Nga Shaqir Vukaj

Botuar në DITA

Prej vitesh emisioni satirik “STOP” fillon me një varg të këngës për Çun Mulën, që për dijeni të lexuesit ka qenë bajraktari i Hotit, që, sipas një tradite shekullore ka qenë kryebajraktari i Malësisë së Madhe.

Pa marrë përsipër të trajtoj problemin e bajraktarëve të Veriut të Shqipërisë, por duke qenë se në të kaluarën bajraktarët janë anatemuar, janë cilësuar tradhtarë, të shitur, bejlerë, feudalë që shfrytëzonin malësorët etj. dhe janë trajtuar të gjithë njësoj, do të përpiqem shkurtimisht të sqaroj ç’kanë qenë bajraktarët e Malësisë së Madhe, ç’farë roli kanë pasur në shoqëri, si e kanë fituar këtë emër etj.

Kjo për më tepër se zona të veçanta që përmblidhnin disa bajrakë, kanë pas rregullat e ligjet e tyre, dhe shumë prej tyre kanunet e veta. Malësia e Madhe udhëhiqej nga Kanuni i vet (mbledhur nga Lazër Mjeda dhe Nikoll Ashta). Numërohen mbi dhjetë kanune, që nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, i Shkodrës, i Drishtit, i Skënderbeut, i Lumës, i Dibrës, i Labërisë etj. Pavarësisht se të gjithë këta kanune kanë shumë gjëra të përbashkëta, secili prej tyre kishte specifikat e rregullat e veta.

Sipas shumë studiuesve, Bajraku është krijuar në shekullin e XVI, në Malësitë e Veriut, në periudhën e pushtimit osman, si njësi administrativo-ushtarake. Duhet theksuar se Bajraku, ka ekzistuar edhe para pushtimit osman, por, për interesa të tyre ata e institucionalizuan. Bajraku përfshinte disa fshatra e zona të afërta me njëra tjetrën gjeografikisht, ekonomikisht etj.

Bajraku drejtohej nga bajraktari, i cili në atë periudhë zgjidhej nga vetë banorët, por zakonisht zgjidhej një person që ishte dalluar në luftë, apo edhe nga familje të dalluara në luftëra, por që aprovohej nga organet administrative osmane. Fjala bajraktar, vjen nga turqishtja që do të thotë flamurmbajtës apo flamurtar, dhe si rregull, në luftë ai mbante flamurin dhe ishte në krye të luftëtarëve….

Në Malësi të Madhe njihen 11 bajrakë: i Hotit, i Grudës, i Kelmendit, i Kastratit, i Shkrelit, i Koplikut, i Lohes, i Reçit, i Rrjollit, i Grizhes dhe Buzë Ujit, ku bajrak i parë ka qenë ai i Hotit. Bajraku i Kelmendit ndahej në katër bajrakë apo nën bajrakë, por që në kuvende e ngjarje të rëndësishme përfaqësohej nga bajraktari i Kelmendit. Historikisht ka qenë e përcaktuar se bajraktarlleku trashëgohej, dhe zgjidhej njëri nga djemtë e bajraktarit ose një njeri i afërt nga gjaku…

Disa të ashtuquajtur studiues e historianë, që pa e pas idenë (disa për arsye politike) e ndajnë Malësinë e Mbishkodrës dhe quajnë Malësi e Madhe vetëm pesë bajrakët apo Malet siç quhen në gjuhën popullore, duke e ndarë nga Rranxat. Malësi e Madhe quhen 11 bajrakët, të lidhur gjeografikisht, ekonomikisht, me zakone e tradita të njëjta, me kostume të njëjta (xhubletën legjendare), me këngë e valle, rite, legjenda e tregime, me miqësi, kumbari e probatini, madje edhe me një kryebajraktar për gjithë Malësinë e Madhe, dhe që sot, janë të bashkuar në një bashki, me qendër Koplikun.

Pavarësisht se çfarë është thënë e shkruar, bajraktarët e Malësisë së Madhe nuk kanë qenë nga familjet më të pasura. Përkundrazi, ata kanë jetuar e punuar si gjithë malësorët e tjerë, pa privilegje. Madje, disa prej tyre kanë qenë nën nivelin ekonomik të bashkëfshatarëve të tyre. Ka pas prej atyre që as bukën për shtëpinë e vet nuk e prodhonin. Duket e pabesueshme, por për shembull bajraktari i Grudës, jetonte në një shtëpi përdhese….

Dua të theksoj një fakt tepër interesant që flet shumë për marredheniet midis malësorëve, që pavarësisht nga përkatësia fetare (Malësia e Madhe popullohet nga katolikë e myslimanë) kanë qenë shumë të mira. Mjafton vetëm një shembull. Lidhjet me kumbari, midis familjeve të dy feve, kanë qenë më të shumta se ato brenda një feje…. Ose fakti që bajraktari i Hotit ka qenë i fesë myslimane, ndërsa popullsia e Hotit është e fesë katolike, ose bajraktari i Grudës ishte i fesë katolike, kurse popullsia e kësaj krahine ishte në shumicë myslimane…..

