Nga: Ulf Brunnbauer dhe Robert Pichler (“Mountains, culture and ethnic identity in Albania”, pjesë nga punimi Mountains as “lieux de mémoire, revista Balkanologie, Vëll. VI, nr. 1-2, 2002, fq. 77-100)
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Një nocion i zakonshëm në historiografinë shqiptare është ai i shekujve të pushtimit të vendit nga fuqitë e huaja. Vetëm vargmalet e thella dhe të paarritshme janë konsideruar si zona ku populli shqiptar ka mundur të ruajë një shkallë të caktuar të autonomisë politike. Përveç pavarësisë politike, besohet se shqiptarët ruajtën gjithashtu kulturën e tyre burimore dhe identitetin etnik në këto zona të izoluara. Populli zhvilloi zakone të veçanta të cilat “shërbyen si një mjet i rëndësishëm i vetëqeverisjes dhe bashkimit të njerëzve kundër sundimit të huaj”.[1] Këto zakone morën emrin kanun.[2] Gjatë shekujve XIX dhe XX, shumë nga ligjet e kanunit vendor u mblodhën dhe u kodifikuan. Institucionet e reja shkencore të shtetit komunist intensifikuan studimet për kulturën tradicionale.
Kanuni u trajtua si një visar i historisë kombëtare që nxirrte në pah “origjinalitetin e vetëdijes etnike, ndjenjën fisnike të sovranitetit kombëtar dhe krenarinë e masave të papërkulura fshatare, veçanërisht të atyre në malësi”.[3] Qëllimi kryesor i këtyre studimeve ishte kundërshtimi i autorëve të huaj të cilët përpiqeshin ta largonin kanunin nga origjina e tij etnike shqiptare, duke e konsideruar atë si një imitim të ligjeve romake, bizantine, sllave apo langobarde. Gjuhëtarët shqiptarë argumentonin se ndikimi sllav mbi kanunin kishte vetëm rëndësi periferike. Baza e kanunit, shumica e rregullave dhe institucioneve juridike konsideroheshin dhe konsiderohen të jenë me origjinë shqiptare.[4]
Studiuesit shqiptarë gjithmonë i kanë konceptuar malet si kështjella që kanë ruajtur “për një kohë të gjatë gjuhën dhe etnokulturën [e shqiptarëve] në përgjithësi, dhe vetëdijen e tyre kombëtare. [Pasuria] kulturore e mendjes dhe shpirtit të shqiptarëve ka qenë njëkohësisht shkak dhe pasojë e mbijetesës”.[5] Malet, pra, shihen si mbrojtëse të grupit dhe të identitetit kombëtar. Koncepti i izolimit dhe tërheqjes është ngushtësisht i lidhur me idenë e një bote të qëndrueshme dhe të pandryshuar shoqërore. Duke qenë se kanuni konsiderohet një trashëgimi ilire, besohet se elemente të etnokulturës ilire janë transmetuar brez pas brezi te pasardhësit e këtij populli – shqiptarët e sotëm. Elementët kryesorë të ligjit të kanunit shihen, pra, si “të shenjtë, mbinjerëzorë, të paprekshëm dhe të pandryshueshëm”.[6]
Në tekstet për kanunin shpesh përmendet ideja se grupet etnike kanë tipare karakteri ose veçori të veçanta psikologjike që i dallojnë nga popujt e tjerë dhe që trashëgohen brez pas brezi.[7] Theksimi i karakterit të qëndrueshëm dhe homogjen të kulturës shqiptare synon të kundërshtojë pretendimet e huaja, veçanërisht ato serbe, se “kultura shqiptare” është amorfe dhe larg qëndrueshmërisë dhe konsolidimit.[8] Sidomos gjatë periudhës socialiste, etnografët shqiptarë zhvilluan punë të gjerë për të vërtetuar se institucionet më të rëndësishme të komuniteteve malësore ishin me prejardhje të pastër shqiptare. Një prej tyre ishte, për shembull, kuvendi – një mbledhje fshatare, fisnore apo krahinore e meshkujve – që gjendet në të gjitha variantet e së drejtës zakonore shqiptare. Një jurist ka argumentuar se institucioni i kuvendit në zonat malore shqiptare, ndonëse i ngjashëm me institucione të krahasueshme në vendet fqinje, ishte para së gjithash një element i etnokulturës shqiptare me rrënjë të dallueshme ilire.
