Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon. E derisa Ambasada Amerikane në Kosovë ka bërë thirrje për ta shfrytëzuar momentin e fundit për t’u lidhur me këtë projekt, Qeveria e Kosovës ende nuk ka dhënë një qëndrim zyrtar.

 

Për një vend si Kosova, ku rreth 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet ende nga qymyri, dhe vetëm rreth 10 për qind vjen nga burime të ripërtëritshme si uji, era dhe dielli, gazi mund të shërbejë si alternativë për të thyer varësinë e thellë nga një burim i vetëm.

Por, gjatë javëve të fundit, kur SHBA-ja dhe kompani amerikane kanë nënshkruar marrëveshje miliardëshe me disa vende të Ballkanit Perëndimor – për të zgjeruar ndikimin energjetik në rajon – Kosova nuk ka qenë pjesë e kësaj vale investimesh.

 

 

Në iniciativa të rëndësishme kanë hyrë: Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina, përfshirë edhe në një projekt të madh për ndërtimin e një tubacioni gazi që synon ta shkëpusë Sarajevën nga furnizimet ruse.

 

 

Ndërkohë ishte e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, i ka bërë thirrje Kosovës të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara përmes projektit për gazin e lëngshëm natyror (LNG), duke thënë se kjo do t’i ndihmonte ta sigurojë të ardhmen e vet energjetike.

 

Prattipati kishte shkruar se Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji dhe citoi të dhënat e Doganës së Kosovës, se vendi ka shpenzuar 735 milionë euro në importimin e energjisë elektrike nga vendet fqinje në katër vjetët e fundit.

 

 

Këto të dhëna tregojnë një rritje nga 142 milionë euro në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025.

“Në të ardhmen e parashikueshme, përderisa çmimi dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj”, shkroi ajo.

 

 

KosovaPress ka mësuar nga burimet të afërta me projektin e gazsjellësit amerikan në rast pajtimi nga Kosova, impianti i grumbullimit të gazit të lëngshëm do të vendosej në Ferizaj, e prej aty do të shpërndahej nëpër Kosovë.

 

 

Në lidhje me këtë për KosovaPress ka folur profesori i ekonomisë së energjisë, Adhurim Haxhimusa, i cili tha se projekti i gazit amerikan, në cilëndo formë që vjen, qoftë i lëngshëm apo natyror, është i mirëseardhur për shkak të dendësisë së saj energjetike dhe mundësive të mëdha që ky projekt mund t’i ofrojë.

Haxhimusa tha se Ferizaj si pozitë gjeografike do t’i përshtatej shumë vendosjes së impiantit për grumbullim dhe shpërndarje të gazit, pasi ka afërsi me qytete të mëdha si Prishtina, Gjilani e qytete tjera.

 

 

“Meqenëse Kosova, industria e Kosovës, bizneset e Kosovës, por edhe amvisëria e Kosovës nuk e gëzon fatin me pas qasje në këtë burim energjetik, atëherë gazi, qoftë i lëngshëm, qoftë natyror, në cilëndo formë që vjen është i mirëseardhur për shkak të dendësisë së saj energjetike dhe mundësive të mëdha që ajo mund ai ofron. Për shkak se ai mund të vendoset si në sektorin e amvisërisë, si për përgatitje të ushqimit ashtu edhe për ngrohje. Në anën tjetër për industritë është përfitim shumë më i madh për shkak se çmimi i saj është më i ulët sesa çmimi i energjisë elektrike dhe në anën tjetër mund të përdoret edhe për procese industriale ku nevojiten temperatura shumë të larta, çka do të thotë që hap mundësitë edhe për biznese apo për industri apo degë të cilat deri më tani nuk kanë mundur të zhvillohen në Kosovë. Për Ferizajn si lokacion, besoj se i përshtatet shumë mirë për shkak të industrisë që është relativisht e përqendruar në këtë rajon të Kosovës dhe afërsisë së saj me qendra të mëdha duke filluar nga Prishtina, Gjilani dhe qendra tjera të Kosovës. Besoj se si pozicion gjeografik është në pozitë të mirë për të ofruar këtë shërbim”, tha Haxhimusa.

 

 

Haxhimusa u shpreh se në momentin që Kosova e pranon projektin e gazit amerikan, do të reduktohej ngarkesa mbi sistemin elektro-energjetik, si dhe nevoja për të ndërtuar kapacitete të reja gjeneruese të energjisë elektrike.