Pavarësisht se shumë herë bajraktari është krahasuar me beun apo feudalin, bajraktari nuk kishte asnjë të drejtë ekonomike mbi banorët e bajrakut të tij. Malësia e Madhe nuk ka qenë çiflig i askujt. Malësori ka qenë vet zot i kullës së tij, i tokës, i bagëtive të tij, që ka zbatuar normat kanunore të vendosura nga vetë popullsia e kësaj krahine, madje shumë më përpara kanuneve dhe ligjeve që i atribuohen Lekë Dukagjinit e që janë vepër e banorëve të kësaj krahine dhe që kanë ndryshuar herë mbas here, në përputhje me kushtet e krijuara. Bajraktari ishte i detyruar të zbatonte deri më një të gjitha rregullat e Kanunit si të gjithë malësorët e tjerë.

Siç rezulton nga studimet për bajraktarët e Malësisë së Madhe, shumë prej tyre kanë luajtur rol të rëndësishëm në ngjarjet madhore gjatë periudhës së pushtimit osman. Kështu, ata kanë marrë pjesë në hartimin dhe nënshkrimin e programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe si përfaqësues të saj kanë firmosur bajraktarët e Hotit, të Grudës, të Shkrelit, të Kastratit, të Reçit etj. ndërsa në emër të Malësisë së Madhe, kanë marrë pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit bajraktari i Hotit Çun Mula dhe ai Reçit Zyber Selmani. Ata, në krye të luftëtarëve të bajrakut të tyre, kanë marrë pjesë në luftën për mbrojtjen e Hotit, Grudës, Plavës e Guxisë, Kryengritjen e Malësisë së Madhe të v.1911 (të Ded Gjon Lulit), në Luftën e Koplikut në v.1920 etj.

Pavarësisht se gjatë Luftës Dytë Botërore, për arsye të ndryshme, – ndërmjet tjerave, sepse drejtuesit e Klerit Katolik kanë luajtur një rol të veçantë në radhët e popullsisë katolike – u vendos për të mos u aktivizuar në luftë kundër italianëve e më vonë të nazistëve gjermanë, gjë që vërtetohet nga shumë dokumente. Ndryshe ka ndodhë me Rranxat dhe Postribën që u bënë qendra e bazë e Luftës Nacional Çlirimtare për Qarkun e Shkodrës. Kuptimplotë është fakti se nga familjet e bajraktarëve të Reçit dhe Koplikut kemi dy Dëshmorë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare….

Duke u marrë me një ngjarje të vitit 1696, Albanologu George Hahn shkruan: “Në përpjekjen për mbrojtjen e Ulqinit kundër sulmit venedikas luftuan edhe bajraktarët e Malësisë së Shkodrës, ku u dallua për trimëri bajraktari i Hotit, për këtë meritë ai u trajtua si bajraktari i parë…”. Po ti besojmë Hahnit, që nga kjo kohë, ai është trajtuar dhe respektuar si kryebajraktari i Malësisë së Madhe, që u trashëgua brez mbas brezi deri tek Mul Delia (të cilit i kushtohet ky shkrim) që konsiderohet si bajraktari i fundit, duke i lënë emër të mirë familjes së vet e krejt Malësisë së Madhe.

Nisur nga qëllimi i mirë për të nxjerrë në pah dhe njohur meritat e atyre patriotëve që, në radhë të parë, për arsye kryesisht politike janë lënë në harresë, do të përpiqem të përshkruaj veprimtarinë e rolin e Mul Delisë, veçanërisht në momente e situata delikate gjatë periudhës së pushtimit nazifashist e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.

Për këtë i jam referuar shumë dokumenteve vendase e të huaja, kujtimeve të tij dhe pjesëmarrësve të Luftës Nacional Çlirimtare, shkrimeve për të etj. por sigurisht duke e parë e trajtuar në kohë, në kushtet e zhvillimit të shoqërisë së asaj kohe, me ligjet, zakonet e traditat që zbatoheshin atëherë në Malësi të Madhe.

Mul Delia, lindi në v.1895. Që në moshë të re e çuan për studime në Austri, në një shkollë ushtarake. Për rezultate të mira ju dha grada toger. Për shumë vite shërbeu në shumë krahina të Shqiperisë, por gjithmonë e në çdo rast duke ruajtur marredheniet me Hotin e Malësinë e Madhe. Mbas shpalljes së pavarësisë, megjithëse roli i bajraktarëve nuk ishte më ai i pari, ish Mbreti Zog përpiqej më të gjitha mënyrat ta mbante mirë me bajraktarët duke u krijuar privilegje, duke u dhënë shpërblime, duke i emëruar në poste honorifike etj. Kështu edhe Mul Delia vazhdonte të vlerësohej si kryebajraktari i Malësisë së Madhe dhe ti dëgjohej fjala….