E njëjta gjë pretendohet edhe për institucione të tjera shoqërore dhe ekonomike, si format e pronësisë, organizimi familjar, ritualet dhe ceremonitë në komunitete të malësisë.[9] Qëllimi kryesor i këtij lloj kërkimi ishte ndërtimi i një imazhi të një kulture homogjene dhe të bashkuar mbi bazën e një origjine të përbashkët etnike. Kjo është mjaft e habitshme, duke pasur parasysh se në Shqipërinë komuniste, marksizëm-leninizmi ishte paradigma zyrtare shkencore dhe, për rrjedhojë, do të pritej një shpjegim materialist i shoqërisë dhe kulturës. Gjatë socializmit, studimet mbi institucionet dhe zakonet tradicionale të komuniteteve malore vërtet u përqendruan shumë në ndikimin vendimtar të ekonomisë dhe të gjeografisë mbi strukturat shoqërore, por, në fund, këto studime arritën në përfundimin se origjina etnike përcakton modelet shoqërore dhe kulturore. Kultura dhe etnia u panë si dy anë të së njëjtës medalje dhe u konsideruan, të paktën në “thelb”, si të qëndrueshme dhe të pandryshueshme.
Në zonat malore, zhvillimet ekonomike, shoqërore dhe politike nuk arritën të shkatërrojnë këtë “thelb” i cili pasqyronte tiparet kryesore të grupit etnik. Studimet mbi zakonet shqiptare në malësi karakterizohen nga synimi për të paraqitur popullin shqiptar si bartës të një kompleksi unik dhe të përbashkët parimesh, normash dhe rregullash të mishëruara nga kanuni. Në të njëjtën kohë, theksohen dallimet me “tjetrin” etnik. Dallimet e shumta shoqërore dhe ekonomike mes komuniteteve të Veriut dhe atyre të Jugut shpesh neglizhohen, pasi theksi vendoset ekskluzivisht te aspektet e konformitetit.[10] Në studimin e tij mbi fshatin malor shqiptar Progonat, historiani Muharrem Xhufi pohon se populli u bë komunitet i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm përmes luftës së pandërprerë kundër pushtuesve të huaj. Ata zhvilluan një traditë luftarake, virtyte të larta morale dhe aftësi të tilla si atdhedashuria, vullneti sfidues për liri, trimëria, krenaria, miqësia, bujaria dhe urrejtja ndaj çdo armiku. Këto janë karakteristikat e banorëve të Progonatit, ashtu si edhe të të gjithë popullit të Kurveleshit dhe mbarë shqiptarëve.[11]
Përveç njëtrajtshmërisë së kanuneve të ndryshme, studiuesit shqiptarë pretendojnë se kanuni i maleve përbën një dëshmi të aftësisë së popullit për t’u vetëqeverisur mbi bazën e parimeve dhe institucioneve të veta. Kanuni është trajtuar si një lloj i kodit të pashkruar që “ siguronte një jetë normale dhe rregullonte marrëdhëniet shoqërore. [Ai] rregullonte veçanërisht jetën dhe marrëdhëniet shoqërore të komuniteteve të lira fshatare, të cilat përbënin bërthamën e popullsisë autoktone në truallin iliro-shqiptar”.[12] Disa autorë madje e kanë krahasuar kanunin me një “kushtetutë të popullit shqiptar” në kohë shtypjeje dhe sundimi të huaj.[13] Në këtë aspekt, vihet në dukje ideali i një organizimi të brendshëm, koherent dhe të strukturuar, të komuniteteve të malësisë. Vetëdija e zhvilluar demokratike, barazia shoqërore, ndihma e ndërsjellë dhe solidariteti përbënin, sipas këtyre pretendimeve, disa nga parimet që karakterizonin komunitetet e malësisë. Vlera të veçanta morale, si nderi, besa dhe ndihma e ndërsjellë konsideroheshin si elementë përbërës të kulturës së njerëzve të malësisë. Këto vlera, nga njëra anë, “përmbanin elemente të rezistencës klasore të masave kundër shtypjes dhe shfrytëzimit shoqëror” dhe, nga ana tjetër, shërbenin si mjete të rëndësishme për të ngritur “masat popullore në një pozitë kundërshtie ndaj pushtimit të huaj, dhunës dhe arbitraritetit feudal”.[14]
Megjithatë, këto nocione vështirë mund të mbrohen në dritën e kërkimeve antropologjike historike mbi fragmentarizimin shoqëror të shoqërive fisnore. Marrëdhëniet brenda familjes nuk bazoheshin në parime demokratike, por në marrëdhënie hierarkike. Solidariteti kufizohej kryesisht brenda rrethit të ngushtë familjar dhe farefisnor. Armiqësitë brenda lidhjeve fisnore, dyshimet dhe rivalitetet e vazhdueshme ishin, për këtë arsye, endemike. Ishte pikërisht karakteri i segmentuar i këtyre shoqërive të malësisë që pengonte zhvillimin e një komuniteti funksional dhe të organizuar mirë.
