Marr nga libri “Qenësia e territorit dhe e kufijve etnikë autoktonë të Kosovës” – nga Avni K. Këpuska.
Gjatë sundimit në Mbretërinë Serbe, Kroate dhe Sllovene (MSKS) viset e banuara në pjesën më të madhe me shqiptarë – Kosova, Maqedonia Perëndimore, Presheva, Medvegja dhe Bujanovci me rrethinë si dhe një pjesë e Malit të Zi, bënin pjesë në viset më të prapambetura të vendit nga pikëpamja ekonomike. Kjo është pasojë jo vetëm e politikës së padrejtë të borgjezisë sunduese serbomadhe, por edhe të prapambeturisë së trashëguar gjatë sundimit pesë-shekullor ushtarako-feudal turk.
Për viset e sipërpërmendura në kohën e Mbretërisë SKS, ishte karakteristike dominimi i bujqësisë së prapambetur. Në qytete faktorë dominantë ishin zejtarët dhe tregtarët, por një pjesë e mirë e popullsisë qytetare merrej me bujqësi; industria ishte në zanafillën e saj; mbizotëronte tipi i ekonomisë natyrale, ndonëse kishte kushte të favorshme natyrale e demografike, për një zhvillim më intensiv ekonomik.
Gjendja sociale në të ashtuquajturën Mbretëri Serbo, Kroato dhe Sllovene shpuri deri në kundërthënie e padurueshmëri të papërballueshme ndërmjet pozitës së punëtorëve dhe fshatarëve të ngarkuar me detyrime dhe pushtetmbajtësve. Problem kyç ishte çështja e pazgjidhur kombëtare. Në të vërtetë “hegjemonia serbomadhe dhe centralizimi gjatë tërë kohës së ekzistencës së kësaj Mbretërie thellohej gjithnjë e më tepër hendeku midis popujve jugosllavë”. Politika çkombëtarizuese e borgjezisë serbomadhe dhe shtypja kombëtare e dobësonin gjithnjë organizimin shtetëror. Edhe vetë koncepcioni i kësaj Mbretërie ishte i kundërt me realitetin kombëtar dhe synimet e kombeve joserbe për shtetësi të veçantë në suazat të saj, ishte e kundërt me unitetin e shtetit, gjë që më së miri u pa në luftën e prillit të vitit 1941, kur u shpartallua si kullë e kartuçit.
Mbretëria Jugosllave ishte burg i vërtetë për kombësitë – pakicat kombëtare. Pakica kombëtare shqiptare, numerikisht më e madhja ndodhej në pozitë posaçërisht të vështirë. Mbretëria Jugosllave i kishte duart të lira të bënte çka të donte në pikëpamje të shtypjes dhe të shfrytëzimit të shqiptarëve, të cilët nuk gëzonin as të drejtat më elementare kombëtare e demokratike – të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në jetën publike, të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare, zhvillimin e kulturës kombëtare e të individualitetit kombëtar, veprimtarisë botuese në gjuhën e vet, etj. Pushteti serb pretendonte se shqiptarët janë të rrezikshëm për bashkësinë territoriale jugosllave dhe se për këta duhet të asimilohen, të shpërngulen ose të shfarosen fizikisht.
Ndaj kombësisë shqiptare pushteti serb ndiqte politikë asimilimi. Menjëherë pas luftës së parë dhe të dytë ballkanike, Nikolla Pashiq thoshte se Serbia, po qe se paqja do të zgjasë nja 20 deri 30 vjet, do t’ia dalë që Kosovën dhe Maqedoninë t’i inkuadrojë plotësisht në administratën dhe ekonominë e saj dhe “ popullin e tyre ta asimilojë në pikëpamje kulturore e kombëtare. Shkrirja e këtyre viseve në Serbi duhej të kryhej në mënyrë të plotë, siç janë shkrirë pas 1878 Nishi, Piroti, Leskovci dhe Vranja”.
Ndaj kombësisë shqiptare në Mbretërinë Jugosllave bëhej terror permanent, i cili shprehej përmes burgosjeve, maltretimeve dhe likuidimit fizik të shqiptarëve, por edhe të popullsisë tjetër joserbe. Ky terror arrinte deri në shfarosjen fizike të shqiptarëve. Gjithashtu, ndaj shqiptarëve bëhej presion i përhershëm ekonomik me anën e reformës së padrejtë agrare dhe të politikës tatimore. Padrejtësia e së ashtuquajturës reformë agrare më së shumti erdhi në shprehje në Kosovë. Politika e tillë agrare në këto vise dhe në Maqedoni, kishte dy qëllime kryesore: çkombëtarizimin e popullsisë shqiptare dhe maqedonase dhe krijimin e hendekut midis tyre dhe kolonistëve. [1]
Siç u vërejt më sipër, pushteti serb, duke shfrytëzuar privilegjet e pushtetmbajtësve në Mbretëri, ka bërë terror dhe shpërngulje masive për Turqi dhe asimilimin e popullit “josllav”, sidomos atë shqiptar në Kosovë. Të gjitha këto masa brutale e të paqëndrueshme janë zbatuar dhe përkrahur pareshtur edhe nga institucionet e qarqet shkencore dhe përgjithësisht intelektuale të Serbisë.