Është folur e shkruar shumë për pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste, për tradhtinë e ish Mbretit Zog, për arratisjen e tij e grabitjen e floririt, për atë rezistencë të vakët të ushtrisë shqiptare etj. ku mori pjesë edhe Mul Delia. Në kujtimet e tij “Besëlidhja e Malësisë së Madhe” (lënë dorëshkrim dhe botuar në v.2004) ai përshkruan me realizëm e sinqeritet situatën në prag të pushtimi, protestat e popullsisë, mungesën totale të përgatitjeve të shtetit shqiptar për të rezistuar me luftë, urdhrat që jepeshin nga Komanda Ushtarake, që i binin ndesh njëri tjetrit e që çorientonin edhe ata oficerë patriotë që donin të luftonin, që nuk kishte municione e që topave u kishin hequr gjilpërat etj.

Ja si e përshkruan ai:

“Bateria 65/17 ishte e vendosun në pjerrësinë e kodrave të Shijakut…Bateria kishte 25 gjyle (predha) edhe këto pa kapsolla. Lajmërova Komandën në Tiranë për të na dërgojë kapsolla e predha, municione për armë e mitraloza, si dhe bukë e ushqime për ushtarët e për kafshët. Fatkeqësisht nuk u dergue asgja. Çdo mjet ushtarak ishte asgjësue prej italianëve e tradhtarëve shqiptarë…”

Më poshtë ai përshkruan se ushtria nuk kishte as kazma e lopata për të hapur llogore…. kuptohet për të tjerat. Ai shkruan me shumë respekt për Mujo Ulqinakun “i cili qëndroi deri sa ra heroikisht”.

Megjithëse shumë prej oficerëve shqiptarë, u vunë në shërbim të pushtuesve italianë, dhe vazhduan të ruanin pozitat e tyre, Mul Delia vihet në listën e atyre që kishin pritur fashistët më armë në dorë. Madje mbas kthimit familjarisht në Shkodër vihet nën vëzhgimin e SIM-it, Federatës Fashiste e Milicisë Fashiste. Në këto kushte, për të siguruar mjetet e jetesës ai filloi të merrej me tregti.

Pushtuesi italianë, duke u përpjekur të shfrytëzonin traditat etj. të popullit tonë, për të krijuar një regjim fashist shqiptar, krahas tjerave u mbështetën tek të ashtuquajturat elita shqiptare. Fatkeqësisht shumë prej tyre bashkëpunuan me pushtuesit (shembulli më kuptimplotë është ai i ish shumë deputetëve të Parlamentit të ish Mbretërisë, të zgjedhur në v.1937, që për turpin e tyre, krijuan Asamblenë që vendosi “Bashkimin e Shqipërisë me Italinë”), tek bejlerët e Shqipërisë së Jugut dhe të mesme si dhe tek krerët e fiseve malore të Veriut e tek njerëzit me emër….

Krahas tjerave, atyre u kërkohej të regjistronin sa më shumë milicë nga zonat e tyre, si dhe të krijonin formacione ushtarake të quajtura vullnetare (me një lloj page). Tipik është rasti i Gjon Marka Gjonit të Mirditës që pushtuesit italianë i dhanë titulli Senator i Mbretërisë dhe i caktuan një rrogë mujore 4.000 lira. Krahas tjerave, atij ju vu detyrë të krijonte formacione të tilla në Mirditë, Lumë, Pukë etj. Formacione të tilla u krijuan edhe në Dibër etj. që u përdorën kryesisht për të shtypur lëvizjen Antifashiste Nacional Çlirimtare në zonat e Jugut të Shqipërisë.

Tepër domethënës është fakti se Gjon Marka Gjoni, nuk u angazhua për rekrutimin e malësorëve të Malësisë së Madhe. Në vitin 1941, kur po formoheshin batalionet e Milicisë Fashiste me shqiptarë, në Malësi të Madhe shkoi major Ndok Gjeloshi (ai që i kishte bërë atentat ish Mbretit Zog në Vjenë, e që u vu plotësisht në shërbim të pushtuesve italian, që më 7 prill 1939 erdhi së bashku me ta në Shqipëri…) për të krijuar batalione të Milicisë Fashiste me malësorë të Malësisë së Madhe dhe të Dukagjinit.