Në studimet e tyre, historianët dhe etnografët shqiptarë e vërejtën praninë e shpeshtë të konflikteve, viktimave të shumta nga gjakmarrjet dhe përplasjet për nderin, por i interpretuan këto fenomene si pasojë e karakterit klasor të shoqërisë. Ata anashkaluan faktin se vlerat e lëvduara morale, si solidariteti, ndihma e ndërsjellë dhe barazia shoqërore, ishin kryesisht të kufizuara te lidhjet e gjakut. Vetëm në raste të rralla, kur vihej në rrezik nderi i gjithë komunitetit, burrat që nuk ishin në farefisni bashkoheshin kundër fiseve, fshatrave apo grupeve të tjera përreth. Por, edhe në ato raste, sovraniteti i familjes nuk u lëkund. Midis familjeve që nuk kishin lidhje gjaku apo martese, zhvillohej një garë e vazhdueshme për prestigj shoqëror. Kjo u formalizua përmes konceptit të nderit, i cili kishte një rëndësi themelore në shoqërinë shqiptare. Ky koncept përfaqëson një formë tipike të drejtësisë vetjake dhe ishte në konkurrencë të përhershme me përpjekjet e shtetit për të vendosur monopolin e pushtetit dhe të dhunës legjitime.[15]
Prandaj, nuk është për t’u çuditur që nismat e para komuniste, menjëherë pas marrjes së pushtetit, kishin të bënin me shfuqizimin e institucioneve tradicionale të komuniteteve malësore veriore, ndalimin e së drejtës zakonore dhe krijimin e qendrave të reja administrative në zonat fisnore. Shumë shpejt, qeveria komuniste hapi shkolla dhe kurse të detyrueshme për të rriturit, me qëllim të përhapjes së shkrim-leximit dhe, përmes tij, të ideologjisë. Ata ishin shumë të vetëdijshëm për ndikimin e fjalës së shkruar dhe ndjenin një nevojë të menjëhershme për të inkurajuar përhapjen e saj, për të mundësuar përhapjen e ideologjisë. Kjo ideologji nuk përmbante vetëm elemente standarde të komunizmit, por iu drejtua gjithashtu ndjenjave kombëtare të popullit.
Historiografia dhe etnografia u detyruan të ofronin fakte për tekstet shkollore që do të forconin identitetin dhe solidaritetin kombëtar. Një nga këto fakte ishte ekzistenca e kanunit, i cili u paraqit si një shtyllë e veçantisë etnike. Prandaj, në të njëjtën kohë kur komunistët ushtronin presion të madh për të zëvendësuar kanunin me ligjin e shkruar shtetëror, ata e shpallën atë një element thelbësor të karakterit kombëtar dhe e shndërruan në diçka nga e kaluara.