Me metoda e konstruksione të montuara në vitin 1921, është bërë regjistrimi i popullsisë sipas të cilit: nga numri i përgjithshëm i 436.926 banorëve të Kosovës, 280.480 ose (64%) kanë qenë shqiptarë në bazë të gjuhës….[2]
Nga këto të dhëna statistikore mund të konkludohet se vetë regjistrimi ka pasur për qëllim të fshihet struktura e vërtetë kombëtare në dëm të shqiptarëve, ngase përkatësia kombëtare e regjistrimit nuk ka si atribut vetëm gjuhën, por edhe komponentët tjera të karakterit ndërkombëtar të regjistrimit të popullsisë. Përveç të tjerash, kishte procese dhe qëndrime të padurueshme rreth tatimit joadekuat të shqiptarëve, së ashtuquajturës reformë agrare, me të cilën u merrej toka e punueshme fshatarëve të varfër shqiptarë dhe u jepej kolonistëve serbë dhe malazezë. Këto masa të dhunshme e të padurueshme zbatoheshin nga pushteti serb me qëllim të dëbimit të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike dhe shpërnguljes në Turqi ose asimilimit të tyre kombëtar – gjithnjë me qëllim të ndryshimit të faktorit demografik në favor të serbëve e të malazezve në Kosovë.
Ndërkaq çetat çetnike bënin terror dhe masakrime të shqiptarëve, vrisnin burra, gra, pleq dhe fëmijë shqiptarë. Përveç këtyre çetave në Kosovë është përforcuar edhe forca ushtarake me sjelljen e garnizoneve elite ose ndëshkimore, duke pretenduar se “shpërngulja dhe kolonizimi mund të realizohet me shtypje më brutale vetëm përmes forcës ushtarake”. [3]
Nëpërmjet paraqitjes së disa deputetëve në Parlamentin e atëhershëm, është konfirmuar me fakte të besueshme masakrimi dhe gjenocidi fizik i “një mijë shqiptarëve në Llap”.[4] Kësaj masakre dhe gjenocidi fizik i është kundërvënë vetëm “Lëvizja kaçake – Lëvizja kombëtare shqiptare në Mbretërinë Jugosllave…” [5] Fjala “kaçak” përpos kuptimeve tjera, në këtë tematikë ka kuptimin e personit, i cili lufton kundër pushtuesit të huaj. “Kaçakët përkundër aksioneve të shumta të armatosura të ndërmarra nga forcat ushtarake të Mbretërisë Jugosllave për mënjanimin dhe asgjësimin e tyre të plotë, përkundër këtyre aksioneve, nuk mundën të asgjësohen. Në maj të vitit 1920 gazeta “Hak” njofton opinionin se në Kosovë ndodhen 30 çeta kaçakësh”.[6]
Forcat progresive shqiptare në Kosovë i janë kundërvënë kësaj gjendje të padurueshme, duke kërkuar nga Parlamenti i atëhershëm dhe nga forumet ndërkombëtare që qeveria serbe t’i ndërpresë masakrat dhe gjenocidin fizik të shqiptarëve. Disa patriotë shqiptarë, me prova të besueshme kanë konfirmuar se kjo gjendje e paqëndrueshme nuk mund të përballohet më, duke apeluar te qeveria që, përmes një komisioni të posaçëm, të bëjë hetim për vërtetësinë e këtyre provave për masakrat dhe gjenocidin fizik ndaj shqiptarëve. Për shkak të konfirmimit të këtyre padrejtësive të paraqitura edhe patriotët shqiptarë në mënyra të ndryshme janë likuiduar nga njerëzit e regjimit serb.