Siç vërtetojnë dokumentet dhe siç kanë treguar shumë bashkëkohës, ai shkoi në shumë zona të Malësisë së Madhe por dështoi në misionin e tij, sepse nuk arriti të rekrutonte më shumë se 20 vetë, sepse Mul Delia, me autoritetin e tij ndikoi që malësorët të mos regjistroheshin në Milicinë Fashiste. Siç shkruan në kujtimet e tij, atij i është propozuar të komandonte forcat e Milicisë Fashiste që vepronin në Shkodër, Tuz (ose Koplik), Dukagjin, Pukë, Lezhë e Ulqin, detyrë që nuk e ka pranuar.

Duke dashur të shfrytëzonin emrin e Kryebajraktarit të Malësisë së Madhe, atij disa herë i kanë propozuar krijimin e njësive të tilla, milicie apo vullnetare me atë në krye për të shkuar në zona të tjera, jashtë Malësisë së Madhe, për të shtypur Lëvizjen Antifashiste.

Kështu në prill të v.1941, ai është thirrur nga Ministri Ernest Koliqi, për të organizuar forcat e Malësisë së Madhe (me pagesë) për të luftuar së bashku me Ushtrinë Italiane kundër Ushtrisë Jugosllave, e cila kishte depërtuar në disa zona të Malësisë, mbasi ushtria italiane ishte tërheqë me turp, por ai nuk ka pranuar, duke u shprehur se “ajo ishte luftë që bëhej për interes të okupatorit”. (Ngjarje me rëndësi për atë kohë për Malësinë e Madhe, e më gjerë, që nuk është trajtuar nga historiografia jonë).

Mbas kësaj, me një pretekst absurd, Mul Delia arrestohet nga SIMI, për presion, për ta detyruar që të vihet në shërbim të tyre, dhe mbas pak kohësh është liruar.
Në viti 1942, atij i është propozuar nga Ministri Fashist, Kol Bib Mirakaj për të formuar një Batalion Vullnetar (me pagesë e të veshur me uniformë ushtarake) për të kryer operacione në rrethet e Pukës dhe Tropojës, detyrë që nuk e ka pranuar. Po ashtu ish nen/Ministri i Punëve të Brendshme, Mark Gjon Markagjoni, i ka propozuar të emërohej komandant i Batalionit të Milicisë Fashiste në Mirditë, funksion që përsëri nuk e ka pranuar.

Duke dashur të shfrytëzonin emrin e familjes e të tijin, është angazhuar vetë Kryeministri Mustafa Kruja, i cili i ka propozuar të krijonte një njësi ushtarake në Malësi të Madhe me 2 mijë vetë (me paga të mira për kohën) dhe ai të vihej në krye të saj për të shkuar në Vlorë, për të shtypur Lëvizjen Antifashiste. Duke dashur të justifikojë kundërshtimin e tij, Muli, krahas tjerave i ka thënë Mustafa Krujës se “në qoftë se malësorët e aftë për luftë shkojnë në Vlorë, atëherë forcat çetnike të Malit të Zi mund të futen lirisht në Malësi të Madhe…”

Kështu ai vazhdoi deri në prill të vitit 1943, duke u marrë me jetën e tij private, por duke mbajtur lidhje të ngushta me malësorët. Siç del nga disa dokumente, kujtimet e Mul Delisë dhe të bashkëkohësve, në fillim të v.1943, njësi çetnike të Malit të Zi, përgatiteshin të sulmonin dhe të pushtonin fshatrat shqiptare dhe Tuzin, që i ishin bashkuar Shqipërisë në kuadrin e krijimit të Shqipërisë Etnike.

Malësorët u alarmuan dhe u përgatitën për tu mbrojtur, por ishin të paorganizuar dhe kryesorja nuk kishin armë. Kështu u vendos që një përfaqësi prej rreth 60 vetë të shkonte në Tiranë dhe të kërkonin armë e municione. Kjo u shfrytëzua nga pushtuesit italianë, të cilët e pranuan kërkesën e tyre, por me kusht që të krijoheshin Forcat Vullnetare të Malësisë së Madhe, që do të armatoseshin nga italianët, madje do tu jepen pagë mujore (qëllimi ishte i qartë, sepse nëpërmjet këtyre veprimeve ata do të detyronin këta vullnetarë ti dërgonin kudo neper Shqipëri për të shtypur Lëvizjen Antifashiste…)

Në muajin prill, zyrtarët më të lartë italianë (Jakomoni, Dalamco etj.) thirrën Mul Delinë dhe i propozuan që të merrte komandën e Forcave Vullnetare të Malësisë së Madhe, që, siç shkruan ai, pranoi, por me kusht që “këto forca do të përdoreshin vetëm për mbrojtjen e kufijve me Malin e Zi si dhe për të mbrojtur Malësisë e Madhe nga çdo ngatërresë, dhe se vullnetarët nuk do të pranonin të luftonin kundër çetave që luftonin kundër pushtuesit”.

