Kristalet e “Trepçës”, kanë bërë që Kosova të njihej edhe jashtë kufijve të saj. Në kohën e presidentit Ibrahim Rugova ato ishin dhuratë për secilin mysafir si shenjë falënderimi për ndihmën dhënë Kosovës në pavarësi e shtetndërtim.
Ish presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova ishte një personalitet që përpos që ishte një politikan i zoti i kohës së tij, ai ishte një person që e donte shumë Kosovën, e donte natyrën e Kosovës, pamjet e saj e sidomos pasuritë nëntokësore që Kosova ka. Ai këtë gjë e kishte shprehur disa herë sa ishte gjallë, shkruan Trungu&InforCulture.info
Ai donte që këto pasuri natyrore t`ia tregonte e t`ia prezantonte edhe mbarë botës, në mënyrë që Kosova të promovohej në format më të mira të mundshme, dhe këtë e bënte gjithmonë kur atij i ipej mundësia që të takonte personalitete të shquara e me ndikim nga vendet e botës.
Si njeri vizionar që ishte, e dinte qartë se Miniera e Trepçës, me pasuritë që ajo posedonte, ishte e lakmuar gjithmonë nga vendet fqinje, e sidomos nga Serbia, shtet i cii zhvilloi një luftë të ashpër në Kosovë me qëllimin e spastrimit etnik në territorin e Kosovës.
Duke pasur parasysh këtë gjë, ish presidenti Rugova ndante një dashuri e pasion të vecantë për kristalet e “Trepçës”, të cilat edhe i koleksiononte dhe i ruante me fanatizëm.
Në takimet me personalitetet e shquara botërore, ai gjithmonë u jepte atyre si dhuratë një gurë/kristal të bukur, të nxjerrur pikërisht nga miniera e |Trepçës”, e cila edhe sot e kësaj dite është një nga pasuritë më të mëdha të Kosovës.
Dhënien e një dhurate të tillë, ai e kishte krijuar si lloj zakoni të tij, dhe siç thonë miqtë e ish presidentit Rugova, ai këtë e kishte shndërruar edhe si simbolikë e krijimit dhe dhënies së besimit të tij për peronat që kishte përballë, mirëpo me dhënien e një kristali të nxjerrë nga miniera e Trepçës, ai donte t`I tregonte botës, se “Trepça” ishte dhe duhej të mbetej e Kosovës.
Një gjë është e ditur, se ish presidenti historik Ibrahim Rugova, ishte personaliteti politik që me vizionin e tij të qartë për të ardhmen e Kosovës, kontribuoi shumë në shtetndërtim dhe në krijimin e raporteve të mira të Kosovës me vendet e fuqishme të botës, gjë që bëri që Kosova të jetë e përkrahur në etapat historike për liri e Pavarësi.
Miniera e “Trepçës” për secilin qytetar të Kosovës duhet të vlerësohet si një nga pasuritë më të mëdha natyrore, dhe të mbrohet e promovohet në masë të madhe./Trungu&InforCulture.info