 

 

“Në anën tjetër gazi mund të përdoret edhe për prodhimin e energjisë elektrike. Në këtë rast, po flasim këtu për Britaninë e Madhe, po flasim këtu për vendet e Bashkimit Evropian, e përdorin gazin kryesisht si teknologji urë drejt tranzicionit të plotë energjetik. Prandaj Kosova do të ketë përparësi të mëdha nëse e përqafon, nëse e merr e integron ose ka qasje në këtë burim energjetik, dhe në rast se nuk e marrim ne, nëse Qeveria e Republikës së Kosovës refuzon të investojë në infrastrukturën bazë të gazit, atëherë pyetja është çfarë alternative kemi tjetër? Dhe nëse më lejohet me thënë, Kosova në realitet është në një kolaps energjetik.

 

Ka kolaps të madh energjetik dhe sistemi është thuajse totalisht i dështuar. Pse e them totalisht i dështuar? Për shkak se nuk mund të mbështetesh, nuk mund të besosh se do të kesh furnizim stabil me energji elektrike, dhe për shkak se kohë pas kohe ndërpritet energjia elektrike, nuk mund të parashikosh kur do të kesh energji elektrike. Dhe prandaj ne nuk jemi në pozitë që t’i themi ‘jo’ këtyre projekteve apo çfarëdo lloj projekti tjetër, pa ditur ndonjë alternativë tjetër, ose pa ofruar ndonjë alternativë tjetër se si mund të kalojmë nga ky kolaps, nga ky tranzicion në zhvillim ose në një siguri tjetër nacionale me energji elektrike.

 

Se nuk duhet të ekzistojë diskutimi nëse nevojitet gazi amerikan Kosovës, e thotë edhe ish-kandidati i LDK-së për deputet nga Ferizaj, Visar Azemi.

Sipas Azemit, projekti i gazit amerikan është më patjetër që të bëhet dhe është opsioni i vetëm që i ka mbetur Kosovës në tavolinë.

 

 

“Nuk duhet me ekzistu diskutimi se a i nevojitet gazi Kosovës a jo dhe a duhet me ardhë. Pra, është me patjetër dhe është opsioni i vetëm që i ka mbetë Kosovës në tavolinë. Pra, duhet sa më shpejt me fillu në mënyrë që me u ndal importet e shtrenjta të energjisë dhe me u pamundësu mafia energjetike me vjelë Kosovën qysh e kanë vjelë për tërë këto vite. Ferizaj patjetër që është pikë strategjike sepse gazi nga Greqia kalon nëpër Maqedoninë e Veriut dhe pika e parë që mundet me qenë në Kosovë është Ferizaj. Edhe për shkak të mundësive që i ka si vend në zhvillim e sipër, por edhe për shkak të sigurisë së këtij aseti nga baza më e madhe amerikane që gjendet në Kosovë, pra Ferizaj pak a shumë i përmbush të gjitha kushtet dhe kriteret që duhet me i pas një qytet për me qenë pika grumbulluese dhe shpërndarëse e rrjetit të gazit të lëngshëm në Kosovë.

 

Refuzimet të cilat kanë ndodhë, ju e dini që gazi ka qenë në tryezë të bisedimeve me qeverinë amerikane që nga viti 2019-20. Atëherë kur është refuzuar në kuadër të Kurtit 1, qeveria amerikane ka qenë bukur shumë e mërzitur për shkak se Kosova ka mund të jetë një nga nyjet kryesore të shpërndarjes së gazit jo vetëm për Kosovën por për Ballkanin Perëndimor”, tha Azemi.

Azemi u shpreh se me ndërtimin e impiantit të grumbullit të gazit në Ferizaj, ky qytet do të përfitonte vende pune, e do të krijonte mundësi të reja për bizneset.

 

 

“Ne po flasim për gazifikim të Kosovës. Pra në kuadër të gazifikimit, ne do të ndërtojmë edhe ngrohtoret qendrore që do ta shfrytëzojnë gazin për të krijuar ngrohje për qytetet e Kosovës, edhe centralin me gaz. Pra është një nga projektet më të mëdha strategjike të vendit i cili sidomos Ferizajt do t’i krijonte vende pune, do t’i krijonte mundësi për biznese e kështu me radhë. Prandaj ne mezi po e presim që ky projekt të jetësohet sa më shpejt këtu në Ferizaj.

 

Për mundësinë e vendosjes së impiantit të grumbullimit të gazit në Ferizaj, kanë folur edhe qytetarët e këtij qyteti, duke thënë se një projekt i tillë është mëse i mirëseardhur për ferizajasit, teksa kritika patën për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, i cili deri më tani nuk e ka pranuar këtë projekt.