Është interesant fakti se Forcat Vullnetare u krijuan vetëm në katër bajrakë (Hot, Grudë, Kastrat e Shkrel) si dhe në krahinat që i ishin bashkuar Shqipërisë Etnike, duke mos u përfshirë gjashtë bajrakët e tjerë (Koplik, Lohe, Reç, Rrjoll, Grizhe, Buzë Uji) dhe kjo, siç shkruan Mul Delia në kujtimet e tij sepse: “Populli i Postribës dhe Rranxave ishte krejtësisht kundër Italisë”.

Tërheq vëmendjen fakti se italianët e veçuan Kelmendin dhe emëruan Prek Calin, por që për ruajtjen e kufirit, “ishte i detyruar” të bashkëpunonte me Forcat Vullnetare të Malësisë së Madhe. Lëvizja Nacional Çlirimtare, që në fillimet e veta ishte përhapur kryesisht në Postribë dhe Rranxa, aty ishte krijuar çeta e parë partizane (qershor 1942) e më vonë batalioni “Perlat Rexhepi”, prandaj Muli shkruan se populli i këtyre krahinave ishte kundër Italisë, pra ishte kundër pushtuesit…..

Në verën e v.1943, Fashizmi në Itali mori goditje të rënda, Musolini u arrestua etj. që sigurisht do të kishte pasoja edhe në Shqipëri. Kështu, në muajin korrik, repartet ushtarake shqiptare, batalionet “Tomori”, “Kaptina”etj. bateritë “Drini” e “Sazani”, që ishin dislokuar gjatë bregdetit, nga Shëngjini në Tivar, dezertuan në masë, një pjesë e të cilëve u bashkua me batalionin partizan “Perlat Rexhepi”.

Në këtë periudhë edhe disa te ashtuquajtur patriotë që deri atëherë kishin bashkëpunuar me pushtuesit italianë, braktisën padronët, krijuan ndonjë çetë të vogël dhe dolën në mal “për të luftuar”, ndërmjet të cilëve dallohej Jup Kazazi i cili që me pushtimin e Shqipërisë ishte venë në shërbim të pushtuesve italianë në poste tepër të rëndësishme si Prefekt, ministër, Federal, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Fashiste Shqiptare etj. dhe që deri më datë 18 gusht 1943, ka marrë rrogë nga Italia Fashiste…).

Shumë qartë e ka përshkruar antifashizmin e këtyre “patriotëve” Kol Bib Mirakaj, ish ministër gjatë pushtimit nazifashist, në librin e tij “Vetëvrasja e një kombi”, botuar në vitin 2013, ku shkruan:

“Po keni ba edhe aksione sporadike me ndonjë grup ushtarësh italianë të mbetun t’izoluem, sidomos mbas 25 korrikut 1943, kur Musolini ishte burgosë, pra kur fashizmi kishte ra edhe në Itali, dhe dalja e Italisë së shpejti nga lufta shifej si fakt i paevitueshëm.

Atëherë po, disa prej tyne kanë guximin ta quejnë veten puritanë, superpatriotë dhe ne të tjerëve tradhtarë, kapën pushkën së bashku me bizhama e pantofla na dolën ilegalë kundër “fashizmit që nuk ekzistonte ma”.

Në kujtimet e tij Mul Delia shkruan se çetat nacionaliste, ishin të vogla dhe se anëtarët qëndronin në shtëpitë e tyre…ndërsa “çeta Nacional Çlirimtare ishte e organizuar mirë, kishte disiplinë të rreptë dhe përbëhej në shumicë nga luftëtarë të rinj…Mbas kapitullimit të Italisë ajo u rrit deri në 200 vetë”.

Është interesant fakti se dhe këta patriotë të vonuar, gjetën strehë në zonat e Postribës dhe Rranxave, që mund të konsideroheshin si zona të lira. Në këtë kohë, pushtuesit italianë filluan përgatitjet për një operacion të përgjithshëm për të zhdukur një herë e mirë Lëvizjen Nacional Çlirimtare e kundërshtarët. Për këtë qëllim, ata kishin llogaritur të aktivizonin edhe Forcat Vullnetare të Malësisë së Madhe, por kur gjenerali italian Negris, i kërkoi angazhimin e tyre në luftë Muli ju përgjigj se:

“Malësorët e Malësisë së Madhe nuk pranojnë me hy në luftë vëllavrasëse me popullin e Rranxave e Postribës, me të cilët kanë lidhje familjare. Në këto krahina ata kanë bija, nipa e mbesa, kumbarë e probatina”. Megjithatë, me zgjuarsi i është shmangur dhe i ka thënë gjeneralit, se “do të konsultohej me malësorët”, dhe si ka qenë zakoni e tradita në atë kohë, ai me disa patriotë organizuan një Kuvend të madh në Koplik ku morën pjesë paria e të gjitha zonave të Malësisë së Madhe, si dhe një numër shumë i madh malësorësh (rreth 3000 vetë).