Qeveria serbe jo vetëm që nuk i zvogëloi apo të paktën t’i parandalojë këto masakra dhe gjenocid fizik, por, përkundrazi, sipas së ashtuquajturës “Dora e Zezë” vazhdon edhe më tutje ato veprime antinjerëzore. Për më tepër, këto veprime i përkrahte edhe mbreti i atëhershëm serb, i cili nuk respektonte e as nuk zbatonte kushtetutën dhe ligjet e atëhershme të asaj Mbretërie. Këto reprezalje kanë vazhduar pa ndërprerje deri në kapitullimin e Mbretërisë së Jugosllavëve. Për t’i ilustruar këto fakte po përmendim materialin e shkruar nga Parlamenti i atëhershëm:
“Tërë periudha e Jugosllavisë borgjeze, ka qenë përplot terror dhe masakra ndaj popullit shqiptar, nganjëherë më pak, e nganjëherë më shumë varësisht nga forcat e qarqeve pushtuese dhe rezistenca e popullit shqiptar ndaj atyre qarqeve. Duke konfirmuar këto fakte, në mbledhjen e Komitetit të Kosovës në Vlorë është theksuar se, pas vitit 1918, në Mbretërinë Jugosllave janë vrarë 12.300 shqiptarë, se në burgje ndodheshin 22.110 persona të nacionalitetit shqiptar, se janë djegur 6,050 shtëpi dhe janë plaçkitur 10.526 familje”. [7]
Me metoda të këtilla më brutale antinjerëzore, pushteti serb kishte për qëllim dëbimin, asimilimin dhe likuidimin fizik të popullit shqiptar të Kosovës. Qeveria serbe kishte një program afatgjatë të shtypjes dhe padrejtësive politike dhe ekonomike ndaj shqiptarëve, por edhe të mbajtjes së shqiptarëve të këtyre hapësirave në prapambeturi totale, që të mund të eliminonte çdo përpjekje të daljes së masave shqiptare nga kjo prapambeturi, për të parandaluar kështu çdo përpjekje për emancipimin e tyre kulturor dhe arsimor. Kështu, shqiptarëve të Kosovës, fill pas pushtimit të tyre nga Mbretëria Jugosllave, ua mbyllën shkollat që kishin pasur nga e kaluara jo e largët, edhe ashtu të pakta, në gjuhën amtare. Shqiptarëve, gjatë periudhës së sundimit serb, rreptësishtë iu ndalua hapja e shkollave në gjuhën shqipe, ashtu siç ishte vepruar më parë ndaj tyre edhe nga pushtuesi turk.
Në atë periudhë dhe gjatë sundimit serb, shqiptarët e Kosovës mbetën populli më i paarsimuar në gjuhën e tyre amtare dhe me një përqindje të madhe analfabetësh në atë shtet dhe më gjerë. Këto veprime shtypëse as që po i bënin ndonjë përshtypje qeverisë serbe, se këto metoda ishin hartuar më parë në projektet e programeve të tyre që kishin për qëllim prapambeturin totale të shqiptarëve të Kosovës, dëbimin dhe shpërnguljen ose asimilimin e tyre. Në veprimet e qarqeve sunduese serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës u përdorën format më brutale barbare shtypëse përtej çdo mase, që rrallëherë janë shënuar në historinë e botës pothuaj në të gjitha periudhat e saj në Ballkan e më gjerë. Këto masa e metoda as ishin ndaluar ndonjëherë ndaj shqiptarëve.
Në të gjitha këto periudha të sundimit serb në Kosovë të përcjella gjithnjë me dhunë e terror ndaj popullsisë së pambrojtur shqiptare – nuk u gjendën forca demokratike serbe, për ta ndërgjegjësuar njëherë e përgjithmonë popullin serb apo inteligjencën serbe, të paktën për t’i parandaluar këto metoda antinjerëzore dhe shtypje ndër më mizoret ndaj shqiptarëve të Kosovës. Mund të thuhet me plot gojë se si qeveria serbe atëherë, ashtu si dhe qeveritë e pastajme duket se kanë qenë dhe janë të pritura nga ndjenja e antishqiptarizmit dhe të dëbimit, të asimilimit dhe shfarosjes totale të shqiptarëve nga Ballkani. Gjithashtu, edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërgjegjësohet duke iu kundërvënë këtyre padrejtësive serbe ndaj shqiptarëve dhe dënuar fajësinë apo padrejtësinë serbe, se me këtë tani e cenon apo e shkel rëndë drejtësinë ndërkombëtare në përgjithësi.
______________________________
[1]Ali Hadri, Historia e Popullit Shqiptar, II, Enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore i KSAK, Prishtinë, 1979, fq.793-795
[2] Zhivko Avramovksi, Regjistrimi i Popullsisë në Mbretërinë Serbe, Kroate dhe Sllovene më 31.1.1921.
[3]Zhivko Avramovski Ibid, fq.127.
[4] Stenografske beleshke Narodne Skupshtine Kraljevine Srba, Hrvata i Slovenaca 1924, fq.406-407
[5]Hajredin Hoxha “Përparimi” XVI, Prishtinë, nr,5 fq.358
[6] Ajet Haxhiu, Ibid, fq.122.
[7] Stenografske beleshke Narodne Skupshtine Kraljevine Srba, Hrvata i Slovenaca 1924, fq.406-408