalmacinë: “Në tokë Ilire kam lindur, këtë nuk e mohoj, në dejet e mia qarkullon i njohuri gjaku im famëlartë, gjaku i heronjve të shquar, vend i lavdisë së përjetshme, ku fjala e dhënë është më e rëndësishme se jeta, që shkëlqimin e sojit të vet e dëshiron mbi të gjitha”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here