Në emër të Rranxave, foli Ramadan Reçi, (në rol të dyfishtë, si përfaqësues i Lëvizjes Nacional Çlirimtare dhe si nip i bajraktarit të Reçit), që u prit shumë mirë nga shumica e pjesëmarrësve…
Mbas tij folën edhe disa të tjerë, dhe të gjithë u shprehën për bashkim e bashkëpunim. Aty u arrit dhe një lloj Besëlidhje (vë në dukje se edhe më herët, në shkurt dhe në maj të v. 1943 ishin organizuar besëlidhje të Malësisë së Madhe, ku, krahas tjerave ishte vendosur që “Malësia e Madhe të mos binte pre e së keqes dhe të përfshihej në luftë vëllavrasëse”.

Sipas dokumenteve italiane, Mëkëmbësi i Mbretit, gjeneral Pariani i kërkoi Mul Delisë “që me Forcat Vullnetare të ndërmerrte një operacion spastrimi në Shkodër dhe fshatrat përreth”, që ai nuk e pranoi…. Gjatë gjithë muajit gusht, italianët, nga njëra anë përgatiteshin për të ndërmarrë operacionin ushtarak kundër Rranxave, nga ana tjetër i bënin presion atij dhe disa të tjerëve për të marrë pjesë në operacionin që po përgatisnin.

Siç thamë më sipër, në këtë periudhë vërehet aktivizim i Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, që solli edhe një farë afrimi e bashkëpunimi me Lëvizjen Nacional Çlirimtare. Duke parë rrezikun, me iniciativën e përfaqësuesve të Nacional Çlirimtares, më 13 gusht u organizua një mbledhje e përfaqësuesve të bajrakëve të Reçit, Rrjollit, Koplikut, Grizhes, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, ku janë angazhuar për “luftë të përbashkët në rast se do të sulmoheshin fshatrat e Rranxave”.

Pushtuesit italianë përgatitën operacionin me fshehtësi të plotë, dhe sipas dokumenteve që ju kapën ushtarakëve italianë, plani ishte që më 31 gusht të pushtohej Reçi, më 1 shtator të marshonin në drejtimin Rrjoll-Postribë dhe të nesërmen të arrinin në brigjet e Drinit. Sipas këtij plani, më dt.30 gusht, në mënyrë të papritur, ata sulmuan me forca të shumta (mbi 1100 oficerë e ushtarë) të pajisur me armatimet e mjetet më moderne të kohës, duke përdorur edhe aviacionin, u drejtuan drejt Reçit.

Lufta e Reçit ishte një luftë mbarëpopullore ku morën pjesë populli i Reçit, vullnetarë të ardhur nga fshatrat përreth, partizanët e batalionit “Perlat Rexhepi”, ushtarakë që kishin dezertuar para pak ditësh, si dhe disa ballistë e legalistë. Kjo është e vërteta e asaj lufte, pasqyruar në dokumentet e asaj kohe. Në revistën e rinisë së Ballit Kombëtar dt.28 nëntor 1943 thuhet: “Më 30 gusht çeta e jonë i shkoi në ndihmë çetave partizane të sulmueme”.

Sulmi i pa pritur i Ushtrisë Italiane e gjeti Mul Delinë të pa përgatitur, madje atë ditë ai kishte shkuar në një festë fetare në Hot. Sapo ishin dëgjuar krismat e para, Komanda Italiane kishte nisur rreth 20 kamionë për të dërguar Vullnetarët e Malësisë së Madhe në luftë në Reç, në mbështetje të Ushtrisë Italiane. Mul Delia, duke ditur qëndrimin e popullit, menjëherë organizoi një mbledhje me popullin që po festonte dhe i shpjegoi se ç’po ndodhte, se italianët kërkonin që forcat vullnetare të shkonin në ndihmë të Ushtrisë Italiane.

Siç shkruan në kujtimet e tij Mul Delija (siç kanë dëshmuar dhe shumë pjesëmarrës) në këtë tubim popullor u duk edhe një herë uniteti i popullsisë se Malësisë së Madhe, ku në mënyrë kategorike të gjithë bërtisnin: “Mos me shkue me luftue kundër Rranxave, se aty kemi vllaznit tonë, ata që kanë me shkue do të jenë të koritun e përgjegjës para Malësisë së Madhe”.