Një proces i ngjashëm është vërejtur edhe në kujtesën kolektive franceze, siç e ka përshkruar Nora, ku kanuni humbi natyrën e tij të gjallë dhe organike dhe u rilind si fakt i imagjinatës kombëtare dhe i historisë. Si pasojë, kanuni humbi kuptimin e tij shoqëror dhe ekonomik, dhe në vend të tij u bë subjekt i diskursit akademik. Regjimi i ri e shpalli të paligjshëm sistemin e vjetër të referencës, të lidhur me rendin patriarkal dhe fisnor të shoqërive malësore shqiptare, duke e zëvendësuar me konceptin e modernitetit dhe reformës. Kanuni u trajtua si një relike e së kaluarës dhe u përdor si një imazh ballafaques me “procesin thellësisht çlirimtar të realizuar nga Partia përmes fitores së Revolucionit Popullor dhe transformimeve të mëdha të kryera në marrëdhëniet shoqërore dhe ekonomike të vendit tonë”.[16]
Por, pavarësisht përpjekjeve kolosale të politikës komuniste për të ndryshuar marrëdhëniet shoqërore dhe ekonomike në vend dhe për të imponuar modernitetin, një grup i vlerave tradicionale u përfshi gjithashtu në konceptin e kombit dhe të identitetit. Këto vlera tradicionale u karakterizuan nga jetëgjatësia dhe qëndrueshmëria e veçantë. Ato ishin artikuluar fillimisht nga intelektualët gjatë periudhës së quajtur Rilindja, në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX. Gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave botërore, ato morën rëndësi të veçantë dhe vazhduan të lulëzojnë gjatë dhe pas periudhës komuniste.
Nën komunizëm, thuhej se këto vlera kishin ndihmuar në ruajtjen e identitetit etnik të popullit shqiptar, përkundër sundimit të huaj, dhe se kishin frymëzuar rezistencën ndaj pushtimeve të huaja. Sipas komunistëve, kapitulli kryesor në këtë rezistencë të pandërprerë kundër sundimit të huaj ishte lufta partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila u cilësua zyrtarisht si “Lufta Nacionalçlirimtare”. Thuhej se fitorja kundër pushtimit gjerman ishte arritur falë “traditave të shkëlqyera patriotike dhe luftarake, përvojës së pasur që populli shqiptar kishte fituar gjatë shekujve në luftën për liri dhe pavarësi”.[17]
Miti i rezistencës së përhershme u bë pjesë e kujtesës zyrtare të shtetit kombëtar komunist, ashtu si në vende të tjera socialiste. Kjo shkonte paralelisht me zhvillimin e një “gramatike të sjelljes konkurruese dhe të vlerave”. Partizanët përshkruheshin si luftëtarë të jashtëzakonshëm, të pajisur me “forcë të pashtershme, trimëri, vetësakrificë dhe heroizëm fisnik”. Këtu rizbulojmë “vullnetin sfidues për liri”, “guximin dhe qëndrueshmërinë” dhe “sakrificën për idealin e kombit dhe Atdheut”,[18] si pjesë e karakterit të shqiptarëve – vlera që rrjedhin nga imazhi i malësorit dhe koncepti i tij për nderin.
Përvetësimi i elementeve nga kodi moral i kanunit, për vetimagjinatën kombëtare, nuk nënkuptonte domosdo përvetësimin e bartësve të supozuar të këtyre normave. Në mënyrë të veçantë, zonat fisnore të Veriut – bërthama e kanunit – rezistuan ashpër marrjen e pushtetit nga komunistët. Kështu, njerëzit që përfaqësonin më së miri imazhin heroik të malësisë u konsideruan si politikisht të pabesueshëm dhe potencialisht të rrezikshëm.[19]
Nga ana tjetër, miti i rezistencës së palodhur dhe vlerat heroike që e shoqëronin atë kontribuuan ndjeshëm në frikën paranojake të udhëheqësve komunistë se vendi ishte i rrethuar nga një botë armiqësore dhe se duhej të mbahej i izoluar dhe në një gjendje të përhershme vigjilence dhe gatishmërie për luftë, me qëllim mbrojtjen e atdheut nga kërcënimi i vazhdueshëm që vinte nga jashtë. Kjo qasje pasqyrohet më së miri në tekstin paradigmë të Enver Hoxhës mbi themelet e Shqipërisë së “rinuar” pas katër dekadash sundimi komunist:
Sot, kur kthejmë kokën prapa dhe shohim mbi katër dekada, ne komunistët shqiptarë ndjejmë krenari se që nga ditët e krijimit të tyre, Fronti Demokratik i Shqipërisë dhe pushteti ynë popullor, nën udhëheqjen e partisë sonë të lavdishme, kanë kryer me nder detyrat dhe misionin ndaj popullit dhe atdheut, janë kalitur në betejat dhe provat më të ashpra, kanë përballuar dhe kanë mposhtur planet e të gjithë armiqve të brendshëm e të jashtëm dhe janë kthyer në kala të pathyeshme të socializmit fitimtar dhe të jetës së re të ndritur që lulëzon në Shqipëri.[20]
Prandaj, i gjithë kombi përfytyrohet si një kala malore e izoluar dhe e mbrojtur mirë, e ruajtur nga malësorët vigjilentë dhe të dashuruar me lirinë.