“Ajo është një e mirë për neve, sidomos për ferizajasit dhe për mbarë Kosovën. Mirëpo këta udhëheqësit tanë çka po bëjnë, çka po vendosin nuk po e dimë. Ishalla bëhet e na vjen gazi amerikan edhe stabilizohemi me rrymë e me të tjera. Po ndihmën më të madhe dhe përkrahjen më të madhe e kemi pasur prej Amerikës edhe e kemi, edhe besoj prapë s’ka me na lënë pa na ndihmu. Kështu që marrëzi është me kundërshtu këtë projekt”, tha ai.

 

 

E qytetari tjetër nga Ferizaj, Rexhep Sadiku, e cilësoi si gabim e tradhti mos-pranimin e projektit të gazit amerikan, pasi tha se është punuar me dekada të tëra që Kosova ta ketë Amerikën pran.

 

“Është punuar dekada të tëra që Amerikën ta kemi pranë, sepse Amerika historikisht ka qenë oksigjeni ynë dhe thjesht përmotori dhe ekzistenca e qenies sonë kombëtare për të cilën as shteti ynë as dje as sot as në histori nuk do të ishte. Prandaj ky investim kaq i madh shekullor i shqiptarëve për ta pasur Amerikën afër dhe thjesht për ta anashkaluar një superfuqi e cila dikton formimin e çdo populli, çdo shteti, është jo vetëm gabim, por është edhe tradhti. Është thjesht një pjesë që brumoset dhe vepron në bazë të projekteve serbo-ruse. Sepse rusët janë ata që duan ta shtrijnë influencën e tyre në Kosovë”, tha Mustaf Kurteliqi.

Kurse, për ferizajasin tjetër, Faruk Lipovicën, gazi amerikan do të ishte një aset kombëtar për Kosovën.

 

“Gazi është një aset kombëtar për me pasë në të qeshmen tonë, të shpëtimit tonë. Derisa shumë shtete përreth e kanë pranu, i kanë bërë marrëveshje, si Greqia, Maqedonia e të gjitha shtetet e tjera, ne në Kosovë i kemi çu peshë. Edhe kryeministri personalisht e ka kokëfortësinë për mos me marrë këtë projekt. Për çka? Kë po e mbron ai? Çfarë interesa mbron ai nëse nuk e merr? Domethënë mbron interesat e Greqisë, interesat e shteteve përreth. Çfarë logjike ka me e marrë në Vlorë kur të vjen qeshmja këtu në Ferizaj? E dyta, me gaz mundesh me rregullu ngrohjen qendrore të qyteteve. Asnjëherë nuk na vjen më kjo shansë. Prandaj çdo gjë që na propozon Amerika për të mirën e Kosovës ne duhet ta pranojmë”, tha ai.

Përndryshe, në Samitin Trans-Atlantik për Sigurinë e Gazit, të mbajtur në shkurt në Uashington, ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tani në detyrë, shprehu gatishmërinë e Kosovës për t’u furnizuar me gaz natyror nga Shtetet e Bashkuara, duke e përshkruar bashkëpunimin si “vendimtar” për një sektor të sigurt energjetik.

 

Megjithatë, në fillim të muajit qershor Prattipati i bëri thirrje Kosovës të veprojë shpejt për të realizuar këtë partneritet sepse ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme do të kërkojë kohë.

Ajo paralajmëroi se “mundësia për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet”.

 

E derisa kryeministri në detyrë, Albin Kurti edhe sot ka refuzuar të flas me media lidhur me këtë çështje, anëtari i kryesisë së LDK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për organizimin e një proteste demokratike në mbështetje të projektit të Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG) me prejardhje amerikane dhe për ruajtjen e aleancës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një reagimi publik, Hoti ka deklaruar se refuzimi i këtij projekti nga Qeveria e Kosovës rrezikon ta lërë Kosovën si vendin e vetëm në Ballkanin Perëndimor jashtë një projekti rajonal energjetik, për të cilin, sipas tij, ka pasur mbështetje dhe insistim të vazhdueshëm nga administrata amerikane.

Ai ka rikujtuar se projekti buron nga Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020, duke theksuar se kundërshtimet ndaj saj në të kaluarën kanë qenë politike, ndërsa tashmë, sipas tij, është dëshmuar rëndësia strategjike dhe ekonomike e projektit.

 

Hoti ka kundërshtuar argumentet e Qeverisë për refuzimin e projektit, duke vlerësuar se ato nuk qëndrojnë në aspektin ekonomik. Sipas tij, projekti i gazit është komplementar me strategjinë energjetike të Kosovës dhe do të ndihmonte në diversifikimin e burimeve energjetike dhe rritjen e sigurisë së furnizimit.

 

Në fund, Hoti u ka bërë thirrje odave ekonomike, organizatave të shoqërisë civile, bizneseve dhe qytetarëve që të bashkohen në një protestë demokratike në mbështetje të projektit të gazit amerikan dhe të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here