Ushtria italiane mbas dy ditë luftime u thye me turp, dhe iku e çorganizuar duke lënë të vrarë e të plagosur si dhe shumë armatime e municion rrugëve…. Forcat vullnetare nuk hynë në luftë kundër vëllezërve te tyre, ashtu siç nuk kishin shkuar në jug të Shqipërisë për të shtypur Lëvizjen Nacional Çlirimtare, dhe krahas tjerëve, merita, në radhë të parë i takon popullit të Malësisë së Madhe, ku një rol te rëndësishëm ka luajtur Mul Delia, duke i dhënë një mesazh dhe shembull të jashtëzakonshëm shqiptarëve, se ne, në asnjë rrethanë, nuk duhet me u vra me njëri tjetrin për interesa të të huajve, madje për asnjë arsye….

Ky ishte mesazh edhe për të gjitha partitë e për të gjitha kohërat.

Pavarësisht se Italia Fashiste ishte në grahmat e fundit, Komanda Italiane përgatitej të ndërmerrte një operacion tjetër kundër Reçit. Për këtë qëllim ajo insistonte me të gjitha mënyrat të përfshinte në luftë Vullnetarët e Malësisë së Madhe, duke përdorur edhe disa shqiptarë, ku nder më aktivët ka qenë Prek Cali (Nje personalitet me shumë dritë-hije…për të cilin Mul Delia në kujtimet e tij shkruan se Prek Cali ka qenë tepër aktiv kundër Lëvizjes Nacional Çlirimtare dhe atyre që luftonin kundër pushtuesit, duke bashkëpunuar ngushtë me pushtuesit italianë e më vonë me ata gjermanë).

Me gjithë punën e madhe që bënë italianët dhe disa bashkëpunëtorë të tyre për të bindur vullnetarët të merrnin pjesë në operacionin e ri që po përgatisnin, shumica tyre, nuk pranonin, ku një rol të rëndësishëm luajti Mul Delia. Për këtë arsye ai shkarkohet nga detyra e komandantit të Forcave Vullnetare….. Ndërmjet shumë dokumenteve për Mul Delinë kam gjetur një letër të Ministrit të Punëve të Brendshme, dt.31.7.1943, Nr.635/89 drejtuar N/Prefekturës Tuz, ku ndërmjet tjerave shkruante:

“Kemi informata se Mul Delia me fuqinë e vet që i është venë në dispozicion dhe i asht besue ka ndërmend të vihet në bashkëpunim më kryengritësit. Nuk besojmë që koritë shtëpinë e bajraktarit të Hotit. Kaq për dijeni” – Ministri

Mbas pak ditësh Italia Fashiste kapitulloi dhe vendin e saj e zuri Gjermania Naziste. Pushtuesit e rinj dhanë urdhër që të gjithë ushtarakët italianë që kishin mbetur rrugëve t’u dorëzoheshin gjermanëve, por ai nuk u zbatua. Në Malësinë e Madhe nuk i është dorëzuar asnjë italian nazistëve gjermanë…..
Nazistët, njëlloj si fashistët italianë, u mbështetën kryesisht në të ashtuquajturat elita, që nga formimi i Regjencës etj…..

Kështu ata angazhuan edhe Mul Delinë duke e emëruar Komandant i Batalionit të Rojes së Kufirit, por siç shkruan ai në kujtimet e tij “Gjatë kohës që komandoja Rojen e Kufinit, kam pas shumë telashe me gjermanët sepse disa prej tyre zhvillonin kontrabandë….Me keqardhje konstatova mungesën e disiplinës e korrupsionin: oficerët e nënoficerët merrnin pjesë në kontrabandë” dhe vazhdon “Me kalimin e kohës gjermanët e panë se Roja e Kufinit nuk u përgjigjej interesave të tyre… prandaj e suprimuan”.

Siç del nga dokumentet, Regjenca u angazhua për të bindur Mul Delinë që të vihej ne krye te një grupimi batalionesh që do të dërgohej ne Jug, prandaj e thirri vet regjenti Mehdi Frashëri i cili i tha: “Duke filluar nga Korça, do të spastronin të gjithë komunistët e gjithë të tjerët që janë kundër Qeverisë Shqiptare”. Edhe në ketë rast, Mul Delia nuk pranoi të komandonte këta batalione në luftë kundër “komunistëve dhe të tjerëve”…

Mbas pak ditësh përfaqësuesi i lartë i pushtuesve gjermanë, Hausding përsëriti propozimin, por tashmë për të lejua çetnikët e Malit të Zi të hynin në Malësi të Madhe e të qarkullojnë lirisht në Shqipërinë e Veriut. Po ashtu propozoi që në bashkëpunim me Gjon Marka Gjonin të mblidhnin vullnetarë nga Malësia e Madhe, Dukagjini, Mirdita, Puka e Lezha për të zhdukur komunizmin dhe të gjithë ata që ishin kundër gjermanëve…..propozim që nuk u pranua nga Muli.