Malet, njerëzit dhe institucionet e tyre shoqërore e kulturore morën kuptim shumëfunksional i cili pasqyrohet më së miri në përfytyrimet për kanunin si një mënyrë tipike organizimi në komunitetet e malësisë. Në këtë diskurs, malet ofronin vetinterpretim në kuptimin se ato përfaqësonin një dëshmi të etnokulturës së pastër të popullit shqiptar. Imazhi i tyre ushqente mitin e rezistencës së vazhdueshme ndaj të tjerëve dhe, për rrjedhojë, shërbente gjithashtu për të legjitimuar politikën komuniste shqiptare të izolimit dhe tërheqjes nga bota. /Telegrafi/
________________
[1] Pupovci (Syrja), “Introduction”, në Buda (Aleks), et al, red., Kanuni i Lekë Dukagjinit mbledhur dhe kodifikuar nga Shtjefën K. Gjeçovi, Tirana : Academy of Sciences, 1989, f. 585.
[2] Termi kanun buron nga fjala greke kanon, që do të thotë “rend”, “normë”. Në gjuhën turke është transformuar në kanun. Kanunname-t ishin kodet ligjore të miratuara nga Sulltani, në kontrast me Sheriafin, ligjin që rrjedh nga Kurani. Në gjuhën shqipe, termi kanun përcakton ligjin zakonor vendas.
[3] Pupovci (Syrja), art. cit., f. 592.
[4] Elezi (Ismet), E drejta zakonore penale e shqiptarë dhe lufta për zhdukjen e mbeturinave të saj në Shqipëri, Tiranë : 8 Nëntori, 1983, f. 68f.
[5] Tirta (Mark), “The Cult of Several Ancient Customs in the Albanian Ethnical Survival”, referat i lexuar në konferencën The Role of Myth in History and Development in Albania, Londër, 11-13 qershor 1999, fq. 1-2..
[6] Ibid., p. 2.
[7] Elezi (Ismet), op. cit., p. 79.
[8] Ibid., p. 70.
[9] Ibid., pp. 73-74. Shih po ashtu Elezi (Ismet), E Drejta Zakonore e labërisë në Planin e Krahasues, Tiranë : Libri Universitar, 1994.
[10] Luarasi (A.), Zaganjori (Xh.), Elezi (I.), Nova(K.), “E Drejta Zakonore Shqiptare”, në Omari (Luan), Luarasi (Aleks), red., Historia e Shtetit dhe e së Drejtës ne Shqipëri, Pjesa 2, Tiranë : Shtëpia Botuese “Luarasi”, 1994, f. 6.
[11] Xhufi (Muhanem), Mbi historikun e Progonatit, Tiranë : Elena Gjika, 1995, f. 3.
[12] Pupovci (Syrja), art. cit., fq. 596-597.
[13] Luarasi (A.), Zaganjori (Xh.), Elezi (I.), Nova (K.), art. cit., f. 5.
[14] Ibid., pp. 585-586.
[15] Giordano (Christian), “Der Ehrkomplex im Mittelmeerraum: sozialanthropologische Konstruktion oder Grundstruktur mediterraner Lebensformen?”, në Vogt (Ludgera), Zingerle (Arnold), red., Ehre. Archaische Momente in der Moderne, Frankfurt am Main : Suhrkamp, 1994, f. 172.
[16] Pupovci (Syrja), art. cit., p. 591.
[17] Institute of Maixist-Leninist Studies at the Central Committee of the Party of Labour, red., History of the Party of Labour, Tirana : 8 Nëntori, 1971, f. 239
[18] Ibid.
[19] Imazhi i malësorëve u përkeqësua më tej me rënien e komunizmit dhe migrimin e njëkohshëm të mijëra fermerëve nga Veriu në qendrat urbane. Njerëzit nga këto zona quhen malokë, një term që përcakton sjelljen “primitive” që konsiderohet tipike për njerëzit nga malet.
[20] Hoxha (Enver), Laying the foundations of the new Albania. Memoirs and historical notes, Tirana : 8 Nëntori, 1984, fq. 5-7.



