Në fundin e shekullit XIX, Ballkani ishte në zjarr. Perandoria Osmane po lëkundej, Rusia po zbriste me ushtritë e saj drejt jugut.

Popujt e rajonit ndërkaq po kërkonin fatin e tyre politik.

Në këtë përplasje të madhe u përfshinë edhe qindra shqiptarë, të thirrur në frontet e largëta si pjesë e ushtrisë osmane.

Mes tyre, ishte edhe Ali Ramë Spahiu – Alibaba nga Vërbica e Zhegocit.
Në vitet 1877–1878 shpërtheu Lufta Ruso-Turke, ndërsa një nga përballjet më të ashpra ishte Beteja e Plevnës, në qytetin e Pleven.

Nën komandën e Osman Nuri Pasha, forcat osmane qëndruan për muaj të tërë përballë ushtrive ruse dhe rumune.

Luftimet ishin të përgjakshme, me humbje të mëdha dhe me një terren që u mbush me të vrarë nga të dyja palët.

Ali Ramë Spahiu – Alibaba, sipas rrëfimeve familjare, mbeti i vrarë gjatë rrethimit disa mujor.

Aliu la pas tre djem: Mustafën, Sejdën dhe Beqën – një familje që do ta mbante përjetë kujtimin e tij.

Thuhet se lajmin për rënien e Aliut e solli vetë Sefë Kosharja, pasi ishte kthyer nga Stambolli, ku ishte dërguar për shërim për shkak të plagëve të marra në Plevnë.
Ali Ramë Spahiu – Alibaba mbetet simbol i sakrificës në frontet e largëta.

Ai dhe Sefë Kosharja janë pjesë e kujtesës sonë historike – jo thjesht si ushtarë të një kohe të trazuar, por si figura që me gjakun e tyre vulosën një epokë./Sabedin Sherifi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here