Mbas kundërshtimit të hapur, Mulin e arrestuan, madje pabesisht në shtëpinë Hausdingut ku e kishte ftuar për “bisedime”. Fillimisht e internuan në kampin e Prishtinës e më vonë në një kamp përqendrimi në Vjenë…

Mbas përfundimit të Luftës Dytë Botërore, ai shkoi në Siri, ku edhe vdiq, në vitin 1952. Nga të dhëna të ndryshme, nuk rezulton që mbas çlirimit të jetë aktivizuar në veprimtarinë antishqiptare, nuk ka pranuar të vihet në shërbim të shërbimeve që vepronin kundër Shqipërisë, nuk është aktivizuar në grupime apo parti politike të krijuara nga ish bashkëpunëtorë të pushtuesve nazifashistë apo nga të arratisurit politikë jashtë Shqipërisë etj. Ka të dhëna se mbas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, drejtues të zbulimit jugosllav i kanë propozuar të shkonte në Jugosllavi dhe të merrej me organizimin e emigracionit shqiptar kundër Shqipërisë, por ai ka kundërshtuar me forcë.

Pavarësisht nga lënia në harresë nga zyrtarët e asaj kohe dhe nga qëndrimi shumë i ashpër i mbajtur ndaj familjes së tij, duke e internuar e trajtuar si familje armike, populli i Malësisë së Madhe nuk e harronte, madje emri i tij përmendej e kujtohej me nderim e respekt veçanërisht për rolin që ai kishte luajtur gjatë Luftës Nacional Çlirimtare për të shmangur vëllavrasjen midis shqiptarëve, për rolin e tij për penguar dërgimin e malësorëve për të luftuar në Jug kundër atyre që luftonin kundër fashizmit etj.

Emri i tij përmendej edhe nga partizanë të vjetër që gjatë Luftës Nacional Çlirimtare ishin takuar apo kishin pas rastin të merrnin pjesë në takime e kuvende që bëheshin në atë kohë e ku Muli kishte mbajtur qëndrim pozitiv. Disa prej tyre patën kurajën që në Historikun e Luftës Nacional Çlirimtare për Qarkun e Shkodrës të insistonin që të shkruhej për rolin pozitiv që kishte luajtur Mul Delia gjatë Luftës ….

Kështu në një prej varianteve të historikut (sepse ka patuar shumë diskutime e korrigjime të historikut) thuhet:

“Të ashpër, në mënyrë të veçantë ata (pushtuesit dhe reaksioni) u treguan kundër atyre që nuk u treguan të gatshëm, e madje kundërshtuan të merrnin pjesë në luftë kundër partizanëve. Njëri prej tyre ishte bajraktari i Hotit, njëkohësisht Kryebajraktari i Malësisë së madhe, Mul Delia. Komanda gjermane reagoi ashpër kur ky kryebajraktar, i cili nuk u angazhua asnjëherë, me gjithë presionet, në luftë kundër partizanëve”.

Në botimet zyrtare, për herë të parë, për Mul Delinë e rolin e tij pozitiv, sidomos në Luftën e Reçit, për ndihmën e tij dhënë partizanëve etj. ka shkruar Myslim Islami në librin “Vasil Shanto”, botuar në v.1981. Por, për rolin e qëndrimin e tij gjatë Luftës Nacional Çlirimtare kanë shkruar disa nga partizanët e vjetër Bilal Parruca, Rasim Dedja, Xhemal Bejto etj, që kanë insistuar që historiografia zyrtare të shkruajë të vërtetën për rolin e Mul Delisë, i cili pavarësisht se nuk u bashkua dhe nuk ishte pjesëmarrës direkt në luftë kundër pushtuesve nazifashistë, ai ka ndihmuar Luftën Nacional Çlirimtare e në mënyrë të veçantë ka kontribuar për të shmangur vëllavrasjen.

Në kërkesat e tyre ata përmendin raste konkrete e për takimet e tij me drejtues të LANÇ si me Vasil Shanton, Zija Dibrën e Dom Luigj Picin (për të cilin ka shkruar edhe vetë Mul Delia në kujtimet e tij) apo për takimin e Sekretarit të Qarkorit Zija Dibra dhe Bejto Faslia me Mulin etj.
Mul Delia duhet nderuar e respektuar si nacionalist i vërtetë, si atdhetar që punoi e luftoi për Shqipërinë, siç e kuptonte ai dhe siç ka shkruar:

“Nuk pranova ti shërbej okupatorëve, edhe pse këta më joshën qysh para pushtimit me pare, pozita, vila…Asgja s’kam pranue, sepse Atdheu kje për mue gjaja ma e shtrenjtë; bukën e kam hangër tue i shërbye me nder dhe besnikëri dhe kam ndalue me vendosmëri, që për ambiciet e tyne e interesat e tij, të derdhej gjak shqiptari…..”

 

©Copyright Gazeta DITA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here